“Besojmë te Shqipëria, Koalicioni Euroatlantik në krah të familjeve”, Basha: Çdo ditë në çdo lagje, rrugë dhe rrugicë, për të dëgjuar qytetarët dhe për të ndërtuar bashkë me ta ndryshimin

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, i shoqëruar nga kandidatet për deputete të Njësisë 10, zhvilloi disa takime me qytetarët dhe bizneset e kësaj zone në kryeqytet. Ai theksoi se shqiptarët kërkojnë një qeveri që u shërben atyre, jo një pakice të lidhur me pushtetin.
Basha prezantoi angazhimet kryesore të programit: taksë e sheshtë 9%, heqje taksash për biznesin e vogël, mbështetje për shtresën e mesme dhe fondi për mirëqenien e familjes që përfshin ndihmë për bebet, çiftet e reja dhe familjet në nevojë.
Në qendër të këtij programi qëndron familja shqiptare. Basha theksoi se është koha që qeveria të rikthejë sytë ndaj familjes si themel i shoqërisë, jo vetëm me fjalë, por me mbështetje konkrete. Paratë e taksapaguesve nuk do të shkojnë më për koncesione të dyshimta, por për mirëqenien e familjeve shqiptare, përmes një fondi të posaçëm që mbulon nga lindja e fëmijës, mbështetjen për fëmijën e tretë, e deri te subvencionimi i interesave për blerjen e shtëpisë për çiftet e reja. Programi përfshin edhe ndihmën ekonomike të dyfishuar për familjet në nevojë, pagesë të barabartë me 70% të pagës minimale për personat me aftësi të kufizuara dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë sipërmarrëse dhe ato që punojnë në sektorin artizanal apo bujqësor.
Basha premtoi zgjidhje përfundimtare për çështjen e pronës, përmes një skeme të re të kompensimit me obligacione shtetërore, brenda dy viteve të para të qeverisjes.
Në mbyllje, Basha theksoi se ai dhe ekipi i Koalicionit Euroatlantik do të jenë çdo ditë pranë njerëzve, në çdo lagje dhe rrugicë, për të dëgjuar qytetarët dhe për t’iu ofruar zgjidhje të vërteta.

Exit mobile version