Chelsi e United rivalitet të fortë në merkato

Trajneri i ri i Hull City, Leonid Slutsky kërkon të shfrytëzojë miqësinë me presidentin e Chelseat, Roman Abramovich për të afruar në skuadër disa futbollistë me formulën e huazimit. Një nga emrat e piketuar nga trajneri rus është mbrojtësi çek Tomas Kalas, për të cilin duhet të mposhtë rivalitetin e Fulham. Slutsky ka marrë drejtimin e Hull City-t dhe ka si objektiv rikthimin e skuadrës në Premier League.
Chelsea dhe Manchester United pritet të kenë rivalitet të fortë gjatë kësaj periudhe të merkatos. Një nga objektivat e përbashkëta është sulmuesi i Fiorentinës, Federico Bernardeschi për të cilin kanë shfaqur interes edhe klubet më të mëdha të Serisë A. Megjithatë Chelsea dhe Manchester United kanë bekimin e Fiorentinës që mund të përfitojë rreth 35 mln paund nga ky transferim. Ndërkohë Chelsea duket të jetë në avantazh ndaj United në garën për kolumbianin e Real Madrid, James Rodriguez.
Antonio Conte kërkon të përforcojë skuadrën me elementë cilësorë, në mënyrë që të përballojë sa më mirë sezonin e ardhshëm, ku ka objektiva madhorë si në kampionat ashtu edhe në Champions League. Kampionët e Anglisë kanë avancuar tratativat me Ajaksin për transferimin e Jairo Riedevald, futbollisti që mund të përdoret në qendër dhe në krah të majtë si në mbrojtje ashtu edhe në mesfushë. Gjithashtu Conte ka kthyer sytë tek Lorenzo Insigne i Napolit, të cilin e konsideron si zëvendësuesin ideal të Eden Hazard.
Kalimi i Serge Gnabry tek Bayern i Mynihut u cilësua si një tjetër betejë e fituar nga bavarezët ndaj Arsenalit. Tek Arsenali janë ndjerë si në faj për këtë kalim, teksa trajneri Arsene Venger që dikur e vlerësonte si sulmuesin e të ardhmes sqaron situatën e këtij largimi. “Ne nuk dëshironim të privoheshim nga Gnabry”, u shpreh Venger. Madje dëshironim që ai të qëndronte. Por Gnabry ishte në vitin e fundit të kontratës, të cilën ishim shumë pranë për ta zgjatur, megjithatë ai ndryshoi mendim dhe preferoi kalimin tek Verder Bremen. Në këtë mënyrë Venger bën të ditur se gjithçka ka qenë një zgjidhje e lojtarit për t’u rikthyer në Bundesligë.

Exit mobile version