Kush e ka monopolin e forcës në Shtetet e Bashkuara?

Charles LANE

Çështja që shtrohet përpara nesh, pas Dallasit është e tillë: A janë Shtetet e Bashkuara një shtet? Pyetja duket e çuditshme; emri i plotë zyrtar i këtij kombi sugjeron jo vetëm një shtet, por gjithashtu një bashkim shtetesh. Mes atributeve të tjera të përcaktimit, Shtetet e Bashkuara zotërojnë një territor, një flamur, ligje – dhe gjykata e burokratë që t’i përforcojnë ato.
Ajo që ato nuk kanë, e kjo është çështje kyçe, është monopoli i përdorimit legjitim të dhunës nga autoriteti qendror.
Pjesërisht, kjo vjen nga dizenjimi. Kushtetuta mbështet përdorimin legjitim të dhunës nga një qeveri federale, por gjithashtu edhe nga 50 entitete gjysmë të pavarura të përfaqësuara në Uashington. Në të vërtetë, në periudhën e themelimit, qeveria federale ushtronte vetëm pushtet të kufizuar për të caktuar një aparat ushtarak apo atë të zbatimit të ligjit; kjo bazohej fuqishëm mbi bashkëpunimin e shtetit dhe burimet e tij për të sjellë atë që ne e njohim sot si “siguri kombëtare”.
Dhe më pas ishte Amendamenti i Dytë, që i jep “popullit” të drejtën e të “mbajturit të armëve” që do të thotë legjitimim i dhunës joqeveritare, jo vetëm nga grupe – që nga milicitë e patrullave të skllevërve e deri tek pionerët dhe sherifët – por gjithashtu edhe nga individët, nga gjuetarët e deri tek pronarët.
Asnjë nen kushtetues nuk e shpreh më mirë diferencën thelbësore që ekziston mes shtetit siç e kuptojnë europianët dhe “republikës” që ngjizën themeluesit e Amerikës. Ende asgjë nuk ka ndezur më shumë debat, konfuzion dhe konflikt brenda vetë Amerikës, deri në ditët e sotme.
Lufta Civile vendosi që përdorimi i ligjshëm i dhunës nuk shtrihet në entitetet e ndara nga shteti. Amendamentet e mëvonshme kushtetuese shfuqizuan skllavërinë dhe nivelin shtet-individ të dhunës që e mbante atë në fuqi. Për këtë arsye, të gjithë amerikanët, të bardhë e të zinj, do të kishin të drejta të barabarta, përfshirë edhe të drejtën për t’u regjistruar në forcat zyrtare të mbrojtjes kundër dhunës private të paligjshme për qëllime të ligjshme, individuale apo kolektive.
Kjo shpërndarje e re u provua e paqëndrueshme. Shtetet e rikonstruktuara të jugut patën vështirësi për të rekrutuar dhe armatosur milicinë dhe policinë e përzier mes dy racave, ndërsa forcat paramilitare të bardha supremaciste terrorizuan dhe vranë – dhe çarmatosën – njerëzit e lirë dhe aleatët e tyre të paktë të bardhë me qëllimin që e arritën në fund, të merrnin pushtetin në shtetet jugore për Partinë Demokratike që dominohej nga supremacistët e bardhë.
Trupat federale, të ndihmuara nga një dorë agjentësh të shërbimeve sekrete dhe marshallësh amerikanë, ndërhynë në mënyrë episodike, por jo të efektshme. Konfliktet industriale, përfshirë përleshjet midis milicive punëtore dhe sigurimit të korporatave private, pllakosën veriun. Sundimi i turmave dhe shoqëruesit të saj djallëzorë, linçimit – mbizotëronin pjesën më të madhe të perëndimit.
Shekulli i njëzet solli edhe rritjen e shtetit administrativ federal, përfshirë agjencitë policore federale si FBI dhe një ushtri të madhe e të përhershme. Gjithë sa përmenden më sipër ndihmoi në paqtimin e zonave të thella, në unifikimin e vendit dhe dhënien fund të monopolit të supremacistëve mbi dhunën e ligjshme në jug. Kishte një lëvizje të fortë në drejtim në kontrollit kombëtar të armëve në përgjigje të krimit dhe dhunës politike në vitet 1960 — që ushqeu kundërshtimin ndaj të drejtave të Amendamentit të Dytë. Sot, një pafundësi ligjesh shtetërore dhe doktrina mbisunduese e Gjykatës së Lartë shenjtërojnë të drejtën individuale për të mbajtur armë, edhe pse me përjashtime që nuk janë përcaktuar ende plotësisht.
Në mënyrë të pamohueshme, edhe pse nuk u leverdis avokatëve të kontrollit të armëve, ky qëndrim ka bazë në frazat lapidare të Amendamentit të Dytë. Pavarësisht kësaj, manifestohet në mënyrë të paqëndrueshme, e karakterizuar nga pronësia private e përhapur mbi armët, në shumicën dërrmuese të rasteve për mbrojtje legjitime, por edhe nga masakra masive nga njerëz të çmendur e terroristë të të gjitha llojeve, për të mos përmendur incidentet që janë bërë rutinë.
Edhe pse nuk është episodi më i përgjakshëm, masakra e Dallasit përbën një epitomë të parashikimit. Policia gjendet nën zjarrin e armës së një afro-amerikani që beson se është duke i bërë rezistencë abuzimit qeveritar dhe tiranisë, e cila sipas shumë avokatëve të mbajtjes së armëve, është një nga arsyet përse duhet të kemi një popullsi të armatosur.
Në përpjekje për të lokalizuar snajperin, ekipet e përforcimit të ligjit në Dallas u ndeshën me rreth 20 persona që po marshonin si pjesë e një proteste më të madhe kundër brutalitetit të policisë, ndërsa mbanin haptaz armë dhe kishin veshur armaturë, ashtu si e gëzojnë këtë të drejtë sipas ligjeve të Teksasit.
Është një mrekulli e vogël ose një nderim i jashtëzakonshëm për vetëpërmbajtjen e policisë dhe profesionalizmin e tyre që asnjë nga këta njerëz nuk u qëllua nga ndonjë oficer në mes të kaosit, ku shumë lehtë mund të ndërroheshin rolet nga mbrojtës të protestuesve në mbrojtës të vetes kundër tyre.
Ndërkohë, fakti që persona afro-amerikanë u qëlluan për vdekje nga oficerët e policisë në Minesota apo Luiziana nuk justifikon veprimet e policisë që tha se ata dukeshin se ishin të armatosur. Kjo nuk justifikon dhe as i çracizon ata, por komplikon situatën. Një Amerikë ku çdokush mund të jetë dhe shpesh është, duke mbajtur një armë është një Amerikë ku edhe më shpesh do të përshkallëzohen përplasjet mes policëve dhe civilëve, me pasoja vdekjeprurëse.
Monopoli efektiv i përdorimit të ligjshëm të dhunës, të paktën i jep shtetit, ashtu si në vendet e Europës Perëndimore, qartësi ligjore dhe të gjithë avantazhin që rrjedh prej saj.
Në kontrast, njerëzit në Shtetet e Bashkuara dhe 50 shtetet në përbërje, jetojnë nën rregulla më të komplikuara dhe të ndryshueshme. Ne kemi vështirësi të përgjigjemi sipas situatës. Duhet të ketë disa avantazhe edhe në këtë drejtim, gjithashtu, edhe pse ato tani nuk janë të dukshme.

Charles Lane është gazetar e redaktor amerikan që shkruan editoriale për “The Washington Post”. Ai është i ftuar i rregullt për kanalin televiziv “Fox News”

Exit mobile version