Gjermania në emergjencë përballë Francës

Fitorja historike ndaj Italisë, në çerekfinalet e Euro 2016, i kushtoi shtrenjtë Gjermanisë. Kampionët e botës dolën të gjymtuar nga dueli me të kaltërit në Bordo. Trajneri Joachim Low duhet të bëjë llogaritë me katër mungesa, për sfidën gjysmëfinale, që do të luhet të enjten kundër Francës. Duke nisur nga mbrojtësi Mats Hummels, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve dhe do të jetë i skualifikuar.
Probleme “panzerat” kanë edhe në sulm. Pasi fitoi vendin e titullarit, Mario Gomez u dëmtua në tendinën e gjurit të djathtë dhe i dha lamtumirën turneut. Ai nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës, edhe në rast se Gjermania do të kualifikohej në finale. Por, dhembjet më të mëdha të kokës, trajneri Low i ka në mesin e fushës. Sami Kheidira nuk do të zbresë në fushë ndaj Francës, pavarësisht se ekografia konfirmoi që dëmtimi në kofshën e djathtë nuk ishte aq i rëndë sa u mendua në fillim.
Problematika në qendër të mesfushës bëhet më serioze, pasi edhe kapiteni Bastian Schweinsteiger vuan një dëmtim në gju. 31-vjeçari nuk u stërvit me pjesën tjetër të grupit gjatë së martës, ndërsa vazhdon punën i diferencuar. Stafi mjekësor i “Die Mannschaft” është në garë me kohën për të rikuperuar lojtarin e Manchester United, ndërsa trajneri Joachim Low konfirmoi se nuk do të hedhë në fushë futbollistë që nuk janë në formë optimale.

Exit mobile version