Nuk kemi ofertë për Sadikun

E ardhmja e Armando Sadikut mbetet ende e paqartë, ndonëse zërat për interesimin e skuadrave të ndryshme, madje edhe nga Izraeli nuk kanë munguar. Futbollisti i kombëtares kuqezi ka shijuar pushimet në Shqipëri, por nuk dihet nëse do ta vijojë stërvitjen me Zyrihun që zotëron kartonin e tij. 26-vjeçari bën pjesë në listën e futbollistëve që mendohet se do ta vijojnë karrierën larg klubit zviceran.
Presidenti i Zyrihut, Ancillo Capena, i pyetur për të ardhmen e Sadikut e ka pranuar se sulmuesi shqiptar do të largohet dhe kjo është normale, por për momentin nuk ka mbërritur asnjë ofertë zyrtare për kartonin e tij. Nëse Zyrihu nuk arrin të përfitojë nga kartoni i Sadikut në këtë merkato vere, atëherë do ta humbasë me parametër zero. Nga skuadra që sapo u ngjit në Superligën e Zvicrës mund të largohet edhe Burim Kukeli, që në moshën 33-vjeçare nuk konsiderohet lojtar i perspektivës. Sikurse veproi me Sadikun gjatë janarit, Zyrihu mund ta huazojë lojtarin te Lugano, aktualisht pjesëmarrëse në Europa League.

Artikulli paraprakBSH: 70% e projekteve më 2017 nga qeveria Berisha
Artikulli tjetërRrahmani debuton me gol te Dinamo Zagreb