29.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Basha rindan mesazhin pas festës së 33-vjetorit të themelimit të PD-së: Është familja juaj, ju mirëpresim!

Në 33 vjetorin e krijimit të PD, kryetari Lulzim Basha u drejtoi një ftesë të gjithë demokratëve të bashkohen me PD.

Në fjalën e ti Basha garantoi demokratët se kontributi, angazhimi dhe sakrificat e tyre, nga me i vjetri tek më i riu, do të vlerësohen.

Fillimi > -Politikë
Basha rindan mesazhin pas festës së 33-vjetorit të themelimit të PD-së: Është familja juaj, ju mirëpresim!
12 Dhjetor, 2023 16:47Madhësia e tekstit:

Në 33 vjetorin e krijimit të PD, kryetari Lulzim Basha u drejtoi një ftesë të gjithë demokratëve të bashkohen me PD.

Në fjalën e ti Basha garantoi demokratët se kontributi, angazhimi dhe sakrificat e tyre, nga me i vjetri tek më i riu, do të vlerësohen.

“Për të gjitha ata kontributorë themelues të saj dhe çdo person që të djathtën shqiptare e ndjen familjen e tij politike, që për arsye të ndryshme në këto vitë nuk janë ndier në shtëpine tyre, bashkohuni me Partinë Demokratike të Shqipërisë. Ejani dhe jepni kontributin tuaj të çmuar ashtu sikurse e keni dhënë në vitet e para të pluralizmit dhe në këto 33 vite. Partia Demokratike e Shqipërisë është partia e themeluesve të saj,
është partia e studentëve të dhjetorit, Është partia e të përndjekurve dhe e pronarëve. Është partia partia e njerëzve të lirë. Është partia e vlerave euro-atlantike. Është partia e interesit kombetar të shqiptarëve.

Partia demokratike është familja juaj. Ne ju mirepresim te gjitheve!” – tha Basha

PD nuk e ka mbaruar minision e saj, tha kryetari Basha, duke theksuar se i vetmi fund është ai i tranzicionit 30-vjeçar.

Më tej Basha tha se “Partia Demokratike e Shqipërisë, do të bëhet partia e së ardhmes së shqiptarëve, partia e interesit kombëtar, partia e ekonomisë së lirë, partia e mirëqenies së shqiptarëve, partia e partneritetit të ngushtë dhe të përjetshëm me SHBA dhe BE”.

Spiuni i dyshuar rus, vëzhgues i OSBE-së i zgjedhjeve në Serbi

Një diplomat rus dhe spiun i dyshuar, i dëbuar nga Bashkimi Evropian për shkak të “veprimeve të paligjshme dhe përçarëse”, do të shërbejë si vëzhgues i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe lokale në Serbi, në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), zbulon një hulumtim i Radios Evropa e Lirë.

Aleksandr Studenikin, 49 vjeç, ishte këshilltar në misionin e përhershëm të Rusisë në BE në Bruksel, kur ai dhe 18 diplomatë të tjerë rusë u shpallën persona të padëshirueshëm në prill të vitit 2022 – dy muaj pasi Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.

BE-ja tha se diplomatët rusë, të përfshirë në listën e zezë, u angazhuan në aktivitete “kundër interesave dhe sigurisë së BE-së dhe shteteve të saj anëtare”.
– Advertisement –

Tani, Studenikin është në mesin e një grupi prej 30 vëzhguesish zgjedhorë, të cilët do ta përfaqësojnë OSBE-në në zgjedhjet e Serbisë për Parlamentin dhe për 65 komuna, më 17 dhjetor.

Një raport i mediave pretendonte më herët se Studenikin ishte punonjës i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Rusisë, i njohur si SVR. Një zyrtar i lartë evropian me qasje në informacione të klasifikuara i tha, gjithashtu, Radios Evropa e Lirë se Studenikin punon për SVR-në, edhe pse vetë ai e mohon çdo lidhje me inteligjencën.

Studenikin është një nga katër rusët në listën e vëzhguesve afatgjatë të misionit të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR).

Sipas OSBE-së, këta vëzhgues janë përgjegjës për monitorimin e të gjithë procesit zgjedhor, “për të kuptuar thellë procedurat e përgjithshme administrative dhe mjedisin e fushatës”.

Grupi përfshin gjithashtu vëzhgues nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania, Franca, Danimarka, Bjellorusia dhe shtatë vende të tjera.

Detyra e Studenikinit në Serbi është e përkohshme, por ky vend është bërë destinacion për diplomatët rusë, të dëbuar nga BE-ja.

