Dy propozimet e çmendura të orës 1.00

48 orët e fundit kanë sjellë një intensitet të axhendës politike të opozitës në funksion të miratimit të Reformës në Drejtësi, duke u përqendruar tek Rekomandimi 88 i Venecias dhe tek propozimi hibrid i propozuar nga dy ambasadorët. Kryetari i opozitës është i vetmi, i cili ka bërë një panoramë të 24 orëve të fundit të negociatave të ngjeshura mes pozitës dhe opozitës. Ku kanë ngecur ato? Palët kanë konkretizuar në orët e para të mëngjesit të së martës një konsensus të plotë për reformën. Kur pritej që ajo të zyrtarizohej, përfaqësuesi i Ramës ka hedhur në tryezë një tekë aburde. Ai ka kërkuar që gjyqtarët apo prokurorët që do të aplikojnë për pozicionet në drejtësi të mund të përjashtohen edhe pa pasur asnjë argument, asnjë provë apo fakt. E thënë ndryshe, ata të përjashtohen edhe kot. Kjo ka sjellë futjen në një rreth vicioz dhe përmbysjen e konsensusit

Çfarë ndodhi në mëngjesin e së martës me negociatat?

Kryetari i PD, Basha zbardhi dje të plotë orët e negociatave. “Pas takimit trelateral në zyrën e kryetarit të Kuvendit, u ra dakord që Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, me praninë e ekspertëve të EURALIUS dhe OPDAT do të uleshin për t’i dhënë një zgjidhje të plotë çështjeve të mbetura pezull, bazuar në draftin hibrid të datës 9 korrik. Partia Demokratike ka bërë propozimet e veta, ka dhënë kontributet e veta, si mund të zgjidhen çështjet e mbetura pezull, dhe që kanë të bëjnë me konformitetin e plotë të këtij dokumenti me Komisionin e Venecias. Po shkoj në këtë tryezë të negociatave siç edhe premtova, me mendjen e hapur dhe me vullnetin për të kërkuar, ofruar dhe gjetur një zgjidhje të përbashkët. Sepse kjo ka qenë prej fillimit deviza që ka udhëhequr përpjekjen tonë.
Prej ditës së parë kemi kërkuar gjithpërfshirje dhe jo përjashtim. Kemi kërkuar bashkim dhe jo përçarje për Reformën në Drejtësi. Si një proces që i shërben çdo shqiptari dhe duhet t’i shërbejë çdo shqiptari dhe jo si një projekt politik dhe kësaj i kemi mbetur besnik edhe kur mazhoranca, dyshja Rama-Meta, apo secili prej tyre në hesap të vet nuk i ka marrë përgjegjësitë e tyre, madje ka përjashtuar opozitën nga të gjitha hallkat e procesit, nga puna e përbashkët, por nuk e ka përjashtuar dot nga kontributi që kemi dhënë prej ditës së parë dhe që me Komisionin e Venecias ka sjellë draftin këtu ku është, brenda standardit europian dhe euroatlantik.

Çfarë refuzoi Rama?

Kjo është historia dhe të kthehemi çfarë ndodhi pas rakordimit. Sigurisht ajo që ndodhi menjëherë, dihet. Unë e cilësova dhe e cilësoj edhe sot një takim konstruktiv, autorizova negociatorët, zoti Rama nuk ra dakord për një deklaratë të përbashkët, sepse tha secili duhet të bëjë deklaratat e veta. Kishte organizuar një shfaqje tjetër në Pallatin e Brigadave ku në kundërshtim me shpirtin e asaj që u ra dakord, iu rikthye gjuhës së vjetër të anatemimit, të destruktivitetit, të konfliktualitetit ç’ka për fat të keq, nuk i kontribuonte shpirtit të negociatave të cilat pritej në fillonin.
Gjithesesi negociatat nisën dhe për dy çështjet kryesore të mbetura pezull dhe u mbajtën këto qëndrime. Vetë përfaqësuesit e mazhorancës propozuan nenin 123 të Kushtetutës si formulën me anë të së cilës, autorizohet Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Çfarë thotë neni 123 i Kushtetutës? Republika e Shqipërisë në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, u delegon organizatave ndërkombëtare kompetenca shtetërore për çështje të caktuara. Ligji me të cilën ratifikohet një marrëveshje ndërkombëtare, siç parashikohet… etj…
Dhe çfarë thotë neni 122? Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të. Ne e konsideruam këtë një zgjidhje të pranueshme.

