Historia e Armando Sadikut dhe Zyrihut, skuadra që zotëron kartonin e tij, është sa e veçantë dhe ironike. Gjatë merkatos së janarit, trajneri Hypia e konsideroi të pavlefshëm duke e huazuar të skuadra e Vaduzit, më e kuotuara për të rënë nga kategoria. Fundi i sezonit ishte i dhembshëm për Zyrihun. Vaduzi shmangu rënien falë golave të Sadikut, ndërsa në Challenge League shkoi skuadra që zotëron kartonin e 25-vjeçarit. Grumbullimi me kombëtaren, aktivizimi titullar, por mbi të gjitha goli i parë në finalet e Europianit i shënuar pikërisht nga Sadiku, ishte një tjetër shuplakë për drejtuesit e Zyrihut, që lejuan të largohej një sulmues me kaq shumë vlerë.
Një futbollist që shkëlqeu në Europian, sigurisht që e ka rritur vlerën në merkato. Është e paimagjinueshme që Sadiku të rikthehet te Zyrihu në Challenge League, por presidenti i këtij klubi, Ancillo Canepa, nuk dëshiron të heqë dorë nga sulmuesi, sidomos në këtë moment kur mund të përfitojë nga kartoni i tij. Numri një i Zyrihut thekson se askush nuk mund ta marrë Sadikun pa biseduar më parë me të.
Pasi sulmuesi kuqezi mbetet shumë i rëndësishëm për rikthimin e skuadrës në elitën e futbollit zviceran. Capena e dha paralajmërimin, mes Sadikut dhe Zyrihut pritet të nisë një betejë e ashpër, sepse vetë lojtari është shprehur se nuk ka ndërmend të kthehet te ky klub, edhe pse ka kontratë deri në vitin 2017. I kontaktuar nga mediat zvicerane, trajneri Gianni de Biasi u shpreh se Sadiku, i cili vuri në vështirësi mbrojtës të tillë si Rami dhe Kochielny, është i aftë të luajë në Serinë A. Një sulmues me kaq vlera, nuk mund të qëndrojë në kategorinë e dytë në Zvicër.