26.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Estradë në derën e Kuvendit! Noka harron: S’jam përjashtuar! Deputeti i Lushnjes: Moj shoqja Lindita…

Deputetët e Sali Berishës janë përplasur me punonjësit e Gardës, ndërsa kjo e fundit nuk i ka lejuar ata që të futen në sallën e seancave plenare.

Në pamje dëgjohet deputeti Dashnor Sula teksa i thotë Gardës që të futen në sallë ligjvënësit që nuk janë të përjashtuar.

Ndërkohë, Saimir Koreshi kërkon që një urdhër, ndërsa mes ironisë thërret kryeparlamentaren Nikolla; shoqja Lindita.

I pyetur se ç’do në Kuvend teksa figuron i përjashtuar prej 10 ditësh, Flamur Noka u shpreh: Jo jo s’jam përjashtuar unë. S’më përjashton dot Lindita Nikolla.

Kaosi i sotëm në dyert e Kuvendit është dirigjuar nga Sali Berisha i cili ka shijuar pamjen disa metra larg, ndërsa i biri pritet të dëshmojë sot në gjykatë për Gërdecin.

VIDEO/ Flamur Noka dhe deputetët e rithemelimit dhunojnë punonjësin e Gardës

Flamur Noka ka dhunuar një prej punonjësve të Gardës. Teksa bashkë me deputetët e tjerë të përjashtuar tentojnë të futen në sallë, janë përplasur dhunshëm me punonjësit e Gardës.

Në një moment, Noka tërheq me forcë një prej punonjësve. Në këtë video shihet se si e tërheq për qafe dhe xhakete me qëllim që të hapë kordonin e krijuar nga Garda që i pengon të futen brenda.

Në ndihmë i ka shkuar edhe deputeti Lefter Gështenja, Xhelal Mziu dhe Edi Paloka.

Rithemelimi sërish kaos! 13 deputetët e përjashtuar tentojnë të futen me forcë në sallë, përplasen me Gardën

Rithemelimi ka paralajmëruar sërish kaos në seancën e sotme parlamentare. 13 deputetët e përjashtuar të grupit Berisha-Bardhi po tentojnë të futen në sallë. Garda nuk i lejon.

Ditën e sotme ishte parashikuar miratimi i marrëveshjes për emigrantët me Italinë, por Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim padinë e deputetëve Berisha-Bardhi duke pezulluar kështu ratifikimin në Kuvend deri me daljen e një vendimi.

Në mbledhjen e grupit, besniku Flamur Noka nuk e mbështeti Berishën për të zhvilluar protesta jashtë Kuvendit. Po ashtu këtij propozimi nuk ju bashkua as Gazment Bardhi.

Deputetët e përjashtuar

Gazment Bardhi
Sali Berisha
Flamur Noka
Edi Paloka
Albana Vokshi
Elda Hoti
Ervin Salianji
Bledion Nallbati
Asllan Dogjani
Lefter Gështenja
Isuf Çelaj
Luan Baçi
Xhelal Mziu

Djali i Berishës dëshmon për herë të parë në GJKKO! ‘Faksi për Shkëlzenin’, merret sot në pyetje edhe Aldo Bumçi

Për herë të parë, Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha do të dëshmojë në GJKKO për procesin e masakrës së Gërdecit. Seanca do të fillojë në orën 09.00 dhe bashkë me Shkëlzen Berishën do të merret në pyetje edhe ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi.

Thirrja e Shkëlzen Berishës në të njëjtën seancë me Aldo Bumçin, lidhet me faksin që ky i fundit i ka dërguar Ministrit të Mbrojtjes së kohës Fatmir Mediu me shënimin “për Shkëlzen Berishën”, në pjesën e sipërme të dokumentit në krahun e majtë. Përveç këtij dokumenti, djali i ish-kryeministrit pritet të pyetet edhe për takime me ministrat e kohës në qeverinë Berisha dhe një telefonatë me Fatmir Mediun menjëherë pas shpërthimit në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona e mbi 300 mbetën të plagosur.

Faksi i vitit 2007 ku është shënuar emri i Shkëlzen Berishës, ishte dhënie mendimi aprovues nga Ministria e Drejtësisë, për projekt-vendimin e qeverisë të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, për demontimin e municioneve në Gërdec. Më 26 janar 2023, Shkëlzen Berisha dhe Aldo Bumçi, janë pyetur edhe gjatë hetimeve paraprake nga prokuroria, ndërsa në gjykatë ata mbyllin listën e parë prej 52 dëshmitarësh.