Aleksandr Studenikin midis diplomatëve rusë në Bruksel. Shkurt 2020.

Një hulumtim i Radios Evropa e Lirë në mars zbuloi se së paku tre diplomatë rusë, me lidhje me inteligjencën ruse, të cilët ishin në listën e zezë të vendeve anëtare të BE-së, janë rishfaqur si diplomatë rusë të akredituar në Serbi – njërin prej vendeve të pakta evropiane që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, për shkak të luftës së saj në Ukrainë.

Deri te dëbimi i tyre erdhi pasi qeveritë e BE-së futën në listën e zezë qindra diplomatë rusë, pas nisjes së pushtimit rus në shkurt të vitit 2022. Disa prej këtyre shteteve përmendin spiunazhin e dyshuar si arsye për dëbim.

Zgjedhjet në Serbi vijnë në kohën kur qeveritë perëndimore kanë rritur trysninë ndaj Beogradit për të ndërmarrë sanksione kundër Rusisë, për shkak të agresionit në Ukrainë. Partia Përparimtare Serbe në pushtet dhe presidenti Aleksandar Vuçiq kanë mbajtur koalicion me partitë që shihen si pro-ruse, ndërsa opozita pro BE-së ka luftuar për të fituar popullaritet në vendin ku shumica e popullsisë e sheh Rusinë si komb mik.

Vuçiq ka bërë përpjekje t’i balancojë aspiratat e Beogradit për t’u anëtarësuar në BE dhe marrëdhëniet e tij miqësore me Rusinë. Dy vendet ndajnë trashëgiminë e krishterë ortodokse, ndërsa Moska e mbështet gjithashtu Beogradin në mosmarrëveshjet e tij me Perëndimin.

Rusë që punojnë për OSBE-në, më herët, kanë pasur vështirësi për të hyrë në disa vende të BE-së.

Vitin e kaluar, autoritetet polake shpallën persona të padëshirueshëm dy punonjës rusë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, duke thënë se ata paraqesin “kërcënim për sigurinë e shtetit”. Një prej tyre, Darya Boyarskaya, u ndalua në kufirin Lituani-Rusi, derisa po përpiqej t’i vizitonte të afërmit e saj në Kaliningrad.

Vendet anëtare të OSBE-së i zgjedhin individët që duan t’i bashkohen një misioni vëzhgues të zgjedhjeve. Vetë OSBE-ja nuk e menaxhon drejtpërdrejt rekrutimin e këtyre vëzhguesve, të cilët rekomandohen nga shtetet anëtare.

Studenikin, i cili më herët punoi në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) në Hagë, arriti në Serbi më 19 nëntor, për të filluar punën e tij si vëzhgues i zgjedhjeve i OSBE-së.

Grupi i vëzhguesve të Studenikinit është përgjegjës për disa komuna në Serbinë lindore dhe është takuar me përfaqësuesit politikë lokalë në Zajeçar dhe Klladovë, afër kufijve me Bullgarinë dhe Rumaninë.

Aleksandr Studenikin (majtas) në një takim me kryetarin e Zajeçarit. Nëntor 2023.

Sipas raportimeve të mediave dhe një burimi të Radios Evropa e Lirë, Studenikin mori pjesë në fushata si për partitë në pushtet, ashtu edhe për opozitën në rajonin ku është vendosur. Aktivitete të tilla priten nga vëzhguesit afatgjatë, sipas OSBE-së.

Aleksandr Studenikin në tubimin parazgjedhor të Partisë Socialiste të Serbisë në Zajeçar, 30 nëntor 2023.

I kontaktuar me telefon në Serbi, Studenikin i tha Radios Evropa e Lirë se arsyeja për dëbimin e tij është informacion i publikuar në llogarinë e tij në LinkedIn, ku përmendet edhe punësimi i tij në OPCW.

“Ne kishim rreth 500 njerëz të dëbuar nga Evropa. Rezulton se nëse je rus, je spiun. Nëse je diplomat ose jo, kjo nuk ka rëndësi për të gjithë”, tha ai.

Një zëdhënës i ODIHR-it i tha Radios Evropa e Lirë se organizata “nuk ishte informuar” se BE-ja e ka shpallur Studenikin person të padëshirueshëm, apo non grata.

Vëzhguesit e zgjedhjeve zgjidhen nga vendet e tyre përkatëse dhe “duhet ta respektojnë kodin e sjelljes së vëzhguesve”, shtoi zëdhënësi.

