20.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Lakers trimfojnë në edicionin e parë të Kupës në NBA, LeBron James fiton çmimin MVP

Los Angeles Lakers kanë fituar trofeun e parë të Kupës së NBA, që është zhvilluar për herë të parë këtë vit. Në finalen e madhe të zhvilluar në Las Vegas, Lakers kanë triumfuar ndaj Indiana Pacers me 14 pikë diferencë 123-109.

Ka qenë një ndeshje e dominuar nga Lakers të cilët patën epërsinë gjatë gjithë ndeshjes dhe në fund arritën të fitojnë trofeun e parë të Kupës së NBA. Anthony Davis ka qenë i jashtëzakonshëm në këtë sfidë me 41 pikë, 20 kërcime, gjashtë asistime dhe katër bllokada.

Me lojë të mirë u dallua edhe Austin Reaves me 28 pikë, derisa LeBron James shtoi 24 pikë, 11 kërcime, katër asistime e dy topa të vjedhur. Te Pacers më efikasi ishte Tyrese Haliburton me 20 pikë e 11 kërcime, por që në fund nuk ishin të mjaftueshme për fitore.

LeBron James u shpall MVP i Kupës së NBA pasi kishte paraqitje të shkëlqyera në të gjitha ndeshjet deri në finalen e madhe. Kjo ishte hera e parë që NBA organizon garat e Kupës, derisa Lakers dhe James do të futen në histori si skuadra e parë që fiton trofeun dhe lojtari i parë që fiton çmimin MVP.

“Mehmet Shehun e vranë”, dëshmia e ish-gjeneralit që u dënua 25 vite burg si “puçist”: S’do ta pranonte kurrë ta shkruante atë letër

Halim Ramohito, një nga ish-gjeneralët e mbetur nga grupi i ushtarakëve që u arrestuan dhe u internuan si “grupi puçist” i vitit 1974, nga ana e Enver Hoxhës. Në krye të këtij grupi ishte Beqir Balluku dhe pas tij, kasta më e nderuar e ushtarakëve të kohës, ndër ta dhe gjeneral Ramohito, që pasi kishte marrë pjesë në rradhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, kishte shërbyer si përfaqësues i Shqipërisë dhe si atashe ushtarak në ‘Traktatin e Varshavës’.

Dëshmitar i prishjes me rusët, Ramohito më vonë do të bëhej dëshmitar i shkatërrimit të ushtrisë shqiptare nga diktatori Hoxha, i cili tregoi se gjatë qëndrimit në pushtet, nuk donte rreth e rrotull njerëz të kualifikuar, por vetëm servilë. Ramohito, i qetë dhe me ftohtësinë që i jepte distanca kohore, nxorri dhe botoi kujtimet e tij, pa të cilat ndoshta historia e asaj kohe me “grupin puçist”, nuk do të ishte e plotë, madje edhe mund do të shkruhej shtrembër apo deformohej…!
Me një sinqeritet të rrallë, ai rrëfen ndjesitë e tij gjatë mbledhjes famëkeqe të Komitetit Qendor të PPSh-së, ku u përjashtuan nga partia e, më pas u arrestuan e u internuan për vite me radhë kasta ushtarake e kohës, me në krye Beqir Ballukun. Edhe pse iu desh të zhvishte xhaketën me grada e, të punonte tokën si një bujk në internimin e gjatë, edhe pse iu desh të mos e shihte më nënën e tij as në vdekje, pengu i tij më i madh, mbeten “autokritikat” që iu desh të bënte, për hir të partisë. “Enveri, na vrau edhe me duart tona…!

Mbledhja e Plenumit të VI-të të Komitetit Qendror i 16 dhjetorit 1974, si dhe gjyqet e zhvilluara më vonë ndaj nesh, u orientuan, para së gjithash, që të përqendroheshin në akuzat e bëra nga Enver Hoxha, sidomos në dy drejtime kryesore, që duhet të përbënin në gjyqe edhe bazën e padisë penale ndaj nesh: – Sabotimin e vijës së partisë në fushën e mbrojtjes, të kryer në bashkëpunim, si pjesëtarë të një organizate kundërrevolucionare në ushtri; – Agjitacion e propagandë, me anën e futjes në masë në ushtri të literaturës armiqësore borgjeze-revizioniste ushtarake.

Për këto dy drejtime, të parit që iu kërkua të fliste dhe të jepte llogari në mbledhjen e 16 dhjetorit 1974, të plenumit të VI-të të Komitetit Qendror, ishte gjeneral-lejtnant Petrit Dume. Kjo edhe për faktin se, pas plenumit të V-të të Komitetit Qendror të korrikut 1974, Beqir Balluku ishte i internuar në Roskovec dhe, atje, siç i deklaroi Enveri, mbledhjes me solemnitet, “tashmë ai është i arrestuar…”!

Diskutimet në mbledhjen e plenumit të VI-të Komitetit Qendror të dhjetorit 1974, filluan me këtë dialog të Mehmet Shehut, me Petrit Dumen:

Mehmeti: – Po të ngresh ti, Petrit Dume, në këmbë ushtrinë dhe të arrestosh Komitetin Qendror të PPSh-së dhe qeverinë me tanket e tua, siç bëri Zhukovi në Kremlin, çdo të thotë kjo?

Petriti: – Tradhti e lartë.

Mehmeti: – Po, tradhti e lartë. Por a nuk je ti, Petrit Dume, një Zhukov i Shqipërisë?

Petriti: – Nuk e kam bërë një tradhti të tillë.

Ku e kishte origjinën ky dialog për tanket, me të cilat gjoja ne do të rrethonim dhe arrestonim Komitetin Qendror?! Në vitin 1973, u zhvillua një takim i disa prej kuadrove kryesore të ministrisë së Mbrojtjes në Shkodër, me Mehmet Shehun, në të cilën kam marrë pjesë edhe unë. Në atë takim, u rrahën mendimet për masat që duhet të merreshin në rast të një agresioni të mundshëm, nëpërmjet kufijve tanë veriorë e veri-perëndimorë dhe, mbi të gjitha, për mbrojtjen e Shkodrës.

