Ekonomia shqiptare vazhdon të jetë e varur nga projektet e qeverisë së Sali Berishës, edhe pse ky i fundit ka katër vjet që është larguar nga pushteti. Përfundimi del nga të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë. Sipas BSH, në harkun kohor të një viti, nga tremujori i dytë 2016 deri në fund të tremujorit të parë 2017, Shqipëria ka tërhequr në total 994.3 milionë euro investime të huaja. Por 70 për qind e kësaj shifre, ose 691.3 milionë i përkasin gazsjellësit Transadriatik dhe Kaskadës së Devollit, dy projekte të kontraktuara nga qeveria e mëparshme e Partisë Demokratike. Qeveria aktuale e ka trumbetuar si një nga sukseset e saj më të mëdha rritjen e Investimeve të Huaja Direkte. Por në fakt ky është sukses i qeverisë paraardhëse, ndërsa investimet e kontraktuara nga qeveria aktuale janë thuajse inekzistente. Sipas shifrave, nëse nuk do të ishte TAP dhe Kaskada e Devollit, investimet e huaja direkte në ekonominë shqiptare do të ishin vetëm 300 milionë euro në vit, një nivel i barabartë me atë të 15 viteve më parë. Dështimi i qeverisë aktuale për të thithur investime të huaja tashmë konfirmohet zyrtarisht edhe nga Banka e Shqipërisë. Pak ditë më parë, Instituti i Statistikave deklaroi se gazsjellësi Transadriatik është burimi kryesor i rritjes ekonomike të vendit. “Aktiviteti i ndërtimit pati rritje me 14.06%, i ndikuar nga investimet publike dhe investimet private të lidhura kryesisht me projektin TAP”, deklaroi drejtoresha e INSTAT, Delina Ibrahimi. Kjo do të thotë se jo vetëm investimet e huaja, por edhe rritja ekonomike është rezultat i projekteve të qeverisë së kaluar, ndërkohë që qeveria aktuale vetëm bën propagandën.
Dështimi me investimet publike
Investimet kapitale kanë qenë padyshim pika më e dobët e qeverisjes, ku përveç uljes së fondeve si rrjedhojë e politikave shtrënguese fiskale, realizimi i planit ka hasur dobësi të theksuara pa vënë në diskutim eficencën e investimeve.
Edhe ky vit ka vijuar në të njëjtat shina edhe pse në sfond ishin zgjedhjet e përgjithshme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave plani i investimeve kapitale për 4-mujorin rezultoi 8 për qind më i ulët se programi. Muaji prill shfaqi shumë dobësi me një mosrealizim nga plani me 22%.
Investimet janë mjeti kryesor i qeverisë për të stimuluar rritjen ekonomike. Përvoja ka treguar se investimet në rrugë ndikojnë drejtpërsëdrejti rritjen ekonomike. Sidomos në vitet zgjedhore për shkak të ndjeshmërisë që kanë rrugët tek votuesit, investimet në këtë sektor kanë kapërcyer gjithmonë parashikimet, por këtë vit jo vetëm që tejkalim nuk ka po nuk po shpenzohen as fondet në dispozicion.
Sipas të dhënave zyrtare, shpenzimet për investimet kapitale arritën 14.4 miliardë lekë nga 15.7 miliardë lekë që ishin planifikuar me një mosrealizim prej 8%. Investimet anemike u shndërruan në një fenomen të viteve të fundit ku sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit vitin e kaluar janë ndërtuar vetëm 29 kilometra rrugë.
Sipas të dhënave të detajuara nga Ministria e Financave në tremujorin e parë janë financuar rreth 10 miliardë lekë të shpërndara në afërsisht 400 zëra dhe projekte, ku dominon përgjithësisht financimi me vlera të vogla.
Projekti më i financuar këtë vit është një zë shpronësimesh, prej 1,3 miliardë lekësh ose rreth 10 milionë euro që është përdorur si kompensim për ndërtimin e infrastrukturës energjetike. I dyti në radhë për sa i përket financimit vjen projekti i rrugës, Qukës–Qafë Plloqë që ka marrë nga buxheti i shtetit për tre muajt e parë një financim prej 941 milionë lekësh ose 6.8 milionë euro.
Klima e represionit, Rama largoi investitorët
Klima e represionit ndaj biznesit që u nxit nga lufta antiinformalitet në vitin 2015 i dha efektet negative, edhe tek bizneset e huaja një vit më vonë. Sipas të dhënave nga INSTAT, në vitin 2016 numri i bizneseve të huaja pësoi rënie me 5%. Nga 5939 ndërmarrje të huaja që ishin aktive në vitin 2015, sipas INSTAT më 2016 rezultuan aktive vetëm 5637 ndërmarrje, raporton “Monitor”. Të dhënat e INSTAT tregojnë se 302 ndërmarrje të huaja kanë mbyllur aktivitetin në vitin 2016. Më së shumti janë mbyllur bizneset me origjinë greke, italiane dhe ato nga Kosova. Numri i bizneseve greke është pakësuar me 22.8 për qind. Nga 675 ndërmarrje që raportoi INSTAT në vitin 2015, vitin e kaluar kanë mbyllur aktivitetin 154 biznese. Gjithashtu aktivitetin e kanë mbyllur edhe 74 biznese italiane dhe 19 biznese nga Kosova. Të dhënat e INSTAT për investitorët e huaj përputhen me perceptimet që patën organizatat e huaja të biznesit për klimën e rënduar që pasoi dy vitet e kaluara. Në vitin 2015 numri i bizneseve të huaja në raport me 2014 u rrit me 16%. Sipas aktivitetit ekonomik, 30% e ndërmarrjeve të huaja janë të përqendruara në sektorin e tregtisë dhe 30% të tjera në sektorin e shërbimeve dhe 20% janë në sektorin e industrisë. Një tjetër arsye që ka ndikuar në mbylljen e kompanive të huaja më 2016-n është dhe pastrimi i regjistrave nga tatimet (subjektet që kishin më shumë se 12 muaj pa kryer aktivitet u kaluan si pasive), ku doli në pah që një pjesë e konsiderueshme e sipërmarrjeve italiane vetëm sa regjistronin aktivitetin në Shqipëri dhe më pas nuk kryenin asnjë veprim, një skemë e dyshuar kjo evazioni ose pastrimi parash nga kompanitë italiane. Sipas INSTAT, ndërmarrjet e mëdha me pronarë apo bashkëpronarë të huaj ushtrojnë aktivitetin ekonomik kryesisht në: call center, prodhim veshje e këpucë dhe aktivitetet bankare. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë dhe Durrës. Bie në sy që rreth 77% e sipërmarrjeve të huaja janë me 1-4 punonjës, duke treguar nivelin e ulët të kompanive që vijnë në Shqipëri dhe rrjedhimisht edhe të investimeve që ata sjellin.
