Djajtë që i paraprinë Revolucionit

Nga Ergys Mërtiri

Në romanin Djajtë, Dostojevski ka ndërtuar botën kuptimore të revolucionarëve që i paraprinë komunizmit në Rusi. Ai na rrëfen ankorimin e tyre tek dhuna dhe destabilizimi i shoqërisë, si të vetmet mjete për të shkurtuar rrugë drejt utopisë së dëshiruar. Kjo paraqitet në një dialog mes “djajve”, personazhe misionarë që luftojnë për kauzën e një shoqërie të re, ku lufta për të krijuar kushtet e favorshme të një stadi paraprak për shpërthimin e revolucionit, kërkon shndërrimin e një shoqërie ku gjithkush është në luftë me gjithëkë. Personazhet diskutojnë zgjedhjen e duhur midis dy rrugëve, atë të ngadaltë, e cila kërkon mund dhe shumë kohë, dhe atë të shpejtën, e cila kërkon miliona kokë njerëzish, por që nuk janë asgjë përballë misionit të madh të shpëtimit të shoqërisë. Pasazhet e shkëputura më poshtë ofrojnë një model të të menduarit revolucionar.

“Meqë ndërtimi i shoqërisë duhet konceptuar qartë ndërkohë që po bëhemi gati të veprojmë, po ju parashtroj sistemin tim të ndërtimit të botës. […] Jam nisur nga ideja e lirisë së pakufizuar dhe kam dalë te nevoja e despotizmit. Mendoj se përjashtohet çdo zgjidhje tjetër e formulës së shoqërisë. […] Parashikohet ndarja e njerëzimit në dy pjesë të pabarabarta: një e dhjeta pjesë që do të gëzojë lirinë e pakufizuar, kurse mbi nëntë të dhjetat s’duhet të kenë as identitet, duhet të shndërrohen në kope, duhet ti nënshtrohen plotësisht pakicës dhe të arrijnë me këtë pafajsinë primitive, njëfarë parajse primitive, ndonëse për të punuar ata do punojnë.”

“Që të gjithë skllevër dhe në skllavëri të gjithë të barabartë. Vetëm në rastet më të skajshme puna shkon deri në shpifje e mllefe, ndodh edhe ndonjë vrasje, por mbizotëruese është barazia. Puna e parë që duhet bërë është: Ulja e përgjithshme e nivelit arsimor e shkencor të njerëzve, rrafshimi i talenteve. Detyra e tyre është të korruptojnë e vijimisht të korruptojnë të tjerët, me këtë sjellin dobi. Kush nuk bindet, o zbohet, o ekzekutohet. Ciceronëve u pritet gjuha. Kopernikëve u nxirren sytë. Shekspirët i groposin me flakje gurësh. […] Skllevërit duhet të jenë të gjithë të barabartë, ama pa despotizëm nuk ka liri, nuk ka as barazi.”

“Duhet azdisur nepsi për qejfe te njerëzit; dehjet, argalisjet, thashethemet, spiunllëqet, lapërdhitë; duhet që të livadhisë frelëshuar shturja. […] Por, pa frikën s’bën dot; do kujdesemi ne kokat për këtë. Se skllevërit s’bëjnë dot pa kokë. Në çdo tridhjetë vjet një apokalips, ndryshe do zënë të hanë shoku-shokun. Veç, duke ruajtur ndjenjën e masës. Nuk do lejohet të zërë vend mërzia, se ajo të bren nga brenda. Dëshirat dhe kërkesat do jenë që më parë të përcaktuara.”

“Në fillim do ti trazojmë paq gjërat […] Që tani kemi me vete jo pak; mësuesin që sy nxënësve vë në lojë Zotin dhe djepin amtar; avokatin që mbron vrasësin e arsimuar duke thënë se është më i zhvilluar se viktimat e tij […] prokurorin që dridhet në sallën e gjyqit, ngaqë nuk është sa duhet liberal; nxënësit që e vrasin muzhikun vetëm për të provuar ç’shije ka vrasja, administratorë, shkrimtarë e sa e sa të tjerë që as nuk dyshojnë se janë tanët. Nga ana tjetër bindja e nxënësve dhe e budallenjve ka marrë përmasa fantastike; moralizuesit e derdhin pa kursim vrerin, sqima është e përbindshme… Po ju as me mend nuk e merrni dot sa shumë do bashkohen me ne ashtu në vrap e sipër.”

“Po këto janë vetëm lulet e para. Zoti rus ka filluar të tërhiqet, po tregohet i pafuqishëm përballë vesit, populli endet i dehur, fëmijët i sheh të çoroditur, kishat janë bosh, kurse në gjyqe u thonë: O dyqind kamzhikë, o një kovë vodkë”.

Kam parë me këta sy një djalë gjashtë vjeç që mbante për dore të ëmën e dehur, ndërsa kjo e shante me fjalë rrugësh. Pandehni se më gëzojnë shkena si këto? Ne do ta gjejmë mënyrën e kurimit…, në u dashtë, u japim duart, i çojmë në shkretëtirë… Por një a dy breza të shthurur na duhen; na duhet një e tillë përdhosje, saqë njeriu të shndërrohet në kërmë të ndyrë e të pashpirt […] Duhen çmpirë kockat, duhen ndezur zjarret, duhen përhapur legjendat… Ka jo pak qeflinj të këtyre punëve, ta quajnë edhe për nder. Do gatuhet katrahura, do mjegullohet Rusia, do t’i blatohen lutje Zotit.”

Exit mobile version