Negociata të hapura për drejtësinë para opinionit

Pas konferencës për mediat të kryeparlamentarit Ilir Meta, ka reaguar edhe Partia Demokratike përmes një deklarate.
PD mbështet propozimin e Metës për t’u ulur në tryezën e bisedimeve dhe për të gjetur dakordësi për dy çështjet e mbetura. Më poshtë deklarata e plotë e PD.
“Partia Demokratike vlerëson propozimin e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe shpreh gatishmërinë për t’u ulur menjëherë në tryezën e bisedimeve me negociatorët e mazhorancës dhe ekspertët e huaj për të konkluduar pozitivisht me zgjidhje, për dy çështjet e mbetura, që u dakordësuan mbrëmë e më pas papritur u zhbënë në orët e vona të natës.
Me qëllim që negociatat të jenë transparente dhe në sytë e mbarë shqiptarëve, PD mbështet propozimin që këto negociata të jenë hapura për median.
Zgjidhja është afër dhe Partia Demokratike është gati të japë edhe një herë kontributin e saj pozitiv për një draft kushtetues sipas propozimit hibrid dhe në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias.
Shqiptarët nuk meritojnë provokime të ulëta dhe as lojëra politike me Reformën në Drejtësi, ndaj ftojmë mazhorancën të ulemi së bashku dhe të negociojmë në kushte transparence totale para shqiptarëve për t’u dhënë zgjidhjen që ata meritojnë”.
Kreu i PD-së Basha iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Kryeministrit Rama për konsensus. Ai tha se ekspertët e opozitës po finalizojnë paketën e 7 ligjeve kushtetuese dhe se janë gati të ulen sërish në negociata.
Menjëherë pas zotit Basha, gatishmërinë për rinisjen e bisedimeve e ka konfirmuar dhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
Zoti Manjani konfirmoi kronologjinë e ngjarjeve të zotit Basha, pra se dje u shkua shumë afër një marrëveshjeje, por më pas ajo nuk u nënshkrua. Por, ministri theksoi gjithsesi, se teknikisht nuk ka pengesa për zgjidhjen e dy çështjeve që kanë mbetur pezull që kanë të bëjnë me rolin e ndërkombëtarëve dhe formulën e rakorduar për legjitimimin e misionit ndërkombëtar.
Tani pritet vetëm bashkimi në tryezë dhe i përfaqësuesit të PS-së Agaçi. Duket se ky i fundit do të jetë i pranishëm në negociata pasi Kryeministri Rama deklaroi më parë se PS do të jetë e hapur për konsensus deri më 21 korrik.
Pas dakordësisë të të gjitha palëve për rinisjen e negociatave, kreu i Kuvendit, Ilir Meta kërkoi që diskutimet të bëhen në prani të medias. Në një konferencë për shtyp, zoti Meta theksoi rëndësinë e të qenit transparent ndaj qytetarëve dhe deputetëve që do të votojnë për reformën të enjten, të cilët ende nuk i kanë të qarta propozimet e diskutuara deri më tani në tryezën PS-PD-LSI.
Ai njoftoi se rendi i ditës për seancën plenare të 21 korrikut u miratua dje në mesditë dhe Reforma në Drejtësi është çështja e parë dhe kryesore e seancës.
“Seanca plenare nuk do të mbyllet pa miratimin e Kushtetutës së re”, theksoi kreu i Kuvendit.
Në mesazhin e tij, zoti Meta tha se tre negociatorët Agaçi, Manjani e Bylykbashi janë mandatuar për të negociuar vetëm mbi propozimin hibrid të paraqitur nga sekretarja Nuland. Ai kërkoi prej negociatorëve të partive dhe prej ekspertëve ndërkombëtarë të OPDAT dhe EURALIUS të gjejnë zgjidhje për dy çështjet e mbetura sa më parë.

Exit mobile version