22.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Deputetja e parë shqiptare në Kuvendin malazez: Eksperimentet politike në Malin e Zi, të padobishme

Deputetja e parë shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi Drita Llolla, e cila po qëndron në Washington për punimet e Forumit parlamentar për Zbulim dhe Siguri, që trajton kërcënimet globale të sigurisë, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se Mali i Zi, si një vend anëtar i NATO-s, duhet të shprehë një qëndrim pa mëdyshje ndaj vlerave dhe integrimit euroatlantik.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike Socialiste, e ish-Presidentit malazez Gjukanoviq që ka qeverisur Malin e Zi për 30 vjet dhe tashmë është në opozitë, shprehet skeptike për përkrahjen dhe pjesëmarrjen e partive shqiptare në koalicionin qeverisës së Malit të Zi, që përfshinë parti pro-ruse dhe pro-serbe.

Zonja Llolla, këtë javë qëndruat në Washington e ftuar në Forumin Parlamentar për Zbulim dhe Siguri për kërcënimet globale të sigurisë. Cilat janë kërcënimet në Ballkan?

Drita Llolla: Forumi Parlamentar për çështje të Zbulimit dhe të Sigurisë ishte vërtet një rast unik për t’u takuar dhe për të shkëmbyer me parlamentarë nga mbi 60 vende të botës dhe aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe me senatorë dhe kongresistë amerikanë. Besoj se kemi të bëjmë në thelb me një sulm ndaj vlerave demokratike.

Mali i Zi është një aleat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në dritën e konflikteve globale, pra, kemi dy konflikte fizike, luftën në Ukrainë dhe luftën në Izrael, konflikteve kibernetike, luftës hibride përmes dezinformimit dhe ndërhyrjes në proceset elektorale të vendeve demokratike që janë aleate të SHBA-së dhe një sërë problematikash tjera, duke identifikuar cilat janë vendet që rrezikojnë vlerat demokratike dhe duke veçuar këtu Kinën, Rusinë dhe Iranin, është shumë e rëndësishme që në këto momente të ruajmë qasjen e bazuar mbi vlerat, mbrojtjen e lirive individuale dhe të drejtave të njeriut dhe të forcojmë akoma më tej aleancat për bashkëpunimet dhe tregtare dhe shkëmbimet me aleatët tanë. Pra vendet si Mali i Zi, veçanërisht si një vend anëtar i NATO-s, duhet të shprehë një qëndrim dhe një angazhim të pa ekuivok ndaj vlerave euro-atlantike dhe integrimeve euroatlantike.

Keni kritikuar forcat rivale politike të partisë tuaj për instrumentalizim të institucioneve të Malit të Zi, për polarizimin e shoqërisë dhe stagnim e rrugës evropiane. Sipas jush, këto forca janë të lidhura me Kishën Ortodokse Serbe dhe rrjedhimisht të ndikuara nga Serbia. Si është gjendja politike sot në Mal të Zi?

Drita Llolla: Në optikën time vijon paqëndrueshmëria edhe eksperimentet politike, e kam thënë disa herë që unë shpreh besimin që eksperimente të tilla politike nuk janë të dobishme për Malin e Zi. Ritheksoj – si një anëtar i NATO-s, si një vend që ka një rol specifik në gjeopolitikën rajonale edhe si një vend multikulturor. Që nga viti 2020 e këtej është një fakt i njohur tashmë që Kisha Ortodokse Serbe është një instrument i shtetit serb përmes financimit që i bëhet dhe direktivave që merr por edhe përfaqësuesit politikë për të orientuar çështjet sociale dhe politike në Mal të Zi.

Në periudha të caktuara ai ndikim është më i fuqishëm, siç e kemi parë për shembull, para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020 por edhe më pas. Janë disa hapa që ndiqen në një trekëndësh – kështu e kam përkufizuar – të shprehjes së tendencave hegjemoniste të Serbisë dhe bëhet përmes Kishës, bëhet përmes Akademisë, bëhet përmes politikës edhe sigurisht në mediat që ndikojnë.

A ka hapësirë për shqetësim nga këto ndikime?

Drita Llolla: Patjetër që është një moment që duhet të na shqetësoj, por duhet të tregojmë edhe vendosmëri që të bashkohemi rreth vlerave për të cilat ne jemi përcaktuar. Mali i Zi me pavarësimin në vitin 2006 ka kontribuuar ose e ka pasuruar gjeopolitikën rajonale. Me anëtarësimin në NATO si vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor pas Shqipërisë, ka dërguar mesazhin se cila do të jenë vendet të cilat do të drejtojnë proceset e integrimeve euro-atlantike në rajon. Në këtë kontekst kemi edhe një përgjegjësi të shtuar edhe si politikanë edhe si aktorë politikë qoftë të opozitës, qoftë të pushtetit, që në momente kritike si ky, që është një moment kur aleancat janë tepër të rëndësishme, tepër kritike, të jemi shumë të qartë tek orientimi jonë.

Ju jeni deputetja e parë shqiptare e zgjedhur në Kuvendin e Malit të Zi. Si i gjen kjo situatë e polarizuar shqiptarët në Mal të Zi si komunitet dhe si e shihni pjesëmarrjen e tyre në qeverinë e re?

