Nga Laert MIRAKU
Mesditën e kësaj të marte SPAK ka njoftuar dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezin, për ta marrë nesër në pyetje si person nën hetim. Malltezi ndodhet në ‘arrest shtëpiak’ në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Po për të njëjtën çështje, ish-kryeministri Sali Berisha është thirrur një ditë më pas në SPAK. Politikanit të karrierës i është dërguar njoftimi për t’u marrë në pyetje të enjten. Avokatët e ish kryeministrit kanë kërkuar shtyrje të marrjes në pyetje me pretendimin se të enjten, në orën 10:00, janë të zënë. Kujtojmë që Berisha është lënë në arrest shtëpiak në fund të dhjetorit, pasi SPAK kërkoi masë më shtrënguese ndaj tij, pasi nuk iu bind vendimit të parë për detyrim paraqitje. Sali Berisha mori katër herë ftesë nga SPAK për “detyrim paraqitje” për ty pyetur në lidhje me çështjen në fjalë.
Ftesat e refuzuara të drejtësisë duket se nuk i kanë dalë për mirë Sali Berishës. Refuzimet i ndryshuan masën e sigurisë, nga “detyrim paraqitje” në arrest shtëpie. Kjo masë arresti shoqërohet me mbikëqyrje policore dhe pengim të komunikimit me persona të tjerë. Sali Berisha në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit, ka vendosur të mos zbatojë vendimin e GJKKO pasi çdo ditën me një mikrofon në dorë është shfaqur në dritaren e apartamentit ku është izoluar dhe ka komunikuar me një grup militantësh që ishin mbledhur në rrugicën poshtë banesës së tij. Edhe pse sipas vendimit të Gjykatës nuk i lejohet që të flasë me askënd tjetër përveç personave që jetojnë me të, Berisha e ka thyer këtë masë për më shumë se dy javë.
Ndërkohë mëngjesin e sotëm, avokatët e ish-kryeminsitrit Sali Berisha kërkon leje për të dalë nga banesa. Përmes avokatëve Berisha ka kërkuar që të marrë leje për të shkuar në Kuvend. Në vend të lejes gjykata i bëri sërish ftesë për ta pyetur në SPAK. Refuzimi mund të përkeqësojë pozitat e ish-kryeministrit me drejtësinë.
E njëjta gjë mund të jetë edhe për dhëndrin e tij, Jamarber Maltezi. Në fund të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme ka depozituar rekurs në gjykatën e Lartë për Jamarbër Malltezin, pasi kërkon rikthimin e tij në qeli. Më 21 nëntor të vitit te shkuar Gjykata liroi nga burgu Jamarbër Malltezin, pasi ndryshoi masën e sigurisë në “arrest shtëpie”. Malltezi akuzohet për korrupsion në lidhje me privatizimin e Kompleksit Partizani. Malltezi ka përfituar sipas SPAK, 5.4 milionë euro apo rreth 7 miliardë lekë, me favorizimin e Berishës si kryeministër aso kohe sa i takon kompleksit Partizani.
Ndërkohë ë njëjta situatë për ish-kryeministri Sali Berisha i cili dyshohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim në lidhje me çështjen e procedurave të privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, gjatë të cilave SPAK-u dyshon se ai me akte nga më të ndryshmet ka ushtruar ndikim dhe presion, duke favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, që u mbush shpejt me një grup pallatesh.
Ftesat e padëshiruara këto kohë janë bërë rutine e shpeshtë për Saliun dhe dhëndrin e tij që është pjesë e familjes së madhe Berisha. Refuzimi i këtyre ftesave që vijnë nga drejtësia mund të përkeqësonte raportin e tyre me ligjin. Por zgjedhja dhe përgjegjësia mbeten individuale.