Policia greke ka sekuestruar 213 kg kanabis që vinte nga Shqipëria si dhe ka vënë në pranga edhe dy shqiptarë. Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke, sipas të cilave, krahas dy shqiptarëve, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, është vënë në pranga edhe një shtetas i huaj. Sipas mediave vendase, policia ka sekuestruar 213 kg 800 gram marijuanë të fshehur në një mjet në vendin e quajtur Ura e Vrosines, në kufirin greko-shqiptar.
Në pranga kanë rënë shqiptarët 27 dhe 34-vjeç dhe greku 63-vjeç. Pas informacioneve të marra, policia greke ka ndaluar 2 automjetet me të cilat lëviznin shqiptarët dhe gjatë kontrollit në njërën prej tyre u gjet e fshehur lënda narkotike, e cila dyshohet se ka hyrë nga Shqipëria. Njëra nga mjetet transportonte drogën, ndërsa tjetra e shoqëronte dhe kontrollonte rrugën. Policia vijon hetimet për persona të tjerë të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Po ditën e djeshme u sekuestrua nga policia greke një sasi prej 37 kilogramë marijuanë. Sipas mediave greke, droga është kapur në kryqëzimin e Pargës nga Policia e Igumenicës. Drejtuesi i mjetit ka përfituar dhe është larguar për në pyll, duke lënë automjetin. Policia ka sekuestruar drogën dhe është në ndjekje të autorit. Ky nuk është rasti i parë ku autorët, pasi pikasin policinë largohen nga mjeti.