Përveç Shkëlzen Berishës dhe ish-ministrit të drejtësisë Aldo Bumçi, para gjykatës do të dalin edhe 5 dëshmitarë të tjerë që ishin planifikuar për seancën e 7 dhjetorit. Plarent Ruka, Sokrat Papadhima, Liza Maksuti, Alma Zili e Anjola Agolli, pritet të japin shpjegime para gjykatës. Anjola Agolli është ish-sekretarja e ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, e cila para prokurorëve ka pranuar se për çështjen Gërdeci janë nisur fakse nga Ministria e Drejtësisë për Ministrinë e Mbrojtjes nga zyra e Drejtorisë së Kodifikimit.

Në procesin për Gërdecin, pritet të pyeten më pas pjesa e dytë e listës, ku përfshihen ish-zyrtarë dhe ushtarakë të pandehur më parë për çështjen, përfshirë edhe ish-shefin e Shtabit Luan Hoxha, i cili ndodhet jashtë Shqipërisë që prej vitit 2012.

Sot mblidhet Kuvendi, cilat janë çështjet e rendit të ditës që do të diskutohen

Parlamenti do të mblidhet këtë të enjte për të miratuar disa pika të rendit të ditës.

Seanca do të mblidhet në orën 10:00 dhe ka të parashikuara 6 projektligje për të kaluar për votim.

Ndër to është edhe marrëveshja e Shqipërisë me Italinë për emigrantët, por që nuk do të duhet të kalojë sot në Parlament.

Një ditë më parë, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese tha se ratifikimi në Parlament i marrëveshjes me Italinë për emigrantët do të duhet të shtyhet pasi kjo çështje do të shqyrtohet nga Kushtetuesja, pas padisë që i bëri opozita.

Ndërkohë, seanca parlamentare pritet të zhvillohet sërish në kushte të pazakonta për shkak të mosbindjes civile të opozitës që proteston brenda Parlamentit.

Partia Demokratike ka paralajmëruar se do ta mbajë këtë qëndrim për sa kohë mazhoranca nuk respekton të drejtat e opozitës.

Rezultatet PISA 2022, ish-ministrja e Arsimit: Programet e mësuesisë janë lënë pas dore, mungojnë trajnimet

Ish-ministrja e Arsimit, Mirela Karabina e ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka komentuar rezultatet e PISA 2022, sipas të cilave Shqipëria u rendit mjaft ulët sa i përket nivelit të nxënësve dhe cilësisë së arsimit.

Karabina u shpreh se këto rezultate janë të pritshme pasi sipas saj pasqyrojnë gjendjen në të cilën “është katandisur arsimi në Shqipëri”.

Sipas saj shumë programe të mësuesisë janë lënë pas dore dhe aty shkojnë studentë që thjesht duan një diplomë, ndërsa mësuesit nuk trajnohen dhe nuk mbështeten për ndryshimet që ndodhin.

“Rezultatet janë të pritshme pasi janë rezultat i gjendjes në të cilën është katandisur arsimi. Ka një shpërfillje të përgatitjes së mësuesve. Shumë programe të mësuesisë janë lënë pas dore dhe aty shkojnë studentë që thjesht duan një diplomë. Mësuesit nuk trajnohen dhe nuk mbështeten për ndryshimet që ndodhin.

 

 

Arsimi kërkon të mendohesh mirë kur futesh dhe atë që do aplikosh duhet ta dish ku fillon dhe mbaron. Vazhdojmë po ashtu të kemi një të nxënë riprodhuese dhe mekanike, nuk e çojmë nxënësin në nivelin e lartë të të menduarit.

Mungon po ashtu infrastruktura digjitale. Nuk është në praktikën e nxënësve kjo gjë. Ne kemi kaluar në disa teste Pisa dhe kemi bërë në vitin 2001 testin e parë. Asnjëherë nuk jemi ndalur dhe nuk kemi ndërtuar një strategji për përmirësimin e këtij aspekti”, u shpreh ajo.