Drita Llolla: Përfaqësimi politik i shqiptarëve në këndvështrimin tim ka ka fituar një vlerë të re. Normalisht, edhe si gruaja e parë shqitare në parlament falë mbështetjes të shumë partnerëve, miqve dhe njerëzve progresistë, me botëkuptime progresiste, u bë e mundur. Por edhe për faktin se kemi gjashtë shqiptarë në parlament, që është një arritje historike për shqiptarët që të kemi një numër kaq të konsiderueshëm. Pjesëmarrja e partive, ose mbështetja e tyre për qeveri dhe pjesëmarrja në qeveri në fakt, është një dukuri e re. Unë nuk e di se çfarë pritshmërishë këta përfaqësues politikë kanë nga kjo qeverisje, megjithatë unë mendoj se faktori shqiptar duhet të integrohet në shoqërinë malazeze.

Unë nuk besoj që mpiksja rreth bërthamës etnike do të ndikon tek integrimi real i jonë dhe tek avancimi i pozitës tonë. Patjetër që mund të bëhej më tepër edhe në të kaluarën, por tani është momenti për të parë përpara. Është komuna e Ulqinit, komuna e Tuzit, që drejtohen nga shqiptarë. Në nivel vendor mund të punohet shumë për të avancuar kushtet e jetesës së shqiptarëve. Ndonjëherë mendoj që jo domosdoshmërisht duhet të bëhemi pjesë e çdo qeverie. Ky është qëndrimi im. Pra vendimet duhet të merren në bazë të vlerave, por duke parë edhe implikimet e vendimeve në kontekst më të gjerë, sesa që është konteksti lokal.

Dua t’u pyes për pozitën e gruas dhe përfaqësimin e saj në sferën publike në Mal të Zi. A është bërë përparim?

Drita Llolla: Për fat të keq fare pak ose aspak. Edhe shoqëria malazeze është shoqëri patriarkale, edhe shoqëria shqiptare është shoqëri patriarkale. Gratë vijojnë të jenë të nënpërfaqësuara në çdo fushë, veçanërisht në politikë. Politika ka lidhje me pushtetin dhe ka ndikim edhe në zhvendosjen e pushtetit, por kjo nuk është një garë mes burrat kundra grave ose gratë kundra burrave. Kjo është, në gjykimin tim, mënyra e vetme për të kontribuar tek një zhvillim i qëndrueshëm i vendit tonë është duke integruar të gjitha burimet njerëzore që ne kemi.

Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë. Një fakt interesant, për shembull, në Mal të Zi është në mënyrë konsistente raporti i grave të shkolluara në krahasim me burrat e shkolluar, është 60 për qind gra dhe 40 për qind burra në të gjitha nivelet, pra deri në nivel doktor shkencash. Kur ballafaqohemi me shifra se sa gra janë të përfaqësuara në parlamentin e Malit të Zi, por edhe në parlamentet lokale, që është një përqindje e cila vështirë që kalon 30 për qindshin, që është minimumi ligjor, atëherë kjo ngre një pikëpyetje dhe një shqetësim të ri – një vend që është multikulturor, nga njëra anë krenohet me multikulturalizëm, por nga ana tjetër nuk integron gjysmën e popullsisë në procese politike, shoqërore. Nuk ka të bëjë me raportin ose ndoshta me bazën gjinore. Ka të bëjë me pranimin e të ndryshmes dhe është shqetësuese për një vend që është multikulturor dhe i cili duhet të konsolidohet si i tillë në të ardhmen. Besoj që edhe gratë shqiptare mund të japin shumë, të kontribuojnë shumë në zhvillimin dhe avancimin e kauzës së shqiptarëve dhe meritojnë më tepër hapësira brenda partive politike, cilado ato qofshin./VOA

Dita e të Drejtave të Njeriut, ambasada amerikane: Të synohet krijimi i një shoqërie të barabartë

Në mbarë botën shënohet sot Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, shkruan se kjo ditë është kujtesë se, të gjithë ne mund të ndihmojmë në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë për çdo qenie njerëzore.

“Dita e të Drejtave të Njeriut | Sot shënohet 75 vjetori i një prej zotimeve globale më novatore në botë: Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Dita e të Drejtave të Njeriut shënon gjithashtu fundin e fushatës botërore të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Kjo ditë është një kujtesë se, përmes veprimeve tona, ne të gjithë mund të ndihmojmë në krijimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë për çdo qenie njerëzore – pavarësisht nga raca, ngjyra, feja, gjinia, gjuha, opinionet politike ose opinionet e tjera, kombësia ose përkatësia sociale, pasuria, lindja apo përcaktime të tjera. Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin të drejtat e çdo njeriu”, shkruan ambasada e SHBA në Tiranë.

33-vjetori i themelimit të PD-së, zbulohet ftesa e Lulzim Bashës për demokratët

Ky 11 Dhjetor shënon 33-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Ndonëse kanë kaluar tre dekada sfidash, përpjekjesh, arritjesh, dështimesh, uljesh dhe ngritjesh, aktualisht kjo forcë politike po kalon një ndër periudhat e saj më të vëshitra.

E përçarë dhe në konflikt mes të vetëve për shkak të shpalljes “Non Grata” të Sali Berishës, Lulzim Basha duket se ka vendosur të bëjë gjithçka për t’i kuruar plagët kësaj partie dhe t’u shtrijë dorën të gjithë demokratëve për t’u bërë pjesë në festimet e 33-vjetorit të themelimit të kësaj force politike.