“Çdo shkelje serioze e kodit çon në tërheqjen e menjëhershme të akreditimit të një vëzhguesi”, sipas tij.

Radio Evropa e Lirë dërgoi pyetje për rolin e Studenikinit si vëzhgues i zgjedhjeve në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, në Komisionin Zgjedhor të Serbisë dhe në misionin e përhershëm të Rusisë në OSBE në Vjenë. Asnjëri prej tyre nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij artikulli.

E pyetur për dëbimin e Studenikinit vitin e kaluar, Ministria e Jashtme belge i referoi pyetjet te Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së, i cili nuk u përgjigj.

“Në kundërshtim me statusin diplomatik”

Përfshirja e Studenikinit në listën e zezë të BE-së, e cila u shpall në prill të vitit 2022, u raportua për herë të parë në një hetim të përbashkët të EU Observer dhe Dossier Center.

EU Observer pretendoi se ai punon për SVR-në.

Zyrtari i lartë evropian me qasje në informacione të klasifikuara, me të cilin bisedoi Radio Evropa e Lirë, tha gjithashtu se Studenikin është punonjës i SVR-së – gjë të cilën Studenikin e mohoi.

“Ndoshta do të doja të punoja për dikë [të tillë], por kjo mundësi nuk është paraqitur në karrierën time deri më tani. Pra, jo, definitivisht jo”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Në një përgjigje të dërguar me email, në lidhje me pyetjet për Studenikinin, SVR-ja tha se nuk pranon të komentojë.

BE-ja nuk i publikoi emrat e 19 diplomatëve rusë të përfshirë në listën e zezë, ose nuk i akuzoi drejtpërdrejt për spiunazh, por tha se ata u angazhuan “në aktivitete në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik”.

“Bashkimi Evropian po vepron në përgjigje të veprimeve të paligjshme dhe përçarëse të anëtarëve të caktuar të misionit rus kundër interesave dhe sigurisë së BE-së dhe shteteve të saj anëtare”, u tha në një deklaratë të BE-së.

Emri i Studenikinit shfaqet ende në faqen e internetit të misionit të përhershëm të Rusisë në BE, ku ai renditet si këshilltar për bashkëpunimin industrial.

Kjo listë, e cila duket se nuk është përditësuar, përfshin shumë diplomatë rusë që janë larguar nga Brukseli. Në mesin e tyre është edhe Denis Pavlov, i cili është dërguar në Republikën e Afrikës Qendrore për të koordinuar mes mercenarëve rusë dhe policisë lokale, zbuloi një hulumtim i Radios Evropa e Lirë.

Prapavija e armëve kimike

Studenikin nuk ishte diplomat karriere përpara se t’i bashkohej misionit të përhershëm të Rusisë në BE në vitin 2014, sipas profilit të tij në LinkedIn.

Me shkollim ushtarak në mbrojtjen kimike, Studenikin punoi në OPCW – organizatën prej 193 anëtarësh, që detyrë të deklaruar ka eliminimin e përhershëm të armëve kimike.

Studenikin si zyrtar i OPCW-së në Tunizi. Tetor 2010.

Rusia ka marrëdhënie të vështira me OPCW-në që nga viti 2018, kur organizata konfirmoi se një agjent i fuqishëm nervor i epokës sovjetike, i njohur si Novichok, ishte përdorur për helmimin gati fatal të ish-spiunit rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij në Angli. Britania e akuzoi inteligjencën ushtarake ruse për këtë sulm.

Novichok u identifikua si substancë e përdorur edhe në një sulm të ngjashëm kundër aktivistit të opozitës ruse, Aleksei Navalny, në vitin 2020.

Këto informacione sugjeruan se Rusia mund të ketë një program të padeklaruar sekret të armëve kimike, në kundërshtim me traktatin ndërkombëtar.

Rusia e mohon përfshirjen në helmimet e Skripalit dhe Navalnyt, pavarësisht provave thelbësore që dokumentojnë praninë e operativëve të inteligjencës ruse në të dyja incidentet. Moska, gjithashtu, mohon se ka një program sekret të armëve kimike.

Në tetor të vitit 2018, autoritetet holandeze dhe ato amerikane akuzuan inteligjencën ushtarake ruse për një komplot për t’i hakuar sistemet kompjuterike të OPCW-së.

Muajin e kaluar, Rusia nuk arriti ta rifitonte vendin në Këshillin Ekzekutiv të OPCW-së. Kjo është hera e parë në historinë e organizatës që Moska nuk ka vend në organin vendimmarrës.

