Milan, Berlusconi konfirmon shitjen te kinezët

Menjëherë sapo doli nga spitali i San Raffaele-s, për herë të parë prej shqetësimeve shëndetësore, Silvio Berlusconi foli për mediat rreth politikës, terrorizmit dhe natyrisht për Milanin. Por, këtë herë, deklaratat rreth klubit ishin të ndryshme, me Kavaljerin në rolin e një ish-i. Fjalë të thëna nga një person, që edhe pse të dhembshëm, e ka marrë vendimin e tij, të cilin e tha publikisht për herë të parë.
“E drejtoj klubin prej 30 vitesh, por në 4 vitet e fundit jam përqendruar më tepër diku tjetër, për shkak të një vendimi gjyqësor paradoksal dhe një dënimi absurd. Nuk e kam ndjekur skuadrën si në të kaluarën dhe tashmë dua ta mbyll këtë periudhë prej 3 dekadash, ku Milani ka fituar 28 trofe dhe numri i tifozëve u rrit”, u shpreh Berlusconi.
Pasi konfirmoi se vendimi për shitjen e “Djallit” është marrë, presidenti foli edhe për investitorët e rinj kinezë. “Tashmë klubi ka marrë këtë drejtim nga Kina. Besoj se zgjedhja e fundit është e rëndësishme, për t’ia dorëzuar Milanin atij që është i gatshëm ta rikthejë protagonist në Itali, Europë dhe nëpër botë. Duke pasur parasysh vlerën e markës, hoqa dorë nga pretendime financiare dhe pranova ofertën që m’u paraqit. Kushti im i vetëm ishte që grupi investitor të shpenzonte të paktën 400 milionë euro në merkato”, tha ai.

Exit mobile version