Pasi u njohëm edhe me të dhënat e dy rrethimeve të viteve 1911-1912 të Shkodrës nga serbo-malazezët dhe me të dhënat më të fundit të stërvitjeve të jugosllavëve në këtë rajon, arritëm në një përfundim të përbashkët, se na duhej menjëherë të fillonim nga puna për fortifikimin e malit të Taraboshit dhe vendosjen në kalanë e Rozafës të baterive të MKA, të topave të artilerisë kundërajrore, me kalibra të fuqishëm, deri edhe me sisteme automatike drejtimi.

Diskutuam edhe për masat e tjera që duhet të merreshin për të shkatërruar ndonjë desantim të mundshëm nga deti dhe liqeni që eventualisht mund të ndodhte në rajonin e Shkodrës, etj. Diskutimet tona u përqendruan edhe në përdorimin, në këto situata, të njësive të tankeve që dispononte vetë korpusi, që mbronte drejtimin e Shkodrës dhe, sidomos, të njësisë së tankeve të dislokuar në rajonin e Laçit dhe të maskuar në strehime nëntokësore. Situata në atë kohë, në kufirin me Malin e Zi, ishte e ndryshme nga ajo e sotmja.

Tani, nga të dyja anët e kufirit, shohim të hyjnë dhe të dalin nëpërmjet këtyre kufijve, qindra e nganjëherë mijëra njerëz e vetura, por, në atë kohë, përveç të dhënave që merrnim nga burime të tjera, edhe me sy i shihnim tanke serbe aty, buzë kufirit.

Lëvizjet, deri edhe ato vetëm me harta, të kësaj njësie tankiste nga Laçi në drejtim të Shkodrës për qëllimet e mësipërme mbrojtëse në stërvitjet e ndryshme, më vonë u etiketuan marrëzisht si tentativa tonat për të rrethuar organet e partisë dhe pushtetit në Shkodër, madje, sipas Mehmet Shehut, ato do të ishin edhe një provë nga “grupi puçist” për të rrethuar dhe arrestuar më vonë edhe vetë KQ të Partisë.

Edhe në këtë replikë teatrale me Petritin, shfaqet karakteri i ndërlikuar i Mehmet Shehut. Në marrëdhëniet e drejtpërdrejta me ne, gjeneralët, ai ishte i hapur, disa herë edhe shumë miqësor, bënte dhe pranonte shaka, bënte sikur nuk e dëgjonte ndonjë fjalë dykuptimëshe, ndërsa jashtë këtyre marrëdhënieve, tjetërsohej e ndryshonte i tëri!

Në publik dhe sidomos para efektivave të ushtrisë, ishte i ashpër e i prerë, i rreptë e autoritar, ndërsa para Enver Hoxhës, bëhej papritur i urtë e i dëgjueshëm si një nxënës i zellshëm, sepse, me sa duket, e dinte nga përvoja, që Enver Hoxha të sakrifikonte e të flakte tej si një leckë, po të mos ishe i tillë në çdo çast dhe po të mos ia bëje qejfin, vend e pa vend, me lavde e ditirambe. Dhe këtë, Mehmeti e bënte më mirë se askush tjetër, duke mos humbur asnjë rast, për të shfaqur besnikërinë e tij ndaj Enver Hoxhës.

Ja se çfarë thotë për këtë gjeneral Muhamet Prodani, që dikur ishte shumë i afërt me Mehmet Shehun:

“… Pikërisht këtë gjë nuk ia fal kurrë Mehmet Shehut. Kur s’qe i zoti t’ia dilte mbanë, përse i hyri asaj ndërmarrjeje aq të rrezikshme…?! Akoma më tej, përderisa i hyri, përse nuk i qëndroi ambicies së vet për pushtet, deri në fund, përse nuk i doli rrezikut ballas, duke sakrifikuar diçka nga vetja, që të mos sakrifikoheshin aq lehtë e mizorisht, të gjithë shokët dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt në ushtri?!

Akoma më tej: Ç’ishte gjithë ai pasion i tij, deri në kufijtë e marrëzisë, për të gjetur sa më shumë fakte e prova fajësie kundër nesh, për ta zgjeruar sa më shumë rrethin e “komplotistëve”…?! Mos donte vallë t’i mbushte mendjen vetvetes, mos kërkonte të ngushëllohej e të vetë-sugjestionohej, se ishte në rrugë të drejtë dhe se nuk po bënte asnjë mëkat kundër nesh, duke i larë duart si Pilati…?!

I thosha shpesh ato ditë, kur mbeteshim vetëm: “Ç’po bëni kështu, po e shkatërroni fare ushtrinë…?! Ç’faj kanë bërë shokët, që po i godisni kaq egër…”?! ‘Pusho, më thoshte, mbylle gojën, se do ta hash edhe ti! Nuk e kupton që s’kam ç’të bëj…”?!

Është fakt që Enveri, ia pranonte me shumë qejf Mehmetit lëvdatat e tij të pafre dhe e thoshte shpesh hapur, se ai ishte bashkëpunëtori i tij më i ngushtë. Por, është po kaq e vërtetë, se ai asnjëherë nuk kishte pasur besim tek Mehmet Shehu (Se mos vetëm tek Mehmeti! Tek asnjë nuk kishte besim Enver Hoxha, as hijes e lëkurës së vet nuk i besonte ai njeri…) dhe këtë e provuan më së miri ngjarjet e vitit 1982. Enveri, që dyshonte për çdo gjë dhe për këdo, e kishte pasur që atëherë në shenjë edhe Mehmetin, për llogari të vjetra dhe të reja, pasi mendonte se edhe ai i rrezikonte seriozisht pushtetin.

Mehmet Shehu, që nga periudha e LANÇL (1939) e deri në vitin 1974, e kishte vlerësuar “Heroin e Popullit” Petrit Dume, si një nga gjeneralët më të shquar të Luftës dhe të ndërtimit e forcimit të Forcave tona të Armatosura, si një strateg të shquar ushtarak, si gjeneralin njëkohësisht edhe ushtar, që drejtoi Shtabin e Përgjithshëm, në periudha të vështira për një çerek shekulli, si një gjeneral shumë të aftë, që punët i kishte drejtuar me kompetencë dhe përkushtim të madh.