Problemi i dytë i reformës

Problemi i dytë i mënyrës se si do të funksionojë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, u zgjidh në bazë të një propozimi të ardhur nga ekspertët e partnerëve të cilët propozuan që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të stacionohet pranë një prej dy organeve, Presidentit të Republikës ose Avokatit të Popullit që ky institucion të marrë të gjitha aplikimet dhe në bazë të kritereve të qarta ligjore të hartohet një listë e bardhë me kandidatët që i plotësojnë këto kritere, një listë e gjelbërt. Ngjyrat i zgjodhën apo i propozuan partnerët ndërkombëtarë me kandidatët që sipas vlerësimit të institucionit përkatës nuk i plotësojnë këto kritere dhe një listë e zezë për ata kandidatë, për të cilët ka informacion për çështje të integritetit, pastërtisë së figurës, bazuar mbi dokumenta, fakte dhe prova të disponuara nga institucione shqiptare apo institucione të huaja që administrohet ky proces i listës së zezë, ky rekomandim, nga operacioni ndërkombëtar i monitorimit. Të treja listat administrohen nga organi përkatës për të cilën pati rakordim, i cili do të jetë Presidenti i Republikës. Presidenti i Republikës i dërgon të tre listat një komisioni Ad Hoc të përbërë nga 6 anëtarë të Kuvendit, 3 përfaqësues të opozitës, 3 përfaqësues të mazhorancës. Ky komisionin ka mundësinë që me katër nga 6 votat, nëse konstaton gabime materiale në listën e gjelbër, fjala bie, dikush është konstatuar se nuk ka diplomë, përshembull të juridikut, por vërtetohet se e ka, me katër nga 6 votat, pra me 2/3-at e kalon në listën e bardhë. Ky komision, me 5 nga 6 votat nëse shikon një kualifikim të padrejtë, një cilësim të padrejtë në listën e zezë, e kalon nga lista e zezë në listën e bardhë. Për këtë nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kontestim, ka një rakordim.
Lista e pastruar në bazë të kritereve ligjore i shkon Komisionit Ad Hoc me 12 anëtarë dhe prej këtej e tutje formula hibride e publikuar tashmë e hartuar dhe e dhënë palëve më datë 9 korrik, e diskutuar në takimin tim me Ndihmës Sekretaren Nuland, vazhdon ashtu siç është. Cilat janë kriteret? Partia Demokratike propozoi disa kritere dhe për këtë ne morëm vlerësimin e partnerëve ndërkombëtarë. Kriteri i parë aftësia profesionale, kriteri i dytë pastërtia e figurës në bazë edhe të ligjit të dekriminalizimit, kriteri i tretë integriteti moral, përfshirë kontrollin e pasurisë, kriteri i katërt që nuk kanë qenë gjyqtarë, prokurorë apo hetues të përfshirë në gjyqe politike, apo në Sigurimin e Shtetit, deri në vitin 1991, që nuk kanë qenë anëtarë partie apo nuk kanë bërë pjesëmarrje politike, sipas propozimit tonë, në 20 vitet e fundit, që nuk kanë marrë pjesë në hartimin e dispozitave kushtetuese dhe ligjore të Reformës në Drejtësi. Pra, nuk kanë konflikt interesi, sepse ekspertët që kanë marrë pjesë nuk mund të jenë edhe të punësuarit e kësaj reforme, sepse i bie të jenë të kenë krijuar vende pune për veten e tyre, pra konflikt interesi. Mbi bazën e këtyre kritereve sigurisht do të vendoset nëse i plotëson apo nuk i plotëson. Dhe mosplotësimi i njërit prej kritereve automatikisht e çon aplikuesin në moskandidim. Plotësimi i gjithë këtyre kritereve përbën listën e kandidatëve nga e cila pastaj sipas procedurës së parashikuar në procedurën hibride, përzgjidhen komisionerët e Vettingut, përzgjidhen komisionerët publikë, përzgjidhen anëtarët e KLGJ-së jogjyqtarë dhe anëtarët e KLP-së joprokurorë.

