Edhe INSTAT konfirmon shifrën dramatike: 40% e popullisë së Shqipërisë është larguar nga vendi

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019, shkalla zyrtare e papunësisë në vend ishte e barabartë me 11.4 % të popullatës të aftë për punë. Edhe pse kjo normë papunësie mbetet relativisht e lartë në krahasim me vendet e BE-së, kompanitë shqiptare janë vënë në vështirësi gjatë vitit që shkoi, për shkak të largimit të punonjësve nga puna si pasojë e emigrimit jashtë vendit.

Sipas një studimi të publikuar të hënën nga Instituti Shqiptar i SME-ve “SME Albania”, rreth 61% e ndërmarrjeve kanë pasur të punësuar që janë larguar për arsye të emigrimit jashtë vendit gjatë vitit 2019.

Enriko Hajdaraj, konsulent biznesi pranë SME Albania i tha BIRN se gjatë studimit mbi largimin e forcës punëtore nga sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, këto kompani kanë shprehur si problem kryesor mungesën e fuqisë punëtore të pakualifikuar si edhe vështirësinë në rekrutim, pasi ka një ofertë shumë të ulët nga tregu i punës.

“Në shumicën e rasteve personeli i kompanive largohet pa një njoftim paraprak tek kompanitë, që do të thotë se kjo ka krijuar vështirësi në përmbushjen e kontratave, kryesisht tek kompanitë me natyrë fason tekstile – këpucë, të cilat duhet të dorëzojnë produktin në kohë”, shpjegoi Hajdaraj.

Sipas konsulentit largimi i punonjësve në mënyrë të menjëhershme, i vë në vështirësi kompanitë e vogla dhe të mesme, për shkak se çdo punonjësi i ri që i bashkohet personelit i duhet koha e duhur për trajnimin dhe kualifikimin që i duhet bërë.

Studiuesit dhe sociologët i gjejnë rrënjët e emigrimit masiv jashtë vendit jo vetëm tek rrogat e vogla që kompanitë e shqiptare ofrojnë, por edhe për shkak se tregu ofron mundësi të kufizuara dhe mbrojte të dobët për të drejtat e punëtorëve.

Gjithashtu, ato fajësojnë edhe strukturën oligarkike të ekonomisë shqiptare, korrupsionin e gjithëpërhapur dhe mungesën e vizionit për të investuar tek të rinjtë, si disa nga arsyet që i shtyjnë shumë shqiptarë të emigrojnë, duke krijuar tronditje në tregun e punës.

INSTAT vlerëson se 1.64 milionë shtetas shqiptarë, të barabartë me 36 % të popullsisë jetojnë dhe punojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Ndërkohë, gjatë vitit 2019 norma vjetore e emigrimit është rritur me 3.6 %.

“Nëse vazhdon ky fenomen, me shumë keqardhje them se e ardhmja e hapësirës shqiptare në Ballkan është në pikëpyetje”, shprehet prof. Dr. Zyhdi Dervishi, sociolog dhe pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës .

Ai e lidh migrimin e shqiptarëve jo vetëm me çështje ekonomike, por edhe me padrejtësitë dhe mbi të gjitha me shpërbërjen e sistemit të vlerave.

“Shqiptarët kanë shkallën më të lartë të emigrimit, dhe duke qenë një popull i vogël kjo e rëndon dhe më shumë situatën” tha Dervishi, duke e cilësuar këtë fenomen si një “tragjedi kombëtare.’

Paga minimale në Shqipëri është 26 mijë lekë dhe ajo mesatare sipas INSTAT ishte 51.870 lekë gjatë tremujorit të tretë të 2019-tës – disa herë më ulët se mesatarja e vendeve të BE-së. Por sipas studiuesve, paga e ulët nuk është i vetmi faktor që i shtyn punëtorët shqiptarë të emigrojnë.

“Unë mendoj që shkaku kryesor është nënpunësimi, që do të thotë të punosh në një zanat që ti nuk e ke, apo të punosh në një vend pune ku shumë pak prej të drejtave të tua ligjore respektohen, ku paga është e ulet si në terma absolut (krahasuar me nevojat objektive individuale) ashtu edhe në terma relativë (krahasuar me nivelin e vendeve të tjera)”, tha Arlind Qori, pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale.

“Mua më duket sikur një të riu sot në Shqipëri i jepen dy alternativa: Të rropatet në fasoneri, nëse nuk është i arsimuar, ose të rropatet në ‘call center’”, theksoi ai.

Sipas Qorit në rol në largimin e punëtorëve në emigrim luan dhe struktura e ekonomisë shqiptare, që sipas tij është e tillë që i shërben një grupi shumë të vogël njerëzish.

“Modeli i zhvillimit ekonomik në Shqipëri tregon se ekonomia ka pak nevojë për punë të kualifikuar njerëzish dhe se ata që kanë pasurinë më të madhe në vend e zgjerojnë nëpërmjet marrëdhënieve korruptive me shtetin, dhe jo nëpërmjet punësimit te kualifikuar apo të mirëpaguar,” theksoi ai.

Te njëjtën problematikë konstaton edhe prof. Dervishi, i cili shprehet se është e pafalshme për strukturat e shtetit shqiptar të mos shfrytëzojnë burimet e vendit për të zhvilluar industrinë në sektorë te ndryshëm, e si pasojë hapjen e vendeve të punës së kualifikuar.

“Paratë e fituara në Shqipëri duhet të investohen në Shqipëri”, thekson ai, duke vënë në vend të parë stimulimin dhe investimin në burime njerëzore.

“Nëse një biznesmen shqiptar ka fuqinë të punësojë rreth 500 veta, duhet t’i jepet prioritet sigurimit të kushteve të punës së këtij personeli, dhe jo fitimeve që mund të marrë shteti nga ky biznesmen,” shtoi Dervishi.

Sipas tij ridimensionim i ekonomisë mund të arrihet nëse në Shqipëri do rikthehej konkurrenca e lirë në vend të monopolizimit dhe nëse shteti do të ndërhynte në treg fuqishëm me investime publike.

“Shqipëria është një vend i vogël që i përngjan një anije të vogël, që ndryshe nga tragetet e mëdhenj, arrin ta marri shpejtësinë shumë shpejt, por i duhet një timonier vizionar”, përfundoi sociologu.

“Reporter.al”

Exit mobile version