Gati reduktimi i përfituesve me ndihmë ekonomike
Qeveria shqiptare i ka kërkuar Bankës Botërore që të shtyjë afatin për projektin e modernizimit të asistencës sociale, e cila në vetvete përfshin një reformim të thellë ndihmës ekonomike. Në një raport të fundit të Bankës thuhet se, nga 30 qershori 2017, që ishte parashikuar të mbyllej ky projekt, data e re e miratuar është 31 dhjetori 2018. Deri më tani rezulton që të jenë disbursuar 23.8 milionë dollarë nga totali prej 50 milionësh, që parashikon i gjithë projekti. “Implementimi i projektit ka ecur mirë që nga vizita e marsit dhe indikatorët e lidhur me disbursimin janë arritur dhe verifikuar, ndërkohë që nën verifikim janë fazat 7-14 që e çojnë totalin e disbursimit në 25 milionë dollarë ose 67% të gjithë projektit. Faza e pilotimit në reformën e paaftësisë ka nisur në fund të prillit. Në shtesë të kësaj ka progres tek ndihma ekonomike, ndërkohë që ka vazhduar përgatitja e terrenit për shtrirjen e reformës në gjithë vendin dhe zbatimi do të nisë në vjeshtë”, thuhet në raportin e Bankës Botërore. Përfitues në total nga skema rezultojnë mbi 490 mijë individë, ndërkohë që në nisje të projektit, në këtë skemë ishin mbi 604 mijë përfitues. Pikërisht numri i lartë në këtë skemë, ku në shumë raste konstatoheshin edhe abuzime, sollën edhe nevojën e modernizimit dhe reformimit të saj. Në fund të projektit, sipas vlerësimit të Bankës, në këtë skemë parashikohen të jenë të paktën 500 mijë përfitues, që do të kalojnë “në sitën” e kritereve të reja. Për të parandaluar rastet e abuzimeve apo mashtrimit projekti parashikon hetime nga ana e inspektorëve. Të paktën 75% e rasteve që përfitojnë, do të kalojë në vlerësim të vazhdueshëm. Projekti që nisi në vitin 2015 ka dy komponentë thelbësorë ku i pari është Forcimi i Zbatimit dhe Performancës së Programeve të Asistencës Sociale me një kosto 46.2 milionë dollarë dhe i dyti Asistenca Teknike për Forcimin e Kapaciteteve Zbatuese të programit që ka një kosto 3.67 milionë euro.
Të dhënat për investimet e huaja
Banka e Shqipërisë ka publikuar të dhënat e Investimeve të Huaja Direkte sipas shtetit të origjinës dhe aktivitetit ekonomik për periudhën janar-mars të këtij viti. Në total, investimet e huaja ishin 168 milionë euro. Sipas aktivitetit ekonomik, sektorët që po tërheqin më shumë investime janë tepër të kufizuar. Në tre muajt e parë të vitit, 70 milionë euro kanë ardhur nga industria nxjerrëse, ku investitori më i madh është Bankers Petroleum. Këto investime janë kryesisht në hapjen e puseve. Pasi ishin zero në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit, për shkak të çmimeve të pafavorshme të naftës në bursa, në 6 muajt e fundit, investimet në naftë rezultojnë të jenë rritur ndjeshëm (në tremujorin e katërt 2016 ishin 56 mln euro). Sektori i dytë, që arrin në 69 milionë euro, nuk jepet për arsye konfidencialiteti, por këtu përfshihen investimet në energji dhe kryesisht ato për punimet e gazsjellësit TAP, i cili edhe këtë vit është në një fazë intensive punimesh, që pritet të përfundojnë më 2019-n, raporton “Monitor”. Të dy këta sektorë përbënin 82% të totalit të investimeve në tremujorin e parë të vitit. Përqendrimi i investimeve jep alarmin për nevojën e diversifikimit të tyre në të ardhmen. Sipas sektorëve, 14 milionë euro të tjera janë aktivitete financiare dhe të sigurimit dhe 10 milionë euro janë aktivitete të pasurive të paluajtshme. Sipas shtetit, për 134 milionë euro, ose 80% e investimeve nuk jepet origjina për arsye konfidencialiteti. Këtu përfshihen sërish investimet e TAP, që është një konglomerat kompanish nga shumë vende. Edhe për investimet e Bankers nuk jepet origjina, pasi kompania u shit në fund të vitit të kaluar te kinezët e Jeo jade (më parë Bankers konsiderohej investim kanadez.) Më pas renditen Austria me 20 milionë euro dhe Italia me 17 milionë euro. Franca dhe Kosova kanë investuar nga 2 milionë euro secila në tre muajt e parë të vitit.