Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian pritet të thërrasë sot një mbledhje të jashtëzakonshme ku do të diskutohet në lidhje me situatën në Shqipëri. Bëhet e ditur se në këtë mbledhje të jashtëzakonshme do të thirren dy raportuesit e PE për Shqipërinë, Knut Fleckeinstein dhe Eduard Kukan për të raportuar mbi situatën në Shqipëri dhe ngërçin që është krjiuar mes palëve në lidhje me Reformën në Drejtësi. “Elmar Brok, kryetari i Komisionit të Jashtëm në PE, na ka kërkuar që të shkojmë në Bruksel nesër (sot) në një mbledhje të jashtëzakonshme, 2-3 ditë para votimit të Reformës në Drejtësi, për të parë se si është situata” bëri të ditur Fleckeinstein dje në Tiranë. Dy raporterët e PE në qendrimet e tyre janë shprehur se mbështesin miratimin e një reforme sipas Komisionit të Venecias.
Meta: Pas 21 korrikut, shpërbërje Parlamentit
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta propozoi të djelën shpërbërjen e Parlamentit pas miratimit të Reformës në Drejtësi dhe ndërtimin e një qeverie ekspertësh. Ai thotë se do të japë dorëheqjen, në funksion të zgjidhjes së ngërçit me Reformën në Drejtësi, nëse kjo është e nevojshme dhe pas kësaj të kalohet në zgjedhje të lira e të ndershme. Ka qenë kjo deklarata e fortë e bërë mesditën e ditës së diel nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta. “Për t’i hequr kujtdo çdo lloj meraku dhe frike dhe duke shpresuar në patriotizmin e të gjithëve, absolutisht që miratimi i kësaj reforme është i domosdoshëm dhe duke e parë se mosbesimi është kaq shqetësues, kaq i lodhshëm dhe kaq i rrezikshëm për të ardhmen, jam i bindur që rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh, e cila pas miratimi të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pakontestuara nga askush. Unë personalisht jam gati që për hir të këtij kompromisi që nga ky moment të jap dorëheqjen si kryetar Parlamenti, në qoftë se kjo i shërben kompromisit, ministrat e forcës politike që unë përfaqësoj dhe të gjithë përfaqësuesit politikë të bëjnë të njëjtën gjë, në mënyrë që ne të detoksikojmë këtë klimë helmuese, këtë klimë kaq të egër, kaq të papranueshme për një vend që ka më shumë se 20 vjet demokraci, tranzicion, që ka pësuar tragjedi nga konflikti dhe politika e papërgjegjshme. Dhe unë jam i bindur që në këtë mënyrë ne i heqim të gjithë frikat e gjithkujt, garantojmë drejtësinë e pavarur, vendosim të gjithë të barabartë përpara drejtësisë që do të vijë nesër, por edhe përpara qytetarëve shqiptarë për të na gjykuar në zgjedhjet e reja”, tha ai. Sipas Metës, pas miratimit të reformës të ketë një qeveri ekspertësh që të mund të mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme. “Është momenti i së vërtetës. Dhe kjo kërkon të bëjmë drejtësi, siç e meritojnë qytetarët shqiptarë dhe kjo le të bjerë mbi çdo politikan. Apo të vijojmë të bëjmë lojëra politike e elektorale. Sa i takon raporteve të mia me Kryeministrin Rama, ju jeni njohur nga mediat që kemi patur një takim në Kryeministri para dy ditësh. Qëndrimi im ka qenë që përpara se të fillonte komisioni parlamentar. Ka qenë ky qëndrim drejtuar Bashës në takimin që kam zhvilluar me të për shkak të incidentit që ndodhi me kalendarin e Kuvendit, ku opozita akuzoi se qëllimisht ishin përfshirë ndryshimet kushtetuese dhe u sqarua. Kam folur me të dy që ne të fillojmë një proces të pakontestueshëm. Raporti i tyre dihet në kuptimin e qëndrimeve, edhe raporti i ndërkombëtarëve për këto çështje. Raporti im është ky, ose të pestë ta zgjidhim, ose të pestë të ikim nga politika dhe diplomacia”, tha Meta. Ai para mediave foli me tone kritike për sjelljen e aktorëve politikë në vend në lidhje me Reformën në Drejtësi. Ai i ka dhënë përgjigje ftesës së ambasadorit amerikan, Donald Lu, por edhe deklaratave të shkëmbyera midis liderëve të dy partive më të mëdha të vendit, Rama dhe Basha. Sipas Metës, nuk është koha të mbyllen brenda në një dhomë Basha dhe Rama, por të pestë, Meta, Basha, Rama, Lu dhe Vlahutin për të gjetur një zgjidhje dhe të miratohet sa më shpejt Reforma në Drejtësi. “Nuk bëhet reformë duke thënë ‘do të shkosh ti në burg’. Reforma dhe konsensusi, atë që do Uashingtoni, Brukseli dhe qytetarët shqiptarët bëhet duke thënë ‘unë do të shkoj në burg’, nëse kam shkelur ligjin. Vetëm duke folur kështu ne mund t’i japim vendit një Kushtetutë të re. Reforma nuk bëhet për zgjedhjet e radhës, por për 30 vitet që vijnë në këtë vend. Unë mbështes fuqimisht deklaratën e zonjës Nuland për të arritur konsensusin, mbështesim edhe propozimin hibrid, por konsensusi është i domosdoshëm që të arrihet”, theksoi kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
A.Shahini