Kush po e detyron Edi Ramën të dorëzohet pa kushte?

Nga Red VARAKU

Pas përgjimeve të publikuara fillimisht nga Washingtoni dhe pastaj nga Berlini, të cilat i bënin një radiografi të ashpër realitetit Shqiptar, ishte e qartë që ky kryeministër kishte marrë fund dhe vendi do shkonte në mënyrë të pakthyeshme në zgjedhje të parakohshme.

E vërteta është, që jo vetëm Rama që është kryeministri më i korruptuar dhe më i dështuar që ka njohur Shqipëria, por asnjë kryeministër nuk mund ti rezistojë të vertetave të tilla, ku e gjithë elita e qeverisë, përfshirë edhe vetë kryeministrin parakalon në përgjime skandaloze, ku kryefjala është vjedhja, shantazhi dhe blerja e votave nëpërmjet krimit të organizuar.

Ndërsa djegja e mandateve, protestat masive dhe bojkoti i zgjedhjeve te 30 qershorit dëshmuan vendosmërinë e Opozitës për të mos berë asnjë hap pas në kërkesën për rrëzimin e kësaj qeverie.

Në rrethana të tilla çdo kryeministër i pergjegjshëm dhe i paverbuar nga deliri i madhështisë, i cili ka interes të parë interesin e qytetarëve, jep menjëhere dorëheqjen, për t’i kursyer qytetarëve vitin më të zi të këtyre viteve.

Sigurisht, që shpresa e tij e madhe frymëzohej nga një establishment shumë i korruptuar brenda BE, por nëntë kushtet e Bundestagut dhe bllokimi i integrimit iu kthyen si varrè fytyrës, sepse dëshmonin vendimin e prerë, që Perëndimi nuk mund ta toleronte më një njeri të tillë.

Por pse e shtyu një vit dorëheqjen ky kryeministër? Pse e la të lëngonte këtë popull edhe një vit, kur e kishte të qartë që vendimi për largimin e tij ishte marrë dhe ishte i panegociueshëm?

Është e qartë që një karakter i deformuar, që politikën e ka konsideruar pazar që në fillimet e tij dhe që është mësuar t’i fitojë zgjedhjet vetëm përmes marrëveshjeve të pista , nuk e ka bërë këtë thjesht për kapriçio. Ai i ka pasur që në fillim skenarët të qartë.

Si pazarxhi i rëndomtë, pas publikimeve të BILD, fillimisht i kërkoi një pazar Opozitës, por që u hodh poshtë me neveri prej liderit të saj. Më pas, po në qershor, ai kërkonte BE-së t’i hapeshin negociatat në këmbim të shtyrjes së zgjedhjeve lokale. Kjo në mënyrë që të hynte në zgjedhje me një kalë beteje shumë të fortë.

Pasi negociatat nuk iu dhanë, sepse BE nuk bën pazare, ai refuzoi ndërmjetësimin e z. Wahdepul dhe vendosi të hynte në zgjedhje në paligjshmëri të plotë, kundër dekretit të Presidentit, pa Opozitën, duke vjedhur mandatet e bashkive si bandit me kaçavidë në dorë dhe duke asgjësuar kështu demokracinë vendore. Një akt tejet i shëmtuar që do t’ia rrëzonte maskën e pro-perëndimore përfundimisht.

Përmes kësaj strategjie edhe në rast se do të jepte dorëheqjen, do të kishte si bonus pushtetin vendor, përmes të cilit do të kishte mundësi të rividhte sërish zgjedhjet.

Pra, në përllogaritje tepër gjakftohta, atij nuk i interesonte në asnjë moment halli i qytetarëve shqiptarë, por ai synonte ta kthente gjithçka në një avantazh të fortë elektoral.

Por, fatkeqësisht përballë kishte një Opozitë të vendosur pë të mos bërë asnjë hap pas. Një Opozitë të vendosur për të mos bërë asnjë marrëveshje në dëm të qytetarëve. Një Opozitë që me djegjen e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve po i jepte një leksion demokracie jo vetëm shqiptarëve.

Ndërkohë, presioni ndërkombëtar sa vinte dhe shtohej. Ai arriti kulmin kur Shqipërisë iu vendosën nëntë kushte të forta nga Bundestagu dhe iu bllokua përfundimisht integrimi. Tentoi të shantazhonte Perëndimin nëpërmjet Jugosllavisë së re, por i hasi sharra në gozhdë, sepse Grennel e asgjësoi pa lindur akoma këtë ide pa Kosovën. Sigurisht pas kësaj i mbeti si alternativë vetëm zbythja, sepse nëse do të vazhdonte me kokëfortësi përmbysja me dhunë dhe arrestimi i tij do të ishte më e pakta që mund t’i ndodhte.

Kjo vendosmëri e Opozitës dhe presioni i ashpër i Perëndimit, ia dogji të gjithë skenarët dhe pazaret. Tashmë është e qartë që largimi i tij është i sigurtë dhe zgjidhja e krizës do të vijë shumë shpejt. Dorëzimi i tij pa kushte tashmë është një fakt, që vetëm servilët dhe qentë e tij nuk mund ta kuptojnë.

Jemi në raundin i fundit, i cili përfundon pas përfundimit të reformës zgjedhore. Ai është turithyer dhe i dërrmuar në cep të ringut. Shpresa se nuk do të shkonte në tapet, por do të humbte vetëm me pikë, nuk egziston më. Ambulanca ka mbërritur! Salla e reanimacionit është gati, siç janë gati dhe peshqirët për lotët dhe qurrat e mbështetësve naivë. Pritet vetëm knockdown-i i tij.

Exit mobile version