Çakejtë e shantazhimeve

Sokol GJONI

Reforma në Drejtësi si debat dominues i politikës shqiptare gjatë këtyre 6 muajve është preludi i përpjekjeve të radhës së shpurës qeverisëse për kapje dhe nënshtrim të institucioneve kushtetuese. Qeverisja aktuale, përtej stolisjes me platformën rilindiste, synon qartë të instalojë si rend kushtetues doktrinën neobllokmene, e cila është pasuese e mendësisë së etërve të tyre dhe vjen si përmbushje amaneti e bijve. Ngutja me ngulm e Ramës për të votuar “reformën”, është tallazitja kuptimplotë e polaritetit politik të krijuar mbi këtë çështje. Drafti i paraqitur, projekton reformën e re të një sistemi gjyqësor, ku establishmenti neobllokmen siguron kapjen e sistemit dhe për pasojë, bërjen e drejtësisë për të gjithë ata, të cilët nuk respektojnë vijën e partisë. Kjo reminishencë vjen e hidhur për të gjithë ne, si qytetarë të një vendi që aspirojmë integrimin në familjen e vlerave demokratike, pasi një sistem të tillë e kemi lënë pas këtu e 26 vite më parë dhe kurrsesi nuk mund të pranojmë cenimin e institucionve kushtetuese që garantojnë rendin demokratik dhe afirmimin e vlerave të lirisë dhe të së drejtës. Përpos shfokusimit nga realiteti, ku qeverisja programore-rilindiste u transformua në bandë zhvatjeje dhe plaçkitjeje të vendit, me dështime dhe skandale të njëpasnjëshme, me mospërmbushje të asnjë prej premtimeve të bëra, (është përmbushur vetëm premtimi doktrinor i Eduart Shqalsit), me mungesë investimesh në sektorët publikë dhe strategjikë të vendit, me përkeqësimin në rritje të treguesve ekonomikë, me mungesë vizioni për politika të qëndrueshme zhvillimore, makineria propagandistike e Ramës tenton të paraqesë për konsumizëm publik një produkt që ambalazhon gjithë dështimin e saj, por që marketohet me emrin “reforma e drejtësisë”. Retorika e qeverisë, e cila adreson gishtin e përgjegjësit për opozitën në mosarritjen e konsensusit, është loja e vjetër e kungulleshës, që ngërthen palët në qëndrime herë-herë të skajshme. Që në nisje të procesit, opozita ka dëshmuar kohezion dhe konsistencë për të patur një reformë përputhmërisht me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe që garanton moskapjen e sistemit nga politika. I ndodhur përballë qëndrimit stoik dhe koherent të opozitës për një reformë që mban larg duart e politikës nga “drejtësia”, Rama doli lakuriq në maskaradën e këtij debati, menjëherë, sapo doli megaskandali i përgjimeve. Rama, përveçse i përfshirë drejtpërdrejtë në realizimin e përgjimeve ndaj drejtuesve më të lartë të shtetit dhe të institucioneve të pavarura, përmes alibive të tij, cenoi sigurinë kombëtare dhe rendin demokratik të vendit, duke njollosur dhe vendet mike të Shqipërisë dhe partnerët tanë të sigurisë si të përfshira në këtë skandal. Pezullimi me vendim gjykate i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, si person me përgjegjësi në paligjshmërinë e madhe të përgjimeve, shërbeu për opinionin publik dhe veçmas, për ndërkombëtarët e atashuar në arritjen e konsensusit final, si eureka e rebusit të ngutjes së Ramës për ta kryer këtë “reformë”. Menjëherë, pas pezullimit të Haki Çakos, pati në adresë të gjyqtarit një vërshim deklaratash nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ramës, të mbushura me patetizëm çunakësh dhe mllefosje primitive, çka nxori në pah thelbin e vërtetë të orientimit të reformës që po kërkohet me ngulm nga Rama dhe të tijtë të votohet brenda këtij muaji. Megaskandali i përgjimeve, i cili është në proces hetimi nga Prokuroria shqiptare, pritet të dallgëzojë dhe më furishëm debatin e trazuar politik të vendit, duke shtruar si domosdoshmëri kërkesën për ekuilibër të ri të drejtimit të Shqipërisë. Reforma, nuk mund të shërbejë për Ramën si alibi e fshehjes nga dështimet dhe keqqeverisja, por, si premisë vullnetmirë e klasës politike për t’i dhënë vendit një sistem drejtësie që e përafron me standardet evropiane. Mekanizmi i shantazhimit të gjyqtarëve është as më shumë e as më pak, por ndërhyrje në bërjen e drejtësisë sipas interesit të shantazhuesve, e thënë ndryshe, drejtësi sipas pushtetit. Lukunia e çakajve shantazhues ndaj gjyqtarit që mori një vendim të ligjshëm për kryerjen e paligjshme të përgjimeve, është metafora groteske e debatit mbi drejtësinë.

Exit mobile version