30.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

AI ECËN DREJT FUNDIT, DUKE LËNË PAS KAOS/ DIMRI I VETMISË SË MADHE TË SALI BERISHËS

Kur vendimi i Sekretarit Blinken për ta shpallur “Non Grata” u bë publik, Sali Berisha mund të ishte tërhequr, mund t’i kishte mbledhur deputetët e PD-së, Lulzim Bashën, kryesinë dhe strukturat e tjera drejtuese dhe mund t’u kishte thënë që unë po iki në shtëpi, ndihma e vetme që dua nga ju është të punoni fort për të ardhur në pushtet dhe pastaj të shohim së bashku se ç’mund të bëjmë për ta zgjidhur këtë “hallin” tim.

Në vend që të tregohej i arsyeshëm, Berisha u shfaq më shumë se sa emocional, duke u mbytur në frikën nga përballja me drejtësinë dhe në egon e tejskajshme brenda vetes.

Pavarësisht se përgjatë dy viteve bëri gjithçka për t’i shpëtuar drejtësisë, nuk ia arriti dot.

Ndaj tij ka sot një masë arresti “detyrim paraqitje”, që shumë shpejt do të kthehet në “arrest me burg”, ndaj dhëndrit të tij ka një hetim dhe një masë “arrest me burg”, djali i tij është duke u hetuar dhe shumë shpejt mund të përfundojë në bankën e të akuzuarve, vajza është e shpallur “non grata”, ndërsa njerëz të afërt të klanit të tij janë duke u hetuar për çështje të ndryshme penale.

Sali Berisha u premtoi demokratëve se do ta bënte partinë më të hapur, ata do t’i bashkonte dhe do t’i sillte shumë shpejt në pushtet, mirëpo partinë e hermetizoi, demokratët i futi në luftë vëllavrasëse me njëri-tjetrin dhe grupimi i tij politik është më larg se kurrë nga pushteti, duke humbur çdo përballje me të.

Madje, edhe shfaqjes së përjavshme në Parlament i erdhi fundi.

Tanimë, cirku i deputetëve të “Rithemelimit” nuk i hyn më në punë as qeverisë.

Mbyllja e derës së Parlamentit është akti përfundimtar i “revolucionit”.

“Jeni të përjashtuar, shkoni dhe gjejeni të drejtën ku të doni!”

Imagjino një “revolucion” që do të ndryshojë fatin e vendit, nuk arrin dot të hyjë në ambientet e Kuvendit.

Teksa një pjesë e vogël e deputetëve të tij përplaseshin sot me punonjësit e gardës, Berisha u shfaq më i vetmuar se kurrë.

Ai është duke kaluar “dimrin e vetmisë së madhe”, pushtetit nuk i duhet më, sepse dëmi që i shkaktoi opozitës është i parikuperueshëm për një kohë të gjatë, demokratët e kanë braktisur, sepse i tradhëtoi shpresat dhe besimin e tyre, shqiptarët janë të pandjeshëm ndaj tij, sepse ata e njohin shumë mirë për shkak të kohës së gjatë në politikë.

Foto e vetmisë së Sali Berishës e përmbledh më së miri gjendjen e tij: AI ECËN DREJT FUNDIT, DUKE LËNË PAS KAOS.

10 librat më të mirë të vitit 2023, Wall Street Journal rendit Kadarenë me librin “Kur sunduesit grinden…”

Përzgjedhja e gazetës prestigjioze Wall Street Journal për librat më të mirë të vitit 2023 ka listuar dhe librin e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare “Kur sunduesit grinden”, i cili në anglisht vjen me titullin e përshtatur “A Dictator Calls”.

Siç vetë shkrimtari Kadare shkruan; në këtë libër, ai zbulon një nga misteret më të bujshme socioletrare të shekullit të kaluar që ka ndodhur në Rusinë Sovjetike të Stalinit. Është një bisedë telefonike që për dekada ka qenë e mbuluar me mister, mes diktatorit më gjakatar komunist Stalinit dhe poetit e shkrimtarit më të famshëm rus, Boris Pastërnak, autor i romanit “Doktor Zhivago” me të cilin fitoi dhe çmimin Nobel në letërsi në vitin 1958.

Biseda telefonike mes Stalinit dhe Pastërnakut ka ndodhur më 23 qershor të vitit 1934 dhe ky është një fakt histori. Biseda e zhvilluar mes tyre nuk është zbuluar kurrë por dihet që temë bisede ka qenë poeti Osip Mandelstam, mik i Pastërnakut, i cili ishte arrestuar dhe dërguar në burgun e Lubyanka-s pas rrjedhës së fjalës për një poezi fyese për Stalinin, të cilin ai ia kishte recituar një rrethi miqsh.