Disa herë, Mehmeti e kishte vlerësuar Petritin edhe si njohës të shquar të doktrinës ushtarake, që, përveç përvojës luftarake të fituar gjatë LANÇL dhe ndërtimit e forcimit të Ushtrisë sonë Popullore në dhjetëvjeçarët e periudhës së pasçlirimit, kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera edhe dy akademi të larta ushtarake në ish – Bashkimin Sovjetik. Këto e vlerësime të tjera të larta të gjeneral Mehmet Shehut, për Petrit Dumen, i dinim mirë jo vetëm ne, gjeneralët e ushtrisë të asaj periudhe, por e gjithë ushtria jonë.

Por edhe një udhëheqës i shquar, me dije të gjëra në të gjitha fushat, sidomos në ato ushtarake, me aftësi të rralla organizative për zbatimin e detyrave, si Mehmet Shehu, megjithatë, bëhet i vogël në gjykime e vlerësime, kur shikon se po i rrezikohet posti i kryeministrit.

Kështu, në vitin 1974, pas kthesës prej 180-gradësh, vetë Mehmet Shehu, e akuzoi edhe Petrit Dumen, hapët në mbledhjen e Plenumit të VI-të të Komitetit Qendror të PPSh-së si “puçist recidivist” dhe miratoi vendimin edhe për pushkatimin e tij, ndërsa në mbledhjen e kuadrove kryesore të Ushtrisë, në dhjetor të vitit 1974, ai nuk mungoi të bënte edhe autokritikë, që “…nuk e paskësh njohur Petrit Dumen…”, se “…në fakt, ai nuk paska vlejtur as edhe sa një komandant çete…” dhe se “veprimtaria e tij e gjatë në ushtri, kanë qenë vetëm sorollatjet pa bukë, në njësitë e saj…”! etj.

Mehmet Shehu kishte qenë për një kohë edhe ministër i Brendshëm dhe ai, e dinte shumë mirë se Enver Hoxha, merrte informacione nga burime të ndryshme edhe për të. Ai ishte i ndërgjegjshëm, se deklaratat e tij gjatë analizave të veprimtarisë të të ashtuquajturit “grup puçist” në ushtri; “Nuk do t’i japim asnjë kuadër tjetër Beqir Ballukut, edhe pas gjithë kësaj veprimtarie armiqësore të tij”, ishin hapa false e, të gabuara për momentin, ndaj nisi të bënte të pamundurën, për t’ia mbajtur ison me përulësi Enverit, në çdo hap të masakrës së tij, mbi kuadrot kryesore të ushtrisë dhe mbi vetë ushtrinë.

Natyrisht, Enver Hoxha bëri të kundërtën e asaj që thoshte Mehmeti, në deklaratat e tij. Ai vuri në listë për goditje edhe gjeneralët; Arif Hasko, Vehbi Hoxha, Muhamet Prodani, Abas Fejzo, Todi Naço, Sulo Kozeli, etj., pasi i dinte mirë lidhjet dhe, siç mendonte ai, edhe devocionin e veçantë të tyre, për Mehmet Shehun, lidhje të krijuara qysh nga periudha e luftës me të, në Brigadën e Parë partizane. Për këtë arsye, Enveri nuk mund t’i linte pa i dënuar në vitin 1974, edhe këta gjeneralë dhe, bashkë me ta, edhe vetë Mehmetin, në vitet 1982 dhe 1983.

Enver Hoxha, e dinte mirë edhe bashkëpunimin e Mehmet Shehut me Petrit Dumen, në drejtimin e punëve të ushtrisë. Ai e dinte se ata puqeshin me njëri-tjetrin, jo vetëm në koncepte, por edhe me metodat, se si duhej të zbatoheshin ato në ushtri. Për këto arsye, replikat mes Mehmetit dhe Petritit, në mbledhjen e plenumit, siç u vërtetua edhe më vonë, nuk ja mbushnin mendjen për besnikëri të Mehmetit ndaj tij dhe kështu, më vonë, ai i etiketoi ato, si një “fasadë” para plenumit, për të fshehur marrëdhëniet ndërmjet tyre. Enveri e shfrytëzoi mirë në fillim Mehmet Shehun, si mbështetës të tij, për të na dënuar neve më 1974, por pastaj, nuk do ta kursente as vetë atë.

Është e qartë se fundi i tij, ishte i paracaktuar që në vitin 1974, veçse kësaj radhe diktatori u tregua pak më “zemërgjerë”! Nuk e gjykoi në popull e në ushtri, siç bëri me ne, nuk e arrestoi dhe nuk e futi në burg, por e detyroi të vriste veten ose e vrau (unë besoj për variantin e parë), në dhjetor të vitit 1982. E njoh mirë kaligrafinë e Mehmet Shehut (pra edhe të letrës që ai kishte lënë pas vdekjes) dhe, nga sa e kam njohur në dhjetëra vite pune të përbashkët, as “nën kërcënimin prapa kokës të kobures”, ai nuk do të pranonte kurrë ta shkruante atë letër pa dëshirën e tij tragjike.

Me siguri, Enver Hoxha, e dinte edhe pikëpamjen e Mehmetit, që dënimet lidhur me të ashtuquajturin “puç”, duhet të kufizoheshin vetëm tek Beqiri, ashtu siç ky i fundit, kishte kërkuar jo drejtpërdrejt edhe në mbledhjen e aktivit në dhjetor 1974, në Durrës: “Edhe në punimet e këtij aktivi, u ndie vetëm zëri i një zileje të vetme…” dhe “Ne nuk do lejojmë tani asnjë njeri, që Beqir Balluku ta marrë me vete…”! Po kështu, të gjithë bashkëpunëtorët e Beqirit, në punimin e materialit teorik, po në këtë mbledhje, Mehmeti i cilësoi si; “fajtorë pa faj”, gjë që do të thoshte se shpata e Demokleut, nuk duhej të godiste edhe mbi ta.

Këto mendime, qoftë të hapura, qoftë edhe të fshehta e të maskuara të Mehmet Shehut, sipas vlerësimit tim, binin në kundërshtim me mendimet e Enver Hoxhës, i cili, qysh në korrik të vitit 1974, sapo doli ky problem, kishte konkluduar: “Në ushtri, kemi të bëjmë me një puç armiqësor dhe protagonistët e tij, duhet t’i fshijmë me fshesë të hekurt…”! fshesë të cilën, në të gjithë veprimtarinë e tij, Enveri e mbante “kurdoherë të gatshme prapa derës të zyrës dhe të shtëpisë së tij”. Shprehjen “fshesë e hekurt”, Enveri e kishte huazuar nga perandori i Prusisë dhe Gjermanisë, Frederiku i Madh, i cili, shekuj më par, e përdorte kur kërcënonte kundërshtarët e tij.

Nuk është e rastit që, më shumë se gjysma e kuadrove të larta të ushtrisë, pjesëmarrës në takimin e dhjetorit 1974, në aktivin e Durrësit, me urdhrin dhe vendimin e drejtpërdrejtë të Enverit, u dënuan me burgime, çmobilizime, ulje në detyrë, etj. Për këto arsye dhe të tjera si këto, Enver Hoxha, nuk mund të linte pa likuiduar edhe vetë Mehmet Shehun, pavarësisht nga betimet që, siç thashë më sipër, Mehmeti bënte, si më parë edhe në atë kohë, për besnikëri ndaj tij.

Në mbledhjen e plenumit të VI-të, të 16 dhjetorit 1974, në një atmosferë urrejtjeje ndaj nesh, pjesëmarrësve të të ashtuquajturit “grup puçist” në ushtri, pas debatit të Mehmet Shehut me Petrit Dumen, i vazhduan në këtë frymë diskutimet edhe lakenjtë e tjerë të zellshëm të diktatorit, sidomos G.Ç., I.S., M.B. dhe D.A., ish – punonjës të aparatit të Komitetit Qendror dhe, siç u pa qartë, edhe diskutimet e tyre dhe të të tjerëve në atë mbledhje – farsë, ishin të paracaktuara dhe të dirigjuara me kohë. Këto diskutime e ndezën më shumë situatën. Qëllimi ishte i qartë: me çfarëdolloj mjeti dhe në çdo mënyrë, duhej të na nxirrnin ne si grup armiqësor, me organizim dhe platformë “puçiste”.

Në atë mbledhje, me interesim të madh u prit shpifja e paskrupullt e ish-zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, R.K., i njohur ky në shumë gjyqe, sidomos në atë të Teme Sejkos, për falsifikime. Në diskutimin e tij, R. K. duke na u drejtuar me gisht, tha: “Këta armiq të partisë dhe të shtetit, në një bisedë intime me njëri – tjetrin, kanë thënë: Sa keq që na u zbulua kjo punë, para muajit gusht 1974, pasi më 16 gusht, do të pushtonim Radio-Tiranën, do të merrnim edhe masa të tjera për të izoluar udhëheqjen, pastaj do të merrnim fuqinë…”! Për këtë atyre, do t’iu vinin në ndihmë, – sipas tij – edhe 20,000 parashutistë sovjetikë. Këto të dhëna, – i tha R.K. plenumit, – janë marrë, nga një ambasadë e huaj këtu në Tiranë”.

Ja edhe disa nga moria e shumtë e pyetjeve dhe akuzave të tjera për ne, “puçistët”, ish – anëtarë të Komitetit Qendror, të bëra nga disa prej shërbëtorëve më të zellshëm e servilë të Enver Hoxhës, të parapërgatitura për këtë qëllim, për të vërtetuar se ne ishim armiq dhe vetëm armiq:

A.Ç. në diskutimin e tij në këtë mbledhje, na u drejtua me pyetjen: “A mund të na i a tregoni lidhjet tuaja, me armiqtë e jashtëm”?!

“Një oficer i garnizonit të Vlorës, në vitin 1972, – tha G.N. në diskutimin e tij, – i ka raportuar Drejtorisë Politike të Ushtrisë, se disa oficerë madhorë të ushtrisë, po përgatisnin një grusht shteti, por kjo çështje është mbyllur nga Hito Çako”.

“Nga një organizatë – bazë partie në Shkodër, – tha P.M., – kam marrë të dhëna se Sadik Bekteshi, ka mbajtur lidhje me familje të dyshimta në Mal të Zi”.

“Petrit Dume, vinte shpesh në Kolonjë, – tha J.P. – dhe aty punonte për të përçarë e ndarë popullin në myslimanë dhe të krishterë”. “E shoqja e Petritit, mbante lidhje me të vëllain në Lushnje, që është armik dhe i dërgonte në shtëpinë e tij edhe byrekë”, tha J.P. Kështu në këtë mbledhje plenumi, veç çështjeve të ashtuquajtura armiqësore e të mëdha të mbrojtjes, nuk munguan të përmendeshin edhe “byreqet”; “Me kë i keni mbajtur lidhjet tuaja armiqësore, brenda dhe jashtë vendit”? pyeti M.P.

“Cili është plani i bashkëpunimit që do të vinit në zbatim”? pyeti Rr.D., duke përsëritur ndaj nesh edhe kërkesën: “Ne kërkojmë që ju, të na zbuloni tradhtinë. Si i kini pasur dhe si i kini mbajtur këto lidhje”. Pastaj po ky (Rr.D.), na u drejtua drejtpërdrejt neve, edhe me fjalë “dramatike”: “Të gjithë marksistë-leninistët dhe njerëzit e ndershëm kudo në botë, kanë besim tek shoku Enver. Na thoni tani, ju, puçistët, tek kush kini pasur dhe kini besim…”?!

H.I.: “Të gjithë ju puçistët, jeni përqafuar qafë më qafë me armikun e klasës”; “Në një organizatë të partisë në Lushnje, ka dalë që Sadik Bekteshi, ka mbajtur lidhje me ambasadën rumune këtu në Tiranë, duke marrë që andej edhe revista, libra etj.”, tha në diskutimin e tij Rr.Gj.;

“Çfarë bisede ke bërë ti, Sadik Bekteshi, me Jepishevin, shefin e Drejtorisë Politike të Ushtrisë Sovjetike”? pyeti N.C. (takim ky, që ishte zhvilluar qysh në vitin 1958, H.R.), etj.

Ndërkohë, nga “maja” e tribunës së mbledhjes, që dukej sikur ishte edhe më e lartë se vetë maja e Olimpit, për të krijuar aty psikozën, se ne ishim vetëm armiq, Enver Hoxha, “i nxehur”, me gishtin përpjetë dhe me zë të lartë, na drejtohej neve: “I lini ato diskutime që kini përgatitur me shkrim, se i dimë…! Dëgjoni çfarë kërkojnë këtu shokët. Ku është komploti, si e kini organizuar ju atë, dhe vetëm në këtë drejtim duhet të flisni…”!

Pas të gjitha atyre akuzave, Petrit Dumja tha: “Unë nuk kam asnjë lidhje armiqësore, as me jashtë e as me brenda. As që me ka shkuar kurrë në mendje të bëj një punë të tillë armiqësore. Gjatë gjithë jetës sime, kam punuar në ushtri, duke ditur dhe menduar gjithmonë se kam venë të gjitha forcat dhe aftësitë e mia për t’i shërbyer sa më mirë atdheut dhe popullit”. Pastaj Petriti kërkoi që t’i jepnin kohë për t’u përgatitur për pyetjet e shumta që ju bënë, por kjo u refuzua edhe nga vetë Enver Hoxha. /Memorie.al

Jo vetëm nga lufta/ Paralajmëron OKB: Gjysma e popullsisë së Gazës po vdes nga uria

Përveç luftës, ku regjistrohen çdo ditë jetë të humbura, Gaza po përballet edhe me krizë të rëndë humanitare. Një zyrtar i lartë i ndihmës së OKB-së ka paralajmëruar se gjysma e popullsisë së Gazës po vdes nga uria.

Carl Skau, zëvendësdrejtor i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së deklaroi se vetëm një pjesë e furnizimeve të nevojshme kanë mundur të hyjnë në Rrip – dhe nëntë nga 10 persona nuk mund të hanë çdo ditë. Kushtet në Gaza i kanë bërë dërgesat “pothuajse të pamundura”, tha Skau.

Aksidenti me tre viktima në Itali, zbardhet autopsia: Të rinjtë u mbytën në lumë…

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti me vdekje që ndodhi në Itali, ku humbën jetën tre të rinj.

Viktimë mbetën Altin Hoti, Giulia di Tillio dhe Egli Gjeci. Së fundmi mediat italiane shkruajnë se është zbardhur dhe autopsia, nga e cila ka rezultuar se nuk ka qenë trauma e shkaktuar nga aksidenti shkak për vdekjen e tyre, por mbytja në lumë.

Hetuesit kanë arritur në përfundimin se makina BMW, në të cilën udhëtonin tre të rinjtë, kapërceu një portë, kaloi një pronë private dhe përfundoi në lumë duke u fundosur nën sipërfaqen e ujit.

Përpara se shoferi, Hoti, të humbiste kontrollin, ndoshta edhe për shkak të rrugës së lagësht ose të akullt, dhe të çante gardhin dhe të përfundonte në lumë, asnjë nga të tre nuk kishte vdekur. Mjeku Antonello Cirnelli, përgjegjës për autopsinë tha se vdekja ka ndodhur për shkak të ujit me baltës brenda pak sekondash.

Por hetimet janë ende në vazhdim, për të zbuluar nëse drejtuesi ishte nën ndikimin e alkoolit apo drogës dhe do të duhen rezultatet e analizave toksikologjike. Ndërkohë hetuesit po shqyrtojnë videot nga kamerat e vëzhgimit për të kuptuar nëse makina po udhëtonte me shpejtësi të madhe.

BIRN: Si u vunë zyrtarët publikë në shërbim të aferës koncesionare

Në fund të vitit 2014, një specialist i sapodalë në pension i menaxhimit të mbetjeve merr një ofertë për t’u bërë këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit. Por në të njëjtën kohë, ish- sekretari i Përgjithshëm, Alqi Bllako e çon të punojë për llogari të kompanisë “Integrated Technology Services” me aksioner Klodian Zoton.

Vladimir Bezhani ka dëshmuar në Prokurori se meqë pozicioni i tij si këshilltar i ministrit nuk paguhej, Bllako i kishte thënë se për të marrë pagën do ta punësonte te kompania e Zotos.

Investimi u kthye shpejt mbrapsht dhe në procedurat e koncesionit të inceneratorit të Tiranës, Bezhani luajti një rol të rëndësishëm për ta furnizuar kompaninë e Zotos me të dhëna mbi sasinë e mbetjeve që prodhonte Bashkia e Tiranës si dhe studime të mëparshme të kryera për menaxhimin e mbetjeve në kryeqytet.

Kjo do të ishte vetëm “maja e ajsbergut” në shkrirjen e funksionit publik me interesat private në aferën e inceneratorit të Tiranës – ku një sërë zyrtarësh të qeverisë qendrore dhe asaj lokale dyshohet se u vunë në dispozicion të projektit koncesionar të përfaqësuar nga dy biznesmenët në arrati, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Gjashtë vjet pas miratimit të kontratës, gropa financiare është e stërmadhe me gati 100 milionë euro të shpenzuara përmes buxhetit të shtetit, tarifës së depozitimit të mbetjeve dhe tarifës së operatorëve privatë për depozitimin e dherave, ndërkohë që inceneratori i premtuar nuk u ndërtua asnjëherë.

Pavarësisht dëmeve, akuzat u kufizuan te shpërdorimi i detyrës për ish-ministrin Lefter Koka dhe 11 zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Bashkisë së Tiranës, Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, ATRAKO.

Ish-deputeti Alqi Bllako akuzohet për korrupsion, ndërsa Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto për veprat penale të mashtrimit me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për aferën e inceneratorit të Tiranës zgjatën tre vjet dhe identifikuan shtatë shkelje të mëdha ligjore në procedurat e dhënies së bonusit nga Këshilli i Ministrave, përgatitja e dokumenteve të koncesionit, studimi i fizibilitetit me të dhëna fiktive e deri te fshehja e pronësisë përmes një kompanie guackë në Holandë dhe paraqitja e të dhënave të rreme në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Ndërkohë, përfaqësues të opozitës e akuzuan Prokurorinë se kishte amnistuar nga hetimi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryeministrin Edi Rama.

“Ashtu siç e kisha paralajmëruar, ndodhi amnistria e vjedhjes së shekullit, akti më kriminal në historinë e drejtësisë shqiptare,” deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një konference për shtyp.

Shkeljet ligjore

BIRN: Si u vunë zyrtarët publikë në shërbim të

Kryeministri Edi Rama, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe zyrtarë të tjerë të PS në inaugurimin e impiantit të Elbasanit. Foto: Facebook.
Në njoftimin e shpërndarë nga Prokuroria e Posaçme, shkelja e parë e identifikuar është dhënie e një bonusi prej 8 pikësh nga Këshilli i Ministrave për propozimin e pakërkuar të kompanisë “Integrated Energy” B.V e regjistruar në Holandë.

Sipas SPAK, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, i përbërë nga shtetasit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, sekretarin e përgjithshëm, Alqi Bllako, drejtoreshën juridike Alba Thoma dhe përgjegjësin e prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, Bledar Karoli, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin duke propozuar dhënien e bonusit, pa hartuar një raport përmbledhës.

“…kur është bërë propozimi për dhënien e bonusit, komisioni i dhënies së koncesionit ende nuk kishte sqaruar kostot e projektit,” thuhet në njoftim.

Zyrtarët e tre institucioneve në komision akuzohen se u kanë dhënë ndihmë biznesmenëve kontroversë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri që të siguronin këtë koncesion.

Nga hetimi ka rezultuar se shoqëria propozuese “Integrated Energy BV”, në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k në pronësi të shtetasit Klodian Zoto, ka qenë në dijeni të rrethanave konkuruese që përpara se të shpallej procedura e dhënies së koncesionit.

Prokuroria vëren se kjo ka ndodhur falë ndihmës së dhënë nga vetë ish-ministri Mjedisit, Lefter Koka dhe vartësit e tij, Alqi Bllako, Alba Thoma e Bledar Karoli, si dhe nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit. Shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” është pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.

Ndërkohë, dokumentet standarte të koncesionit nuk rezultojnë të jenë hartuar dhe miratuar nga anëtarët e komisionit, por nga vetë kompania e Zotos.

“Rezulton se Dokumentet Standarte të Procedurës së Koncesionit janë hartuar nga punonjësit e shtetasit Klodian Zoto…, i cili ua ka dërguar më pas punonjësve të Ministrisë së Mjedisit, shtetasve Alba Thoma dhe Bledar Karoli,” deklaroi SPAK.

Ish-ministri Koka akuzohet se ka miratuar vazhdimin e procedurës së dhënies së koncesionit, pa patur dokumentacion shoqërues të hartimit të dokumenteve standarte të koncesionit nga ana e komisionit.

Anëtarët e komisionit akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin edhe në lidhje me studimin e fizibilitetit, duke i marrë kostot nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre.

Nga hetimi janë gjetur të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga njësisë e qeverisjeve vendore, në 29 Euro për ton. Po ashtu, komisioni nuk ka marrë në konsideratë të gjitha të ardhurat reale që do të përfitonte shoqëria koncesionare.

Komisioni i dhënies së koncesionit nuk ka bërë përfshirjen e të ardhurave që do të përfitonte shoqëria koncesionare nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.

“Këto të ardhura, të cilat nuk janë përfshirë, ndikojnë negativisht në buxhetin e shtetit, pasi nëse do të ishin përllogaritur, atëherë vlera e tarifës që do të duhej të paguanin Njësitë e Qeverisjes Vendore, do të ishte më e ulët,” deklaroi SPAK.

Fshehja e pronësisë

BIRN: Si u vunë zyrtarët publikë në shërbim të

Një punonjës policie duke hapur derën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Foto: LSA
SPAK thotë se ka vërtetuar që Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV”, pavarësisht se janë përpjekur ta fshehin pronësinë përmes kompanisë së regjistruar në Holandë dhe deklarimit të aksionerëve fiktivë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Nga hetimi kanë rezultuar prova se Zoto dhe Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare, ndonëse ishin ata personat vendimarrës të kompanisë në Tiranë dhe kompanisë mëmë në Holandë, e regjistruar fillimisht si “Integrated Energy B.V” dhe më pas e ndryshoi emrin në “GeoGenix BV”.

SPAK ka dokumentuar gjithashtu se Zoto dhe Mërtiri kanë përfituar përmes faturave të falsifikuara shumën prej 409 milionë lekësh -çka ka sjellë edhe akuzën e pastrimit të parave.

Ata akuzohen gjithashtu se kanë përgatitur preventiva të falsifikuara, duke fryrë treguesit në kostot e ndërtimit, të përfshira dhe në studimin e fizibilitetit të paraqitur nga ana e tyre.

Në këtë aferë rezulton të jenë përfshirë edhe punonjës të Qendrës Kombëtare të Biznesit, të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, shtetasit Jetmir Llapaj dhe Silena Tola. Ata akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin “Për regjistrin e pronarëve përfitues” duke pranuar deklarimin e pronarëve fundorë, pa kërkuar asnjë dokument justifikues që provonte ndryshimin e aksionerëve.

Përveç Zotos, zyrtari i vetëm i akuzuar për korrupsion në këtë çështje është ish-deputeti socialist, Alqi Bllako.

Bllako akuzohet se në mënyrë indirekte, ka përfituar në mënyrë të parregullt një pajisje për biznesin e prodhimit të birrës së të atit me vlerë 119, 755 Euro. Kjo pajisje rezulton të jetë blerë pas kërkesës së bërë nga vetë Bllako, me porosi të Zotos, bërë nëpërmjet shoqërisë së bashkëshortes së tij, Ilza Zoto,“Artemis Farm” sh.p.k. Po ashtu, Bllako akuzohet se i ka propozuar Zotos punësimin fiktivisht në shoqërinë e këtij të fundit të Vladimir Bezhanit gjatë kohës që ky i fundit ishte këshilltar i jashtëm i Ministrit të Mjedisit./ BIRN

Njëri prej të arrestuarve për inceneratorin e Tiranës, familjar i bashkëshortes së kryebashkiakut Veliaj

Namik Simixhiu është njëri prej katër të arrestuarve pasi SPAK lëshoi dje 15 urdhra arresti për inceneratorin e Tiranës. Simixhiu është vënë në pranga së bashku me Bledar Karolin, Jetmir Llapaj dhe Taulant Tushën, ky i fundit krahu i djathë i kryebashkiakut të Tiranës.

Mes 15 personave për të cilët SPAK lëshoi urdhër arresti është edhe Alba Thoma, ish-Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit e cila cilësohet dhe si “truri” i inceneratorëve.

Në mënyrë të veçantë mes 4 të arrestuarve spikat Namik Simixhiu, i cili rezulton se ka lidhje shumë të ngushta me familjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Ai vjen nga rrethi familjar i bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa.

Raportohet se Namik Simixhiu është kushëriri i parë i vjehrrës së kryebashkiakut Erion Veliaj.

Njëkohësisht, Simixhiu është një nga drejtorët e Bashkisë së Tiranës dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në inceneratorin e Tiranës.

Ai rezulton dhe anëtar i bordit të Entit Rregullator të Ujit.

Përvecse njëri i afërt i bashkëshortes, Simixhiu ka qenë edhe vartës direkt i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ai ka mbajtur detyrën e drejtorit të mbetjeve, një post që e implikon direkt në aferën e inceneratorit të Tiranës.

Kjo e fundit, e cila i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 100 milionë eurosh, është nën hetim prej gushtit të 2020-s.

Ndërtimi i inceneratorit mori miratimin e Veliajt më 27 mars 2017, kur ai u shpreh “dakord në parim” për procedurën koncesionare.

Pa marrë më parë mendimin e Këshillit Bashkiak, Veliaj dha miratimin për një projekt që do t’u kushtojë taksapaguesve të Tiranës rreth 430 milionë euro për 30 vjet.

Megjithatë, vetë Veliaj është jashtë listës së personave të vendosur nën masë sigurie në procedimin penal të inceneratorit të Tiranës.

Në gusht të këtij viti, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK firmosi vënien nën sekuestro të inceneratorit të Tiranës. Hetimet kanë nisur në kuadër të procedimit penal për veprat penale të “Mashtrim me pasoja të rënda” në bashkëpunim, “Shpërdorim i detyrës”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Google prezanton inteligjencën artificiale më të fuqishme, Gemini

Çuditërisht, Google zbuloi ”Gemini”, një model i ri i inteligjencës artificiale.

Njoftimi ishte në ”ajër” edhe pse burime të ndryshme amerikane folën për një shtyrje për në vitin 2024 për shkak të problemeve të zhvillimit.

“Gemini është modeli më i aftë dhe më i fuqishëm i inteligjencës artificiale që kemi ndërtuar ndonjëherë. Ai është projektuar që nga themeli për të qenë multimodal dhe i optimizuar për tre madhësi të ndryshme: Ultra, Pro dhe Nano,” shpjegoi Sundar Pichai, CEO i Google dhe Alphabet në një. deklarata zyrtare.

Në praktikë, AI mund të kuptojë dhe prodhojë përmbajtje tekstuale, fotografike, video dhe audio, si dhe të zhvillojë vetë kodin kompjuterik.

“Sot është një moment historik i rëndësishëm për zhvillimin e AI dhe fillimi i një epoke të re,” vazhdon Pichai.

Versioni i parë i Gemini u krijua për të punuar në pajisje të ndryshme, nga telefonat inteligjentë te qendrat e të dhënave.

Për këtë, Google ka dalluar tre nivele të ndryshme. E para, Ultra është e dedikuar për detyra komplekse. Gemini Pro mund të aplikohet për detyra të përmasave të mesme ndërsa Nano do të punojë në pajisje të vetme.

Ai do të jetë i disponueshëm në anglisht në më shumë se 170 vende dhe territore, me plane për të shtuar gjuhë të tjera në muajt e ardhshëm.

Hollywood feston shekullin e parë të krijimit me një pamje të re

Me një pamje të re tashmë, HOLLYWOOD feston shekullin e parë të krijimit. Në fakt, mbushen 100 vjet që kur shenja ikonë u shfaq për herë të parë e ndriçuar nga 3 700 llamba në kodrën Griffith Park me pamje nga qyteti i kinemasë.

Kjo fjalë, në funksion të përvjetorit, u pastrua dhe u restaurua.

Operacioni i kompanisë ”Sherwin-Williams” u ndoq minutë pas minutë për javë të tëra në faqen e internetit Hollywoodsign.org përmes një videokamere që ishte aktive 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.

”Shenja është krenaria e Los Anxhelesit dhe ne jemi të lumtur që fansat në mbarë botën do të mund të shohin pamjen e re për ditëlindjen e 100-të”, tha Jeff Zarrinnam, president i ”Hollywood Sign Trust”.

Germat kanë dominuar kodrën që nga fundi i vitit 1923, megjithëse fillimisht shkrimi lexonte Hollywoodland, në një referencë jo për industrinë e ëndrrave, por për atë që ishte atëherë motori ekonomik i Kalifornisë Jugore, ndërtimi i shtëpive të reja.

Në fakt, ishte Harry Chandler, një sipërmarrës i pasurive të paluajtshme që zotëronte gjithashtu ”Los Angeles Times”, i cili i ngriti ato në pamje të qartë për të reklamuar tokën e ndërtimit që zotëronte poshtë.

Hera e fundit që germat u restauruan ishte 10 vjet para kontaktit përfundimtar, me rastin e 90-vjetorit të tyre.

Shkrimi, i cili kushtoi 21 000 dollarë, fillimisht ishte menduar të qëndronte në këmbë vetëm për 18 muaj, por jo.

Në vitin 1978 germat u çmontuan dhe u rindërtuan plotësisht.

Të vjetrat përfunduan në duart e Hugh Hefner, i cili atë vit i nxori në ankand për bamirësi për rreth 35 000 dollarë secila.

Kishin mbetur nëntë pasi Hollywoodland ishte shkurtuar në Hollywood, që në vitin 1949.

Miratohet ”sa-mRna”, vaksina e parë vetëpërforcuese

Japonia po udhëheq rrugën për miratimin e një gjenerate të re vaksinash me një mekanizëm krejtësisht të ri veprimi, i cili mund të bëhet një armë kundër shumë sëmundjeve, përfshirë tumoret, dhe që kërkon doza më të ulëta, pra me më pak efekte anësore.

E veçanta e vaksinave të reja është aftësia e tyre për t’u vetëpërsëritur dhe për këtë arsye ato tregohen me akronimin ”sa-mRna”, nga anglishtja ”self-amplifying mRna”.

”Shtrirja e tyre është revolucionare”, vëren revista ”Nature” në faqen e saj të internetit.

Të studiuara prej rreth 20 vitesh, teknologjia mbi të cilën ato bazohen tashmë ka arritur në një fazë pjekurie, e cila në një kohë të shkurtër ka çuar në dhjetëra eksperimente të vazhdueshme.