Një burim që ka punuar në selinë e OPCW-së në Hagë për më shumë se dhjetë vjet, i tha Radios Evropa e Lirë se Studenikin hyri në organizatë si inspektor, por shpejt u transferua në Departamentin e Ndihmës dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, përgjegjës për mbështetjen e “përpjekjeve të palëve shtetërore për t’i përmbushur detyrimet sipas konventës” si dhe për “lehtësimin e reagimit dhe trajtimit të kërcënimeve që përfshijnë kimikate toksike”.

Të dhënat e rrjedhura tatimore të Rusisë treguan se Studenikin ka punuar, gjithashtu, si ekspert në Agjencinë Federale të Industrisë të Rusisë – tashmë jofunksionale. Ajo, mes tjerash, ishte përgjegjëse për përmbushjen e detyrimeve të Rusisë ndaj Konventës së Armëve Biologjike dhe Konventës së Armëve Kimike.

Profili i Studenikinin në LinkedIn thotë se ai ka kryer edhe disa kurse trajnimi për mbrojtjen kundër armëve kimike. Ato përfshijnë sesione në qendrën kryesore të trajnimit të Britanisë për mbrojtjen kundër kërcënimeve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të përcaktojë se kur u zhvillua ky trajnim i supozuar.

Studenikin i tha Radios Evropa e Lirë se punësimi i tij në OPCW përfundoi pasi i kishte përfunduar kontrata.

Manuali i OSBE-së për vëzhguesit afatgjatë të zgjedhjeve, si Studenikin, thotë se për këtë rol, organizata kërkon njerëz “me përvojë në administrimin e zgjedhjeve, me ekspertizë ligjore lidhur me zgjedhjet dhe/ose me përvojë krahasuese vëzhgimi”.

Profili i Studenikinit në LinkedIn nuk përmend ndonjë përvojë në monitorimin e zgjedhjeve ose punë tjetër me OSBE-në – aktiviteti i së cilës është kritikuar shpesh nga qeveritë perëndimore, të cilat e kanë cilësuar si të paralizuar nga Rusia.

OSBE-ja mbajti samitin e saj vjetor në Maqedoninë e Veriut në nëntor, por disa vende anëtare e bojkotuan takimin, për shkak të pranisë së diplomatëve të lartë rusë, përfshirë ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov./REL

“Përjashtimi 30 ditë”, Açka: Akt i turpshëm i mazhorancës. Deputeti përfaqëson mijëra zgjedhës

Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka e konsideroi një akt të turpshëm nismën e mazhorancës për ndryshimin e Rregullores së Parlamentit për ndëshkimin e deputetëve. E ftuar në studion e News 24, Açka theksoi se deputetët nuk mund të përjashtohen 30 ditë.

“Më duket një gjë shumë e shëmtuar. Aksioni i fundit i mazhorancës për të ndryshuar rregulloren e Parlamentit është e turpshme. Mund të jetë e turpshme ajo që ndodh në Parlament. Nga ato që kam parë dhe ndjerë si ka qenë e përfshirë vetë kryetarja e Parlamentit për këtë zullum që nisi, sepse ajo nuk bëri ndarje të gjërave. Ishte edhe një pëlqim i tyre i heshtur.

Pse mazhoranca të mos përfitojë që të shmangë sa më shumë ushtarë nga beteja?! Dëgjova që ky është një projekt që kanë marrë nga Gjermania. Ku mund të dëgjosh në Gjermani që deputeti përjashtohet 30 ditë. Do ta përjashtosh 30 ditë, edhe kur largohet deputeti duhet të votojë. Deputeti janë mijëra njerëz që e kanë votuar. Ky është një gabim i madh dhe shkelje e Kushtetutës. Të krijosh një gjë të turpshme që janë këto rregulla të reja për një gjë që mund ta konsiderosh të turpshme, është shkelje e Kushtetutës dhe antidemokratike”, tha Açka.

UEFA bëhet gati për ndryshimin epokal, përse ndeshjet e fundit në grupe janë historike

Takimet e fundit në grupe do të jenë historike për Champions League-n pasi do të jenë 90’ e fundit të vlefshëm për këtë raund. Siç dihet formati i kompeticionit ikonik do të ndryshojë dhe faza e grupeve është “sakrifikuar” me qëllim që të shtohet numri i ndeshjeve dhe rrjedhimisht edhe të ardhurat për skuadrat, të cilat u rebeluan pak vite më parë duke kërcënuar me krijimin e Super Ligës.