Tani Stalini donte të dinte se çfarë mendonte Pasternaku për arrestimin. I tronditur, Pasternak belbëzoi se ai mezi e njihte Mandelstamin dhe nuk mund të komentonte për fatkeqësinë e tij. “Ndërsa mund të them se je një shok shumë i varfër, shoku Pasternak,” u përgjigj Stalini me shaka, përpara se të mbyllte telefonin.

Të paktën kështu shkoi biseda sipas arkivave të KGB-së, por siç ilustron Ismail Kadare në “Kur sunduesit grinden”, romani i tij i shkëlqyer hetues rreth lojës së pushtetit midis artit dhe politikës, në fakt ka pasur 13 rrëfime të ndryshme të telefonatës së shkurtër. Kadare i cek të 13-ta, duke zgjeruar nuancat e secilit për të eksploruar çështjet e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë, duke krijuar një tablo misterioze, prizmatike të përballjes mes tiranit dhe poetit.

Se çfarë ka thënë saktësisht diktatori dhe çfarë ka thënë Pastërnak në atë bisedë 3 minutëshe telefoni është ende e mbuluar nga mister ama dhjetëra libra janë shkruar duke hamendësuar mbi atë telefonatë. Fati i Mandelstamit dihet ai u arrestua dy here dhe vdiq në burg.

Fundi i botës paralele dhe mashtruese që krijoi Sali Berisha!

Nuk e di kush e ka shkrepur këtë fotografinë e mëposhtme, por ajo mund të hyjë fare mirë në historinë e Shqipërisë si, “Silueta e tranzicionit 32 vjeçarë”.

Nga 250 deputetët e parlamentit të parë pluralist të vitit 1991, Sali Berisha, bashkë me Tritan Shehun sot në vitin 2023, janë “dinosaurët” e fundit të mbijetuarë në atë sallë.

Berisha këtë të enjte nga oborri i Kuvendit përsëri fjalët “Fitore, aksioni do vazhdojë”, pastaj iku i vetmuar me kurriz të lëshuar nga pesha të rënda 32 vjeçare, duke lënë pas kërrusjes epike, kaos dhe flakadanë 10 minutësh. Aq sa mundi për herë të fundit, me aq fuqi dhe mercenarë që i kanë mbetur!

Fundi i botës paralele dhe mashtruese që krijoi Sali Berisha!
Nga e hëna e javës tjetër, (18 dhjetor 2023), lexhenda, historiku, ka punë vetëm me avokatë, prokurorë dhe gjyqtarë. Vetmia që përjetoj në oborrin e Kuvendit, shpina e kërrusur më keq se ajo e Sizifit që mban shkëmbin e mëkateve, pushteteve dhe pasurive të mëdha të grabitura, tani është një realitet.

Edi Rama nuk e ndihmon dot më. Edhe vetë po kërkon alibi tjetër për të mbijetuar, pasi sosi kjo me Berishën. Ai vetëm burgjet ka në dorë. Dhe aty brenda kushtet, si për ish-ministrat, deputetët, kryebashkiakët dhe zyrtarët e tij, edhe për Dhëndrin sa ndejti, e të tjerë nga opozita “e egër” që janë në rradhë, Rama ua ka ka siguruar më të mira se për çdo qytetarë tjetër shqiptarë, që gjendet në qelitë e “regjimit”.

Të gjithë ata që për dy vite që nga nisja e Foltores dhe shkatërimi i opozitës janë lutur, “O Zot bëje ëndërr”, mund të qetësohen dhe të bëjnë paqe me veten.

E di që disa do vajtojnë, të tjerë do ndihen të keqpërdorur dhe budallenj, por siç thonë edhe psikologët, kur trauma e vërtetë del në shesh, nis edhe shërimi.

Kthehuni në shtëpinë tuaj, se nuk ka pasur kurrë PD të Rithemelimit dhe as revolucion!

Edhe gazbardhistët që mendonin se karrierat, (deputetllëkun), mund ti vazhdonin mbi kurrizin e rrënuar të Berishës, duhet të qetësohen e të shkojnë që të votojnë kërkesën e SPAK, për arrestimin e tij ditën e hënë. Mos e bëni si struci që duke fshehur kokën në rërë, kujton se nuk i duket edhe prapanica nën diell. Nuk e ka kërkuar Rama lejen e arrestimit të Berishës.

Po të jetë për atë, Sali Berisha, vdes deputet dhe “Lider i opozitës”. E ka kërkuar SPAK që ju ka përkrahur publikisht për “kauzën e komisioneve”, ndaj nxirreni kokën nga rëra se loja mbaroj. Dhe kujdes: Histerizmi edhe kur është i shtirur- thonë psikologët- mund të bëhet kronik dhe nuk shtyhet jeta, “tel i egër”, gjithë kohës!

Edhe këta bëjnë mirë të kthehen në shtëpi. Nuk ka pasur kurrë betejë për komisione dhe kushtetshmëri, por vetëm përpëlitje për të devijuar apo shtyrë në kohë, rrugëtimin e vetmuar dhe të kërrusur të Berishës drejt drejtësisë.

Pra rithemelimsa dhe gazbardhistë shpërndahuni dhe mos i trajtoni më si budallenjë ata demokratë dhe shqiptarë, që ende i kanë sytë nga ju. Sali Berisha iku i vetmuar dhe i kërrusur që të konsultoj me Genc Gjokutajn, strategjinë proceduriale për të kapur të paktën “arrest në shtëpi”.

Ka edhe halle të tjera me djalin që nuk gjendet në adresën që i ka dhënë Gjykatës së Posaçme. Ai kushedi ku po çlodh kockat e dërmuara nga 32 vite “demokraci”, duke qarë hallin me ndonjë ngushëllues të Edi Ramës dhe Ilir Metën.

Foltorja, Rithemelimi, Revolucioni, PD-ja, opozita, bota paralele që ju ka bërë të besoni, nuk ka ekzistuar kurrë. Ka qenë vetëm lufta për ta bërë ëndërr, këtë realitet që po ndodh sot: I vetëm dhe i kërrusur drejt verdiktit të Drejtësisë!

Po shkoj puna deri te burgu, askush të mos ketë merak. Aty kanë Edi Ramën që krijon kushtet më të mira. Njësoj si për të vetët, edhe për opozitarët e egër kundër regjimit të tij!/Alfapress.al

Veliaj flet njësoj si Rama: Kush ka gabuar me inceneratorët të mbajë përgjegjësi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i ka qëndruar besnik linjës që ndjek shefi i tij sa herë që përmenden inceneratorët. Njësoj si Rama që hoqi çdo përgjegjësi nga vetja duke e kaluar ate tek vartësit, edhe Veliaj bëri të njëjtën gjë.

“Nëse në këtë landfill dikush ka bërë gabim duhet të mbajë përgjegjësi patjetër dhe kryeministri ka qene i qartë, PS ka qene i qartë, kryesia ka qene e qartë. Por të thuash që tani nuk do të kemi më landfille dhe inceneratorë sepse dikush ka bërë gabim është si të thuash që nuk do bëjmë autostrada dhe spitale.

Në këtë sens ne do të vazhdojmë punën për këtë landfill, por di të them këtë se dikush po kërcen nga belaja për të përfshirë njerëz që janë absolutisht transparent dhe kanë bërë detyrën e tyre për të pastruar qytetin” – tha Veliaj.

Firmën e tij për inceneratorin pa marrë votën e këshillit bashkiak ai e shmangu sërish.

“Gënjeshtra konkrete është që kanë firmosur në emër të qarkut. Kjo është logoja e Bashkisë së Tiranës, është firmosur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, jemi parimisht dakord për sa i përket rolit të bashkisë.

Sa mbetje prodhon Tirana, kur është sezoni i këtyre mbetjeve, në verë ka më pak mbetje se një pjesë e madhe janë pushim. Kështu që kontributi ynë në këtë proces ka qene për të dhënë të gjithë informacionin se sa përballohet në bashkinë e Tiranës.

Kështu që e gjithë legjenda urbane se sa janë ndërtuar në emër të të gjithë qarkut të Tiranës bie poshtë, është përgjigjur më vete kryetari i bashkisë së Vorës, më vete kryetari i bashkisë së Kavajës. Në ato vite kanë qene të forcës politike që i ngre këto akuza” – tha Veliaj.

Nga prodhues në konsumatorë! Ekspertët: Si po cënon dyndja drejt Tiranës në garantimin e furnizimit me ushqime

Nga prodhues në konsumatorë… Migrimi nga rrethet drejt Tiranës po cenon garantimin e furnizimit me produkte ushqimore të shqiptarëve. Çrregullimet demografike të cilat po rrisin varësinë nga importi vlerësohen si një nga kërcënimet më të mëdha për Shqipërinë në pesë vitet e ardhshme.