“Me rastin e 33-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, më 11 Dhjetor, ora 16:30, në Pallatin e Kongreseve, kam nderin t’ju ftoj të kremtojmë së bashku themelimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, të nderojmë sakrificat, guximin dhe vendosmërinë e themeluesve, qëndresën e anëtarëve dhe mbështetësve ndër vite, si dhe guximin e të rinjve, që janë shpresa për të sotmen dhe për të ardhmen tonë.” – thuhet në ftesën e kryedemokratit Lulzim Basha drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Vlen të përmendet fakti se përgjatë konfliktit të gjatë në Partinë Demokratike, Lulzim Basha ka zgjedhur të mos sulmojë, të mos linçojë dhe të mos bëhet pjesë e akuzave të ndërsjella ndër anëtarë dhe simpatizantë të PD-së.

 

Jo vetëm Berlini grindet për para, por edhe Brukseli/ Analiza e DW: A po i mbarojnë edhe BE-së fondet?

Edhe në Bruksel ka grindje për paratë. Komisioni Europian është instanca që mbikqyr paratë në BE. Tani ai kërkon që të përcaktojë qartë e sa fonde mund të shpenzohen në katër vitet e ardhshme. KE planifikon një shumë stratosferike: më shumë se 1 bilionë euro. Por kjo nuk mjafton. Ekspertët e KE dhe presidentja, Ursula von der Leyen kërkojnë nga instanca e Kuadrit Financiar Afatmesëm një shtesë me 66 miliardë euro. Me argumentin që e njeh edhe Berlini zyrtar, se jemi në gjendje emergjence: Lufta në Ukrainë, presioni i migracionit dhe pasojat e pandemisë. Në 66 miliardë eurot bëjnë pjesë 50 miliardë euro për Ukrainën dhe 16 miliardë për migracionin dhe mbrojtjen e kufijve.

Gjermania: BE të kursejë në vend tjetër

Gjermania që bën pjesë ndër pagueset neto të BE-së, në një rast të tillë do duhej të jepte më shumë fonde. Këtë nuk e do qeveria e Olaf Scholzit. Aspak pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. (Sipas vendimit, qeveria gjermane nuk mund të përdorë me qëllim tjetër 60 miliardë eurot si kredi të rezervuara nga koha e pandemisë shën. red.). Berlini thotë që BE të kursejë në vende të tjera. Pastaj ka edhe vende neto marrëse si Spanja apo Greqia. Ato marrin para nga fondet europiane më shumë se sa japin. Prandaj rritja që kërkon BE është për to e mirëpritur. Masat për mbrojtjen e kufijve do të përdoren me këto fonde. Prandaj ato e mbështesin këtë rritje buxhetore. Vendet marrëse neto kundrejt paguesve neto të BE.

Në Brukel ndërkohë nuk ka debate për gjetjen e një ujdie si në Berlin. Secili pret për tjetrin, askush nuk bën një hap përpara. Kjo është e rrezikshme, sepse koha po mbaron dhe kërkohet një kompromis. Asnjë ujdi nuk do të vinte në diskutim ndihmat miliardëshe për Ukrainën: 50 miliardë euro. Ukraina paguan me to mësues, mjekë, spitale. Askush nuk dyshon që Ukraina ka nevojë për këto ndihma. Këtë e ka theksuar edhe kancelari, gjerman, Olaf Scholz në një deklaratë të fundit qeveritare në Berlin. Komisioni Europian, KE duhet të kursejë diku tjetër.

Presioni i kursimeve: Vendet marrëse të fondeve të BE janë kundër

Këto kursime nuk i duan vendet marrëse neto në BE. Argumenti i tyre: më shumë para për Ukrainën, por më pak për vendet që luftojnë me migracionin – kjo nuk pranohet. Italia e prekur, thotë se nuk mund t’ua shpjegojë qytetarëve të saj, se pse ndihmat për Ukrainën janë më rë rëndësishme, se ndihmat për rajonet kufitare italiane që luftojnë me fluksin e refugjatëve. KE nuk pranon që të ndajë ndihmat për Ukrainën nga ndihmat e tyre.

Fillimi > Bota
Jo vetëm Berlini grindet për para, por edhe Brukseli/ Analiza e DW: A po i mbarojnë edhe BE-së fondet?
10 Dhjetor, 2023 08:40Madhësia e tekstit:

Jo vetëm Berlini grindet për para, por edhe Brukseli. Komisioni Europian parashikon të rrisë buxhetin e BE me 66 miliardë euro. Qeveria gjermane kërkon që të kursehet.

Edhe në Bruksel ka grindje për paratë. Komisioni Europian është instanca që mbikqyr paratë në BE. Tani ai kërkon që të përcaktojë qartë e sa fonde mund të shpenzohen në katër vitet e ardhshme. KE planifikon një shumë stratosferike: më shumë se 1 bilionë euro. Por kjo nuk mjafton. Ekspertët e KE dhe presidentja, Ursula von der Leyen kërkojnë nga instanca e Kuadrit Financiar Afatmesëm një shtesë me 66 miliardë euro. Me argumentin që e njeh edhe Berlini zyrtar, se jemi në gjendje emergjence: Lufta në Ukrainë, presioni i migracionit dhe pasojat e pandemisë. Në 66 miliardë eurot bëjnë pjesë 50 miliardë euro për Ukrainën dhe 16 miliardë për migracionin dhe mbrojtjen e kufijve.

Gjermania: BE të kursejë në vend tjetër

Gjermania që bën pjesë ndër pagueset neto të BE-së, në një rast të tillë do duhej të jepte më shumë fonde. Këtë nuk e do qeveria e Olaf Scholzit. Aspak pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. (Sipas vendimit, qeveria gjermane nuk mund të përdorë me qëllim tjetër 60 miliardë eurot si kredi të rezervuara nga koha e pandemisë shën. red.). Berlini thotë që BE të kursejë në vende të tjera. Pastaj ka edhe vende neto marrëse si Spanja apo Greqia. Ato marrin para nga fondet europiane më shumë se sa japin. Prandaj rritja që kërkon BE është për to e mirëpritur. Masat për mbrojtjen e kufijve do të përdoren me këto fonde. Prandaj ato e mbështesin këtë rritje buxhetore. Vendet marrëse neto kundrejt paguesve neto të BE.

Në Brukel ndërkohë nuk ka debate për gjetjen e një ujdie si në Berlin. Secili pret për tjetrin, askush nuk bën një hap përpara. Kjo është e rrezikshme, sepse koha po mbaron dhe kërkohet një kompromis. Asnjë ujdi nuk do të vinte në diskutim ndihmat miliardëshe për Ukrainën: 50 miliardë euro. Ukraina paguan me to mësues, mjekë, spitale. Askush nuk dyshon që Ukraina ka nevojë për këto ndihma. Këtë e ka theksuar edhe kancelari, gjerman, Olaf Scholz në një deklaratë të fundit qeveritare në Berlin. Komisioni Europian, KE duhet të kursejë diku tjetër.

Presioni i kursimeve: Vendet marrëse të fondeve të BE janë kundër

Këto kursime nuk i duan vendet marrëse neto në BE. Argumenti i tyre: më shumë para për Ukrainën, por më pak për vendet që luftojnë me migracionin – kjo nuk pranohet. Italia e prekur, thotë se nuk mund t’ua shpjegojë qytetarëve të saj, se pse ndihmat për Ukrainën janë më rë rëndësishme, se ndihmat për rajonet kufitare italiane që luftojnë me fluksin e refugjatëve. KE nuk pranon që të ndajë ndihmat për Ukrainën nga ndihmat e tyre.

Asnjë ujdi në horizont

Deri tani nuk duket se ka shanse për një ujdi. As në samitin në javën e ardhshme nuk pritet ujdi. Kështu rrezikon një skenar që askush nuk e do: Që ndihmat për Ukrainën të rrezikohen, sepe BE paralizon veten me negociatat për buxhetin, dhe askush nuk lëviz nga pozicionet. Politika po bëhet sipas motos: kush lëviz i pari, ka humbur./DW

Përpjekjet e shtetit shqiptar për të gjetur varrin e Skënderbeut në vitin 1937: raporti i arkeologut Hasan Ceka

Nga dr. Hasan Bello

Për festimin e 25-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar në vitin 1937 u krijua “Komisioni i Kremtimit të 25-vjetorit të vet-qeverimit” i cili kishte si detyrë jo vetëm të organizonte aktivitetet kulturore me rastin e këtij përvjetori, por edhe të mblidhte të dhëna, dokumente dhe dëshmi nga protagonistët e kohës për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Është meritë e këtij komisioni, që në çdo krahinë të Shqipërisë u evidentuan të gjithë patriotët që kishin dhënë kontributin e tyre nga periudha e Rilindjes deri te Pavarësia. Madje, duhet theksuar se në ekspozitën e organizuar nga ky komision është ekspozuar për herë të parë edhe “Deklarata e Pavarësisë”, të cilës, pas 1944 nuk i dihet fati…

Një nga detyrat që i vendosi vetes Komisioni i Kremtimit të 25-vjetorit ishte gjetja dhe sjella e eshtrave të Skënderbeut në kryeqytet. Për këtë qëllim ishte planifikuar të bëheshin gërmime në Lezhë, ku sipas të dhënave thuhej se gjendej varri i Skënderbeut. Në një shkresë drejtuar Ministrisë së Arsimit më 24 qershor 1937, Komisioni i Kremtimit të 25-vjetorit kërkonte që kjo detyrë t`i ngarkohej Hasan Cekës. Në këtë periudhë, ai ishte i vetmi specialist i shkolluar dhe i diplomuar në Austri për arkeologji.

Ministria e Arsimit u shpreh e gatshme të vinte në dispozicion të komisionit arkeologun e njohur, i cili paraprakisht kishte përgatitur një raport, duke u mbështetur mbi leximet dhe kërkimet që ai kishte zhvilluar në kalanë e Lezhës.

Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme kërkoi nga Prefektura e Shkodrës që të urdhëronte nënprefekturën e Lezhës për të ndihmuar me çdo mjet arkeologun Hasan Ceka.

Por ajo që ka më shumë rëndësi është raporti i tij i 8 korrikut 1937 për Komisionin e Kremtimit të 25-vjetorit dhe Ministrinë e Arsimit lidhur me të dhënat e autorëve të ndryshëm për vendodhjen e varrit të Skënderbeut. Ajo që të bie në sy është fakti se të gjithë autorët dhe albanologët e njohur kanë rënë pre e pasaktësive apo e propagandës së Marin Barletit. Ky i fundit ka shkruar në librin e tij se, Skënderbeu ishte varrosur në Kishën e Shënkollit dhe se kur osmanët pushtuan Lezhën në vitin 1479, çelën varrin e tij dhe eshtrat ia morën për hajmali. Me këto “Trillime legjendare”, siç i quan me të drejtë Fan Noli në librin e tij për Skënderbeun disa thënie të Barletit dhe Biçikemit, jemi rritur që në hapat e para të shkollës.

