Mesfushori i Realit të Madridit, Toni Kroos beson se skuadra e tij do të arrijë të eliminojë Bajernin në çerekfinalet e Ligës së kampioneve, pavarësisht koefiçentit në rritje të vështirësisë në turneun elitar të klubeve europiane. Fati në short i rezervoi futbollistit të kombëtares gjermane, ish-ekipin e tij, me të cilin fitoi disa trofe, por për Kroos nuk ka dyshime se kush do të triumfojë.
Skuadra madrilene është mbajtësja në fuqi e trofeut të Champions League, dhe nuk do të dorëzohet pa luftuar përballë Bajernit të trajnerit Ançeloti, një emër që e njeh shumë mirë ambientin e “Los blankos” ku ka drejtuar më parë. “Nuk jam aspak i frikësuar nga Bajerni, pasi nëse duam të fitojmë sërish Ligën e kampioneve, Bajern apo Barcelona janë me patjetër në rrugën tënde. Gjithmonë më kanë pëlqyer sfidat e mëdha dhe përballja me më të mirët, e kjo ndaj bavarezëve nuk është ndryshe”, tha mesfushori gjerman.
Toni Kroos diskutoi gjithashtu ndryshimet me ekipin që ka luajtur më parë dhe Realin, ngjyrat e të cilit mbron tani, duke nisur nga pankina. “Zidan ka një ide shumë të qartë se çfarë kërkon nga futbollistët dhe e transmeton këtë shumë mirë. Atij nuk i duhet një fjalim motivues prej 20 minutash. Mjafton prezenca e Zidan dhe personaliteti që e karakterizon, së bashku me sukseset, për të arritur atë që do”, tha mesfushori i Real Madridit.