Një dekadë e humbur për integrimin e Shqipërisë në BE

Ervis Iljazaj

Nëse ka një dështim të madh të kësaj qeverie, nën drejtimin e Edi Ramës, që nga koha që kur ka ardhur në  pushtet, është padyshim procesi i integrimit të Shqipërisë në BE. Hapat e bëra që nga 2013 e deri më sot, në këtë drejtim, janë hapa të ngadalta, pothuajse të papërfillshme. Në këtë kuptim, Shqipëria ka humbur një dekadë për të realizuar aspiratën më të madhe të shqiptarëve që nga koha e përmbysjes së regjimit komunist dhe instalimit të pluralizmit.

Edhe lajmet që vijnë sot nga mbledhja e Këshillit Europian nuk janë aspak të mira. Me të gjitha gjasat nuk ka një datë të saktë se kur do të fillojë hapja e kapitujve të parë të procesit të integrimit të Shqipërisë. Në raportin e publikuar nga mediat, Këshilli Europian thekson se Shqipëria vazhdon të ketë ende probleme me dialogun politik, me respektimin e lirive të fjalës së lirë, apo respektimin e pakicave.

Nuk është e sigurt nëse ky stopim vjen për shkak të vetos dhe ndikimit grek apo jo. Por po të shikosh kritikat që merr Shqipëria për respektimin e pakicave apo te drejtave të pronës, duket qartë se dora greke në këtë raport ka bërë punën e saj. E vërteta është se Shqipëria nuk është se ka ndonjë problem me respektimin e të drejtave të minoriteteve, aq më pak të asaj greke. Përkundrazi, ndoshta është shteti që i respekton më shumë nga të gjithë në rajon. Jo për faktin se është një shtet demokratik, por për faktin se në këto 30 vite ka qenë një shtet servil ndaj fqinjëve dhe kryesisht Greqisë.

Megjithatë, përtej faktin nëse Greqia ka ndikim apa jo në raportin e Këshillit të Europës, fakti mbetet. Shqipëria në këto vitet e fundit ka bërë hapa pas në procesin e integrimit. Në shumicën e rasteve Edi Rama dhe qeveria e tij ia ka faturuar këtë dështim Europës. Ka pretenduar gjithmonë se fajin e ka politika dhe mosmarrëveshjet e brendshme të saj. Edhe kësaj here ka po të njëjtin qëndrim, ashtu sikurse deklaroi në Kongresin e Partisë Socialiste se, “nëse na bllokohet hapja e kapitujve ne do të kthehemi krenar nga Brukseli, pasi Shqipëria i ka përmbushur detyrat e saj’’.

E njëjta retorikë, i njëjti justifikim që përdoret këtu e 10 vite. Në disa raste kjo tezë mund edhe të qëndrojë. Por e vërteta qëndron gjithmonë në mes. Është e vërtetë se kjo periudhë nuk ka qenë nga më të favorshmet për zgjerimin e BE-së, por po ashtu është i vërtetë fakti se Shqipëria nuk i ka kryer siç duhet detyrat e saj.

Nëse Shqipëria sot  do ishte një shtet demokratik, me të gjitha parametrat që kërkon integrimi në BE, vështirë se konteksti jo i favorshëm do të ndalte integrimin ë saj dhe avancimin e procesit. Përpara se të gjejmë fajin te të tjerët, duhet ta kërkojmë atë te qeveria shqiptare dhe te ata që na kanë qeverisur në këto 10 vite për dështimet e panumërta dhe kohën e humbur në këtë drejtim.

Problemi i Edi Ramës dhe qasjes që ai ka patur në 10 vite ndaj këtij procesi, është fakti se ai e konsideron BE-në si një organizatë gjeopolitike, që herët apo vonë, për interesat e saj do ta integrojë Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor. BE-nuk është vetëm një organizatë gjeopolitike, por edhe një sistem qeverisës dhe vlerash të përbashkëta. Edhe nëse i intereson integrimi i Shqipërisë gjeopolitikisht, por ne nuk plotësojmë kushtet bazë të parimeve të tyre dhe kriteret e Kopenhagenit, vështirë se do të bëhemi pjesë e klubit më demokratik të botës.

Prandaj, edhe vonesa që vjen nga mbledhja e radhës, përpara se t’ja hedhim fajin lobimit grek, i cili sigurisht, që nëse e ka bërë ka abuzuar qartësisht me një të drejtë që ja njeh procedura Evropiane, apo përpara se t’ja hedhim fajin Europës, duhet me patjetër të shikojmë nga vetja. Kjo është detyra jonë, kjo është detyra e një qeverie e cila vërtetë e ka synim dhe objektiv integrimin e Shqipërisë në BE.

