Nga Bashkia në Gjykatë, saga e akuzave të Erion Veliajt

Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës pritet të dalë më 12 Mars 2025, përballë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të kundërshtuar masën e “arrestit në burg”, ku qëndron prej 10 Shkurtit kur oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit e shoqëruan në paraburgim pas vendimit të miratuar nga Gjykata.

Prokuroria e Posaçme nisi hetimet ndaj Veliajt në korrik 2023, pas një denoncimi anonim që rrëfente lidhjet mes kryebashkiakut me biznesmenin Gentjan Sula, pronar i kompanisë së ndërtimit “Agi Kons”, e cila ka fituar disa tenderë publikë.

Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa duke qëndruar në sheshin Nënë Tereza, në instalacionin "Këpucët e Kuqe"

Midis organizatave që janë financuar nga Bashkia Tiranë dhe kanë kryer pagesa për shoqatat e Xoxës, Kongresi Rinor Kombëtar qëndron në krye.

Sfilata

Dorian Grei: “Ti po flet për skandal, Herri, dhe nuk ka asnjë bazë për skandal.”
Lord Henri: “Baza e çdo skandali është një siguri e pamoralshme.”
Portreti i Dorian Greit, Oscar Wilde

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj para interpretimit të baletit, "Gravity" të Koreografit Franko-Shqiptar Angjelin Preljocaj i vënë në skenën e TKOB me mbështetjen e "Harabel"

Në vitin 2022, Ministria e Kulturës mbështet “Harabelin” për projektin “Digjitalizimi i artit bashkëkohor në Shqipëri”, në vlerën 1,000,000 lekë.

Nga veprimet paraprake, SPAK konstatoi miqësinë e vjetër mes Veliajt dhe biznesmenit si dhe përfitimet që familja e tij kishte marrë nga Sula.

Vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj, posedonte një vilë në Qerret të ndërtuar nga kompania “Agi Kons”, ndërsa bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, ka deklaruar një apartament në rezidencën “Kodra e Diellit”, gjithashtu e ndërtuar nga e njëjta kompani.

Pas hetimeve paraprake dhe grumbullimit të provave, më 8 shkurt 2024, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal për veprën e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa më 27 dhjetor 2024 hetimi u zgjerua duke përfshirë edhe akuzat për “Korrupsion aktiv”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale” dhe “Fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurisë”.

Më 16 janar 2025, në regjistrin e veprave penale u shtua edhe akuza për “Deklarata të rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, ndërsa më 24 janar 2025 u shtua vepra penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Si pjesë e hetimit, SPAK ka dokumentuar një seri të gjatë transaksionesh që tregojnë rrjedhjen e parasë nga Bashkia e Tiranës, përmes kompanive kontraktore dhe sponsorizimeve, tek OJF-të dhe kompanitë e kontrolluara nga Ajola Xoxa.

Sipas prokurorisë, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, janë në qendër të një skeme të mirë-organizuar për të përfituar rryshfete dhe për të pastruar para nëpërmjet kompanive kontraktore dhe organizatave joqeveritare (OJF) që merrnin fonde nga Bashkia e Tiranës.

Prokurorët pretendojnë se Veliaj ka përfituar të paktën 1.1 milionë euro në nëntë raste të ndryshme, duke përdorur pozicionin e tij për të siguruar kontrata publike dhe leje ndërtimi për biznesmenë të ndryshëm.

Nga qelia e burgut Erion Veliaj, apo dhe nëpërmjet avokatëve të tij, ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si një komplot politik të orkestruar nga kundërshtarët e tij.

Veliaj ka akuzuar prokurorin e çështjes, Ols Dado, për konflikt interesi dhe ka pretenduar se procesi është i motivuar politikisht.

Duke përdorur faqen e tij në Facebook kryebashkiaku ka sulmuar prokurorin Dado, duke e portretizuar atë si një person me armiqësi personale dhe të lidhur me ish-kryeministrin Sali Berisha.

Madje, Veliaj publikoi një transkript të rremë të përballjes gjyqësore, duke i vënë në gojë prokurorit Dado fjalë që ai nuk i kishte thënë, sipas GJKKO-së.

Ndërsa avokatët e Veliajt, nëpërmjet deklaratave publike pretendojnë se procesi hetimor ndaj kryebashkiakut është iniciuar mbi një kallëzim anonim dhe të dhëna të pasakta, pa prova apo indicie të mjaftueshme që të krijojnë dyshimin e arsyeshëm ligjor.

Në mbrojte të Veliajt, për arrestimin e tij ka dalë dhe kryeministri Edi Rama i cili jo rrallë herë ka sulmuar Prokurorinë e Posaçme duke e përshkruar si një organ represioni që intimidon dëshmitarë dhe shkel të drejtat e njeriut.

Rama ka hedhur edhe akuza ndaj gjyqtarit që vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Erion Veliajt duke e quajtur atë një gjyqtar si “kamikaz i Berishës” dhe ka sugjeruar se Veliaj po mbahet në burg “pa gjyq”, duke hedhur dyshime mbi pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Sulmet ndaj prokurorit Dado dhe GJKKO-së janë konsideruar nga ekspertët e komunikimit si një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga akuzat dhe provat e gjetura nga prokuroria për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Sipas tyre, kjo strategji e përdorur nga Rama nëpërmjet daljeve publike dhe Veliaj nga qelia e burgut, është një strategji që synon të krijojë justifikime para mbështetësve socialistë dhe t’i mobilizojë ata në prag të zgjedhjeve e 11 majit 2025./shteg.org

Artikulli paraprakUlja e pagave për një kategori në arsim përfundon në Kushtetuese
Artikulli tjetërMarsit 1991, në tri ditë ikën 25 mijë shqiptarë drejt Italisë me anijet e ankoruara në kalatat e portit! Ramiz Alia dha urdhrin: Të qëllohet me armë!