Imigrimi i brendshëm, veç krizës demografike po prodhon më pak fermerë e më shumë qytetarë duke realizuar kështu për fatin e keq ciklin “nga prodhues në konsumatorë”. Kjo situatë ka ardhur sa nga politikat neglizhente të qeverisë, aq edhe nga korrupsioni endemik që ka përfshirë vendin“, thotë Edison Zaçaj, pedagog në fushën e financë-kontabilitetit.

Vetë qeveria pranon në strategjinë e re të sigurisë se emigracioni, veçanërisht te të rinjtë nuk po ka të ndalur. Sipas institucioneve që kanë hartuar dokumentin kjo situatë ka prodhuar “krizë për punonjës” dhe ngadalësim të rritjes ekonomike.

Largimi i të rinjve nga njëra anë ul konsumin e nga tjetra zhyt në krizë prodhimin. “Brain drain” është një fenomen që na ka përfshirë prej vitesh. Tani është koha të ndërtojmë politika”, shprehet ai.

Qeveria ka identifikuar të paktën  shtatë “pika të dobëta”, përfshirë atë nga vendet jo-miqësore që mund ta përdorin ekonominë për presion politik.

Të dish nga se vuan, ky është një hap më pranë shërimit. Po sa vlen kjo shprehje e zakonshme për fushën  e mjekësinë edhe për ekonominë shqiptare?

Fazën e parandalimit e kemi kaluar. Tani jemi te ndalimi. Disa prej tyre si emigracioni mund të frenohen. Korrupsioni duket gati si sëmundje e pashërueshme”, thotë Zaçaj.

Për të parandaluar emigracionin, krizën demografike korrupsionin, ministria e Financave dhe Ekonomisë,  ajo e Shëndetësisë dhe Mbrojtje Sociale, bashkë me institucionet e tjera të linjës do të duhet që brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm të hartojnë panë për adresimin e këtyre sfidave. (Marjo Brakaj)

‘Wall Street Journal’: Edi Rama ishte kontakt me vlerë për bizneset e Charles McGonigal

Gazeta më e madhe amerikane, ‘Wall Street Journal’, publikoi një profil për ish-agjentin e lartë të FBI.

Në profilin e gazetës thuhet se ky dënim shënon ‘rënien e ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së’.

Prokuroria ka kërkuar 5 vite burg për dosjen ruse të McGonigal, ndërkohë që vendimi për dosjen shqiptare të McGonigal do jepet në fillim të vitit tjetër.

Në shkrimin e ‘Wall Street Journal’ përmendet edhe lidhja e ngushtë e McGonigal me Edi Ramën.

“Prokurorët thonë se rënia nga agjent kryesor në një të dënuar federal nisi në vjeshtën e vitit 2017, ndërsa McGonigal po priste të tërhiqej nga posti i tij i fundit si shef i kundërzbulimit të zyrës së Nju Jorkut.

Ai udhëtoi në Shqipëri atë shtator dhe u takua me kryeministrin e vendit, një kontakt potencialisht i vlefshëm për biznesin e konsulencës për sigurinë që ai planifikonte të hapte. Si shenjë e vlerësimit të tij, McGonigal i la kryeministrit shqiptar një plaçkë: një kapele të FBI-së.

Ditë më vonë, ai udhëtoi me makinë në Kosovë dhe përsëri i dhuroi një kapele të FBI-së një politikani, thanë prokurorët. Ai udhëtim kishte për qëllim mbledhjen e informacionit jo vetëm për FBI-në, por edhe për ‘planin e zhvillimit të biznesit personal të pazbuluar’ të McGonigal, thanë prokurorët.

Brenda disa javës, në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në Nju Jork, McGonigal mori rreth 80 mijë dollarë në para të thata nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare, si pjesë e një borxhi që ai kishte kërkuar.

Ai më vonë bëri një deklarim në FBI për udhëtimin e tij në shtator të vitit 2017, por nuk përmendi se ishte takuar me kryeministrin shqiptar dhe politikanin kosovar.

McGonigal pranoi se fshehu marrjen e parave dhe nuk i zbuloi takimet me zyrtarët e huaj, në një deklaratë të pranimit të fajit që dokumentonte se si ai kishte ndërthurur detyrën e tij në FBI me interesat personale të biznesit,” shkruan gazeta amerikane.

