Cens 2023, nxënësit që ndjekin arsimin parauniversitar janë 9,3% më pak se sa ishin të regjistruar

Studious female high school student

Të dhënat e Cens 2023 kanë zbuluar se numri individëve +6 vjeç që ndjekin arsimin parauniversitar ishte 317,213 nxënës, teksa në të njëjtin vit shkollor (2023-2024) INSTAT, referuar Ministrisë së Arsimit, raportoi se arsimin parauniversitar +6 vjeç e ndiqnin 349,827 nxënës.

Numri i nxënësve që ndjekin arsimin nga klasa e parë deri në përfundim të shkollës së mesme ishte rreth 27 mijë nxënës më pak ose 9.3% më i ulët se sa shifra zyrtare që është referuar në fillimin e vitit akademik.

Të dhënat e Cens 2023 kanë treguar rënie drastike të numrit të nxënësve në shkolla. P.sh., INSTAT referoi se në vitin akademik 2023-2024 e ndiqnin arsimin 9-vjeçar mbi 258 mijë nxënës, ndërsa sipas Cenc 2023 ky nivel arsimor ndiqej nga rreth 231 mijë nxënës.

Gjithashtu Cens referoi se në momentin kur u krye anketa, vetëm 86 mijë persona ishin duke ndjekur arsimin e mesëm, ndërsa sipas të dhënave zyrtare, në vitin akademik 2023-2024 ishin regjistruar në arsimin e mesëm 91 mijë nxënës, ose rreh 5 mijë më pak se të dhënat zyrtare të regjistrimit.

Të dhënat e Cens tregojnë se arsimi bazë ose përballet me braktisje të studimeve, ose Ministria e Arsimit ka raportuar të dhëna të fryra për numrin e fëmijëve të regjistruar.

Ndryshe nga censet e kaluara, INSTAT ende nuk ka publikuar popullsinë që banon në zonat rurale me të dhënat e Cens 2023, por realiteti tregon se në qindra shkolla në zonat rurale të vendit kanë më shumë mësues se nxënës.

Numri i nxënësve në shkolla ka pësuar rënie të shpejtë në dekadat e fundit si rrjedhojë e emigracionit të lartë dhe rënies së lindjeve, por numri i mësuesve nuk ka ndjekur të nijetin ritëm..

Përmirësimi i raportit nxënës-mësues nuk ka ndikuar në përmirësimin e aftësive të nxënësve.

Reformat në arsim vitet e fundit nuk i shërbyen përmirësimit të cilësisë, referuar rezultateve të testit global të njohurive të 15-vjeçarëve “Pisa 2022” ku Shqipëria pa rënien më të madhe të rezultateve në krahasim me testin e vitit 2018.

Në vitin shkollor 2023-24, numri i mësuesve në arsimin 9-vjeçar është 24.109, ndër të cilët 78,0% janë gra.

Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 15,1 dhe në atë privat është 15,2. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9-vjeçar, raporti nxënës për një mësues në arsimin publik është 7,9 dhe në atë privat 8,0.

Numri i mësuesve në arsimin e mesëm të lartë është 8.307 prej të cilëve 69,6% janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm të lartë është 11,5 në arsimin publik dhe 9,1 në atë privat./Monitor.al

Exit mobile version