Është një hap i ri përpara në evolucionin e vaksinave, i cili vjen menjëherë pas vaksinave të ARN-së, të cilat ishin vendimtare në luftën kundër pandemisë Covid-19.

Të dyja bazohen në molekulën e ARN-së, krahu i djathtë i ADN-së që transferon informacionin që përmban gjenomi në strukturat e qelizave përgjegjëse për prodhimin e proteinave.

”Megjithatë, do të ishte gabim t’i konsideronim të afërme për shkak të mekanizmit të tyre të veçantë të veprimit, vaksinat sa-mRna janë thellësisht të ndryshme nga ato mRna”, vëzhgon Anna Blakney, një bioinxhiniere në Universitetin Kanadez të ”British Columbia”.

Dallimi themelor është në mekanizmin e funksionimit, pasi vaksinat mRna shfrytëzojnë strukturat që gjenden në qeliza, duke u dhënë atyre informacionin e nevojshëm për të prodhuar antitrupa specifikë kundër një virusi të caktuar, ndësra vaksinat sa-mRNA nuk e përfundojnë këtë hap, sepse ato kanë gjene që i lejojnë ato të vetëpërsëriten, domethënë të prodhojnë drejtpërdrejt antitrupa në qeliza në mënyrë autonome dhe në sasi më të mëdha.

Në Japoni, përdorimi i vaksinës së parë të këtij lloji, i treguar me akronimin Arct-154, u miratua si një përforcues kundër Covid-19 tek të rriturit, bazuar në rezultatet e disa provave klinike.

Zëri i Amerikës: Inceneratori i Tiranës, hetimet zbulojnë shkeljet dhe lidhjet me biznesmenët e përfshirë

Në Shqipëri, hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës, të cilat çuan në lëshimin e 15 urdhërave të arrestit, kanë zbuluar një seri parregullsishë në procedurat e ndjekura për t’i dhënë koncencionin kompanisë fituese.

Përveç shkeljeve ligjore, thuajse e gjithë praktika është realizuar në bashkëpunim me dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përfituesit e koncensionit.

Ngjashëm me rastet e Elbasanit dhe Fierit, edhe për inceneratorin e Tiranës, siç rezulton nga hetimet, makineria shtetërore ka qenë gati e tëra, në shërbim të biznesmenëve Zoto dhe Mërtiri.

Aktet e Prokurorisë dëshmojnë se ishin ata që kanë kontrolluar të gjithë procesin nga fillimi deri në fund, ndërsa funksionarët shtetërorë të përfshirë, kujdeseshin të mbyllnin procedurat pa vonesë, sipas interesave të dy sipërmarrësve.

Në njoftimin zyrtar vihet në dukje se “shoqëria propozuese “Integrated Energy BV”, në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k në pronësi të Zotos, ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese që përpara se të shpallej procedura e dhënies së koncesionit”.

Po ashtu kjo shoqëri, “është pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare,me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie”.

Edhe dokumentat e koncensionit , rezultojnë “të jenë hartuar nga punonjësit e Zotos, i cili ua ka dërguar më pas punonjësve të Ministrisë së Mjedisit. Ndërsa përllogaritjet e kostove në studimin e fizibilitetit, janë marrë – sipas Prokurorisë së Posaçme – nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre”. Gjë e cila ka sjellë në një fryrje të kostove që sot janë të detyruara të paguajnë bashkitë e Qarkut Tiranë.

Lidhja e sipërmarrësve me ish drejtuesit e ministrisë së Mjedisit, ministrin Lefter Koka dhe sekretarin e përgjithshëm në atë kohë, Alqi Bllako, duket të ketë qenë aq e fortë, sa këta të fundit, nuk janë shqetësuar as për faktin se kompania “Integreted Energy BV”, me seli në Hollandë, nuk ishte rregjistruar si subjekt në Qendrën Kombëtare të Biznesit, siç e kërkon ligji.

Ndonëse ky fakt i është vënë në dukje Ministrisë së Mjedisit nga ministrja e atërhershme e Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, më 15 nëntor 2016, procedurat kanë vijuar, pavarësisht se janë shprehur vërejtje dhe nga ministria e Financave e ajo e Drejtësisë. Dhe gati tre javë më pas më 7 dhjetor 2016, qeveria ka miratuar dhënien e bonusit prej 8 përqind, një kompanie të parregjistruar. Për më tepër që sipas akteve të Prokurorisë, kontrata finale rezulton e lidhur jo me “Integrated Energy BV”, por me “Integrated Energy BV SPV”, e rregjistruar ditën e nënshkrimit të kontratës, më 31 gusht 2017.

Nga hetimi rezulton gjithashtu se për disa vite me radhë, ish ministri Koka ka patur si këshilltar të jashtëm, një ish punonjësin e tij, i cili nuk paguhej nga ministria, por që me ndërhyrjen e zotit Bllako, rezultonte i punësuar fiktivisht në kompaninë e Zotos, ku dhe merrte pagesat mujore. Sipas prokurorisë, ky këshilltar “ka shërbyer si “urë lidhëse” për të siguruar nga autoritetet, dokumentacionin e kërkuar në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit, me qëllim vënien më pas të këtij dokumentacioni në dispozicion të Zotos, që ky i fundit të plotësonte aktet e nevojshme dhe që shoqëria“Integrated Energy BV”, të shpallej fituese”.

Zoti Bllako për me tepër rezulton të ketë përfituar afro 120 mijë euro, në formën e një makinerie, të blerë për llogari të kompanisë së babait të tij, nga ana e sipërmarrësit Zoto. Ish deputeti socialist, është dënuar tashmë në shkallën e parë për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa u shpall i pafajshëm në rastin e Fierit. Por tani do të duhet të përballet me akuzën e re për korrupsion në dy raste.

E njejta situatë dhe për dy sipërmarrësit Zoto e Mërtiri ndaj të cilëve ka një mal me akuza të tjera, si dhe ish ministrin Koka, i dënuar në dy vendime të ndryshme, dhe tani sërish me akuzën “Shpërdorim detyre”. Një akuzë e cila rëndon dhe mbi 11 persona të tjerë, pjesa dërrmuese e të cilëve, anëtarë të komisionit të koncensionit. Mes tyre është ish drejtoresha juridike e ministrisë së Mjedisit Alba Thoma si dhe Drejtori i përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës Taulant Tusha./ Zëri i Amerikës