Si u përmbys konsensusi

Pas diskutimesh të gjata, rreth orës 1 të natës, pati rakordim për këto çështje dhe palët morën një pushim për të ngrënë një darkë të vonë, ndërkohë që e gjithë kjo marrëveshje po transkriptohej. Fatkeqësisht pas transkriptimit të marrëveshjes, dy çështje u rihapën përsëri. U kërkua që Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit të ketë të drejtën të përjashtojë edhe pa argumente, edhe pa fakte aplikantë nga kandidimi, ç’ka bie ndesh jo vetëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, por edhe me standardet minimale të të drejtave të njeriut, të Bashkimit Europian, në Europë dhe më gjerë. Një pretendim absurd i papranueshëm. Kur u kërkua të elaborohet se si mundet kushdo, përfshi edhe vëzhguesit ndërkombëtarë për të thënë që filani apo fëstëku nuk bën pa dhënë një fakt, pa treguar një argument, jo publikisht, por institucioneve përkatëse, pretendimet ishin nga më absurdet, nuk do t’i besoni veshëve.
Por në qoftë se është një person i papranueshëm për opinionin publik?! Pra, duan t’i japin vëzhguesve ndërkombëtarë rolin e zëdhënësit të opinionit publik, të bëjnë një gjyq publik, pa fakte, pa argumente të mbështetura në ligj. Kjo është e papranueshme. Dhe rikthimi tek kjo pikë ishte për fat të keq sinjali i parë i zhbërjes së marrëveshjes që ishte arritur tashmë.
Pika e dytë ka të bëjë me mënyrën se si rregullohet prania e Misionit Ndërkombëtar dhe funksionimi i tij në Shqipëri. Propozimi për nenin 123 të cilin e kishim përqafuar, papritur u kundërshtua. U kundërshtua me pretendime absurde, që një mision që funksionon në bazë të një marrëveshjeje të tillë mund të kontestohej në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Ky pretendim nuk qëndron. Sapo ju lexova nenin 122, i cili thotë se: “Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të”. Është fare e qartë. Mundësia që marrëveshja e ratifikuar për funksionimin e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese është zero.
Por, shfaqim vullnet që ta bëjmë minus, domethënë ta mbysim edhe një herë të vrarin dhe propozuam që në amendamentin përkatës të draftit kushtetues ku parashikohet që amendamentet e këtij drafti, amendamentet e këtij projekti nuk mund t’i nënshtrohen gjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të shtohej edhe një paragraf ku të thuhej qartë që edhe marrëveshja ndërkombëtare e ratifikuar nga Parlamenti i Shqipërisë që përcakton funksionet e Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit, nuk mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese.
Dhe me këtë, rreth orës 02:00 prisnim që edhe këto dy çështje, që u ngritën në çastet e fundit, të mbylleshin dhe sot në mëngjes shqiptarët të kishin lajmin e mirë.

Reformë në Drejtësi kundër Strasburgut? Absurdi i absurdeve, u refuzua kjo ofertë, kjo zgjidhje e pakontestueshme. Pse?

Tani do të dëgjoni gallata. Sepse u tha nga ekspertët e Ramës se mund të bëhen ankime në Gjykatën e Strasburgut. Ky është profanitet juridik dhe përtej kësaj kjo tregon atë që shpreha para dy orësh, mungesën e dëshirës për konsensus, mungesën e dëshirës për të parë votat e PD-së të ngritura pro Reformës në Drejtësi.
Po si mund të shkojë në Strasburg kur është refuzuar në sistemin Kushtetues shqiptar? Por le ta zëmë se shkon në Strasburg. Por edhe po të jetë në Kushtetutë shkon në Strasburg. Çfarë e pengon të shkojë në Strasburg? Askush nuk e pengon. Dhe po shkoi në Strasburg, sigurisht sipas procedurave të Gjykatës së Strasburgut, ne duhet të jemi konfidentë që zgjidhja jonë është e drejtë, që është ligjore, sepse po e hodhi Strasburgu poshtë, të na rrojë Reforma në Drejtësi, kundër normave të Strasburgut. Pashë një lajthitje në rastin më të mirë, është një lajthitje. Në rastin më të keq, është një shkak për të penguar konsensusin që ishte arritur.
Unë isha përgatitur t’ju shpjegoja ju dhe përmes jush të gjithë shqiptarëve me detaje atë që unë e quaj skema e komplotit kundër Reformës në Drejtësi, apo keqpërdorimi i Reformës në Drejtësi për ta abortuar këtë reformë dhe për t’i dhënë pushtet klaneve të drogës. Por kërkoj mirëkuptimin tuaj, pas prononcimit të Edi Ramës dhe ftesës për të vazhduar përpjekjet për gjetjen e konsensusit, t’i përgjigjem pozitivisht dhe t’i garantoj praninë e negociatorëve tanë në tavolinë që prej orës 14:00, për të përfunduar atë që nisëm, që në fakt e çuam drejt një konkluzioni pozitiv dhe që na u zhbë në orën 3:00 të natës me kryeneçësi dhe pa asnjë argument.
Këto dy çështje nuk mund të mbajnë peng interesat e shqiptarëve. Trillet apo qoftë paaftësia apo papërgjegjshmëria e çdokujt nuk mund të mbajë peng një produkt konsensual ku të paktën për këtë interes kaq madhor të shqiptarëve, përfaqësuesit e tyre në Parlament duhet të jenë të bashkuar. Partia Demokratike do të jetë me votat e saj, me mbështetjen e saj ashtu siç jemi përkushtuar para Shteteve të Bashkuara të Amerikës, para Ndihmës Sekretares Nuland, para z. Brok, apo z. Fleckenstein që e kisha në zyrën time për të votuar këtë reformë historike. Këto dy pengesa duhet të çmontohen. E fundit është një trill. E para është një standard i denjë vetëm për juntat ushtarake, por për asnjë shtet ligjor. Me çmontimin e këtyre dy pengesave të rinxjerra në sipërfaqe pas arritjes në parim të një marrëveshje, Partia Demokratike deklaron votën e plotë të grupit të saj parlamentar për draftin kushtetues, ndërkohë që ekspertët tanë po finalizojnë punën për shtatë ligjet përkatëse në mënyrë që paketa e plotë kushtetuese të jetë e botueshme pa humbur asnjë minutë.

Zgjedhjet nuk mund të realizohen pa qeveri teknike

– Zoti Basha, ambasadori amerikan ju ka bërë përgjegjës ju për prishjen e marrëveshjes?
Nuk bëj asnjë koment për deklaratat e ambasadorëve. Kjo është ajo çfarë ka ndodhur dje. Dëshmitari i PD është këtu. Ka dhe dëshmitarë të tjerë në atë sallë. Kam qenë dhe jam i prirur drejt zgjidhjes dhe zgjidhje kam ofruar, dhe zgjidhje kam  dhënë  për shqiptarët për dekriminalizimin. Zgjidhje kam ofruar dhe do të jap  edhe për Reformën në Drejtësi. Zgjidhje kam ofruar dhe do të jap  edhe për problemet e tjera të rënda që shqetëson çdo shqiptar sot, të cilët s’po flasim se kemi këtë pretekst sot në tavolinë, e dikujt i intereson zgjatja e këtij diskutimi. Mua jo dhe si pjesë e suksesit tim është dhe moskomentimi i asnjë deklarate që nuk i shërben zgjidhjes konstruktive.

– Zoti Basha, neni 88 për të cilin keni shumë kohë që ju po këmbëngulni për t’u bërë pjesë e Reformës në Drejtësi, do të jetë pjesë e referencës kushtetuese dhe ligjeve kushtetuese në finale?
Jo, rekomandimi 88 është mishëruar në këtë zgjidhje dhe ne këtë kemi bërë. Mbrëmë është rënë dakord dhe gjithçka që është rënë dakord ne e gjejmë në përputhje me Rekomandimin 88. Kthimi mbrapa për t’u kapur në këto dy vega, të njëra te trilli që duhet të jetë patjetër në Kushtetutë pa asnjë sebep, pa asnjë argument. Me sebep po, por pa asnjë argument. Dhe kjo tjetra që çdokush në Republikën e Shqipërisë përfshirë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë duhet të kenë kompetencën të përjashtojnë qytetarët e Republikës së Shqipërisë nga e drejta për të qenë kandidat pa asnjë argument, pa asnjë fakt, pa asnjë provë. Këto të dyja çuan në zhbërjen e konsensusit të arritur, në marrëveshjen e arritur, e cila po zbardhej dhe ishte gati të firmosej. Me firmosjen e kësaj marrëveshjeje, PD e konsideron Rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias të mishëruar plotësisht në këtë marrëveshje dhe në aspekte të tjera të propozimit hibrid, i cili në pjesën tjetër është në përputhje të plotë me Rekomandimin 88.