Nuk e di se për çfarë i duhej kjo hajmali turqve, të cilët, në këtë periudhë ishin në kulmin e fuqisë politike dhe ushtarake. Gjithësesi, problem mbetet fakti, se pre e kësaj gënjeshtre kanë rënë shumë autorë të tjerë.

Hasan Ceka shkruan se nga gjurmët e mbetura në kala nuk shiheshin gjurmët e themeleve të ndonjë kishe; xhamia e vjetër ishte ndërtim prej fillimit dhe jo ashtu siç shkruante Barleti, George Hanh etj, duke iu referuar gojëdhënave të popullit, sipas të cilave ajo ishte ndërtuar mbi themelet e Kishës së Shënkollit.

Hasan Ceka i përmbahet pikëpamjes se vetëm kur të gjehej një varr i zbrazët dhe pa eshtra mund të ishte e sigurtë se ishte gjetur varri i Skënderbeut.

Këto kërkime dështuan ashtu si ato në vitet 60-të.

Një muze për pendesën dhe faljen 

Nga Agim Baçi 

“Kushdo që mendon se regjimet komuniste të Europës Qendrore ishin vepër ekskluzivisht e kriminelëve, nuk kupton një të vërtetë thelbësore: regjimet kriminale nuk u krijuan nga kriminelë, por nga entuziastë, të bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë. Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë, sa u detyruan të vrisnin shumë njerëz. Më pas u bë e qartë se nuk ekzistonte asnjë parajsë dhe se entuziastët ishin vrasës”, shkruante shkrimtari i famshëm Milan Kundera, teksa përshkruante atë shembje të shoqërisë në diktaturë, ku gjithçka njerëzore futej në një të tatëpjetë të pamundur për t’u ngritur nga asnjë Sizif.

Por, kaq vite pas rënies së asaj diktature, ata të lindur në fund të viteve ’80 dhe ata pas vitit 1990, që fatmirësisht nuk e kanë jetuar atë tmerr, që nuk janë përballur me shkallët e errëta të asaj ligësie njerëzore, kanë merituar nga ne të paktën një muze – një muze që nis nga fjala që duhet ta thonim me zë të lartë për atë njerëzore të rrëzuar dhe rrënuar, një muze që duhet të niste nga rishkrimi i historisë, nga thënia e të vërtetave të dhimbshme për ata që u pushkatuan pa gjyq, që u internuan, që iu mor prona, që u poshtëruan dhe turpëruan vetëm e vetëm se nuk ishin pjesë e tmerrit, se nuk pranuan të ishin turma e tundjes së kokës për të aprovuar të keqen.

E megjithatë, nuk është kurrë vonë të kërkojmë ndërtimin e muzeut të dhimbjes dhe të mos ngurrojmë të përfshijmë jo vetëm atë dhimbje që do të drithëronte edhe Danten teksa shkruante “Rrathët e Ferrit”, por edhe atë dhimbje për secilin nga ne, të paktën nga ne që ishim të rritur në atë kohë, që nuk këmbëngulëm që ajo e shkuar të shkruhej me të gjitha gërmat e errësirës, me të gjitha penelatat e tmerrit që prindërit apo gjyshërit tanë i bartën në kurrizet e përditshmërisë së tyre.

Ky ngurrim i shoqërisë sonë ndaj zbardhjes së të shkuarës, shkaktoi atë që nuk ndodhi në ansjë vend tjetër që kaloi rregjime gjakatare si shoqëria shqiptare, ne përfunduam një shoqëri pa të penduar për krimet dhe terrorin. Duke mos pasur të penduar, u mohuam fuqinë dhe mirësinë e faljes atyre që, edhe kur panë persekutorët e tyre përballë, u treguan më fisnikë se sa ata, duke mos notuar në urrejtje, e aq më pak në hakmarrje.

Shumë nga ata që mbijetuan në atë tmerr, zgjodhën të hakmerreshin duke jetuar, duke ndërtuar jetën, edhe pse në muret e përditshmërisë së tyre mungonte guximi ynë që t’ia zbardhnim si duhet të shkuarën dhe të dërgonim në dyert e pendesës ata që guxuan të ishin ideatorë apo gardianë të së keqes. Ky ishte mëkati ynë i dyfishtë, sepse mbetëm pa njerëz që të pranonin fajin e tyre. Kjo pafuqi e jona, ky dështim, bëri që një pjesë prej atyre që ishin kalorës të së keqes, të riktheheshin e të jepnin leksion për demokracinë, leksion për ta ardhmen. Poshtë xhaketave të fjalimeve të tyre dallohej ajo veshje e brendshme e ngjyrës së të shkuarës, që i mbartte fort nëpër trup, duke i rrethuar lëkurën, rrahjen e zemrës, e duke lënë nostalgjinë e së shkuarës së diktaturës të vallëzojë pa frikë përballë nesh.

Duhet ta themi hapur: Moszbardhja e së djeshmes kriminale në diktaturë nuk është thjesht çështje historie. Ajo e shkuar, fatkeqësisht, ka vijuar të jetë dominuese në mjaft nga institucionet e arsimore-shkencore, në institucionet ligjvënëse, në institucionet ligjzbatuese, duke lejuar që të mbetet e fuqishme mes nesh ajo kulturë dhe ajo ideologji e asaj kohe, ku “njeriu i ri” mori gjithçka në dorë duke persekutuar, burgosur, vrarë e injoruar atë që dinte, atë që besonte në Zot, atë që kish njohur pronën dhe vlerat njerëzore.

Media dhe studiuesit e rinj duhet medoemos të kontribuojnë në leximin e së shkuarës. Jo thjesht për të ndëshkuar ndokënd me burg, siç bënë ata dikur. Por për të kuptuar se si një e keqe ideologjike mund të shndërrojë njeriun në adhurues të krimit dhe të zhdukjes së njerëzores, edhe pse për jetën në diktaturë janë prej kohësh janë bërë publike qindra apo mijëra fakte persekutimi, dhunimi e zhdukjeje të atyre që guxuan të mos e pranojnë humbjen e qenies njerëzore

“Kongresi i PS-së, i pavlerë nga pikëpamja e interesit publik”, Kalemaj: Rama nuk po i lëshon njerëzit e tij, po i mbron ata

Për politologun Ilir Kalemaj,  Kongresi i PS-së nuk prodhoi asnjë lajm dhe se ishte i pavlerë nga pikëpamja e interesit publik.

I ftuar në studion e lajmeve në MCN Tv, Kalemaj tha se në këtë Kongres nuk pati asnjë lloj platforme të re ideore, ideologjike të PS-së.

Nuk prodhoi asnjë lajm në kuptimin që nuk patëm asnjë ndryshim qeveritar, as cilësor as sasior . Nuk patëm asnjë platformë të re ideore, ideologjike të PS-së.

Nuk ishte as vendi, as Kuvendi për faktin që nuk kemi një fushatë zgjedhore, nuk kemi zgjedhje në horizont dhe për këtë arsye ishte një Kongres i pavlerë nga pikëpamja e interesit publik.

Nga pikëpamja e interesit politik të Ramës, çështja e strukturave, çështja e beniaminëve të tij, mund të vlejë brenda PS-së, është në pikëpyetje edhe kjo.

Më tej, Kalemaj se miti “Rama po i lëshon të tijët”, nuk është i vërtetë, pasi ai po i mbron ata nëpërmjet formave të ndryshme.

Rama dje tha se nuk do të kemi republikë të prokurorëve, të gjyqtarëve, kjo ishte shigjetim në fakt ndaj punës që po bën drejtësia për momentin, ndërkohë që ka dhe spekulime dhe akuza nga opozita dhe jo vetëm që Rama ka nën kontroll sistemin e drejtësisë.

Janë dy të vërteta të kithëta në pamje të parë, por unë mendoj se janë edhe komplomentare. Nga njëra anë Rama nuk mund të lejojë që gjërat të dalin jashtë kontrollit të tij dhe nga ana tjetër, e aq më pak sistemi i drejtësisë

Ka teza që u sakrifikua Ahmetaj për Ramën, Tushe për Veliajn dhe Rrjepaj dhe Rrapaj për të shpëtuar Ilir Beqajn.

Po pa u futur në konspiracionin e këtyre spekulimeve ajo që ne dimë apo vlerësojmë në mënyrë të pavarur dhe paanshme është që Rama përkundër mitit që “i ka lëshuar të tijët”, ai nuk i ka lëshuar aspak, madje po i mbron duke i ofruar kopertura politike sa herë të mundet, kurdo herë që të mundet.

Ahmetaj kishte kohë që i kishte prishur marrëdhënien me Ramën, ishte shkarkuar nga funksionet e tij, politike partiake brenda PS-së dhe u la i lirë të largohej jashtë vendit me sekretet e tij.

Pjesën tjetër e ka mbrojtur, ka mbrojtur Beqajn ,Veliajn dhe eksponentë të tjerë, të cilët ose i ka mbrojtur drejtpërdrejtë ose i ka dhënë kohë dhe mundësi që të kenë mjaftueshëm përgatitje për t’i shpëtuar tentakulave të drejtësisë, ose i ka veshur me mburojë që në momentin e parë nëpërmjet VKM-ve dhe akteve të tjera kolektive.

Mosbindja civile dhe ajo parlamentare, një hendek në mes

Nga Preç Zogaj 

Bllokimi i seancave parlamentare nga deputetë të opozitës synon të shërbejë si shkëndija që do të mund të ndezë mosbindjen civile jashtë Kuvendit.

Sa e mundshme është kjo? A mund të ndodhë që obstruksionizmi parlamentar brenda parlamentit të ndezë flakën e mosbindjes civile apo të një revolte popullore jashtë parlamentit?

Në parim nuk përjashtohet. Në rastin e zhvillimeve në Kuvendin e Shqipërisë do të mund të mendojmë se shqiptarët do të sensibilizohen e do të reagojnë pa dallime politike në favor të pretendimeve të deputetëve se  Rama me të tijtë po shkelin të drejtën e tyre kushtetuese për të ngritur komisione hetimore parlamentare. Pra po i heqin opozitës pushtetin që i jep kushtetuta për të ushtruar funksionin e saj kontrollues ndaj qeverisë.

Realisht kjo është një çështje serioze që nuk duhet të lërë indiferent asnjë qytetar, madje duhet t’i alarmonte ata. Për me tepër kur shohim se deputetët e shumicës socialiste po duan ta vështirësojnë edhe më shumë ngritjen e komisioneve hetimore nëpërmjet ndryshimeve në ligjin organik.

Ndërmarrja e këtyre ndryshimeve në kulmin e përplasjeve tregon se socialistët po nxitojnë t’i japë një veshje ligjore refuzimit të tyre të deritanishëm. Duke u vetpaditur kësisoj si arbitrarë dhe duke e shkelur palën kundërshtare në nervin e zbuluar.  Mu sikur të donin ta shihnin pambarim në cirkuitin e radikalizmit dhe tymueseve.

Pavarësisht këtyre provokimeve dhe pavarësisht se sot në Shqipëri numerikisht ka më shumë opozitarë të qeverisë se mbështetës të saj, as shihet, as ndihet të ketë një vlim të revoltës popullore që t’i përngjajë sadopak  formatit dhe natyrës së mosbindjes civile. Grupimi i Rithemelimit të PD-së mund të organizojë grumbullime  militantësh e mbështetësish partiakë, siç ka bërë edhe herë të tjera. Asgjë më shumë. Pse?

E para, më e thjeshta: Vlerësimi si antikushtetues i refuzimit të komisioneve hetimore apo i hetimit të Berishës nga SPAK është autoreferencial. Deputetët dhe vetë Berisha citojnë vetveten dhe veprojnë në bazë të opinionit të tyre si të kishin tagrin të vulosin çfarë është kushtetuese e çfarë jo. Kur këtë tagër e ka Gjykata Kushtetuese dhe jo ata. Nga kjo pikëpamje, gjykimi normal, që  përfaqëson mesataren e gjykimit popullor, konkludon se kjo opozitë nuk i ka shteruar rrugët ligjore për të zhbllokuar të drejtën e saj.

E dyta,  sado të duash t’i ndash, kauza për të çliruar hetimin parlamentar dhe beteja e shpallur e Berishës kundër SPAK dhe drejtësisë së re, tashmë nga pozitat e një të akuzuari,  janë në lidhje të ngushtë si forma me përmbajtjen. Ato janë ndërbllokuese. Sikur Berisha të respektonte shtetin ligjor dhe ta sfidonte akuzën dhe drejtësinë ballë-përballë, aty ku është vendi i kësaj beteje, siç bën fjala vjen ish-Presidenti amerikan, Donald Tramp, ish-Presidenti francez, Nikola Sarkozi e dhjetëra zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë në mbarë botë, kauza e çlirimit të hetimit parlamentar do të perceptohej ndryshe dhe do të kishte më shumë mbështetje nga publiku  i gjerë. Kështu siç janë të ndërlidhura sot, obstruksionizmi për komisionet perceptohet si casus belli për të sfiduar drejtësinë dhe izolimin ndërkombëtar të Berishës.

E treta, për të pretenduar një mbështetje të gjerë popullore që do të përkthehej edhe në revoltë antiqeveritare e mosbindje civile, opozita në tërësi duhet të kishte ndryshuar e përtërirë drejtuesit, elitën, ligjërimin, qasjen, programin e shumë gjëra të tjera që e vendosin në rrjedhat e zhvillimeve bashkëkohore brenda e jashtë vendit. Me  drejtues të stërkonsumuar dhe me një ligjërim të stëvjetëruar nuk ka shanse për një motivim traversal të shoqërisë. Dhe s’ka përse të ketë. Edhe sikur këta drejtues të përjetshëm të ishin qelibar në raport me drejtësinë. Vetë pretendimi i tyre se nuk ka të tjerë që t’i pasojë i padit si shkatërrues dhe bllokues të qarkullimit të elitave. Ç’të mbjellësh do të korrësh, thotë populli.

Këto tri arsye mjaftojnë për të shpjeguar hendekun  e madh mes radikalizmit të deputetëve në Kuvend dhe indiferencës së publikut të gjerë. Por nuk mund të lëmë pa përmenduredhe një të katërt: Kontekstin  ndërkombëtar. Shqipëria është vend i hapur. Krizat e saj, reale apo të inskenuara, janë të lidhura ngushtë me  prioritetet  dhe qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë. Vetë shqiptarët, në përgjithësi, brenda dhe jashtë Shqipërisë, jetojnë dhe arsyetojnë në optikën e të qenit pjesë e një të tëre shumë më të madhe se pjesa. Politikanët që e pretendojnë të përjashtojnë  prioritetet e SHBA dhe BE-së nga operandi i tyre janë dritëshkurtër. Në rastin me të mirë.

Së fundi, duhet të theksojmë dallimin e madh mes obstruksionizmit parlamentar dhe mosbindjes civile.  Obstruksionizmi, një mjet i rrallë i luftës politike në vendet e lira, zhvillohet brenda kuadrit ligjor rregullator mbi  të cilin funksionon parlamenti.

Kurse mosbindja civile është shkelje e vetëdijshme me mjete paqësore dhe sakrifica vetjake e një ligji, që konsiderohet i  padrejtë, pa marrë parasysh ndëshkimet ligjore që në këtë rast merren të mirëqena, pa ankime,  nga protagonistët.

Obstruksionizmi i një grupi deputetësh mund të konsiderohet mosbindje parlamentare në funksion të agjendës dhe interesave të grupimit politik që ata përfaqësojnë.

Mosbindja civile u përket qytetarëve, grupeve shoqërorë të caktuara. Një e tillë ka qenë, për shembull, lëvizja e fuqishme për të drejtat civile kundër diskriminimit racial në SHBA në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar nën drejtimin e Martin Luter King-ut.

Teksa përmendim shembullin e lëvizjes së Martin Luter Kingut ia vlen të sqarojmë se mosbindja civile nuk ka asgjë të përbashkët me kryengritjen e armatosur dhe marrjen e pushtetit me dhunë. Është mirë që kjo të kuptohet qartë sidomos nga një fashë anëtarësh e simpatizantësh të keqkuptuar të PD-së, që teksa  bombardohen pareshtur me atë se “Ramës dhe PS-së nuk u merret pushteti me votë”, ka vite që thirren të mblidhen në Tiranë  “për t’i dhënë fund”, “për t’i bërë gjyqin e fundit”, “për të hyrë brenda”. Me fjalë të tjera për të marrë pushtetin. Jo! Në një vend të NATO-s kjo nuk ndodh. Në asnjë lloj skenari./Liberale.al

Në Shqipëri “shtëpia plot”, por jetojmë ngushtë – Eurostat: Jemi të dytët në Europë me numrin më të ulët të dhomave për person

Në publikimin e ‘Agjencisë Europiane të Statistikave’, mbi kushtet e banimit të njësive ekonomike familjare, ‘Scan Intel’ këtë herë ka analizuar numrin mesatar të dhomave për person. Sipas të dhënave Shqipëria dhe Mali i Zi renditen të parat në Europë me numrin më të vogël të dhomave për person, përkatësisht me 0.9 dhoma për secilën, ndërkohë që në radhë ndjek Serbia me një dhomë për person.

Në vendet e Bashkimit Europian, në vitin 2021, kishte mesatarisht 1.6 dhoma për person.

Sa i përket vendeve të cilat renditet në skajin tjetër të grafikut, pra vendet me më shumë dhoma, gjejmë Maltën me 2.3 dhoma për person dhe Holandën e Irlandën me 2.1 dhoma për person secila.

Shqipëria është vendi i dytë në Europë i cili regjistron përqindjen më të lartë të popullsisë që jetojnë në familje në kushte mbipopullimi, ku 58,1% e popullsisë në vendin tonë janë shprehur se jetojnë ngushtë, sipas një ankete të Eurostat, raporton Scan.

Kushtet e banimit ne vende të ndryshme varen edhe nga përbërja e njësive ekonomike familjare. Referuar shifrave, Shqipëria renditet e para në Europë sa i përket madhësisë mesatare të familjes.

Një familje në vendin tonë përbëhet mesatarisht nga 3.7 persona, ndërkohë që në Bashkimin Europian madhësia mesatare është 2.3 persona për familje. Mali i Zi, Turqia dhe Serbia vijojnë në renditje si vendet me familje të mëdha, ndërsa Finlanda, Danimarka dhe Gjermania kanë numrin më të ulët, me një përbërje mesatare prej dy personash.

Deputetja Tabaku kundër Berishës dhe Bardhit: Opozita duhet të ndalë këtë sulm vrastar të njëri-tjetrit

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e ftuar në studion e News24, ndër të tjera, foli edhe për situatën brenda PD-së dhe aksionin e opozita të nisur nga deputetët e Berishës dhe Bardhit.

Tabaku tha se nuk është pro me formën e protestës nga ana e opozitës, edhe pse kërkesat e kësaj të fundit janë të drejta.

Ajo shtoi se opozita duhet ta ndalë këtë sulm vrastar ndaj njëri-tjetrit.

Projektbuxheti u miratua në 8 minuta. Opozita në kushtet ku është vendosur a duhet ta diskutonte për buxhetin?

Tabaku: Duhet ta diskutonte. Mendoj se PD, opozita e ka vendosur qeverinë në një pozicion të vështirë kur ka përdorur argumente, fakte. Ka forma nga më të ndryshme për të protestuar. Unë nuk jam dakord, por nuk dua të bëj as moralisten. Njerëzit kanë nevojë që mllefin, ta shprehin ndryshe e jo vetëm me largim. Njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë që ne të jemi forca alternative. Unë do kisha preferuar që të kishim diuskutuar për buxhetin, por dua të them që edhe kërkesat e opozitës janë të drejta. Njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë se çfarë po ndodh sot.

Si jeni ndjerë ju në këto seanca?

Tabaku: Nuk jam ndjerë mirë. Jam një nga deputetet që e përdor shumë Parlamentin. Nuk është normale, demokraci funksionale që buxheti të miratohet në atë formë.

Së pari nuk jam komode që të komentoj kolegët e mi të opozitës. Kam thënë dhe publikisht që nuk jam dakord me këtë mënyrë, pasi nuk po na sjell një gjë të re. Po harrojmë fokusin për t’u shndërruar në forcë alternativë politike.

Pas zgjedhjeve lokale kam thënë që PD duhet të kanalizojë këtë arrogancën, mllefin që kanë shqiptarët dhe të fokusohen se çfarë duhet të bëjmë më mirë. PS po bën atë që di të bëjë më mirë, propagandën. Ne duhet të jemi të aftë të bëjmë atë që dimë të bëjmë. Ne s’mund të ndryshojmë dot kauzat nga sot e nesër. Opozita duhet të ndalë këtë sulm vrastar të sulmit të njëri-tjetrit në foltoren e Kuvendit.