Një të shtunë në mëngjes disa qindra aktivistë pro demokratë u mblodhën në një shesh të Moskës për të protestuar rreth kufizimeve të qeverisë për lirinë e tubimit. Ata mbanin pankarta në të cilat shkruhej “31”, duke iu referuar nenit 31 të Kushtetutës së Rusisë, e cila e garanton lirinë e tubimit. Shumë shpejt ata u rrethuan nga policët, që u munduan ta shpërndanin demonstratën. Një kritik i njohur i Kremlinit dhe disa të tjerë me shpejtësi u tërhoqën zvarrë dhe u futën në automjetin policor, duke u dërguar në stacion.
Ngjarjet e tilla janë pothuajse të përditshme në Rusi, ku Presidenti Vladimir Putin e qeveris shtetin me një grusht të çeliktë, derisa persekutimi i kundërshtarëve të qeverisë, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe abuzimet gjyqësore janë bërë rutinë. Në një kohë kur demokracia dhe të drejtat e njeriut janë bërë norma globale, ngjarjet e tilla nuk i shkojnë edhe aq në dobi reputacionit global rus. Liderët autoritarë, si Putini, e kuptojnë këtë, mirëpo mbase e shohin si një çmim që duhet të paguhet për të ushtruar pushtet të pakufishëm në shtetin e tyre. Atë që liderët si Putini mesa duket nuk e kuptojnë është se këto politika po ashtu vënë në rrezik të ardhmen ekonomike të shtetit të tyre dhe pozitën globale ekonomike.
Marrëdhëniet midis politikës së një shteti dhe mundësive ekonomike të saj janë marrëdhënie themelore në shkencat sociale. Cila është më e mirë për zhvillimin ekonomik, një grusht i çeliktë që nuk e ka barrën e konkurrencës politike apo një pluralitet i interesave konkurruese që nxit hapje drejt ideve të reja dhe protagonistëve të rinj politikë?
Shembujt në Azinë Lindore (Koreja Jugore, Tajvani, Kina) duket se i japin përparësi kësaj të dytës. Megjithatë, a mund të themi se pothuajse të gjitha shtetet e pasura – me përjashtim të atyre që janë të pasura nga natyra – janë demokratike? A duhet transparenca politike të jetë e para e jo e dyta, kundrejt rritjes ekonomike? Nëse shikojmë të dhënat historike, në vend të rasteve individuale, mund të konstatojmë se autoritarizmi nuk shkon në favor të rritjes ekonomike. Për secilin shtet autoritar që ka arritur të rritet ekonomikisht, janë shumë shtete të tjera që kanë dështuar. Për secilin Lee Kuan Yew të Singaporit janë shumë Mobutu Sese Seko të Kongos.
Demokracitë jo vetëm që lënë pas vetes diktaturat kur është në pikëpyetje zhvillimi afatgjatë ekonomik, mirëpo edhe në aspekte të tjera të rëndësishme. Ato ofrojnë stabilitet më të madh ekonomik, të matura me rritjet dhe uljet në qarkun e biznesit. Ato janë më të mira në përshtatjen me tronditjet ekonomike nga jashtë. Ato gjenerojnë më shumë investime në kapitalin njerëzor – shëndet dhe arsimim. Po ashtu, ato prodhojnë shoqëri më të barabarta.
Regjimet autoritare, në anën tjetër, prodhojnë ekonomi që janë po aq të brishta sa edhe sistemet e tyre politike. Kapaciteti i tyre ekonomik, në rastet kur ai ekziston, mbështetet në fuqinë e liderëve individualë apo në rrethanat e përkohshme të favorshme. Ata nuk mund të mbështeten në novacionet e vazhdueshme ekonomike apo udhëheqjen globale ekonomike.
Në shikim të parë Kina duket se është përjashtim. Që nga fundi i të shtatëdhjetave, pas përfundimit të eksperimenteve katastrofike të Maos, Kina ia ka dalë jashtëzakonisht mirë, duke përjetuar nivele të zhvillimit ekonomik. Ndonëse ka demokratizuar një pjesë të vendimmarrjes lokale, Partia Komuniste kineze mban frerët mbi politikën e shtetit, derisa shkelja e të drejtave të njeriut është e shpeshtë.
Mirëpo Kina po ashtu mbetet shtet relativisht i dobët. Progresi i saj i ardhshëm ekonomik varet sa prej hapjes së sistemit të vet politik, ashtu edhe prej hapjes së ekonomisë. Pa transformimin e saj, mungesa e mekanizmave institucionalë për shprehjen dhe organizimin e pakënaqësisë në fund do të prodhojë konflikte, të cilat do të jenë përtej kapacitetit të qeverisë për t’i shtypur ato. Stabiliteti politik dhe rritja ekonomike do të pësojnë. Megjithatë Rusia dhe Kina janë ekonomi të fuqishme. Shembulli i tyre mund të ndikojë tek liderët e tjerë që të mendojnë se mund të arrijnë rritje ekonomike, duke i përforcuar frerët mbi opozitën e brendshme politike.
Superfuqitë ekonomike duhet të marrin shembull nga shtetet si Brazili, India dhe Afrika e Jugut, të cilat i kanë kryer tranzicionet e tyre demokratike. Të gjitha këto shtete natyrisht që kanë probleme. Brazili ende nuk është rimëkëmbur nga dinamizmi ekonomik dhe nuk e ka gjetur rrugën drejt rritjes së qëndrueshme. Demokracia e Indisë është aq e fuqishme saqë u bën ballë ndryshimeve ekonomike. Në anën tjetër, Afrika e Jugut vuan prej një niveli tejet të lartë të papunësisë. Megjithatë, këto sfida nuk janë asgjë krahasuar me detyrat e mëdha të transformimit institucional, të cilat i presin shtetet autoritare. Mos u befasoni nëse Brazili apo Afrika e Jugut ia kalon Rusisë dhe India ia kalon Kinës.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI