BBC News
Teksa liderët e 27 shteteve të mbetura të Bashkimit Europian përgatiten për samitin e parë të Brexit në Bruksel, cilat do të jenë çështjet që do t’i japin formë axhendave të secilit shtet që do të marrë pjesë? Cilat janë problemet kryesore që duket se po shqetësojnë së tepër Bashkimin Europian? Ekspertët e shteteve kryesore në negociata përpiqen të analizojnë situatën me të cilën do të përballet së shpejti Britania e Madhe.
Gjermani, Jenny Hill, Berlin
Kancelarja Angela Merkel ka këmbëngulur vazhdimisht duke thënë se negociatat e Brexit janë ndërmjet Britanisë dhe BE-së, por pozicioni i Gjermanisë do të ketë rëndësi të madhe, ndoshta më shumë se çdo shtet tjetër i BE-së. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të peshës ekonomike dhe politike që ka në bashkim, por edhe sepse, ndryshe nga vendet e tjera, ka burimet, njerëzit dhe ekspertizën e duhur për të analizuar dhe punuar për të zgjidhur kompleksitetin administrativ të shkatërrimit të anëtarësisë së Britanisë.
Për një vend që e konsideron veten fillimisht europian dhe pastaj gjerman, prioriteti tani është siguria e ardhshme e Bashkimit Europian. Berlini kërkon të prezantojë një front të Bashkimit Europian në negociata ndaj pritet të ndjekë një strategji të mirëdetajuar më parë, në përputhje me strukturat e institucioneve të mëdha të Bashkimit Europian.
Mund të pritet një qëndrim i hekurt nga ana e Berlinit për sa i përket të drejtës së qytetarëve europianë për të jetuar dhe punuar në Britaninë e Madhe. Edhe pse ka shqetësime në Berlin rreth impaktit të asaj që mediat gjermane e kanë quajtur “hapi i Britanisë drejt errësirës” dhe një ndërgjegjësim të “madhështisë dhe kompleksitetit” të negociatave, sipas fjalëve të Merkel, shqetësimet e politikanëve në Berlin janë edhe për shtrirjen e plotë të problemit.
Merkel ka bërë të qartë vazhdimisht se kërkon të trajtojë edhe sfidat e tjera me të cilat përballet bashkimi si emigracioni, terrorizmi, papunësia e të rinjve dhe impakti i dixhitalizimit. Ditën e enjte ajo tha se në botën e sfidave globale, Europës nuk i leverdis aspak të jetë introspektive. Berlini nuk donte që Britania të largohej, por tani që vendimi është marrë, kërkon një dalje të drejtë dhe konstruktive dhe që negociatat të mbyllen shpejt dhe pa probleme.
Megjithatë ka pak gjasa të mbështesë bisedimet reth formës së marrëdhënies së ardhshme ndërmjet Britanisë dhe Bashkimit Europian nëse Britania nuk bie dakord fillimisht me kushtet e daljes, me pak fjalë të zotohet të paguajë “tarifën e Brexit”. Në fakt ka pak gjasa të ndjekë edhe një qëndrim ndëshkues. Berlini kërkon përsëri të ruajë marrëdhënien e fortë ekonomike ndërmjet dy vendeve, por mos prisni as që të jetë një partner i butë në negociata, përkundrazi.
Edhe liderët e biznesit – ndërmjet tyre edhe kreu i shoqatës së prodhuesve më të pushtetshëm të makinave në Gjermani – janë dakord se interesi i Bashkimit Europian është parësor. Merkel ka paralajmëruar kundër iluzionit se Britania mund të ruajë ose të negociojë të drejta akoma më të mira se ato të shteteve anëtare. Sipas përgjigjes së Angela Merkel për thirrjen e nenit 50 muajin e kaluar, ajo do të angazhohet për të minimizuar impaktin personal të Brexit mbi qytetarët europianë që jetojnë në Britani.
Ajo pritet të flasë në mbrojtje të asaj që e konsideron si themeli i jetës i lirive dhe vlerave të Bashkimit Europian. Merkel ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk mund të ketë akses në tregun e përbashkët pa lëvizjen e lirë të njerëzve – një vijë e kuqe për të cilën të gjithë do të kërkojnë të bëjnë kompromis, por Merkel pritet të qëndrojë e palëkundur.
Francë, Hugh Schofield, Paris
Franca ndodhet në mes të zgjedhjeve presidenciale dhe do të ketë një kryetar të ri shteti në muajin maj. Të dy kandidatët kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për Bashkimin Europian në përgjithësi dhe Brexit në veçanti. Nëse Marine le Pen e Frontit Kombëtar zgjidhet presidente, atëherë nuk ka më asnjë dyshim. Ajo është kundër Bashkimit Europian dhe mendon se largimi i Britanisë nuk duhet kritikuar, por duartrokitur. Me Le Pen në krye të Elizesë, kaosi i krijuar nga Brexit s’do të eklipsohet shumë shpejt teksa Brukseli përpiqet të përballet me një kërcënim akoma më të madh: Frexit.
Por në realitet, shanset e Le Pen për t’u bërë presidente janë të vogla. Mundësia më e parashikueshme është fitorja e Emmanuel Macronit, i cili është një politikan pro Bashkimit Europian. Gjatë muajve të fundit ai ka folur egër duke thënë se Britanisë nuk do t’i rezervohet asnjë trajtim special në negociatat me Berlinin. Duke i bërë jehonë edhe qëndrimit të presidentit në ikje, François Hollande, ai thotë se favoret ndaj Londrës do të tradhtonin shpirtin e BE-së dhe do të nxisnin populizmin.
Përfundimi i parashikueshëm është që ai do të mbante një qëndrim tepër të egër në negociatat e Brexit, por një tjetër interpretim sugjeron se kjo mund t’i lehtësojë negociatat e Britanisë së Madhe- kjo mund të ndodhë për shkak se në shumë çështje të ndryshme, Macroni është dakord me Britaninë e Madhe. Ai është ekonomikisht liberal, pro tregtisë dhe pro biznesit dhe i kupton shumë mirë sfidat e tij dhe rëndësinë që ka në politikë.
Shpresat për një qëndrim më të favorshëm burojnë nga mendimi se politika franceze do të shkruhet bashkërisht nga Macron dhe këshilltari i tij i lartë Jean Pisani-Ferry. Në këtë politikë synohet për një “partneritet kontinental” me Britaninë e Madhe, në të cilën Londra mund të ketë akses në tregun e përbashkët (natyrisht duke paguar në buxhetin e Bashkimit Europian), por të rifitojë kontrollin mbi lëvizjen e punëtorëve.
Ky konsiderohet versioni më i butë i mundshëm i Brexit. Optimistët thonë se fitorja e Macronit do të shihet si fitore kundër populizmit në Europë. Nëse establishmenti i Brukselit ndihet më i sigurt, atëherë do të ketë mundësi të arrijë një marrëveshje më bujare me Britaninë.
Poloni, Adam Easton, Varshavë
Polakët përbëjnë popullsinë më të madhe jobritanike që jeton në Britaninë e Madhe, ndaj prioriteti i qeverisë polake do të jetë të sigurojë të drejtat e mbi 850 mijë qytetarëve polakë që jetojnë atje. Thuhet se shumica e polakëve nuk kanë jetuar mjaftueshëm gjatë në Britaninë e Madhe për të pretenduar rezidencën permanente, pra ekziston një pasiguri e madhe për të drejtat e tyre të ardhshme pas Brexit.
Varshava kërkon të shihet se si po përpiqet të mbrojë me këmbëngulje statusin aktual të qytetarëve, përfshirë edhe aksesin e tyre në benefitet sociale të vendit. Me pak fjalë, Polonia kërkon që të njëjtat rregulla të vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi pasi të ardhurat e punëtorëve polakë atje, janë të rëndësishme për ekonominë polake.
Çdo vit, punëtorët polakë dërgojnë në shtëpi rreth 780 milionë paund. Një tjetër shqetësim i madh është sigurimi i kontributit të Britanisë së Madhe në buxhetin e Bashkimit Europian. Polonia është përfituesja më e madhe e fondit prej 106 miliardë euro sipas buxhetit 2014-20 të Bashkimit Europian, buxhet për të cilin Britania është një kontribuese e madhe.
Këto fonde e kanë transformuar mjedisin e infrastrukturës së Polonisë dhe kanë ndihmuar mjaft rritjen ekonomike të vendit. Varshava shpreson se Brexit nuk do të sjellë me vete edhe reduktimin e kontributeve. Përpara referendumit, Polonia e kishte emëruar Britaninë si partneren e saj kryesore në Bashkimin Europian.
Kështu, vendi insiston se Britania do të mbetet një aleat i fuqishëm, veçanërisht në fushat e rëndësishme si mbrojtja dhe bashkëpunimi me NATO-n. Aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe lufta në Ukrainën Lindore i kanë rritur ndjeshëm shqetësimet e Polonisë dhe vendeve baltike për çështjen e sigurisë. Ushtarët britanikë janë zhvendosur në rajon dhe marrin pjesë në mbrojtjen e frontit lindor të NATO-s, një kontribut që Varshava e vlerëson tejmase.
Spanja, James Badcock, Madrid
Sa herë që situata trazohet, çështja e Gjibraltarit del në pah si fantazmë që përndjek negociatat e Brexit. Spanja ka lobuar fuqimisht që territori i mbikëqyrur nga Britania përtej detit, të përmendet specifikisht në draftin e dokumentit udhëzues të Këshillit Europian, i cili përcakton qartë se Madridi mund të vendosë veton për aplikimin e një marrëveshjeje ndërmjet Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe për Gjibraltarin.
Që kur Spanja u anëtarësua në Bashkimin Europian, Gjibraltari ka pasur mundësinë t’i bëjë thirrje Brukselit të ndërhyjë sa herë që ndjente se Spanja po rriste qëllimisht trafikun në tokën kufitare, ndryshime që Madridi i ka mohuar vazhdimisht, duke cituar shqetësimet për sigurinë kombëtare. Tani duhet të ekzistojë një marrëveshje ndërmjet Britanisë dhe Spanjës që të aplikohet në kushtet e tregtisë dhe lëvizjes së njerëzve drejt dhe nga territori britanik përtej detit.
Spanja ka propozuar sovranitet të përbashkët, diçka që banorët e Gjibraltarit – dhe qeveritë e ndryshme të Britanisë së Madhe – e kanë refuzuar tradicionalisht. Por përveç problemeve për çështjen e Gjibraltarit, Spanja i ka të gjithë inçentivët që i nevojiten për ta bërë Brexit sa më të butë të mundshëm.
Konsullata spanjolle në Londër thotë se 130 mijë spanjollë jetojnë aktualisht në Britaninë e Madhe. Nga ana e saj, edhe 309 mijë qytetarë britanikë janë të regjstruar si rezidentë në Spanjë. Për këtë arsye, të dy vendet do të kërkojnë reciprocitetin në marrëveshjen e ruajtjes së të drejtave të emigrantëve, për të mos trazuar jetën e tyre. Gjithashtu, turizmi në Spanjë është nxitësi kryesor i ekonomisë. Sipas qeverisë spanjolle, 23 për qind e turistëve të huaj që e kanë vizituar vendin në vitin 2016 vinin pikërisht nga Britania e Madhe.