Personat me aftësi të kufizuara të diskriminuar, aksesueshmëria, një problematikë e madhe

Personat me aftësi të kufizuar përballen shpesh në përditshmërinë e tyre me vështirësi në marrjen e shërbimeve në disa institucione, për shkak të infrastrukturës, siç janë rampat.

Fiks Fare trajtoi historinë e një invalideje, e cila nuk mund të marrë shërbimet jetësore në institucione publike dhe private për shkak të mungesës së infrastrukturës – ambiente të cilat duhet të ishin të pajisura me një rampë, që të thjeshtësojnë kalimin e personave me aftësi të kufizuara.

Shpresa Spahiu, prej 30 vitesh është në karrike me rrota si pasojë e ndërhyrjeve që ka bërë në moshën 16 vjeçare për tumorin në shtyllën kurrizore. Në intervistë për Fiks Fare, ajo tregon se si ka qenë jetesa e saj dhe çfarë vështirësish has ajo në përditshmëri.

Spahiu pohon se pengesat që ajo ka hasur janë të shumta, duke filluar nga trotuaret dhe institucionet publike dhe ato private. Për një jetesë sa më të pavarur ajo ka zgjedhur që të jetojnë në bodrum, në një garazhd makinash, pasi ajo e ka të pamundur që të jetojë në pallat për shkak të infrastrukturave të tyre.

Dhe pse kjo jetesë që ajo ka zgjedhur është e përshtatshme për të nga ana e infrastrukturës, ajo përsëri has probleme të tjera. Spahiu tha se gjatë reshjeve të shiut, shtëpia e saj përmbytet dhe se për këtë vit është përmbytur katër herë, dy herë në muajin maj, qershor dhe dy herë në stuhinë që u bë në tetor.

Gazetarët e Fiksit kaluan një ditë me zonjën Shpresa, ku pasqyruan me zë dhe figurë vështirësitë që ajo has në përditshmëri.

Duke qenë se ajo ka zgjedhur një jetesë të pavarur, ilaçet dhe ushqimet i blenë vetë. Por përsëri infrastruktura e papërshtatshme, bënë që ajo të mos ketë më një jetesë të pavarur, por të kërkojë ndihmë nga njerëzit rreth e rrotull.

Një ankesë tjetër ka qenë nga i afërmi i një personi me aftësi të kufizuara ku shpreh se gjithmonë hasin probleme në transport dhe thekson mospërshtatshmërinë e taksive për këta persona. Ai tha për Fiksin se në momentin që ai kërkon një taksi për invalidët ata i thonë se kompania nuk i lejon që të marin PAK.

Pas intervistës gazetarët e Fiksit telefonuan disa kompani taksish, ku faktuan se këto kompani nuk e ofrojnë shërbimin e transportit për invalidët. Në taksitë e telefonuara kishte dhe nga ata që pohonin se menaxheri nuk i lejon që të marrin PAK.

Gazetarët e Fiks Fare duke u bazuar në VKM nr. 1074, datë 23.12.2015, që përcakton masat për zbatimin e rregullave për të mënjanuar pengesat mjedisore dhe infrastrukturore për personat me aftësi të kufizuara, kanë bërë një vëzhgim të gjendjes aktuale në disa qytete të Shqipërisë.

Nga ky vëzhgim rezulton se personat me aftësi të kufizuar kanë shumë pak ose aspak akses në shërbimet publike dhe private, ndonëse sipas VKM-së, bashkitë dhe strukturat e tyre të kontrollit, kanë detyrim për garantimin e një mjedis pa pengesa për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara.

Lojtari më i mirë vitit, FIFA publikon tre finalistët

FIFA si çdo vit po bëhet gati për eventin gala, ku do të japë çmimet për kategori të ndryshme.

Së fundmi federata ka nxjerrë emrat e finalistëve për çmimin “Lojtari i Vitit”.
Mbape arriti që të shpallet kampion në Francë me PSG-në dhe në finalen e Botërorit arriti të shënojë 4 gola.

Ndërsa argjentinasoi fitoi Botërorin e tij të parë dhe kampion me PSG-në në Francë.

Norvegjezi Haaland është fitues i tripletës me Manchester Cityn, si dhe golashënuesi më i mirë në Premier League.

Studimi: Njerëzit që jetojnë dhe qëndrojnë në më shumë gjelbërim plaken më ngadalë

Të qenit në natyrë bën mrekulli për trupin tonë, nga shëndeti më i mirë mendor në një zemër më të shëndetshme dhe imunitet më të fortë. Prandaj, disa mjekë përshkruajnë fjalë për fjalë qëndrimin në natyrë si një formë trajtimi.

