Katastrofa që do të ndodhë me djegien e plehrave në Elbasan e Fier

Sazan GURI

Në vitin 2004, në betejat për të zmbrapsur plehrat e importit kishim në dorë një kontratë me 16 faqe të kompanisë italiane me qeverinë e atëhershme shqiptare, e cila lexohej e lexohej nga dhjetëra ekspertë juristë dhe nuk kapesh se ku flinte lepuri, gjë të cilën e për hatër të së vërtetës z. Kokëdhima e ngulmonte këtë kërkesë, fort e më fort.
Dhe thoshte, më gjeni se ku është hileja me një rresht se në dukje të parë kontratë më të mirë s’gjeje dot?! Mbasi kishim punuar për një vit si studio të projekteve që financonte z. Kokëdhima, (kujdes, projekte që vinin pika mbi “i” për menaxhimin dhe trajtimin e integruar të mbetjeve të vendit) dhe në këto momente që ndodheshim të shkëputur, u thirrëm me urgjencë nga zotnia i mësipërm që me shkollën dhe eksperiencën që kishim krijuar të gjenim ku fle lepuri.
Dhe cila ishte dhe ku ishte? Vetëm në një rresht, që kompania kishte të drejtën të merrte plehrat nga jashtë për tre vjet, (pra të merrte pagesën e majme nga Malagrota italiane), i valorizonte (pra i ndante, cila për Sharrë e cila për Kashar), e më pas të blinte inceneratorin.
Dhe pikërisht për këtë zbulim kjo kauzë u fitua. Edhe sot po kjo situatë, me ndryshimin që atëherë na e bënë të huajt në bashkëpunim me ndoshta paaftësinë shqiptare, sot e bëjmë vetë me gjoja aftësinë parlamentare dhe na i servirin si shpikje dhe ndryshime e përmirësime me ligjin e mëparshëm.
Edhe na i fusin edhe na marrin për budallenj. Dhe ku e si? Neni 48/1 thotë shprehimisht se: “Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet e ngurta jo të rrezikshme, të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit, për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues, të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme, që përdoren nga industria, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3, të nenit 48, të këtij ligji”.
Le t’i marrim me radhë:
Mbetjet janë jo të rrezikshme, të listës së gjelbër dhe lëndë e parë dytësore – ky është një togfjalësh korrekt që shpreh një terminologji juridike të përputhur me konceptin teknik. Togfjalëshi për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë e kemi sqaruar në sa e sa shkrime, që përmbushja e kërkesave të kompanive të riciklimit mund të bëhet shumë mirë me ato të vendit, pa qenë nevoja e importit të tyre gjithsesi, le të themi se pranohen koncepte të tilla ku përgjigjja dhe deviza jonë është se pa menaxhuar e trajtuar në mënyrë të integruar mbetjet e vendit dhe kur t’i bësh ato zero dhe madje kur të kesh edhe 10 vjet përvojë pozitive, hajt ulemi e flasim për këto që më vë në ligj sot. Deri këtu, debati dhe lepuri duken sheshit.
Kur kap togfjalëshin e fundit të këtij neni ligjor, se mbetjet e listës së gjelbër ose ato “jo hazardous (jo të rrezikshme)” vijnë edhe për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues, të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme, që përdoren nga industria, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3, të nenit 48, të këtij ligji” e përkthyer thjesht për qytetarët do të thoshte që mund të vijnë mbetje të briketuara në formë kubiku. Këto mbetje të përkufizuara si rubish ose rifuti urbani-plehra, i janë nënshtruar një procesi teknologjik në impiante që quhen impiante valorizimi, ku të gjitha mbetjet e një qyteti të caktuar shkojnë te impianti, ku iu hiqet metali dhe qelqi me një magnet të caktuar ose me krahë pune, dhe mbetjet e tjera (karton, letra plastik) mbasi thërrmohen gatiten për CDR (shkurt, italisht) ose për lëndë të djegshme ose për përdorim deri në masën 10% për TEC-e e fabrika çimentosh ose për përdorim 100% për inceneratorë.
Pikërisht për këtë e kanë fjalën këta zotërinj parlamentarë që kanë ndërhyrë në ligjin e mëparshëm, jo duke e përmirësuar, por duke e rënduar edhe më nenin për importin e mbetjes. Pra, dy TEC-et që po mendohet të ngrihen, njëri në Elbasan e njëri në Fier, do të duhet të hanë 24 orë rresht sepse një incenerator, sikundër edhe TEC-et nuk ndalen e ndizen sa herë të duash, veçse kur janë për rimont. Pikërisht këtu fle lepuri, që mbetjet e importit, gjoja do të furnizojnë kompanitë e riciklimit, të cilat bëhen kurban për inceneratorët, ato në fakt vijnë për të zëvendësuar lëndën djegëse, jo të rinovueshme që është qymyri dhe nafta që mund të përdorej për inceneratorët.
Kjo është shkelje e hapur e ligjit të mbrojtjes së mjedisit që mbetjet e importit apo plehrat në raste të caktuara nuk mund të vijnë kurrsesi për asgjësim me anë të groposjes dhe djegësve termikë ose inceneratorë. Sepse në këtë rast, këtë kemi që plehrat e një shteti “x”, mbasi përpunohen e kthehen në briketa ose kubikë në formë mbetjesh, vijnë për qëllim asgjësimi me anë të djegies termike. Hajde autogol hajde.
Ndaj qytetarë nuk qenkemi ndryshe, jo nga viti 2011, por as nga viti 2004 që na u duk sikur e kemi fituar këtë kauzë, por tashmë na vjen më “fine” e më e stërholluar. Ndaj, kompanitë e riciklimit nuk mund të sigurojnë mbetje lëndë e parë nga vendi, sepse shumica e saj do të shkojë toptan nëpër këto dy inceneratorë në nivel regjional dhe madje nuk i ngopin dot. Përveç atyre të përcaktuara nga pika 3 e nenit 48 do të thotë që këto mbetje të briketura ose kubikë janë tjetër gjë nga ato të teta që janë menduar të vijnë si mbetje importi, pra nuk kanë lidhje me mbetjet e importit të përcaktuar nga ky ligj, por jo 26 të ligjit të 2011, por tetë plus një mbetje CDR ose lëndë e djegshme urbane të këtij ligji.
Përfundimisht, në Shqipëri nuk vijnë mbetje, por plehra, kush të dojë të thojë të kundërtën. Gati për duel dhe nuk trembem të më çosh edhe në hexhel.

Exit mobile version