Mbrëmjen kur Donald Tramp fitoi efektivisht nominimin republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Hilari Klinton vëzhgoi heshtjen e radiove. Ajo kishte humbur në Indiana përballë Berni Sendërsit, një siklet i vogël në një vit poshtërimesh irrituese. Indiana qe një kujtesë kokëfortë e dobësive të saj, pas një serie fitoresh të fuqishme në verilindje të vendit – llojin e fitoreve që Bill Klintoni nuk i korri dot në parapraket e vitit 1992 deri në zgjedhjet e përgjithshme.
Përkundrazi, fitorja e tij kryesore në parapraket e Nju Jorkut në vitin ‘92 ndaj Xherri Braunit ishte e kushtueshme, edhe pse ajo thuajse i siguroi emërimin; ai u godit nga tabloidet, dukej i lodhur dhe elementët jo në favor të tij ishin të shumtë. Billi pati probleme më të mëdha se sa me serverin e e-maileve: ai ishte zbuluar kohët e fundit si një shmangës i rekrutimit në luftën e Vietnamit dhe një feminist.
Njerëzit e quajtën “Slick Willy”. Brenda disa javësh, ai do të gjendej në një vrimë të thellë e të errët që Hilari e ka përjetuar këtë vit – do të garonte i treti pas Xhorxh H.W. Bush dhe të pavarurit Ros Perot. Deri në qershor, vetëm 13 për qind e publikut e cilësonte të besueshëm. Ai dukej si një figurë e djegur. Ky është një lajm i vjetër, por gjithsesi një histori e gjallë për klintonët. Kjo është ajo që mban Hilarin gjallë, madje edhe kur bastionet më të famshme të demokratëve kanë mbështetur Bërni Sendërsin.
Më shumë se secili nga politikanët e tjerë që kam të mbuluar, klintonët kanë një kuptim të përsosur të kronologjisë. Ata e dinë se politika lëviz më ngadalë sesa furia e përditshme e mediave, se linjat e reja historike- veçanërisht rikthimi në kohë janë ushqimi i rrjeteve kabllore.
Ata e dinë se sondazhet mund të ndryshojnë, se Tramp do të ketë ditën e tij, se zgjedhjet e përgjithshme mund të jenë një Apokalips. Por ata kanë besim se ajo do të fitojë. Bill Klintoni u ndihmua në rikthimin e tij në vitit 1992. Perot u dëshmua të ishte një i marrë: ai doli nga gara në korrik, dhe më pas u rikthye sërish për debatet televizive të vjeshtës.
Bush nuk qe aspak frymëzues. Por Klinton gjithashtu ndërtoi fatin e tij. Zgjedhja prej tij e Al Gorit si zv/president qe e pazakontë: Gor dukej një klon i Klintonit: i ri, i moderuar dhe jugor, në vend të bakancuesit të zakonshëm – dhe ndjesia që përcillte ekipi i elektoral qe risia. Kur Klinton dhe Gor filluan një turne festiv me autobus nëpër Amerikë menjëherë pas konventës së demokratëve, zgjedhjet qenë thuajse të vendosura. (Dominimi i Klintonit në debatet televizive të vjeshtës e vulosi marrëveshjen).
Në disa aspekte, Hilari përballet me një detyrë më të lehtë. Donald Tramp është një President i papranueshëm për Shtetet e Bashkuara. Por ajo ka një problem që Billi nuk e kishte. Ai e përfshiu presidencën nën një valë energjie dhe entuziazmi të pastër – dhe kjo qe diçka e re, gjenerata e “Baby Boomers” po merrte në duar fatet e vendit!
Hilari është Xhorxh H.W. Bush i kësaj fushate, duke ‘shitur’ stabilitet – çka mund të provohet të jetë një aset i shitshëm, duke pasur parasysh çmendurinë në kampin republikan, por vrulli ushqehet kryesisht me eksitimin e elektoratit. Perceptimet thelbësore në sondazhe si “besueshmëria” mund të rifitohen, por ato kanë nevojë për një shtysë. Zgjedhja prej saj e zv/presidentit do të jetë një element i rëndësishëm.
Një zgjedhje tradicionale do të jetë një politikan i ri, latin dhe meshkull, por ekuivalenti e një Al Gori për Hilarin do të ishte… Elizabet Uoren. Një grua tjetër, por një e jashtme; një kandidate që mund të grupojë legjione votuesish të rinj, dhe që për të Bërni do të ishte një objekt i shkëlqyer sulmi (një funksion i rëndësishëm zëvendës-presidecial).
Unë e di: kampi i Klintonit nuk ka besim tek Uoren. Ajo do të ishte një elektron i lirë, një rrezik. Prania e saj në stafin e ri mund të kufizonte përpjekjet e Hilarit për të bindur republikanët e moderuar dhe skifterët e politikës së Jashtme, të cilët ngrenë një tjetër hipotezë: Pse të mos caktohet një grua e moderuar republikane – Kondoliza Rajs, Guvernatorja e Karolinës së Jugut Niki Hallej, për të frenuar valën barbare? Kjo do të ishte e pamendueshme.
Në mënyrë të pashmangshme, zgjedhja e zv/presidentit do të ketë një rol dytësor në zgjedhjet e përgjithshme. Presidenca fitohet në momente diskrete, pasi publiku vlerëson humanizmin e kandidatëve. Donald Trump është më shumë një markë se sa një person; duke pasur parasysh grimin e tij dhe krehjen e pazakontë, ai duket më shumë si një person i rëndësishëm në “The Hunger Games” se sa një djalosh i rregullt.
Sa ndërveprime spontane e të ndjeshme njerëzore ka patur ai me votuesit individualë? Asnjë që unë mund të kujtoj. Ai është i gjithi një fasadë. Në epokën e televizionit, ekziston një rregull bazë në politikë: i ngrohti gjithmonë mund të ftohtin (me përjashtim të Ricard Niksonit).
Atu-ja e fundit e Hilari Klintonit kundër Trampit nuk do të jetë gjinia, por humanizmi i saj relativ – një kthesë ironike, duke patur parasysh ngathtësinë e saj në publik. Vendimi i saj për t’u takuar me minatorët e qymyrit në Virxhinian Perëndimore, për t’u kërkuar falje për parashikimin e saj të ashpër, por realist, se ata do të humbasin punën e tyre është një gjest i paimagjinueshëm për Trampin. Në intimitetin e zgjeruar të një fushate presidenciale, momente të tilla kanë rëndësi.