Hulumtimet e reja mund të kenë gjetur një shpjegim të mundshëm për disa nga këto përfitime. Praktisht, duket se njerëzit që jetojnë në zona me shumë gjelbërim zakonisht kanë një moshë biologjike më të re.

“Ky studim ishte një përpjekje për të përcaktuar sasinë e efekteve të dobishme të hapësirave të gjelbra në nivel qelizor“, tha ekologu social Aaron Heap i Universitetit të Karolinës së Veriut.

Shkencëtarët analizuan 7,827 subjekte dhe mjediset në të cilat ata jetojnë dhe zbuluan se ata që jetojnë në vende me shumë parqe, kopshte, pemë dhe bimësi të tjera kanë telomerë më të gjatë. Telomeret janë skajet e kromozomeve dhe lidhen me jetëgjatësinë.

“Kjo ishte e vërtetë pavarësisht nga raca, statusi ekonomik ose nëse subjektet pinin duhan ose pinin alkool“, shpjegoi Hipp.

Dihet tashmë që hapësirat e gjelbra lehtësojnë nivelet e stresit. Bimët mbrojnë nga temperaturat e larta, reduktojnë ndotjen e ajrit dhe zhurmat. Hapësirat e gjelbra inkurajojnë aktivitetin fizik dhe ndërveprimet sociale dhe shoqërohen me një rrezik më të ulët të krimit.

“Qëndrimi në gjelbërim mund të zvogëlojë moshën biologjike të një personi me 2.2 deri në 2.6 vjet“, llogaritën studiuesit.

Megjithatë, fuqia e natyrës ka kufijtë e saj. Kur shkencëtarët morën parasysh faktorët e rrezikut si ndotja e ajrit, efektet pozitive të hapësirave të gjelbra u zhdukën.

Një studim i ri sjell prova bindëse se aktiviteti fizik vepron si një antidepresant natyral

Një studim i fundit zbulon lidhjen e fortë midis krijimit të një rutine me ushtrime fizike dhe shëndetit të përgjithshëm mendor.

Studimi, i cili u thellua në lidhjen e gjatë midis stërvitjes dhe shëndetit mendor, ofron prova bindëse se aktiviteti fizik mund të përmirësojë mirëqenien mendore dhe të zvogëlojë rrezikun e çrregullimeve të shëndetit mendor.

Nëpërmjet një analize gjithëpërfshirëse të studimeve të ndryshme, studiuesit zbuluan një lidhje të fortë midis stërvitjes dhe një rreziku të reduktuar të depresionit, ankthit dhe çështjeve të tjera të shëndetit mendor.

Studimi sugjeron që stërvitja vepron si një antidepresant natyral duke rritur prodhimin e endorfinës, zakonisht të referuara si hormonet e “të të ndjerit mirë”, të cilat në fund të fundit kontribuojnë në përmirësimin e humorit dhe mirëqenies emocionale.

Për më tepër, hulumtimi tregon se aktiviteti fizik mund të lehtësojë stresin dhe të zvogëlojë simptomat e ankthit.

Ushtrimi i rregullt promovon cilësi më të mirë të gjumit, duke çuar në përmirësimin e funksionit njohës dhe rritjen e niveleve të përqendrimit.

Për më tepër, përfshirja në aktivitet fizik u siguron individëve një ndjenjë të arritjes dhe rrit vetëvlerësimin, duke ndihmuar kështu në luftimin e mendimeve negative dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së përgjithshme mendore.

Studimi thekson se përfitimet e ushtrimeve në shëndetin mendor tejkalojnë moshën dhe nivelet e fitnesit.

Edhe aktiviteti fizik minimal, si shëtitjet e rregullta ose angazhimi në punët e shtëpisë, mund të ketë një ndikim pozitiv në mirëqenien mendore.

Prandaj, përfshirja e ushtrimeve në rutinën e përditshme është jetike për të mbajtur një mendje të shëndetshme.

Në përfundim, hulumtimi nxjerr në pah rolin e rëndësishëm që luan ushtrimi në ruajtjen e shëndetit mendor. Duke promovuar lirimin e endorfinës, duke reduktuar stresin dhe duke përmirësuar cilësinë e gjumit, aktiviteti i rregullt fizik ofron një strategji të arritshme dhe efektive për të përmirësuar mirëqenien e përgjithshme mendore.
Pra, lidhni atletet tuaja dhe nisni një udhëtim drejt një mendjeje dhe trupi më të shëndetshëm.