Hidhet në erë me tritol një piceri në Fushë Krujë

Një shpërthim me lëndë eksplozive ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Fushë Krujë. Sipas burimeve, lënda eksplozive e dyshuar tritol i është vendosur një lokali që shërbënte si piceri në pronësi të shtetasit H.N. Sipas burimeve, në momentin e shpërthimit piceria ishte e mbyllur dhe nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm dhe ka shkaktuar frikë dhe panik tek banorët e zonës.
Burimet policore bëjnë me dije, se për pasojë ka vetëm dëme materiale. Në një njoftim të policisë thuhet se, më datë 16.07.2016, në lagjen “Kastrioti”, rreth mesnatës, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi lënde plasëse eksplozive e prodhuar në mënyrë artizanale, në qepenin e biznesit në pronësi të shtetasit H.N. 39 vjeç, banues në Fushë Krujë. Ende nuk dihen shkaqet dhe autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë. Policia bëri të ditur se ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe zbulimin e autorëve. Sipas policisë pronari i picerisë njihet si person pa problem.
Pas një pauze të shkurtër shpërthimet e tritolit janë kthyer sërish në Fushë Krujë, ndërsa policia nuk ka mundur të zbardhë ngjarjet në asnjë rast.
Një dyqan në qendër të Fushë-Krujës u shpërthye me tritol para pak ditësh, ndërsa pritej që të hapej. Në derën e këtij biznesi privat ishte vendosur një sasi prej 100 gramë lëndë eksplozive. Nga shpërthimi, fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, por dëme materiale me vlerë të lartë. Dyqani i përkiste biznesmenit V.Zogu, i cili ka mohuar përpara policisë të ketë konflikte të mëparshme me persona të tjerë. Nga hetimet e para, u hodhën dyshime se shpërthimi me tritol i dyqanit të veshjeve, mund të jetë bërë për motive të konkurrencës.
Para pak ditësh një tjetër shpërthim mdodhi në lagjen “Kastrioti” në Fushë Krujë. Shpërthimi ndodhi në një mjet tip “Benz”, 200 metra larg nga Komisariati i qytetit. Automjeti në të cilin ishte vendosur lënda plasëse, ishte në pronësi të një biznesmeni, i cili nuk ndodhej në automjet në momentin e shpërthimit, si pasojë e të cilit u dëmtua “Benz”-i dhe bizneset aty pranë. Pronari i mjetit u shpreh para policisë se nuk kishte konflikte me asnjë person. Edhe në këtë rast, policia nuk ka mundur të gjejë autorët e krimit.

Exit mobile version