Me pak fjalë, ka lidhje të forta financiare ndërmjet të dy vendeve. Kompania spanjole, Ferrovial operon në aeroportin Heathrow, në shumë aeroporte të tjerë të Britanisë. Santander thotë se 20 për qind e fitimeve të vitit 2016 vinin nga operacionet bankare me Britaninë dhe Spanja ka një surplus tregtar të shëndetshëm me Britaninë. Madridi ka thënë se do të punojë për të arritur një marrëveshje miqësore me Britaninë, por hija e konfliktit të vjetër me Gjibraltarin ka gjasa të jetë një pengesë mjaft e fortë politike.
Italia, James Reynolds, Romë
Emigrantët, eksportet, siguria – këto do të jenë tre prioritetet kryesore të Italisë për çështjen e Brexit. Ambasada italiane në Britaninë e Madhe vlerëson se, mund të ketë mbi 600 mijë italianë që jetojnë në Britani, ndërsa mendohet se vetëm 30 mijë britanikë jetojnë në Itali. Shumica e italianëve që jetojnë në Britani janë të rinjtë që janë diplomuar atje ose në Itali dhe që nuk arrijnë të gjejnë punë në vendin e tyre.
Italia do të dojë të ruajë me këmbëngulje të drejtat e tyre dhe të gjejë një mënyrë për të garantuar se të diplomuarit e ardhshëm në Britaninë e Madhe të shtyhen të vazhdojnë të kërkojnë punë në Britani. Më pas, Italia do të dojë të ruajë të drejtën për të shitur produkte dhe shërbime në Britani, duke qenë se vendi është tregu i katërt më i madh tek i cili Italia eksporton. Në vitin 2015, Italia eksportoi 22.5 miliardë euro produkte në Britaninë e Madhe, përfshirë këtu makina, makineri, veshje dhe verën e saj të famshme të gazuar, prosecco.
Italia do të kërkojë gjithashtu të ruajë aleancën për çështjen e sigurisë me Britaninë e Madhe, veçanërisht në Mesdhe. Si anëtare e Bashkimit Europian, Britania ka marrë pjesë në shumë operacione antitrafik në brigjet italiane. Të dy vendet kanë bashkëpunuar edhe në përpjekjet për të stabilizuar Libinë.
Por Brexit përfaqëson edhe një sërë mundësish për Italinë. Bashkimi Europian duhet të vendosë fatin e agjencive të saj me seli në Britaninë e Madhe. Milano merr pjesë në një garë jozyrtare për të marrë përsipër kontrollin e Agjencisë europiane Bankare dhe Agjencisë europiane të Mjekësisë.
Suedia, Maddy Savage, Stokholm
Nuk është aspak argëtuese të shohësh mikun tënd më të mirë që përjeton një divorc dhe është akoma më e vështirë kur keni shumë miq të përbashkët me të dyja palët. Kjo është pozita në të cilën ndodhet Suedia, teksa aleatja e saj më e mirë përgatitet të divorcohet nga Bashkimi Europian. Të dy vendet kanë ndarë të njëjtin këndvështrim dhe perspektivë në 90 për qind të votimeve në Këshillin Europian dhe Britania e Madhe është partneri i eksportit i pestë më i madh i vendit nordik.
Suedia, si një nga shtetet më eficente të BE-së, nuk e ka mbajtur aspak sekrete dëshirën e saj për të nisur sa më parë negociatat për një marrëveshje të re tregtare me Britaninë e Madhe. Megjithatë, prioriteti i saj do të jetë përsëri ruajtja e të drejtave të ardhshme të qytetarëve europianë për të jetuar, punuar dhe studiuar në Britaninë e Madhe pas Brexit. Sipas qeverisë suedeze, mbi 100 mijë suedezë të popullsisë prej vetëm 10 milionë të vendit, jetojnë në Britaninë e Madhe dhe rreth 1 mijë biznese suedeze operojnë atje.