Kalendari i ndeshjeve do të jetë ndryshe, por edhe procesi i kualifikimit, që do të ketë 2 vende shtesë për vendet me renditjen më të mirë. U tha që do të kalohet nga 32 në 36 skuadra në fazën finale të Ligës së Kampionëve. Katër vendet që shtohen do të përcaktohen në këtë mënyrë; një vend do të jetë për federatën që është në vendin e pestë të renditjes UEFA, një për fituesen e kampionatit të vendeve që nuk janë në pozicionet më të larta, ndërsa dy të tjerat për federatat që do të kenë rezultatin më të mirë të përgjithshëm në sezonin paraardhës.

Do të jenë 36 skuadra, por që nuk do të ndahen në grupe, por do të jetë një grup unik, siç po ndodh prej vitesh në Euroleague në basketboll, që do të thotë se formati i ri është konceptuar si një kampionat i mirëfilltë. Është e vështirë të parashikosh një Champions me 35 javë, kështu që skuadrat nuk do të përballen të gjitha me njëra-tjetër, por çdo skuadër do të ketë të njëjtin numër kundërshtarësh të ndarë në vazo dhe për të cilat do të hidhet short.

Do të rritet edhe numri i ndeshjeve të garantuara nga 6 në 8, 4 në shtëpi dhe 4 në transfertë. Për sa i përket kalendarit, UEFA ka konfirmuar se nuk janë parashikuar ndeshje në fundjava deri në finalen e kompeticionit, duke respektuar në këtë mënyrë kalendarin e kampionateve kombëtare dhe ato do të vazhdojnë të jenë në mesjavë. Liga e Kampionëve me formatin e ri do të nisë në mesin e shtatorit dhe do të mbyllet në mesin e janarit, kur do të luhen dy raundet e fundit.

SPAK kërkoi masë arresti për Berishën, Kulluri: Lëvizje që pritej që në nisje

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Edvin Kulluri tha në një intervistë për Euronews Albania se kërkesa e SPAK për sigurimin e masës së arrestit, ishte një masë që pritej.

Ai tha se kërkesa që SPAK i është dërguar Kuvendit mund të ndodhte që pas herës së parë kur zoti Berisha refuzoi të paraqitej në gjykatë, ndërsa shtoi se lajmi i vetëm në gjithë këtë histori është që njeriu më me ndikim në 30 vite në Shqipëri, mund të ndalohet në banesë ose edhe të futet në burg.

“Kjo masë mund të ishte marrë që pas mos paraqitjes për herë të parë të zotit Berisha. Kjo edhe për arsye se zoti Berisha, ka qenë këtu, ka qenë i njoftuar dhe ka refuzuar me koshiencë të plotë masën detyrim paraqitje.

Nëse i shkojmë ligjit, këtu nuk ka asnjë lajm, ishte ajo që pritet të ndodh. Lajmi është qe patjetër personazhi më ndikimin në 30 vite, në këtë tranzicion , do të ndalohet në banesë e mbase edhe në burg”,-tha Kulluri.

Amerikanët dhe britanikët i kanë “larë” duart me Berishën, deklaratat e tyre janë për ndjekësit e tij

I ngarkuari me punë i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, David Wisner, ka dhënë një intervistë për gazetën “Panorama” në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, që është botuar një ditë më pas, pikërisht në 33-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, ku ka refuzuar t’i përgjigjet akuzave të Sali Berishës ndaj sistemit të drejtësisë si “kamxhik i Ramës” dhe ndaj Prokurorisë së Posaçme në veçanti, duke theksuar se SHBA-të nuk i përgjigjen të sanksionuarve “non grata” nga ana e saj.

Diplomati Wisner ka shprehur mbështetjen e pakushtëzuar ndaj SPAK-ut dhe ka theksuar se Prokuroria e Posaçme janë në lartësinë e detyrës, duke iu përgjigjur në një farë mënyrë Edi Ramës dhe duke thënë se SPAK është investim amerikan dhe jo qeveritar.

Në të njëjtën ditë, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith, ka sqaruar edhe një herë arsyet se përse Mbretëria e Bashkuar vendosi të shpallë “non grata” Sali Berishën, ndërsa paralajmëroi se do të ketë masa të ngjashme edhe në të ardhmen.

Nuk është hera e parë që ka një koordinim përsa i përket rastit të Berishës ndërmjet ambasadës së SHBA-ve dhe asaj të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.

Në dallim nga herët e tjera, këto deklarata janë bërë publike pikërisht në ditën e 33-vjetorit të themelimit të PD-së.

