Pajisja e përgjimit, ambasadori italian takim me Llallën

Ambasadori italian, Alberto Cutillo ka zhvilluar një takim me kryeprokurorin Adriatik Llalla. Zyrtarisht bëhet me dije se pjesë e bisedës ka qenë edhe hetimi i fundit i Prokurorisë shqiptare në lidhje me ekzistencën e një pajisjeje përgjimi që është përdoruar nga policia shqiptare. Kryeprokurori ka siguruar diplomatin italian se Prokuroria shqiptare nuk po heton veprimet e policisë italiane. Në një kohë kur Prokuroria shqiptare ka nisur hetim në lidhje me ekzistencën e një pajisje të paligjshme përgjimi, ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo ka zhvilluar një takim me kryeprokurorin Adriatik  Llalla.
Ai ështe mbajtur në mesditën e djeshme në zyrën e kryeprokurorit dhe zyrtarisht mësohet se kreu i akuzës shqiptare e ka siguruar kryediplomatin italian se në Shqipëri nuk ka asnjë zhvillim apo hetim mbi veprimet e policisë italiane, pra as në hetimin e fundit për ekzistencën e pajisjes përgjuese, e cila sipas policisë shqiptare është trajnuese dhe e disponon Interforcë. Në këtë takim prokurori i Përgjithshëm vlerësoi rolin e forcave të sigurisë italiane në shkëmbimin e informacionit me autoritetet shqiptare për evidentimin, zbulimin dhe vendosjen para drejtësisë të personave të përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale në të dy vendet tona. Ndërkohë hetimet në lidhje me pajisjen e përgjimit vijojnë dhe Prokuroria shqiptare është në pritje të përgjigjes nga Interforcë. Pak ditë më parë Prokuroria ka marrë në pyetje në lidhje me këtë hetim drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako dhe nëndrejtorin Ardian Çipa.

Exit mobile version