FC Kamza transferon dy futbollistë, Alis Boci dhe Erlis Frashëri

Ekipi i FC Kamza ka zyrtarizuar sot dy futbollistët e njohur Alis Boci dhe Erlis Frashëri, ndërsa pasditen e sotme pritet të zyrtarizohet edhe një tjetër futbollist i cili prej disa sezonesh ka luajtur në Superligën Shqiptare. Kryetari i Bashkisë së Kamzës, z. Xhelal Mziu, bëri prezantimin e dy mbrojtësve: Boci (nga Beslidhja) i cili luan mbrojtës i krahut të majtë, ndërsa Frashëri (nga Korabi), mbrojtës i krahut të djathtë. Prezantimi i tyre u bë edhe në praninë e presidentit të ekipit, z. Naim Qarri, si dhe të trajnerit, z. Bledar Devolli. Mziu gjithashtu ka konfirmuar edhe zyrtarisht që Bledar Devolli do të jetë trajneri që do të drejtojë ekipin e Kamzës për sezonin futbollistik 2016-2017.
Në ditët në vijim pritet transferimi i disa futbollistëve të tjerë që do ta përforcojnë akoma më shumë ekipin me synim ndërtimin e një ekipi konkurrues dhe ngjitjen e menjëhershme në Superligë. Kryebashkiaku Mziu ka garantuar që do ta mbështetë fuqishëm ekipin e Kamzës që të arrijë objektivat e vendosur si dhe ka kërkuar nga futbollistët impenjimin e tyre maksimal në fushën e blertë, pasi mbështetjen e vazhdueshme të tij do ta kenë në çdo moment; infrastruktura sportive është ndër më të mirat si dhe premtoi që do të ketë edhe afrime të tjera të rëndësishme pranë ekipit.
Të dy futbollistët janë kërkuar edhe nga disa ekipe të Superligës, por ata kanë zgjedhur të luajnë për Kamzën, pasi i ka bindur projekti i Mziut së bashku me Qarrin që kanë për skuadrën. Afrimi i këtyre dy futbollistëve do ta rrisë akoma më shumë cilësinë e futbollistëve pranë ekipit. Në çdo repart të skuadrës do të ketë nga dy futbollistë për secilin rol. Çdo ditë që po kalon skuadra e Kamzës po merr formën e një ekipi pretendent. Kamza po ndërton një ekipi kolektiv dhe kompakt pa individualizma, ku kolektivi po triumfon gjithmonë e më shumë ndaj lojës individuale.

Exit mobile version