– A patën rezerva ndërkombëtarët e EURALIUS dhe OPDAT, apo… ?
Për hir të negociatave që shpresoj se do të vazhdojnë kërkoj mirëkuptimin tuaj. Kisha ardhur të bëja radiografinë e plotë me emra dhe mbiemra dhe motivet sipas meje, pra me fakte dhe me opinionin tim si kryetar i opozitës pse po ndodh kjo. Por duke qenë se zoti Rama pretendon se është i gatshëm të vazhdojë negociatat për konsensus, unë e ftoj të rinisë negociatat pa humbur as edhe një minutë.

– Besoni se këto dy çështje mund të zgjidhen deri të enjten? Dhe nëse jo si do e zgjidhni me zotin Meta në Bruksel?
Nuk ka asnjë arsye juridike dhe politike që të mos zhbllokojë këto dy pengesa. E vetmja arsye, por që nuk ka lidhje me Reformën në Drejtësi është që dikush nuk e do reformën me votat e opozitës. Dhe ai dikush dhe kushdo që qëndron mbrapa do të marrë faturën e plotë përpara opinionit publik shqiptar, sepse opozita i ka gati votat, PD i ka gati votat, kemi kontribuar në këtë proces historik. Kontributi ynë njihet dhe vlerësohet nga qendra e vendimmarrjes euroatlantike. Jemi gati ta përmbyllim këtë proces. Dje, konsensusi u arrit, u prish me dy sebepe. Të hiqen sebepet, të rikthehet konsensusi dhe votat e PD do të jenë në parim për draftin kushtetues, ndërkohë që punohet për shtatë ligjet shoqëruese.

– Kush e prishi konsensusin?
Siç ju thashë kam ardhur i përgatitur për të vënë gishtin për fajtorët me emër dhe mbiemër. Por nuk gjykoj në kushtet kur ekziston mundësia për ta përfunduar me sukses se kjo do t’i shërbente qëllimit dhe qëllimi siç e shikoj unë, jo siç e shikon kundërshtari im politik, nuk është baltosja e njëri-tjetrit, por gjetja e zgjidhjes. Ndaj në funksion  zgjidhjes më lejoni të vetëpërmbahem dhe të mos i kthej përgjigje kësaj pyetjeje, duke pritur një zhvillim pozitiv që do ta bënte përgjigjen të panevojshme.

– Zoti Rama tha në deklaratën e tij për shtyp, se janë vijat e kuqe të pakalueshme heqja e Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit nga Kushtetuta. Ku e shikoni gatishmërinë për konsensus?
Unë kam gatishmërinë time dhe për Partisë Demokratike. Unë kam normat juridike solide të Komisionit të Venecias dhe normat e përgjithshme të pranuara të praktikës europiane dhe euroatlantike dhe mbi këtë bazë i kërkoj palës tjetër të mbajë fjalën, të rikthehet në tryezën e negociatave.
Në qoftë se kanë argumenta kundër zgjidhjeve të ofruara dhe të gjetura dje, t’i parashtrojnë. Në qoftë se nuk kanë argumenta të vijnë dhe të votojnë më datë 21 korrik në parim draftin kushtetues, ndërkohë që përgatiten edhe 7 ligjet. Kaq e thjeshtë është.

– Mund të na e shpjegoni cilat janë pasojat që ambasadori amerikan ka thënë se do të vijnë nga Uashingtoni nëse nuk e votoni?
Kjo është konferencë në Partinë Demokratike me kryetarin e Partisë Demokratike dhe kryetarin e opozitës, kështu që pyetjet që duhet t’i drejtoni këtu janë për çështje që mbuloj unë. Për çështje që mbulojnë të tjerët, t’i drejtoni atje ku i mbulojnë të tjerët.

– Nuk ju ka thënë askush asgjë për pasojat?
Edhe një herë, çështjet që mbuloj unë ju jap unë përgjigje. Nëse dëshironi përgjigje për çështje që nuk i mbuloj unë shkoni e pyesni tek ata që i mbulojnë. Është fare e thjeshtë.

– Në Bruksel do të shkoni me Ilir Metën për çfarë?
Nëse në Tiranë përsistohet në mosgjetjen e një zgjidhjeje bazuar mbi propozimin hibrid, Komisionin e Venecias dhe arsyen e shëndoshë, pra në qoftë se ka një këmbëngulje kokëfortë, të paarsyetuar për të mos u dhënë shqiptarëve konsensusin e shumë dëshiruar do ta kërkojmë zgjidhjen kudo ku ajo gjendet, në Bruksel, Uashington e kudo tjetër.

– Vota në parim ju e dini që është një votë thjesht vullneti dhe nuk e fut në zbatim Reformën në Drejtësi?
Janë detaje, mos u merrni me detaje se keni mjaftueshëm të dhëna edhe për kronikë, edhe për gjithçka tjetër. Le t’i japim një shans nëse ka me të vërtetë, le t’i rikthehet negociatave dhe ta përmbyllim me sukses.

– Zoti Basha, a jeni të sigurt se nga Partia Demokratike  …
Ka padyshim një plan të orkestruar dhe të përgatitur me kujdes nga Kryeministri me emisarë të tij, njerëz të njohur të klaneve të drogës. Por kjo do të ishte thjesht një ndërmarrje e turpshme e destinuar për të dështuar në mënyrë të turpshme. Por edhe një ndërmarrje kriminale, të cilës opozita dhe shqitarët do t’i japin përgjigjen e merituar.

– Zoti Basha, i qëndroni sërish idesë se duhet qeveri teknike duke iu referuar  zhvillimeve të fundit dhe pritshmëritë?
Po, padyshim. Zgjedhje të lira dhe të ndershme që është një nevojë akute për t’i dhënë vendit një qeveri që t’i japë shqiptarëve një të nesërme të sigurtë dhe një ekonomi të fortë, ndërkohë që Shqipëria është zhytur thellë në krizën e pasigurisë dhe krizën e mjerimit ekonomik, nuk mund të organizohen pa një qeveri teknike. Ky është një kusht i shpallur tashmë që prej 8 dhjetorit të vitit të kaluar, nga i cili PD nuk tërhiqet.

– Zoti Basha, ju thatë që është dikush që nuk e do Reformën në Drejtësi. Pse nuk e bëni publike?
Për arsyet që ju thashë, sepse dikush ka thënë se është i gatshëm ta çojë procesin drejt konsensusit. Tani është ora e sprovës.

– Bëhet fjalë gjithmonë për konsensusin, ju do të votoni në parim të enjten edhe sikur të arrihet konsensusi? Apo të enjten nëse do të arrihet konsensusi do të miratohet gjithçka, edhe drafti kushtetues, edhe 7 ligjet?
Në qoftë se arrihet konsensusi do të jeni këtu për të patur një qëndrim të plotë të PD, për gjithçka çështjet e tjera që vijnë, edhe për rendin e gjërave, që është fare e qartë si për ne edhe mazhorancën, edhe për partnerët, sepse ka qenë e qartë që prej fillimit. Por le të fokusohemi tek konsensusi. Konsensusi i arritur mbrëmë dhe i prishur po mbrëmë dhe tek mundësia që të prevalojë arsyeja e shëndoshë për t’i dhënë propozimit hibrid me garanci dhe standardet e Venecias, formën e një drafti të votueshëm nga të gjitha palët në Kuvendin e Shqipërisë.

– Po takimi me Metën…?
E takova me kërkesë të tij për të ballafaquar edhe një herë qëndrimet tona pas takimit të djeshëm të ekspertëve tanë dhe pamë se versioni, jo se nuk kam besim tek Oerd Bylykbashi, por versioni i komunikuar deri orët e vona mbrëmë është versioni i të vërtetës, i asaj që ka ndodhur.

Exit mobile version