Granit Xhaka vesh fanellën e Arsenalit

Granit Xhaka është zyrtarisht një lojtar i Arsenalit. Gjigantët e Premier League zyrtarizuan transferimin e 23-vjeçarit nga Borussia Monchengladbach. Blerja e mesfushorit me origjinë shqiptare, i kushtoi “topçinjve” 46,1 milionë euro, ose ndryshe 35 milionë stërlina. Investimi bëhet edhe më i rëndësishëm, pasi mediat britanike zbuluan detaje të rëndësishme nga kontrata 5-vjeçare e lojtarit, i cili do të përfitojë një pagë javore prej 145 mijë euro.
Granit Xhaka e përfundoi transferimin te klubi londinez prej së enjtes së kaluar, kur zhvilloi vizitat mjekësore dhe pozoi me fanellën e re të skuadrës, ndërsa mesfushori tha edhe fjalët e para si lojtar i Arsenalit. “Jam shumë i lumtur që do të luaj në Angli. Për mua është një ëndërr që realizohet. Ndeshja e parë e futbollit që kam parë në fëmijërinë time ka qenë nga Premier League. Më pëlqen futbolli anglez. Loja në Premier League është agresive, por më pëlqen mënyra sesi luan Arsenali”, tha Granit Xhaka.
Pasi pranoi se e ka ndjekur mesfushorin prej një kohe të gjatë, Arsen Wenger vendosi ta finalizojë marrëveshjen përpara startit të Euro 2016. Ndërkohë, Xhaka do t’i bashkohet ekipit në “Fly Emirates” vetëm në përfundim të Euro 2016, ku përfaqëson Zvicrën.
“Çdo ndeshje në Angli është një betejë, por Arsenali është në gjendje të prodhojë futboll të bukur. Ottmar Hitzfeld më ka cilësuar Schweinsteigerin e ri? Nuk e di, unë jam Granit Xhaka. Shumë vite më parë, prindërit mi linin mua çelësat e shtëpisë, edhe pse kam një vëlla më të madh. Jam një lider i lindur dhe fakti që kam qenë kapiteni më i ri në historinë e Monchengladbach ka qenë një eksperiencë e mirë. Arsenali e mbylli sezonin në vendin e dytë, por unë shpresoj që sezonin e ardhshëm do të shpallemi kampionë”, u shpreh Xhaka.
Me 46,1 milionë euro të paguara, Granit Xhaka bëhet blerja e dytë më e shtrenjtë në historinë e Arsenalit, pas 56 milionë eurove që “topçinjtë” i paguan Realit të Madridit në vitin 2013 për Mesut Ozil.

Exit mobile version