MUNDJE/ Chermen Valiev shpallet kampion Europe, 26-vjeçari kuqezi mahnit në eventin e Bratislavës

Shqipëria ka shënuar dje rezultate të mëdha në Kampionatin Europian të Mundjes, që po mbahet që prej 7 prillit në Bratislavë të Sllovakisë.

 

Chermen Valiev është shpallur kampion i Europës për peshat 74 kg në stilin e lirë. Valiev, medalisti i parë olimpik në historinë e Shqipërisë, kaloi me sukses edhe finalen. Ai zhvilloi një tjetër paraqitje fantastike, duke konfirmuar formën e shkëlqyer.

Valiev triumfoi me rezultatin 4-2 rusit Zaurbek Sidakov, me këtë të fundit që garoi me flamur neutral për shkak të pezullimit të Rusisë. Finalja e djeshme ishte me rivalitet të lartë, por Valiev u tregua më i vendosur dhe më i saktë në kapjet, duke e çuar sfidën në anën e tij, për të marrë medaljen e arit.

Kjo ishte fitorja e tretë nga Chermen Valiev në këtë Europian, teksa më parë 26-vjeçari kuqezi kishte kaluar me sukses dy ndeshje të martën. Fillimisht ai mposhti në çerekfinale Ramazan Eldarovitch Ramazanov të Bullgarisë me rezultatin 10-0, ndërsa më tej kaloi gjysmëfinalen, duke triumfuar me rezultatin 6-0 ndaj Aghanazar Novruzov të Azerbajxhanit.

WhatsApp Image 2025-04-10 at 12.27.03 (2)

ABAKAROV Kombëtarja shqiptare fitoi një tjetër medalje në Kampionatin Europian edhe me Zelimkhan Abakarovin. Ky i fundit u fut në tapet në duelin e ripeshkimit për medaljen e bronzit në kategorinë e peshave 61 kg për stilin e lirë. Abakarov kishte përballë moldavian Leomid Colesnic, të cilin e mposhti me rezultatin 11-0.

Mundësi kuqezi u shfaq dominues në këtë duel, për të merituar një vend në podium. Kampioni i parë i botës për Shqipërinë e filloi Europianin duke kaluar me sukses kualifikueset, teksa mundi 10-0 zviceranin Nils Leutert. Më pas në çerekfinale fitoi 6-2 kundër azerit Nuraddin Novruzov.

31-vjeçari kuqezi u përball në gjysmëfinale me armenin Arsen Harutyunyan, ku u mund me rezultatin 5-2, për t’u rikthyer më pas triumfues në duelin e ripeshkimit për medaljen e bronzit. Në Europianin e Bratislavës ishte planifikuar që të konkurronte gjithashtu edhe Islam Dudaev në peshat 70 kg, por ai nuk mori pjesë për shkaqe shëndetësore.

Kështu mundja shqiptare spikat edhe një herë me rezultate të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare, të cilat mbajnë firmën nga sportistët rusë të natyralizuar me nënshtetësi shqiptare.

ARTIN LLESHAJ-

Exit mobile version