Opozita e bashkuar, 3 milionë shqiptarë s’do mbeten peng i Ramës

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ka zhvilluar një mbledhje të përbashkët të grupeve parlamentare. Kjo sipas Lulzim Bashës vjen në kuadër të një plani konkret veprimi kundër qeverisë, që ai e denoncon si të zhytur në krim dhe korrupsion. Plani i veprimit të opozitës, tha Basha, parashikon dhe thirrjen ndaj institucioneve të Bashkimit Evropian, për çeljen e negociatave. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, janë të unifikuara në qendrimin e tyre do të lobojnë pro çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian. Në një mbledhje të përbashkët të dy grupeve parlamentare, Basha tha se ky vendim i Bashkimit Evropian do t’i jepte një mundësi qytetarëve shqiptarë, të cilët sipas tij qeveria i ka zhytur në krim dhe korrupsion.

Lulzim BASHA

Më lejoni pikë së pari t’ju kërkoj ndjesë për nisjen e këtij takimi të përbashkët të opozitës parlamentare, për arsyen e thjeshtë që për më shumë se gjysëm ore fonia në sallën e Kuvendit mbeti peng i synimeve të mazhorancës për t’i hequr zërin opozitës.
Natyrisht, këtu s’ka asgjë të re prandaj le të procedojmë me këtë takim, të parin që zhvillojmë në këtë sallë dhe që do të mbahet në mënyrë periodike mes opozitës parlamentare dhe alternativës europiane të Shqipërisë.
Dua në fillim të fjalës t’ia bëj të qartë të gjithë qytetarëve që na ndjekin se, sfondi prapa i takon takimit pasardhës që do të zhvillohet në këtë sallë të Këshillit Kombëtar të Integrimit. Por, fatmirësisht edhe ne sot jemi mbledhur për të njëjtën temë, për çështjen madhore dhe kombëtare, dhe shqetësimin numër një të opozitës dhe shqiptarëve, kërcënimin që po i vjen integrimit europian të vendit, anëtarësimit të Shqipërisë në BE, hapjes së negociatave, mospërmbushjes së kushteve të vendosura nga Komisioni Europian dhe nga vendet anëtare, kushtet, të cilat nuk po përmbushen si rezultat i rekordeve kriminale dhe korruptive të mazhorancës që ishte mbledhur këtu para 2 orësh.
Më lejoni në fillim të fjalës time po kështu të rikonfirmoj në emër të PD, në emër të koalicionit opozitar, në emër të gjithë opozitës së bashkuar, qëndrimin tonë të qartë dhe pa ekuivoke, të cilin ia kemi komunikuar në vazhdimësi institucioneve europiane; për të cilin kemi lobuar e vazhdojmë të lobojmë pranë partive tona simotra në organizatat përkatëse, në rastin e PD pranë Partisë Popullore Europiane.
Ne kërkojmë hapjen e negociatave. Ne kemi kërkuar dhe u kërkojmë të gjithë miqve tanë të ndikojnë në hapjen e negociatave. Ne e bëjmë këtë me bindjen e thellë se, hapja e negociatave është një akt që do t’i ndihmojë shqiptarët të dalin nga udhëkryqi i rrezikshëm ku ndodhen sot, do t’i ndihmojë përmes rritjes së monitorimit dhe mbikëqyrjes së institucioneve europiane, duke treguar dhe shpalosur të vërtetën, Shqipërinë reale, të cilën Edi Rama dhe banda në pushtet mundohen ta mbysin ditë për ditë me tam–tamet e propagandës dhe me raportet falso, të cilat shpërndajnë nga mëngjesi deri në darkë anembanë globit.

