Kush po na rikthen Jaltën?

Bledi KASMI

Që një shumice politike, të mund t’i lihet e gjithë e drejta për të përcaktuar të gjithë trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve në një vend, kjo është një çmenduri dhe një eksperiment i rrezikshëm. Kjo nuk është reformë. Ky do të ishte legjitimi i një junte kriminale në pushtet  e ngjashme me atë që ka ndodhur në këtë vend në vitin 1945.
Nëse 75 vjet më parë ishin kompromiset e Jaltës që legjitimuan diktaturën komuniste për gjysmë shekulli në këtë vend, sot jemi përpara një tjetër formule imponuese të ngjashme, e cila e nxjerr opozitën jashtë sistemit dhe vdes pluralizmin politik. Edhe atëherë kishte një psikopat tjetër që bërtiste për drejtësi popullore si ky i sotmi, por ajo që pasoi ishin linçimet publike, varjet në litar, pushkatimet pa gjyq, burgosjet masive të kundërshtarëve të rregjimit dhe internimet.
Drejtësia sipas modelit Rama do të jetë e njëjtë. Gjyqtarët, prokurorët që guxojnë të hetojnë një zyrtar të policisë, do të ekzekutohen nën akuzat e skizofrenit. Gjyqtari do të etiketohet “killer me pagesë”, do të etiketohet derdimen dhe më pas do të vijën ekzekutimet si qen rrugëve nga njerëz të panjohur, nga maska të porositura për krime.
Nuk do të ketë më njerëz që të kërkojnë të drejtat e tyre, nuk do të ketë më votë të lirë dhe as njerëz që të lejohen të protestojnë pa urdhër. Nuk do të ketë media të lirë, as gjykata dhe prokurori sepse po krijohet partia-shtet, ku të gjithë pushtetet e ndara unifikohen tek kulti i ri i individit.
Një gjyqtar u “ekzekutua” dje publikisht në këtë formë dhe ata që bekojnë këtë model drejtësie heshtën si gur varri.
Kështu heshtën edhe në 1945 ata që na lanë në kamzhikun e së keqes, që Mbretin e degdisën për të mos e kthyer më se ishte një kërcënim për pushtetin komunist. Heshtën kur na privonin liritë, heshtnin kur na pushkatonin, varnin, burgosnin dhe internonin.
Presidenti amerikan George W. Bush do të kërkonte ndjesë në vitin 2005 për paktin e Jaltës që ndau në vitin 1945 Evropën dhe vendosi rajonet qendrore dhe lindore nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik. “Robëria e miliona njerëzve në Evropën Qendrore dhe Lindore do të kujtohet gjithnjë si një nga gabimet më të mëdha të historisë”, pohoi Bush gjatë një fjalimi në Riga. Ishte pohimi më i sinqertë i një burri shteti për një gabim historik që sot po shfaqet me fantazmën e vet në Shqipëri.
Ne e vuajtëm luftën e klasave, ndonëse asnjëherë më parë nuk kishim besuar tek drejtësia popullore që erdhi në vitin 1945. Po sot  a duhet të pranojmë sërish viktimizimin, të nënshtrohemi dhe të dorëzojmë sërish drejtësinë tek një Kryeministër që po kërkon të bëhet edhe kryegjykatës, edhe kryeprokuror?
Kjo drejtësi mund të mos jetë më e mira e mundshme sepse edhe demokracia nuk është sistemi më i mirë, por më të mirë se ai nuk ka. E dimë se ka gjykatës të korruptuar dhe prokurorë të lidhur me afera korruptive, por kjo kurrën e kurrës nuk mund të jetë një alibi për të rikthyer këtë vend tek partia-shtet dhe tek kulti i individit. Rikthimi i Shqipërisë 72 vite pas, do të ishte fatale.

Exit mobile version