Duket që dy diplomatët perëndimorë kanë dashur t’i japin një mesazh të qartë mbështetësve të Berishës dhe atyre pak demokratëve që vijojnë ta ndjekin nga pas, duke u thënë edhe një herë se me këtë njëri nuk keni kurrfarë të ardhmeje në politikë.

Ndërkohë që Berisha vijon me një lumë akuzash, sharjes dhe shpifjesh ndaj SPAK-ut, Gjykatës së Posaçme, por edhe ndaj diplomatëve të huaj, – kujtojmë këtu akuzat e tij dhe paralajmërimin se do t’i bënte publike “faktet” ndaj ambasadorit King-Smith, fakte të cilat nuk erdhëm dhe nuk u bënë publike asnjëherë, sepse thjesht Berisha shpif, – ajo që shihet qartë është se Berisha nuk ekziston fare në optikën e tyre.

Pra, siç shihet, amerikanët dhe britanikët i kanë “larë” duart me Sali Berishën.

Pavarësisht përpjekjeve, ai është një subjekt i hetimeve të Prokurorisë së Posaçme dhe i Gjykatës.

Ajo që amerikanët dhe britanikët kanë theksuar mëse një herë, gjë që shihet edhe në daklaratat e tyre të herëpashershme, është tërheqja e vëmendjes ndaj atyre që e ndjekin Berishën në marrëzinë e tij dhe ndaj demokratëve.

Kujtojmë këtu deklaratën e ish-ambasadores amerikane në Tirana, e cila u shpreh besimplotë kohë më parë në shkallët e selisë së PD-së, teksa tha që “ne mezi presim ta shohim PD-në në pushtet” për të marrë përgjegjësi qeverisëse dhe për të qenë një alternativë e besueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kaosi i Rithemelimit në Kuvend/ Deri në 60 ditë përjashtim, Këshilli i Mandateve miraton ndryshimet për rregulloren e Kuvendit

Deputetët e Rithemelimit do duhet të mendohen gjatë se si do të vijojnë aksionin e tyre opozitar, për shkak se kjo mund t’i kushtojë shumë.

Këshilli i Rregullores dhe Mandateve miratoi ditën e sotme ndryshimet e Partisë Socialiste për rregulloren e Kuvendit. Që do të thotë se tashmë dënimet për një deputet që shkel rregulloren e Parlamentin do të jenë jo më 10 ditë maksimumi, por nga 30-60 ditë përjashtim.

Këto ndryshime, hyjnë në fuqi pasi të miratohen në seancën e së enjtes, ku mjafton 71 vota, të cilat mazhoranca i ka. Në mbledhjen e sotme, kanë qenë vetëm anëtarët e PS-së.

Testi i ‘PISA 2022’ e nxori të fundit në rajon Shqipërinë, Gjermania (pasi pranoi dështimin e saj) premton 20 miliardë euro investime në arsim

Rezultati i testit i PISA është një prej temave “të nxehta” aktualisht në Gjermani, vendin që udhëheq ekonominë e Europës. Kjo për arsyen se, dihet rëndësia që arsimi në zhvillimin e një vendi dhe një vend i zhvilluar nuk mund të pranojë një përkeqësim të treguesve arsimorë, të çdo niveli qofshin ato.

Bahri Cani nga Deutsche Welle në lidhjen e drejtpërdrejtë me “Aldo Morning Show” në Tv Klan shpjegon se Gjermania doli në vendin e 25-të, sipas PISA.

Për Gjermaninë ky është rezultati më i dobët nga 80 vendet pjesëmarrëse në test. Rezultati është cilësuar si “dramatik” dhe po vlerësohen disa prej shkaqeve që kanë ndikuar.

“Gjermania është për momentin më mirë se Franca, Spanja apo Italia, por është shumë më dobët nga Singapori, Koreja e Jugut apo Japonia që janë në vendet e para. Sa i përket shkaqeve, si ilustrim për shembull Gjermania ka diku te 100 pikë më pak se Singapori i cili është në vendin e parë, por më e keqja është që ka shënuar një minus 25 pikë në vitin 2022 kur janë bërë këto matjet e fundit”, tha Cani.