Pse Ramës i intereson mos hapja e negociatave
Pesë kushtet themelore të Komisionit Europian dhe kushtet shtesë të vendeve anëtare janë larg përmbushjes. Dhe ne e dimë fare mirë se, nëse ky mbetet një proces i vlerësuar thjesht dhe vetëm në bazë të meritës, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat.Kjo është arsyeja përse kemi shpalosur me forcë qëndrimin tonë, duke argumentuar të qartë para institucioneve europiane dhe para vendeve anëtare.Mos hapja e negociatave do të ndëshkojë shqiptarët e ndershëm.Mos hapja e negociatave do të pengojë arritjen e standardeve dhe plotësimin e 5 kushteve.
Mos hapja e negociatave do të ndihmojë klikën në pushtet të konsolidojë pushtetin e krimit, t’i shpëtojë rekordeve të tmerrshme të korrupsionit, të devijojë Reformën në Drejtësi dhe të kapë organet e drejtësisë, të shkatërrojë plotësisht ekonominë kombëtare duke e kthyer atë në një ekonomi të drogës dhe po kështu të shkatërrojë të gjithë investimin e Bashkimit Europian dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA, të bërë në 27 vite për demokracinë dhe shtetin ligjor.
Sot ka një faktor dhe një njeri që është i interesuar për mos hapjen e negociatave dhe ky është njeriu që kërcënon nga mëngjesi deri në darkë me skenarë rusë, kinezë, turq, por që nuk jep asnjëherë llogari:
Se pse Shqipëria është sot në krye të listës së zezë për krimin e organizuar dhe trafikun e drogës?
Se pse ministri i tij i Brendshëm, shembullori, më i miri, kryetari i PS-së së Tiranës, njeriu i ngarkuar në zgjedhjet e 2017-ës, në zgjedhjet e pjesshme në Dibër në 2016-ën, në zgjedhjet e 2015-ës, sikundër në zgjedhjet e 2013-ës drejtpërdrejtë si ndërlidhësi me grupet e krimit të organizuar për shitblerjen e votës. Njeriu i faktuar përmes partnerëve italianë si i përfshirë në trafikun e marijuanës dhe të armëve përmes bandës “Habilaj”, sot e kësaj dite vazhdon të mos dalë para drejtësisë.
Për arsyen e thjeshtë: Sepse nga kjo sallë e ka mbrojtur me imunitetin parlamentar, duke shndërruar Parlamentin në Gjykatë për të mbrojtur Saimir Tahirin dhe përmes Saimir Tahirit të gjithë qeverinë e tij të zhytur në krim dhe të kapur nga krimi.

Pastrimi i parave, faza më e avancuar e sundimit kriminal
Zbatimi iReformës në Drejtësi është një tjetër kyç i anëtarësimit të vendit në BE. Ne votuam unanimisht paketën kushtetuese që është thelbi iReformës në Drejtësi. Ne duam që Reforma në Drejtësi të zbatohet ashtu siç është votuar. Jemi kundër kapjes të Prokurorisë, emërimit pa vetimg të prokurores së Përgjithshme dhe prokurorëve të tjerë, shantazhimit nga mëngjesi deri në darkë të Prokurorisë, nga Taulant Balla me shokë për të mbyllur dosjet e krimit dhe të korrupsionit me urdhër të Edi Ramës. Ne jemi për zbatimin e plotë dhe pa vonesa të Reformës në Drejtësi ashtu siç e kemi votuar ne konsensusin e 22 korrikut 2016 Kushtetutën e Shqipërisë.
Edi Rama e ka të pamundur të plotësojë kriterin tjetër themelor të luftës kundër korrupsionit. Raportet e fundit e rendisin Shqipërinë mes 20 vendeve më të korruptuara të botës, arsyet shqiptarët i kanë të shkruajtura në lëkurën e tyre, i kanë të shkruajtura në tavolinat e tyre të bukës, i kanë në xhepat e tyre dhe po kaq qartë po ua thonë miqtë dhe partnerët që kanë për detyrë të na ndihmojnë e të monitorojnë luftën kundër korrupsionit. Dëgjuat nga FMN-ja tha fare qartë atë që është shqetësimi im kryesor, nga faza e kultivimit të kanabisit, duke kaluar në fazën e heroinës dhe kokainës dhe tani po kalojmë në fazën e pastrimit të parave të pista, 3 P-ve të famshme, 1 miliard eurove që nuk është gjë tjetër veçse një skemë mashtruese prapa të cilës fshihet projekti kriminal i pastrimit të parave të pista të drogës dhe të krimit. Kjo është faza më e avancuar e sundimit kriminal në vend, sepse ndikon drejtpërdrejt tek ekonimia shqiptare. Sot, Shqipëria nuk prodhon, nuk rinovon, nuk ka teknologji të re, nuk konkurron as brenda vendit asme rajonin dhe jo më tej. Si mund të konkurrohet në një ekonomi, ku me një konteiner bananesh fiton 180 milionë euro.
Cilat kompani, cilët sipërmarrës, cilat biznese mund të konkurojnë në një ambient, ku milionat e eurove të drogës përdoren nga mëngjesi në darkë, për tëblerë dhe zhvendosur biznese të ligjshme, në ndërtim, në turizëm, në trajtimin e mbetjeve dhe në çdo sektor tjetër të ekonomisë.

