4 maj 2017, këtë datë tifozët e Celta Vigos, do të mbajnë mend gjatë, do të mbajnë mend gjatë, sepse sot skuadra galiciane luan ndeshjen më të rëndësishme në të gjithë historinë e saj. Stadiumi “Balaidos” hap dyert për të pritur një përballje yjesh. Celta Vigo sfidon Manchester United në gjymsëfinalen e parë të Europa League, në një sfidë ku skuadra spanjolle nuk ndihet aspak inferiore edhe pse luan përballë favoritëve kryesorë për të fituar këtë kompeticion.
Në fillim të sezonit askush nuk e parashikonte skuadrën e trajnerit argjentinas Eduardo Berrizo, mes 4 pikëve më të mira të këtij edicioni në Europa League, por Celta falë lojërave të mira që ka bërë ja ka dalë të hyjë në histori dhe tashmë pse jo kërkon t’i shkojë deri në fund këtij kompeticioni. Manchester United gjithsesi mbetet skuadra për t’u mundur në Europa League dhe forca e Celtës do të dallohet më qartë pas 90 minutëshit të parë që do të zhvillohet në stadiumin “Balaidos”. Fati i madh i ekipit galician është, që Djajtë e Kuq kanë shumë mungesa dhe Jose Mourinhos nuk i mbetet gjë tjetër veçse të sajojë formacionin.
Problemet më të mëdha trajneri portugez i ka në mbrojtje, aty ku mungesave të Phil Jones dhe Chris Smalling dhe Marcos Rojos u është shtuar edhe Luke Shaw, ndërsa mbetet në dyshim shtatlarti nga Bregu i Fildishtë, Eric Bailly. Edhe Paul Pogba mund të mos jetë pjesë e kësaj sfide, ndërsa Zlatan Ibrahimoviç dihet që e ka mbyllur tashmë sezonin. Por pavarësisht gjithçkaje Manchester United do të kërkojë një fitore ose të paktën një barazim me gola në Vigo për ta patur më të thjeshtë kualifikimin në finalen në sfidën e kthimit që do të luhet në “Old Trafford”. Misioni përballë një Celte që ka hequr dorë nga kampionati dhe i ka përqendruar të gjitha bateritë te ky kompeticion nuk do të jetë aspak i thjeshtë për skuadrën angleze, por Jose Mourinho shpreson shumë se djemtë e tij do të shfrytëzojnë eksperiencën dhe fanellën që mbajnë mbi supe për të fluturuar drejt stadiumit Friends Arena të Stockholmit në datën 24 maj aty ku do të zhvillohet finalja e madhe e këtij edicioni të Europa League.
Celta Vigo-Manchester United po cilësohet beteja e “Davidit kundër Goliatit”, në futbollin kontinental edhe pse të dy ekipet janë në gjysmëfinalet e Europa League dhe kanë merituar avancimin deri një fazë para finales. Ekipi spanjoll synon të bëjë surprizën e madhe të kompeticionit, edhe pse përballë ka “Djajtë e kuq”, një formacion i regjur dhe me një trajner imponues si Murinho.
Në Vigo nuk e kanë shijuar asnjëherë gëzimin e një trofeu europian, dhe sulmuesi i ekipit spanjoll John Guidetti mendon se psikologjikisht Celta është më e fortë për të marrë biletën e vlefshme për finalen. Sfida e parë mes tyre zhvillohet të enjten në orën 21:05.
“Mendoj se nga ana psikologjike jemi të aftë t’i eliminojmë dhe në futboll asgjë nuk është e pamundur. Ndoshta jemi një klub kaq i vogël dhe nuk biem në sy, por njohim forcën tonë. Kemi fituar 2 vjet radhazi ndaj Barcelonës, eliminuam Realin e Madridit në Kupën e Mbretit dhe triumfuam gjithashtu me Atletikon. E dimë që jemi ekip i mirë”, tha sulmuesi i Celta-s. Ekipi kryesor i qytetit të Vigos mban vendin e 11 në La Liga dhe shpresat kryesore këtë javë do t’i varë te shpërthimi i sulmuesit Iago Aspas.