Nga Namir Lapardhaja
Edi Rama dhe PS po bëjnë një ndër fushatat më monotonte, më të lodhura, më të pamotivuara si asnjëherë më parë. Pesha e rëndë e pushtetit mbi supe, skandalet e rënda, korrupsioni i madh, por, mbi të gjitha, një pakënaqësi e madhe popullore, që po fillon të reflektohet dhe në vetë takimet e stisura të Ramës, tregojnë se njerëzit jo vetëm janë lodhur, por ata kërkojnë ndryshim.
Në 12 vite, Rama dhe PS ka pasur, thuajse, gjithçka. Kanë pasur pushtetin ekzekutiv dhe atë lokal në masën 100% dhe në jetën e shqiptarëve asgjë nuk ka ndryshuar. Në këtë kuptim, nuk mund të ketë arsye për një mandat të katërt, kur t’u dha mundësia për tre mandate me radhë dhe nuk përmirësove asgjë në jetën e qytetarëve të tu. Madje, bëre të kundërtën. Sa më shumë qëndrove në pushtet, aq më shumë korrupsioni u rrit dhe njerëzit u larguan.
Këtë fushatë të lodhur, monotonte dhe të pafrymë nuk mund ta shpëtojë as premtimi absurd për pasaportë evropiane.
Përveçse është një premtim që nuk ka lidhje vetëm me politikën shqiptare, përtej një cope kartoni shqiptarët kanë nevojë për dinjitet. Më shumë se sa për pasaportë evropiane, ata kanë nevojë për trajtim të tillë në vendin e tyre.
Ata kërkojnë barazi përpara ligjit dhe autoriteteve shtetërore, ata kërkojnë mundësi të barabarta dhe një burokraci që funksionon e njëjtë për të tërë dhe jo për disa funksionon dhe për të tjerë jo, për disa është falas dhe të tjerë detyrohen të paguajnë.
Shqiptarët përpara se të duan një pasaportë evropiane, me të cilën të ‘çajnë ferrën’, duhet të kenë rroga më të larta për të përballuar jetesën e tyre si qytetarët e tjerë të Evropës, duhet të kenë mundësi dhe alternativa ndihme nga shteti i tyre për të përballuar vështirësitë dhe jetesën që sa vjen e rritet, ndërsa rroga qëndron në vend, duke mos reflektuar rritjen reale të përditshmërisë.
Shqiptarët përpara se të kërkojnë një pasaportë evropiane, duan rend dhe siguri, duan ligj dhe qetësi, duan të ndihen të sigurt në rrugë, të sigurt në banesë, të sigurt në qytet dhe në komunitet, duan të shohin shkelësit e ligjit përpara drejtësisë dhe jo në krah të politikanëve të radhës.
Nuk ka vlerë pasaporta evropiane nëse nuk ofron një arsim dhe shëndetësi të ngjashme si në vendet e Evropës, ku qytetarët jo vetëm të zgjedhin vetë se ku do të studiuojnë dhe se ku do ta marrin shërbimin shëndetësor, por do të kenë mundësi të përballimit të të gjitha detyrimeve.
Rama në 12 vite i ka pasur të gjitha mundësitë për të përmirësuar të gjitha këto dhe nuk i ka bërë. Ndaj fushata e tij sot shfaqet monotone dhe e lodhur, ndaj premtimi i tij absurd për pasaportë evropiane është një gënjeshtër e madhe, ndaj ai duhet të largohet një sahat e më parë për t’i dhënë një frymëmarrje vendit dhe demokracisë, për t’i dhënë mundësi njerëzve të shohin dhe të provojnë alternativa të reja, të cilat edhe ato, nëse imitojnë rrugën dhe mënyrën e qeverisjes së Ramës, po ashtu, të largohen. Vetëm kështu mund të krijohet një klimë realizimi dhe ndëshkimi në kulturën tonë. Politikanët votohen, nëse i realizojnë premtimet e tyre, dhe ndëshkohen, nëse bëjnë të kundërtën. Vetëm kështu mund të bëhet një Shqipëri më e mirë, një vend evropian, madje dhe pa pasur nevojë për një pasaportë të tillë.