Për më shumë se 22 ditë, Partia Demokratike u përfshi në një fushatë elektorale, në një garë të cilën mund ta bëjë vetëm ajo. Në 22 ditë, nga të dy kandidatët u shpalosën alternativa, platforma dhe analiza, të cilat në thelb kishin bashkimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike pas humbjes së 25 qershorit. Kjo garë do të finalizohej me zgjedhjet e së shtunës të 22 korrikut, ku Lulzim Basha do të rezultonte fitues me gati 54 mijë vota nga më shumë se 59 mijë që morën pjesë në zgjedhje. Nga ana e tij, kandidati rival, Eduard Selami u shpreh se e njihte rezultatin dhe ish zhvilluar një garë korrekte.
Fushata
Që në ditët e para të garës, diskursi u vendos tek problematika e 25 qershorit. Nga ana e tij kryetari i PD, Lulzim Basha, u shpreh se paratë e drogës dhe fenomeni i Dibrës u shtri në çdo qelizë të vendit. Natyrisht, duke njohur dhe gabimet e tij, për shumë probleme që janë thënë e stërthënë jo vetëm nga rivalët, por dhe nga fraksionet brenda PD-së. Nga ana e tij, Selami filloi një fushatë të egër, ju vu në dispozicion e gjithë infrastruktura e nevojshme dhe koha mediatike ndahej në mënyrë të barabartë mes tij dhe Bashës. Në 22 ditë gjuha e Selamit nuk ishte aspak ndryshe nga ajo e të tjerëve që preferuan të rrinë me vullnetin e tyre jashtë garës dhe konkurrimit për postin e kryetarit, madje ditët e fundit kjo gjuhë erdhi duke u shtuar. Zyra e Shtypit dhe organi zyrtar i PD-së, raportuan në mënyrë korrekte gjithë diskutimet, madje në faqet e saj nuk munguan as deklaratat e atyre që shpesh janë trajtuar si fraksion brenda PD-së. Një fushatë mediatike ku barazia ishte e shenjtë dhe zbatohej me përpikmëri. Ka më demokratike se kaq?
Basha
Është thënë dhe më parë që garat brenda partisë në këtë vend zhvillohen vetëm nga njëri krah politik që është e djathta, pasi nga e majta është parë se çfarë ndodh. Si në çdo garë ka humbës dhe fitues. Natyrshëm pas saj vijnë dhe kontestime nga ata që janë të pakënaqur me punën e kryetarit. Në një parti me 105 mijë anëtarë jo çdokush ka mendim të njëjtë me kryetarin e partisë. Por këto janë vlerat e demokracisë. Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, do të ishte kryetari i sapozgjedhur Lulzim Basha që do të shprehej se zhvillimi i zgjedhjeve në Partinë Demokratike nuk është një derë e mbyllur për askënd. Akti i djeshëm, nuk është aspak një derë e mbyllur. Përkundrazi tregon se çdokush që vendos Partinë Demokratike të parën, që zgjedh kauzën e drejtë të zgjedhjeve të lira e të ndershme, që zgjedh qytetarin e jo rehatinë personale, që vendos të luftojë drogën, krimin e korrupsionin, është i mirëpritur, është pjesë e jona, dhe jemi të gëzuar ta kemi mes nesh edhe nëse për një moment ka humbur rrugën”, tha Basha. Pas datës 23 korrik dhe shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, demokratët do të dinë të bashkohen, ashtu siç kanë bërë në momentet më të vështira për partinë e tyre. PD është foshnja që lindi mes tërbimit të diktaturës dhe s’ka para droge dhe korrupsioni që ta tjetërsojë këtë fakt.
Berisha
Rruga duket se do të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Kryetari Basha ka premtuar vendimmarrje në duart e anëtarëve të partisë. Në fakt janë ata që e dinë më mirë se çdokush se ku janë mangësitë dhe çfarë lëngon në funksionimin e gjërave. Janë qindra e mijëra që lanë mënjanë tronditjen nga humbja dhe u bashkuan sërish për të ecur përpara. Vetë ish-kreu i PD-së Sali Berisha ditën e votimit do të pohonte se humbja është e thellë, “por ajo kthehet në fatale, në rast se ti e trajton si fatale”. Dhe për demokratët nuk ka kohë të presin. Ata hynë në garë dhe zgjodhën kryetarin, pas zgjedhjeve do të vijë dhe analiza siç e ka premtuar dhe kryetari Basha. Do të fillojë ristrukturimi i saj, që pritet të kalojë nëpërmjet vendimmarrjes së anëtarësisë. Në Partinë Demokratike asnjë s’është i tepërt, dhe askush i larguar. Zgjedhjet e 22 korrikut e treguan këtë, anëtarët e saj votuan sipas vullnetit të tyre, të pandikuar nga askush. Në 22 ditët e fushatës ata dëgjuan debatet mes kandidatëve, rivalitetin mes tyre dhe në fund zgjodhën për atë që kanë më shumë besim. Kryetarit Lulzim Basha ata i dhanë një shans të dytë, me bindjen se është humbur një betejë, por kjo s’do të thotë se është humbur lufta. Lufta kundër korrupsionit, lufta kundër drogës, lufta kundër koncesioneve korruptive, lufta për një shëndetësi më të mirë, kundër çmimeve të energjisë, kundër varfërisë kundër të gjithë atyre çka sjell blerja e votës, nuk do të rreshtë, ajo do të vazhdojë.