Sepse kështu siç po shkojnë punët, shqiptarët dalë-ngadalë po mësohen me idenë se të mbetur jashtë Europës nuk është ndonjë problem i madh për Shqipërinë. Ndërkohë që, integrimi në BË është e vetmja rrugë dhe e vetmja shpresë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të ardhmen e shqiptarëve. Integrimin nuk e duan dhe nuk u  intereson vetëm pushtetarëve. Kjo tashmë është e qartë. Rreziku qëndron te fakti se, edhe shqiptarët po mësohen me kë ide, të lodhur tashmë nga pritja e gjatë.

Të rinjtë nuk e gjejnë veten në tregun e punës, papunësia rritet më tej në tremujorin e tretë

Studente maakt koffie in cafe

Aktiviteti ekonomik në vendin tonë kulmoi në tremujorin e tretë të vitit, për shkak të zhvillimeve të jashtëzakonshme në turizëm, teksa prodhimi bujqësor është në pikun e tij, por tregu i punës në të njëjtën periudhë shfaqi dobësi në punësimin e të rinjve.

Pas pandemisë Covid-19, treguesit e punësimit të të rinjve janë përkeqësuar më tej, teksa në krahun tjetër sektorët e ekonomisë janë në emergjencë për punonjës.

Të dhënat e INSTAT referojnë se në tremujorin e tretë të këtij viti 74,507 të rinj të moshës 15-29 vjeç ishin të papunë me një shtesë 5300 persona që nga e njëjta periudhë e vitit 2022.

Në qershor-shtator 2023, papunësia ndër të rinj ishte në nivelin më të lartë që nga tremujori i parë i vitit 2021, kur ekonomia po përjetonte një valë të fortë të pandemisë, Covid-19. Treguesi i papunësisë tek të rinjtë është sinjal negativ në një kohë që kjo grup-moshe është gjithnjë e në tkurrje nga emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve.

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,0%. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022 është rritur me 1,6 pikë përqindje.

Krahasuar me tremujorin e dytë 2023, ky tregues është ulur me 0,6 për qind. Sakaq, shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 7,6%. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,1 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një ulje me 0,1 pikë përqindja.

Rritja e papunësisë tek të rinjtë në një kohë që totali i tyre është në rënie, po tregon se tregu i punës ka problematika tek të rinjtë. Sektori i forex all që ishte një punëdhënës i madh i të rinjve të arsimuar po kalon një periudhë nga hetimet ndërkombëtare që kanë çuar në mbylljen e shumë kompanive. Në anën tjetër oferta për punë e bizneseve shqiptare shpesh nuk preferohet nga të rinjtë.

Modeli ekonomik i bazuar në krahun e lirë të punës, nuk preferohet nga brezi i ri të cilët e shohin më leverdi emigrimin sesa të nisin punë në një fabrikë fasoni ose në një kompani ndërtimi.

Tregu i punës në vendin tonë gjithnjë ka vuajtur nga një hendek ndërmjet ofertës dhe kërkesës për punës. Oferta për punë dominohet nga profesionet elementare që nuk kërkojnë aftësi, teksa punëkërkuesit shpesh janë më arsim të lartë.

Por arsimi nga ana tjetër nuk i përmbush kërkesat e bizneseve për aftësi. Në vijimësi bizneset ankohen se, profesionistet që prodhon sistemi arsimor nuk janë të aftë dhe shpesh duhet kohë dhe investime shtesë për formimin e tyre.

KLSH auditon Financat, Kontratat PPP mbartin risk fiskal, s’ka matje të eficiencës dhe as transparencë

Kontratat koncesionare apo të partneriteteve publike private (PPP) të cilat janë aktualisht aktive mes qeverisë dhe privatëve cilësohen si një risk fiskal dhe mundësia e rritjes së detyrimeve të prapambetura mbetet aktive.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dalë në këtë konstatim pas auditimit të kryer në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë duke u ndalur ndër të tjera tek monitorimi i pagesave për këto kontrata me mbështetje buxhetore.

Konkretisht KLSH vlerëson se janë të paktën 12 kontrata të kësaj natyre ku gjatë vitit 2022 vetëm për një prej tyre siç ishte “Ndërtimi dhe Operimi i rrugës Milot-Balldren nuk ka pasur pagesa.

“Në total, plani përfundimtar për këto projekte paraqitet në shumën 12,7 miliard lekë, ndërkohë që pagesat rezultuan në shumën 12,6 miliard lekë, me një realizim në masën 99,5%.

Pagesat vjetore faktike nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, për kontratat koncesionare apo PPP, rezultuan në shumën 12.6 miliard lekë ose 2.66 % e totalit të të ardhurave tatimore faktike të vitit 2021, prej rreth 475.61 miliardë lekë, duke qenë brenda kufirit të pagesave prej 5% të të ardhurave tatimore faktike”, vlerëson KLSH.

Audituesit vlerësojnë se pavarësisht kontratave aktive dhe pagesave të rregullta sot nuk ka një vlerësim për efektivitetin apo eficiencën e tyre.

“Rritja e shpenzimeve për kontratat koncesionare/PPP nga viti në vit përbën një risk fiskal për buxhetin, për më tepër që në mungesë të treguesve të matshëm të performancës së tyre bën të diskutueshme dhe arritjen në kohë të objektivave të tyre me eficiencë, ekonomicitet dhe efektivitet. Gjithashtu duke qenë se këto kontrata koncesionare/PPP janë me mbështetje buxhetore dhe koncesionari nuk ka përgjegjësi apo angazhim financiar, këto shpenzime nga ana e buxhetit të shtetit janë një borxh i fshehur për vitet në vijim”, nënvizon raporti.

 PPP morën 120 milionë euro në 2022, si u ndanë

Raporti i KLSH auditon të gjithë kontratat PPP duke nisur së pari me inceneratorin e Fierit. Lidhur me këtë të fundit raporti nënvizon se pagesat e kryera gjatë vitit 2022 për këtë kontratë koncesionare janë në shumën 376,385 mijë lekë, sipas 6 urdhër shpenzimeve të regjistruara në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë të kryera nga ana e aparatit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Secila faturë rezulton në vlerën 62,731 mijë lekë.

Kontrata e dytë e rrugës së Arbrit e nënshkruar në 2018 me një vlerë 33.6 miliardë lekë pa TVSH gjatë vitit 2022 ka marrë 2.9 miliardë lekë në përputhje me planifikimin fillestar.

Ndërtim, Operim dhe Mirëmbajtje e Rrugës Milot-Morinë është kontrata e tretë. “Pagesat e kryera gjatë vitit 2022 për këtë projekt janë në shumën 740,978 mijë lekë, sipas 2 urdhër shpenzimeve të regjistruara në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë të kryera nga ana e aparatit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë” thuhet në raport.

Kontrata e katërt është “Ndërtimi dhe Operimi i Porti Jahteve Orikum – Dukat” gjatë 2022 ka përfituar 224 milionë lekë nga të cilat më shumë se gjysma i takon detyrimeve të prapambetura të vitit 2021.

Një tjetër kontratë e analizuar është ajo e shërbimit të skanimit në Dogana dhe duket se edhe këtu problem janë bërë pagesat e prapambetura.

“Pagesat e realizuara në vitin 2022 sipas databazës së pagesave në SIFQ rezultojnë në shumën 1,898,906 mijë lekë sipas 69 urdhër shpenzimeve. Nga vlera e paguar për këtë kontratë, konstatohet se për 8 urdhër shpenzime, në shumën 231,864 mijë lekë i përkasin detyrimeve të prapambetura periudhës 2020-2021”, vlerëson KLSH.

Kontrata e radhës është “Ndërtimi i Shkollave të Arsimit Parauniversitar në Bashkinë e Tiranës”. Për këtë të fundit gjatë 2022 Bashkia e Tiranës si autoritet kontraktues ka paguar 395 milionë lekë, të financuara nga të ardhurat e veta dhe buxheti i vendosur në dispozicion nga ministria, në masën 50% me 50%, konkretisht nga 197.5 milionë lekë.

Audituesit janë ndalur edhe tek kontrata e inceneratorit të Tiranës. Sipas raportit vlera e detajuar në fillim të vitit për këtë projekt koncesionar paraqitet në shumën 200 milionë lekë dhe e rishikuar në ulje në shumën 180 milionë lekë plan përfundimtar.