“Nga shkaqet e kësaj gjendjeje dramatike dhe skandaloze siç quhet në disa media, janë disa: pandemia, korona, mbyllja e shkollave kur të gjithë ne mbylleshim dhe nuk shkonin as fëmijët në shkollë. Pastaj numri i madh i nxënësve me origjinë të huaj sepse 39% e pjesëmarrësve në PISA kanë qenë me origjinë të huaj, por mos të harrojmë edhe një gjë tjetër, varfëria te fëmijët sepse rreth 40% e fëmijëve në Gjermani janë të varfër ose të paktën ashtu quhen, ndërsa 54% e tyre janë me origjinë të huaj, këto janë disa prej shkaqeve përse në Gjermani ka patur rezultate më të dobëta”.

Cani shton se ministrat e arsimit të landeve janë mbledhur për të diskutuar se si mund të përmirësohet situata dhe janë ndërmarrë masa të menjëhershme. “Autoritetet kanë premtuar menjëherë 20 miliardë euro investime, kanë premtuar se do të merren masa për mësimin më të mirë të gjuhës që nga kopshtet e pastaj edhe nëpër shkolla”, theksoi Bahri Cani.

Testet eksplorojnë se sa mirë nxënësit mund të zgjidhin probleme komplekse, të mendojnë në mënyrë kritike dhe të komunikojnë në mënyrë efektive, duke dhënë një pasqyrë se sa mirë sistemet arsimore të vendeve të tyre i përgatitin ata për sfidat e jetës reale.

Në nivel global, rezultatet e testit PISA 2022 treguan një rënie të performancës së studentëve, me ekspertë të arsimit të OECD që fajësuan problemet afatgjata në sistemet arsimore, duke përfshirë mungesën e investimeve dhe mbështetjes për nxënësit e shkollave, si dhe ndikimin e pandemisë COVID-19. Rezultatet mesatare të Shqipërisë për vitin 2022 ishin në rënie në krahasim me vitin 2018 në matematikë, lexim dhe shkencë.

“Nxënësit raportuan se kishin shpenzuar dukshëm më pak përpjekje për PISA në vitin 2022 në krahasim me vitin 2018 dhe ka indikacione të qarta që ata nuk u angazhuan seriozisht gjatë gjithë testit dhe pyetësorit. Prandaj, rezultatet duhet të interpretohen me kujdes,” thuhet në prezantimin e sondazhit të PISA-s .

Përse Edi Rama kërkon ta përvetësojë Reformën në Drejtësi?

Ervis Iljazaj

Edi Rama në takimet e fundit me socialistët apo në daljet e tij mediatike nuk lë rast pa përmendur se Reforma në Drejtësi është meritë e socialistëve dhe është pikërisht ajo që e ka bërë atë. Sigurisht me ndihmën e ndërkombëtarëve, por është kjo parti, sipas tij, që ka meritën kryesore, sepse, ajo është iniciatorja dhe arktitektja e saj.

Kjo është një tezë e cila shkon në kundërshtim me idenë e përgjithshme se Reforma në Drejtësi është e ndërkombëtarëve, sidomos e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Partia Socialiste ka qenë e vetmja forcë politike që ka bashkëpunuar me ndërkombëtarët për Reformën në Drejtësi pas bojkotit që i beri Partia Demokratike.

Megjithatë kjo nuk e bënë aspak Reformën në Drejtësi një produkt të Partisë Socialiste. Atëherë përse Edi Rama kërkon ta hipotekojë për PS-në këtë reformë, ndoshta ngjarjen më domethënëse institucionale të ndodhur në 10 vitet e fundit, në Shqipëri?

Për dy arsye kryesore. E para, sepse i pamundur për të ndalur hetimet për korrupsion ndaj vartësve të tij, të cilët kanë krijuar edhe pakënaqësi brenda grupimeve të PS, si rasti i arrestimeve të drejtorëve të Bashkisë Tiranë është domethënës në këtë drejtim, ndaj Edi Rama kërkon që këtë moment për drejtësinë e re ta kthejë në avantazh. Në vend që të japë llogari për korrupsionin në qeverisjen e tij që është galopante, ai bënë krejt të kundërtën. Merr meritat e drejtësisë, a thua se është Altin Dumani. Duket si një ‘’skrizofreni’’ politike nga ana e një kryeministri, por në fakt, është e gjitha një strategji e cila vjen si domosdoshmëri.

Edi Rama në këtë drejtim ka dy rrugë. Ose të pranojë dhe të japë llogari për korrupsionin në qeverinë e tij, ose të shfaqet si luftuesi kryesor i korrupsionit dhe kalorësi i drejtësisë së re. Dhe këtë gjë po bën, duke theksuar gjithmonë se Reforma në Drejtësi është një vepër e Partisë Socialiste dhe se ai po e lejon SPAK që të veprojë, qoftë edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.