Kthimi i shpresës dhe besimit te qytetarët
Kapitulli i fundit; të drejtat e njeriut.E drejta themelore e njeriut është, të zgjedhë i lirë.
Kjo është asgjësuar në mënyrë të përsëritur nga Edi Rama, duke kulmuar me zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar, ku vetë BE, përmes studimit të financuar, ka vërtetuar se 20% e shqiptarëve kanë pranuar shitblerjen e votës. Një Parlament ilegjitim, një qeveri ilegjitime dhe ka lidhur fatin e saj me paratë e pista të drogës, është kërcënimi dhe problemi kryesor për Shqipërinë europiane.
Ne si opozitë, kemi denoncuar dhe do të vazhdojmë të denoncojmë me emër dhe mbiemër, me fakte dhe shifra “Corpus-Delict”-in, tërësinë e aferave korruptive dhe kriminale, por ne po kështu jemi të vendosur t’i japim Shqipërisë rrugën e daljes nga kjo krizë e gjithanshme. Ajo fillon me unifikimin e qëndresës sonë për hapjen e negociatave, hapjes së ekonomisë nga kthetrat e klientëve të Edi Ramës që po shkatërrojnë ditë për ditë mijëra vende pune dhe po mbyllin mijëra biznese.
Jo është axhenda jonë politike, por kjo nuk do të ndodhë thjeshtë dhe vetëm në hapësirën institucionale, e cila sabotohet ditë për ditë nga narko-qeveria. Nuk e kam fjalën për mikrofonat e kam fjalën për shkeljen flagrante të ligjit, të Kushtetutës, të Rregullores së Kuvendit, edhe për gjërat më elementare që është detyrimi i qeverisë t’i përgjigjet kërkesave të opozitës, për llogaridhënie në Komisionet parlamentare.
Ndaj, dua të përsëris sot nga kjo mbledhje e përbashkët e opozitës parlamentare, thirrjen dhe ftesën për të gjithë qytetarët shqiptarë, e në veçanti për elitën e vendit, për intelektualët, për akademikët, për artistët, për profesionistët, të bashkohemi në këtë përpjekje të madhe që ka një dhe vetëm një qëllim. 3 milionë shqiptarët dhe fati ynë europian, të mos mbetet në dorë të një bande prej 10 politikanësh të korruptuar, të inkriminuar, kriminelësh dhe oligarkësh.
Jam besimplotë se ajo që së bashku nisëm, në aksionin popullor të 27 janarit, e kombinuar me një zhdërvjellësim dhe intensifikim të opozitës parlamentare, në Tiranë dhe kudo në Shqipëri, do të bëjë të mundur, së bashku me partnerët tanë europianë, të mbyllim një orë e më parë këtë kapitull të errët, këtë ëndërr dhe ankth të keq, të sundimit kleptokratik dhe kriminal të Edi Ramës, dhe t’u kthejmë shqiptarëve autoritetin mbi fatin e tyre dhe të fëmijëve të tyre, që shqiptarët të kenë në dorë në vendin e tyre, fatin e tyre, zgjedhjet, institucionet, vendimet kryesore.
Natyrisht ne kemi alternativën tonë për luftën kundër krimit, për ekonominë, për shëndetësinë dhe arsimin.Nuk do të ngurojmë ta shpallim këtë publikisht, jo vetëm para mediave, por kudo me qytetarët shqiptarë. Sot, prioriteti numër një është t’u kthejmë njerëzve shpresën dhe besimin se kjo betejë nuk është as për ardhjen në pushtet të opozitës, as për ardhjen në pushtet të një partie, apo një partie tjetër. Kjo është një betejë ekzistenciale për të shpëtuar Shqipërinë.
Ndaj ftojmë të gjithë shqiptarët e ndershëm, u bëjmë thirrje të bëhen pjesë e kësaj beteje!

Exit mobile version