Në një koment të fundit, analisti Indrit Vokshi ka përdorur ironinë për të përshkruar situatën absurde të raportit qytetar-politikan në Shqipëri.
Sipas tij, Shqipëria po jeton në një kohë kur më shumë kritikohen ata që kërkojnë llogari sesa ata që abuzojnë me pushtetin. “Jetojmë një kohë ku ne duhet të kemi turp t’i themi hajdutit ‘Pse ke vjedhur’,” deklaroi Vokshi, duke vënë në dukje përmbysjen e vlerave morale dhe publike në vend.
Ai solli si shembull vizionin europian të Gjergj Fishtës, i cili predikonte se në një shoqëri të drejtë, politikanët duhet të japin llogari përpara qytetarëve dhe drejtësisë. Ndërsa në realitetin shqiptar të ditëve të sotme, sipas Vokshit, ndodh krejt e kundërta: “Politikanët dhe militantët e tyre të kërkojnë ty llogari, madje edhe të shajnë po guxove t’u kërkosh përgjegjësi.”
Analisti shtoi më tej se kush guxon të kërkojë transparencë akuzohet menjëherë si “i shitur”, “i blerë”, “anti-Shqipëri” ose “anti-demokraci”, në një përpjekje të pastër për të mbytur zërin kritik dhe për të ruajtur një sistem të bazuar në papërgjegjshmëri dhe pandëshkueshmëri.
Ky reflektim vjen në një moment kur klima politike dhe shoqërore në Shqipëri është mjaft e polarizuar dhe kërkesa për reformë dhe transparencë është bërë edhe më e fortë nga opinioni publik.
Më poshtë, citimi i plotë i analistit Vokshi:
“Jetojmë një kohë ku ne duhet të kemi turp t’i themi hajdutit ‘Pse ke vjedhur’.
> Europa e Gjergj Fishtës ka guxim dhe thotë se politikanët duhet të japin llogari.
> Këtu në Shqipëri, politikanët dhe militantët e tyre të kërkojnë ty llogari, madje edhe të shajnë po guxove t’u kërkosh llogari.
> Po guxove je i shitur, i blerë, anti-Shqipëri, anti-demokraci, etj.”