“Këto ndryshime buxhetit me ulje, krahasuar me vitet e kaluara, për kontratat në vazhdim rezultojnë të paargumentuara. Pagesat e realizuara përgjatë vitit 2022 sipas raportimit në “Mbi zbatimin e buxhetit vjetor, situatës makroekonomike dhe fiskale gjatë vitit 2022”, rezultojnë 1.04 miliard lekë mijë lekë. Këto pagesa sipas SIFQ janë financuar në shumën 179 milionë mijë lekë nga buxheti i MIE, programi i mbetjeve urbane. Pjesa tjetër prej 866.6 milionë lekë është financuar prej të ardhurave të veta të Bashkisë Tiranë”, thuhet në raport.

Koncesionet s’kanë transparencë

Ministria e Financave dhe Ekonomisë prej vitesh ka detyrimin e raportimit të ecurisë së koncesioneve në funksion të monitorimit që kryen çdo vit edhe si kërkesë e mëparshme e institucioneve ndërkombëtare si FMN.

Çdo vit një raport i posaçëm shoqëron buxhetin faktik dhe që ndalet tek secila kontratë PPP me specifikat e saj. Ky raport mungoi këtë vit gjatë prezantimit të buxhetit faktik dhe ende nuk është publikuar në faqen e Ministrisë. Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka cilësuar mospublikimin e këtij raporti si mungesë transparence.

“Nga auditimi konstatohet se për vitin 2023 nuk është publikuar raporti i Performancës së Kontratave të Koncesionit dhe të Partneritetit Publik Privat për vitin 2022. Mos-publikimi i këtij raporti dhe mungesa e raportimit të tij bashkëlidhur Raportit mbi zbatimin e buxhetit vjetor, situatës makroekonomike dhe fiskale gjatë vitit 2022, cilësohet mungesë transparence nga ana e MFE dhe veprim në kundërshtim me: pikën 7 të nenit 10 të ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar dhe shkronjën c, të pikës 126.3, të kapitullit IV “Raportimi dhe monitorimi i risqeve fiskale nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme dhe njësi të tjera të sektorit publik” të udhëzimit plotësues nr. 2 datë 19.01.2023”, vlerëson KLSH. /N.Maho, “Monitor”

 

Studimi: Disa fëmijë janë gjenetikisht të predispozuar për gjumë të dobët

Në shumë studime të të rriturve, është gjetur një predispozitë gjenetike për problemet e gjumit, si pagjumësia. Shkencëtarët pyesnin veten nëse i njëjti fenomen ekziston tek fëmijët. Ata morën prova se predispozita gjenetike për një fëmijë për të fjetur keq mund të zbulohet që në moshë të hershme.

“Ne zakonisht mendojmë se pagjumësia zhvillohet më vonë në jetë, por kemi prova që shenjat më të hershme të rrezikut për pagjumësi në moshë madhore janë tashmë të pranishme në fëmijërinë e hershme”, tha Dr Eus van Someren, kreu i Departamentit të Gjumit dhe Njohjes në Instituti Holandez për Neuroshkencën në Amsterdam, për CNN.

Ekspertët kanë zbuluar se një predispozicion gjenetik për zhvillimin e pagjumësisë tek fëmijët shoqërohet me simptoma të ngjashme me pagjumësinë e raportuar nga nënat e tyre. Megjithatë, këto simptoma nuk zbulohen nga pajisjet e monitorimit të gjumit, të cilat janë më objektive.

 

 

U anketuan 2,458 fëmijë evropianë, afërsisht gjysma e të cilëve ishin vajza. Studimi përfshiu gratë shtatzëna me datëlindje midis 2002 dhe 2006 për të gjurmuar shëndetin e fëmijëve të tyre nga para lindjes deri në moshën madhore. Si pjesë e studimit, ekspertët mblodhën mostra të ADN-së nga gjaku i kordonit ose fëmijët kur ata ishin gjashtë vjeç.

Kur fëmijët ishin një vjeç e gjysmë, tre vjeç, gjashtë vjeç dhe midis 10 dhe 15 vjeç, nënat e tyre ndanë detaje rreth gjumit të tyre me ekspertët. Ata dhanë informacione të tilla si nëse fëmijët kishin probleme për të fjetur, flinin më pak se shumica e fëmijëve ose zgjoheshin shpesh gjatë natës. Pothuajse 1000 pjesëmarrës mbanin ora gjumi për nëntë ditë, dy herë midis moshës 10 dhe 15 vjeç.