Një nga strategjitë e komunikimit dhe të politikës, efikase ndër të tjera, për opinionin publik, është që akuzat nuk kundërshtohen , por ato kthehen në avantazh, njësoj siç po sillet edhe Rama me arrestimet dhe hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë të administratës së tij.

Por nëse vërtet funksionimi i drejtësisë varet nga vullneti i një kryeministri, atëherë ajo nuk është drejtësi. Drejtësi e pavarur do të thotë kur drejtësia funksionon pavarësisht vullneteve të mira ose të këqija të politikës. Në këtë kuptim, edhe nëse Rama ka vullnet të mirë dhe lejon drejtësinë të funksionojë, do të thotë që nuk kemi arritur ende që të ndërtojmë një drejtësi ashtu siç ajo duhet të jetë.

Por në fakt, gjëra janë pak më ndryshe nga ajo që deklaron Rama çdo ditë. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, i ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane, theksoi edhe njëherë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar shumë për Reformën në Drejtësi. Një deklaratë e cila shkon në kundërshtim të plotë me atë se çfarë deklaron Rama. Dhe kjo është e vërtetë. Fakti që prokurorët SPAK-ut shkojnë dhe trajnohen në SHBA, apo se këshilltarë të shumtë amerikanë kanë marrë pjesë gjatë ndërtimit të organeve të reja të drejtësisë, tregon më së miri se kjo reformë mban vulën dhe logon ë Shteteve të Bashkuar të Amerikës. Është reformë e mirë apo jo, funksion siç duhet apo jo, ky është një tjetër diskutim. Por s’ka asnjë dyshim se Reforma në Drejtësi nuk është krijim i Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Arsyeja e dytë se përse Rama kërkon të përvetësojë Reformën në Drejtësi ka të bëjë me ndihmën që i jep aleatit të tij politik, Sali Berishës. Duke bërë këtë, legjitimon aksionin politik të aleatit të tij për ta mbajtur sa më shumë në lojë dhe për ta patur rival. Sepse është absurde që Berisha e akuzon si një person që ka kapur SPAK-un, dhe Rama e konfirmon publikisht këtë gjë. Nuk ka politikan në botë që e thotë hapur se, ‘drejtësinë e kemi kapur ne’, edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë.

Për këto arsye, për sistemin politik 33 vjeçar ideja se SPAK-ut është e amerikanëve, është një ide që nuk i intereson dhe madje është e rrezikshme për ta. Herët apo vonë, të gjithë do të duhet të shkojnë përpara tij. Prandaj kërkojnë ta delegjitimojnë me mënyra nga më të ndryshmet. A do t’ja dalin dot? Edhe mundet, por tashmë hetimet për politikanët e niveleve të larta janë kthyer në normalitet. Këtë gjë e kërkon koha, e kërkon opinioni publik dhe e kërkon e ardhmja e Shqipërisë. Prandaj edhe pse përpiqen, do ta kenë shumë të vështirë.

Borrell reagon për zhdukjen e Navalnyt: Shumë shqetësuese, Rusia të mbajë përgjegjësi për sigurinë e tij

Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka shprehur shqetësimin që Alexei Navalny, lideri i opozitës ruse raportohet të jetë zhdukur prej shtatë ditësh.

“Lajmi për zhdukjen e Navalny që prej 7 ditësh është shumë shqetësues. Udhëheqja politike e Rusisë është përgjegjëse për sigurinë dhe shëndetin e tij në burg për të cilin ata do të mbajnë përgjegjësi. BE bën thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm, i cili është burgosur për motive politke”, tha Borrell.

Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, nuk është më në burgun IK-6 Melekhovo, pasi është transferuar në një burg tjetër, vendndodhja e të cilit nuk dihet ende.

Sipas informacioneve, Navalnyt nuk i ishte lejuar të komunikonte për gati një javë, ndërsa avokatëve të tij nuk i ishte lejuar ta takonin atë në burg.

Navalny, një prej kritikëve më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, në gusht iu shtua dënimi në 19 vjet burg, pasi u deklarua fajtor për krijimin e një organizate ekstremiste dhe u transferua në një burg “me regjim më të ashpër”.

Tre nga avokatët e Navalnyt, Vadim Kobzev, Igor Sergunin dhe Aleksei Lipster janë arrestuar në tetor dhe po ndiqen penalisht për pjesëmarrje në një komunitett ekstremist, për shkak të lidhjeve të tyre me Navalnyn dhe me fondacionin e tij kundër korrupsionit.