Ministrja suedeze e Çështjeve dhe Tregtisë Europiane, Ann Linde, është shfaqur haptazi kritikuese ndaj sfidave që do të hasin europianët që kërkojnë rezidencë permanente në Britaninë e Madhe sipas rregullave aktuale, të cilët përfshijnë një dokument prej 85 faqesh dhe prezantimi i provave të një pune të qëndrueshme.
Teksa qeveria e qendrës së majtë në Suedi ka thënë se do të sigurohet që mikja e saj e vjetër të përfitojë “një marrëveshje të drejtë” në negociata, ka bërë gjithashtu të qartë se ruajtja e bllokut me 27 shtetet anëtare të fortë dhe të bashkuar është interes parësor, një mesazh që ndahet edhe nga partitë opozitare të qendrës së djathtë të vendit.
Por mbështetja publike për demokratët e Suedisë të antiemigracionit – të cilët bëjnë edhe thirrje për “Swexit” – është rritur deri në 19 për qind vetëm një vit përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme të vendit. Ndërkohë, Suedia ka përjetuar një rritje të jashtëzakonshme të kërkesave për nënshtetësi suedeze nga ana e britanikëve që jetojnë në vend dhe që tani kanë frikë dhe kërkojnë të garantojnë të ardhmen e tyre në vendin skandinav. Vetëm gjatë vitit 2016 janë plotësuar plot 1,616 formularë aplikimi, tre herë më shumë se një vit më parë që patën vetëm 511 aplikime.
Holanda, Anna Holligan, Hagë
“Një plagë e vetëshkaktuar”, kështu e përshkruajnë holandezët Brexit-in. Britania e Madhe ka qenë tradicionalisht një nga aleatet më të ngushta në Holandës. Eksportet ndërmjet dy vendeve arrijnë në shifrat e dhjetëra miliarda eurove. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse e tregtisë së lirë do të jetë prioritet, por frika më e madhe e qeverisë holandeze është rikthimi i tarifave të Organizatës Botërore të Tregtisë.
Duhet mbajtur parasysh se Holanda është ndër shtetet e para të rekrutuara në klubin e Bashkimit Europian dhe rreth 80 për qind e GDP-së së vendit vjen nga eksportet, shumica e të cilave (79 për qind) janë brenda Bashkimit Europian. Fuqia e marrëdhënies britanike me këtë vend të vogël, por tepër influencues mund të rezultojë kritike për përcaktimin e natyrës së marrëveshjes finale. Në fakt, pragmatikët holandezë mund të zgjidhen edhe si ndërmjetës.
Ata janë mjeshtrat e kompromisit, krenarë për aftësinë e tyre për t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe për të bashkëpunuar për interesin e përbashkët, për të gërmuar tokën poshtë detit. Për më tepër edhe qeveria holandeze ka pjesën e saj të popullsisë jashtë vendit për të mbrojtur. Ministria e Jashtme holandeze ka thënë për “BBC” se, garantimi i të drejtave për mbi 100 mijë holandezët që jetojnë në Britaninë e Madhe do të jetë prioriteti i negociatave.
Edhe britanikët që jetojnë në Holandë janë në ankth pasi presin të ruajnë të drejtat që gëzojnë aktualisht. Mjedisi politik i brendshëm mund të influencojë gjithashtu qëndrimin holandez. Partitë euroskeptike kanë pasur rezultate të kënaqshme në zgjedhjet e fundit. Ata u fuqizuam shumë nga Brexit, pavarësisht faktit se daljen e Holandës nga Bashkimi Europian, pas ndërlikimeve që po has Britania gjatë procesit, e bën akoma më të pamundur këtë perspektivë. Dilema kryesore e holandezëve do të jetë gjetja e mënyrës së duhur për të ruajtur lidhjet e çmuara ekonomike, kulturore dhe politike me Britaninë e Madhe, por pa nxitur euroskeptikët brenda vendit dhe në të gjithë kontinentin, të cilët kërkojnë të shkatërrojnë klubin e rëndësishëm të vendeve europiane.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI