37.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Çfarë duhet bërë për të luftuar varësinë nga mediat sociale?

Ah, sa të lexoj edhe këtë postim! Jo dhe aq interesante? Atëherë më poshtë, me siguri që përmbajtja tjetër është edhe më interesante. Kush qarkullon në X (Twitter), Facebook ose TikTok i njeh mirë këto impulse dhe e di mirë se si nga një impuls sa-të-hedh-një-sy bëhen një ose dy orë. Mediat socialejanë të kudogjendura. Në smartphone ose kompjuter, kur ndodhemi në punë ose në kohën e lirë, ne bisedojmë, bëjmë postime ose konsumojmë përmbajtje të ndryshme që ofrohen prej të tjerëve. Kjo ka edhe anën tjetër të medaljes. Sepse numri i njerëzve që konsumojnë pa masë mediat sociale, është duke u rritur vazhdimisht. Vetëm në Gjermani mbi gjashtë përqind e fëmijëve dhe të rinjve janë të varur nga mediat. Një studim i publikuar në pranverë të vitit 2023, studim i kryer nga ndërmarrja e sigurimeve shoqërore, DAK, thotë se ky problem ka prekur mbi 600 mijë djem dhe vajza. Tek më shumë se dy milionë të rritur, konsumimi i mediave është “problematik”. Ata kalojnë tri deri katër orë çdo ditë para një ekrani, shumë më tepër se para periudhës së pandemisë së Coronës.

Me përfitim apo dëm?

A janë pra rrjetet sociale djalli vetë? “Roli i tyre është të paktën ambivalent”, thotë Tobias Dienlin, profesor për komunikimin interaktiv në Universitetin e Vjenës. “Ka shumë përmbajtje të kota, por ka edhe përmbajtje prej të cilave përfitojmë. Dhe njeriu mund t’i përdorë mediat socialenë mënyra të ndryshme: Njeriu mund t’i përdorë gjërat sa për konsum, por mund t’i përdorë ato edhe në mënyrë aktive për të komunikuar me të tjerët dhe për të ruajtur marrëdhëniet.” Sa kohë që këto bëhen me masë, çdo gjë është në rregull. Kur fillon përdorimi pa masë, atëherë për disa konsumatorë kjo gjë kthehet në problem. Deri tani nuk ka pasur ndonjë përkufizim mjekësor për varësinë nga mediat sociale.”Por meqenëse nuk ekziston diagnoza, nuk do të thotë se fenomeni nuk ekziston,” thotë Dienlin. Kur përdorimi i mediave bëhet aq i tepruar, saqë njeriu nuk arrin të bëjë punët e tjera të rëndësishme, kur njeriu vetë do që të përdorë më pak mediat sociale, por nuk është në gjendje ta bëjë këtë, kur marrëdhëniet sociale lihen pas dore, atëherë mund të themi se kemi të bëjmë me varësi, thotë studiuesi i mediave.

Algoritme tërheqëse

Pjesa më e madhe e mediave sociale punojnë sipas parimit të joshjes së shpejtë dhe shpërblimit. Like-t dhe Emoji-t kujdesen për konfirmimin e pozitives, dhe nëse një përmbajtje nuk pëlqehet atëherë shkohet menjëherë tek përmbajtja tjetër “Futja në përdorim e vajtjes në fund të faqes pa vendosur kufi ka bërë që njeriu të mos jetë kurrë në gjendje të mbarojë me të lexuarin, sepse gjithnjë i vihet përpara përmbajtje e re,” shpjegon Tobias Dienlin. “Kjo gjë është natyrisht nxitje ekstreme për krijim varësie, sepse njeriut i duhet të bëhet vetë aktiv për t’u shkëputur nga ekrani. Kur lexon një libër dhe arrin në fund të tij, atëherë libri ka mbaruar. Edhe emisionet televizive kanë një fund, por përmbajtjet online nuk kanë fund.”

Algoritmi i shumë mediave sociale kujdeset ekstra që ne si konsumatorë të na serviren përpara përmbajtje gjithnjë e më të përshtatura me interesat që kemi, gjë që e bën të vështirë ndalimin e konsumimit në kohën e duhur.

Të prekshëm veçanërisht nga varësia prej mediave janë sidomos njerëzit që kanë probleme në fusha të tjera. “Ata që kanë dobësi në kontrollimin e impulseve, ata që e kanë të vështirë të organizojnë jetën e tyre të përditshme, e kanë edhe më të vështirë me mediat sociale,” thotë Dienlin. Dhe për njerëzit e vetmuar, të tërhequr, ose njerëzit me depresione konsumi i tepruar i mediave paraqet një mundësi për t’iu larguar realitetit: “Sepse me anë të tyre ne kemi mundësi të rregullojmë humorin dhe t’i japim fund gjendjes së pakëndshme”, shpjegon studiuesi nga Vjena i mediave. “Kur unë nuk di çfarë të bëj, kur jam i mbingarkuar ose kur më vjen turp, kur më vret ndërgjegja për diçka, atëherë unë marr celularin dhe konsumoj media sociale dhe kështu dal nga gjendja. Aty për aty.”

Nga ana tjetër konsumimi i tepruar i mediave mund të shkaktojë keqësim të sëmundjeve psiqike ekzistuese si depresione ose çrregullime të marrjes së ushqimit, kur përshembull kërkohen aktivisht përmbajtje të përshtatshme dhe nëpërmjet algoritmit të mësuar të medias sociale

SHBA: Akuzë e përbashkët kundër koncerneve të teknologjisë së informacionit

Në SHBA ndërkohë qindra familje kanë bërë bashkë një akuzë kundër katër koncerneve më të mëdhenj të teknologjisë së informacionit: Ata akuzojnë koncernin mëmë të Facebookut, Meta, prodhuesin kinez të Tik-Tokut, ByteDance, ndërmarrjen përgjegjëse për YouTube, Alphabet und Snap, dhe prodhuesin e Messengerit, Snapchat, se jo vetëm që nuk e kanë marrë parasysh krijimin e varësisë nga mediat sociale të fëmijëve të tyre, por e kanë nxitur atë madje në mënyrë aktive. Shumë rrethe shkollore amerikane i janë bashkangjitur akuzës.
Paditësit akuzojnë koncernet mes të tjerash, se nuk kanë vënë në jetë mënyra të sigurta për verifikimin e moshës dhe se mekanizmat që përdorin për kontrollin e prindërve janë të pamjaftueshme. Përveç kësaj, konsumatorëve iu vështirësohet në mënyrë të panevojshme shuarja e llogarive që kanë hapur në mediat sociale.

Për një kohë të gjatë ka qenë e paqartë nëse mund të hapet në përgjithësi një proces i tillë gjyqësor. Koncernet e teknologjisë së informacionit i kanë kthyer mbrapsht akuzat si të paargumentuara. Por në mes të muajit nëntor një gjykatëse federale amerikane, e quajti akuzën të lejueshme për të filluar një proces gjyqësor.

Por sa kuptim ka hedhja e një hapi të tillë? Studiuesi i mediave Dienlin është i dyjëzuar: “Një proces i tillë krijon tërheqje vëmendjeje, dhe sipas mendimit tim kjo nuk është keq. Megjithatë, është si gjithnjë një kompromis. Nëse ata që ofrojnë shërbimin e bëjnë shërbimin edhe më tërheqës, gjë që është parimi dhe synimi i çdo ndërmarrjeje fitimprurëse, ata automatikisht nxisin edhe faktorin e krijimit të varësisë. Konsumatorit nuk mund t’i merret krejt përgjegjësia për këtë gjë. Prandaj duhen bërë të dyja: Duhet bërë optimalizimi i teknikës dhe njëkohësisht duhen informuar dhe ndihmuar konsumatorët.”

Strategjitë kundër krijimit të varësisë

Më e rëndësishmja është të shihet vazhdimisht me sy kritik përdorimi i mediave për vete dhe për fëmijët. “Të flitet për këtë problem me gjithë familjen, të ushtrohet mospërdorimi i përbashkët i mediave, pa thënë menjëherë “mediat sociale janë krejt plehra”.”E rëndësishme është të jetë e kufizuar koha që kalohet me mediat, dhe largimi për një kohë të caktuar nga celulari edhe fizikisht. Dhe e rëndësishme është që të mësohen sërish alternativat e tjera përveç përdorimit të smartphonit.”

Studiuesi i mediave Dienlin përmend këtu lëvizjet, sportin, hobbies, miqtë ose angazhimin vullnetar. “Nuk është e rregullt të mendosh se ka të bëjë me mediat sociale kur dikush nuk ndihet mirë. Shpesh varësia nga smartphone është shprehje e një problemi tjetër, shprehje që tregon se mund të dalin probleme të tjera.”

Të kuptosh këtë gjë, është shpesh hapi i parë për të dalë nga varësia prej smartphonit. /DW

Pisa “nxin” Arsmin në Shqipëri, ekspertët evidentojnë problematikat

Raporti i PISA-s 2022 për nivelin e arsimit në Shqipëri, ka ngritur diskutime për problematikat dhe zgjidhjet e mundshme në pocesin mësimor. Për të folur rreth kësaj çështjeje të ftuara në Euronews Weekend ishin profesoreshë, Nora Malaj dhe ekspertja e arsimit, Irida Sina.

Sipas ekspertes pikëpyetja e çdo nxënësi sot është rëndësia e teorive dhe njohurive që merren në shkollë, ku mësuesi duhet të shpjegojë situatën dhe nevojën e tregut. Një problem i madh për të janë ditarët e mësuesve, të cilët i sheh më tepër si humbje kohe. Por gjithashtu shtoi se nxënësit vijojnë të mësojnë përmendësh.

“A më duhet mua realisht ditari? A duhet mësuesi të humbasë 2-3 orë kohë, që kjo nuk ndodh se zakonisht e merr të gatshëm. Jo! T’ja japim këtë kohë mësuesit të reflektojë. Si unë duhet të bëj mësim? Si të nxis tek ky nxënës autonominë e të mësuarit?”-tha ajo.

Ndërkohë për Malaj, ngërçi në metodat e formatit të IT-së dhe E-learning është krijuar gjatë periudhës së pandemisë Covid-19, ku mësimi përmes platformave teknlogjike nuk ishte efektiv. Problematikë kjo, e cila ishte përmendur edhe në raportin e PISA-s.

“Në  momentin kur pandemia krijoi ktë antikap, u kuptua që radari i shkollës dhe universitetit kishte rënë. Njëkohësisht mësuesit ishin të papërgatitur, sepse në cdo cikël të procesit të ndryshimeve përdoren gjithë kohës si modele. Dhe i kemi kthyer në personazhe që i modelojmë, pa bërë një analizë sintetike.”-tha Malaj.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, REL: Do të konfirmohet përkushtimi ndaj rajonit

Në 13 dhjetor, në Bruksel mbahet samiti i përbashkët i liderëve të Bashkimit Europian me kolegët e tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pritet të jetë një prej temave kryesore të debatit pasi vlerësohet se këto raporte janë kyçe për stabilitetin e gjithë rajonit, thotë REL. Takimi do të prodhojë dhe një deklaratë të përbashkët, me të cilën do të konfirmohet, nga njëra anë, orientimi strategjik i rajonit për integrim në BE, dhe në anën tjetër, edhe përkushtimi i BE-së në këtë drejtim.

Radio Europa e Lirë ka arritur të sigurojë draftin e deklaratës. Aty do të përsëritet angazhimi pa rezervë për perspektivën e anëtarësimit në BE të vendeve të rajoni si dhe përshpejtimi i këtij procesi, bazuar në meritat individuale të vendeve kandidate në procesin e reformave dhe përmbushjen e kritereve. Para së gjithash, do te nënvizohet nevoja për progres në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe në respektimin e parimeve dhe vlerave themelore të bllokut.

Teksti i draftit është hartuar nga BE-ja dhe pritet të mbështetet edhe nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sa i përket qëndrimeve ndaj Rusisë, BE-ja pritet të shprehë mirënjohje për vendet, të cilat janë përshtatur me qëndrimet e Brukselit dhe të kërkojë nga ato që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, që ta bëjnë sa më parë.

Kjo i referohet para së gjithash Serbisë, e cila vazhdon të jetë i vetmi vend në rajon që nuk i ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë.

Goditjet ndaj industrisë fasone! Fasonet e Durrësit dhe Krujës, situata është e rëndë

Të goditur nga rënia dyshifrore e euros dhe e eksporteve, përfaqësues të industrisë fasone dhe manifakturave në rajonin Durrës-Krujë, u mblodhën për të diskutuar, të shtunën, mbi situatën e rëndë dhe pasojat ekonomiko- sociale të saj.

“Ajo që po ndodh është humbja e konkurrueshmërisë te bizneseve të sektorit që çon në reduktimin e linjave prodhuese dhe më e keqja është që shumë brende të huaja dhe shqiptare po shikojnë të transferohen në vende të tjera dhe kjo do të kishte dhe një ndikim social. Kur fiket një biznes dhe makineri prodhuese është shumë e vështirë të rindizet”, tha Edvin Prençe nga shoqata “Pro Eksport”.

“Patëm një rritje shpenzimesh te 40% pa nisur rënia e euros, e cila i rriti kostot me 60-80%. Problemi më i madh që është kthyer në tmerr, edhe sikur të ndodhë mrekullia e të rikthehet euro e fortë, është hapur një gropë aq e madhe sa nuk e di ç’do të ndodhë. Ka pasoja të mëdha, mospagim të sigurimeve shoqërore, detyrime ndaj punëtorëve, qirasë e korrentit dhe shteti do bëjë sulmin e vet, bllokime nëpër banka, dogana etj dhe ti nuk e di si do të mbijetosh. E shoh shumë të vështirë situatën”, tha një përfaqësueses fasoni Agron Hyseni.

Bizneset u shprehën pashpresë për fuqizimin e euros në vazhdim, ndërsa pasojat e shkaktuara prej saj, rritja e pagave dhe mungesa e fuqisë punëtore mund t’i çojnë drejt falimentit një pjesë prej tyre. Të rrezikuara, bizneset eksportuese kërkojnë mbështetje nga ana e shtetit për t’ia dalë mbanë në këtë situatë të vështirë.

“Kruja ka 25 vjet që merret me fasoneri. Mund të ketë 3-4 mijë punëtorë vetëm në fasoneri. Jeta e grave të Krujës, Laçit e Milotit varet nga fasoneria. Çdo gjë do të reduktohet, do ua bësh me normë që të nxjerrin rrogat e tyre dhe të lajnë kredinë. Unë kam marrë dhe 100 pakistanezë tw zëvendësojnë punëtorët dhe sot kam vetëm 30. Kanë ikur se kanë destinacion Italinë, tha Muharrem Hoçja.

Mbështetja që kërkohet është subvencionimi, minimizimi i këtyre kostove. Nga një llogaritje e thjeshtë bizneset e sektorit kanë një humbje në rreth 9 milion euro/muaj dhe kjo është mungesë likuiditeti. Nuk është fitim po likuiditet për të bërë pagesa dhe detyrimet që gjenerohen nga aktiviteti i tyre. Po flasim për humbje ndërkohë që këto biznese kanë kontrata me klientët që nuk mund të rishikohen”, tha Edvin Prençe.

Nëse shteti nuk ndërhyn shumë vende pune, sipas tyre, do të mbyllen, duke diktuar një situatë të paqartë për fatin e shumë bizneseve fasone dhe eksportuese.

Autizmi/ Shenja e fytyrës që zbulon çrregullimin herët

Autizmi mund të diagnostikohet herët në fëmijëri, në moshën 1-2 vjeç e gjysmë, pohojnë dy studime të reja, dhe se si dhe ku fëmijët përqendrojnë shikimin e tyre teksa shohin ndërveprimin social të të tjerëve, mund të zbulojë aftësitë sociale dhe verbale.

Në studimin e parë të publikuar në JAMA Network Open, studiuesit ekzaminuan 1089 fëmijë të moshës 1 deri në 2.5 vjeç nga Children’s Healthcare of Atlanta me simptoma që sugjerojnë çrregullime të spektrit të autizmit ose faktorë gjenetikë që predispozojnë për çrregullimin neurozhvillues. 519 ishin tashmë të diagnostikuar.

Eksperimenti përfshinte shikimin e 14 videove afërsisht një minutëshe të ndërveprimeve të ndryshme sociale midis foshnjave. Kamerat speciale gjurmuan kokën e syrit të fëmijëve të testuar me një shpejtësi prej 120 herë në sekondë për të regjistruar mikrolëvizjet ndërsa ata shikonin filmat. Të dhënat më pas u ngarkuan në një kompjuter për t’u kontrolluar nga një program i krijuar posaçërisht për të zbuluar çrregullimet e autizmit.

Krahasuar me diagnozat standarde nga një klinik, metoda e gjurmimit të lëvizjes së syrit ishte 86% e saktë në identifikimin e çrregullimit. Profesor Warren Jones, autori kryesor dhe një pediatër në Universitetin Emory në Xhorxhia, tha: Rezultatet tregojnë se metoda se si fëmijët e vegjël marrin informacionit social vizual, mund të shërbejë si një biomarker efektiv dhe objektiv për zbulimin e shenjave të hershme të autizmit.

Studimi i dytë, i publikuar në JAMA, ishte me sens të përbashkët dhe ndoqi të njëjtin proces kërkimor, duke gjetur saktësi 78% krahasuar me procedurën standarde diagnostikuese. Profesorja Ami Klin nga Emory, e cila ishte bashkëautor i studimit, vuri në dukje se gjetjet sugjerojnë se shumë fëmijë presin dy ose më shumë vjet për t’u diagnostikuar, pas referimeve të lodhshme në spitale dhe qendra, deri në moshën 4 ose 5 vjeç, ndërsa çrregullimi mund të ishte diagnostikuar shumë më herët.

Vështirësia e diagnostikimit të autizmit është vënë në dukje nga studimet, sipas të cilave një familje në SHBA pret mesatarisht dy vjet e tre muaj, ndërsa në Britaninë e Madhe është më shumë se një vit, me një moshë mesatare diagnostikimi mbi pesë vjet.

Shkencëtarët nuk janë të sigurt për shkaqet e autizmit, me hipotezën mbizotëruese që ia atribuon atë një kombinimi faktorësh gjenetikë, si historia familjare dhe mosha e prindërve, dhe faktorët mjedisorë. Ashpërsia e çrregullimit gjithashtu ndryshon gjerësisht në të gjithë spektrin autik, që do të thotë se ka të ngjarë që nuk ka asnjë mundësi trajtimi.

Basha me profesionistët e rinj: Qeveria po i shtyn të rinjtë drejt emigrimit. Mbështetje SPAK-ut për t’i shkuar në fund aferës së Inceneratorëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar njё takim me profesionistë të rinj.

“Në vend që qeveria të mbështesë dhe të stimulojë profesionistët bizneset e të rinjëve, ajo po i shtyn drejt emigrimit”, – theksoi kryetari i PD.

Zoti Basha theksoi se “sikur të mos mjaftonte situata e rëndë ekonomike e pamundësia, së fundmi kjo qeveri ka vendosur që më shumë se 30 mijë profesionistë të lirë të paguajnë tatim mbi të ardhurat e tyre vjetore në të njëjtat fasha si një biznes i madh. Nga njëra anë kjo qeveri kërkon të pengojë në mënyrë antikushtetuese studentët e mjeksisë të zgjedhin vetë të ardhmen e tyre, nga ana tjetër po përze profesionistët me rritje taksash dhe korrupsionin që ka përpirë zë gjithë këtë qeverisje”.

Zoti Basha u ndal dhe tek vendimi i fundit i SPAK për inceneratorin e Tiranës. Duke vleresuar punën e SPAK, Basha tha se “ai nuk duhet të ndalet, por duhet t’i shkojë deri në fund aferës prej 430 milionë euro të Inceneratorëve, sepse njeriu që mban bashkë fijet e krimit dhe korrupsionit është Edi Rama. SPAK nuk duhet të hezitojë të çojë para drejtësisë këdo që ka abuzuar me besimin e shqiptarëve me paratë e tyre”.

Basha tha se kush ka abuzuar me fondet dhe me pasuritë e shqiptarëve, me besimin e shqiptarëve, të shkojë para drejtësisë. Dhe për këtë, Partia Demokratike i jep mbështetje të pakushtëzuar SPAK-ut.

Basha theksoi se krahas inkurajimit dhe mbështetjes së SPAK, PD ka çuar në parlament dhe projktligjin për vetingun e politikanëve, përmes të cilit synon të largojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin nga politika.

“Kush e justifikon pasurinë e vet dhe të familjes së vet, të vazhdojë. Kush nuk e justifikon, nuk mund të vazhdojë më të jetë përfaqësues i interesave të qytetarëve”,- theksoi Basha

Ai shtoi se “përballja pa kompromis me korrupsionin, pastrimi i politikës, dhënia fuqi qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre në Parlament, vota e emigrantëve janë udhërrëfyesi i PD në rrugën që kemi nisur për çlirimin e politikës dhe ekonomisë”, – tha kryetari i PD.

“Shqipëria fantastike”: Ajo që ka qenë, ajo që është dhe ajo që mund të jetë…

“Shqipëria fantastike” e artistit shqiptar Ibrahim Kodra. Stili i veprës është kubist ndërsa teknika është vaj në pëlhurë dhe media mikse, pikturuar në vitin 1997.

Piktura shfaq shumë elementë të jetës kulturore shqiptare, duke përfshirë një sfond malor mesdhetar me fshatra të vendosur në shpatin bregdetar. Ai gjithashtu nënvizon në mënyrë delikate tolerancën e përzier fetare të Shqipërisë duke treguar atë që duket të jetë një xhami dhe një kishë. Ai lë të kuptohet gjithashtu për elementë të tjerë të rëndësishëm arkitekturorë të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, si për shembull atë që mund të shihet si Kalaja e Krujës dhe tempulli në Apolloni.

Bregdeti shqiptar ka pamje nga perëndimi, piktura përshkruan një skenë mëngjesi – një kohë kur Shqipëria është shumë aktive – dhe mund të shihet si një simbol për një fillim të ri.

Në pikturë dallohet femra që luan lahutën duke qarë. Lahuta është simbol i muzikës dhe gëzimit, por në kontekstin shqiptar (që ka të bëjë me Lahutën e Malësisë së Gjergj Fishtës) është gjithashtu simbol i lirisë dhe lotët e saj janë një tregues i dëshirës për të qenë i lirë përballë një vend që po shkatërrohet.

Gjithashtu në pikturë shfaqen varkat me vela, të cilat janë simbole të eksitimit, lëvizjes dhe lëvizjes. Megjithatë, ato janë të prekshme ndaj elementeve dhe mund të shpërthehen. Prandaj, ato mund t’i referohen ndjenjës së pafuqisë ose mungesës së kontrollit në atë kohë dhe dëshirës për ndryshim në përgjithësi, si dhe përfaqësimit të eksodit të shqiptarëve në ’97 dhe më herët.

Shqipëria fantastike mund të shihet si ajo që ka qenë, ajo që është dhe ajo që mund të jetë. Ai paraqet bukurinë dhe trashëgiminë e Shqipërisë, të krahasuar pa probleme me një periudhë të tmerrshme të historisë shqiptare, por në një mënyrë të tillë që shikuesi shikon fillimisht vetëm një parajsë mesdhetare.

Fier, Berisha quan SPAK-un organizatë kriminale, demokratët e braktisin

Sali Berisha vijon sulmet e paprecedenta ndaj SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.

Ditën e sotme ai është ndalur në Foltoren anti SPAK në qytetin e Fierit dhe ka vijuar me të njëjtat akuza ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që janë duke hetuar atë familjarisht për korrupsion.

Prej disa kohësh, akuzat e Berishës janë të përditshme dhe ato janë në sintoni të plotë me akuzat e Edi Ramës ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe kërcënimet e Ilir Metës ndaj prokurorëve të caktuar, sipas të cilit “edhe ata kanë halle dhe familjarë të tyre”.

Ajo që të bie në sy në takimet e ditëve të fundit të Berishës, është numri i paktë i demokratëve, që sa vjen dhe firon, duke u bërë përherë e më të paktë.

Edhe pamjet e qytetit të Fierit kanë konfirmuar edhe një herë këtë gjë, përveç mungesës së entuziazmit dhe shpresës për të fituar.

Ndonëse Berisha bën përditë thirrje për protesta dhe për revolucion, demokratët kanë vendosur ta bojkotojnë dhe të mos bëhen pjesë e tallavasë së tij të akuzave ndaj drejtësisë.

“Do të ketë non grata të tjerë”/ Ambasadori britanik: Të ndëshkohet korrupsioni

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King-Smith ishte i ftuari i radhës në podkastin “Inside Albania” nga gazetarja Alice Taylor.

Diplomati britanik zbuloi një sërë projektesh në të cilat ambasada është e përfshirë për të ndihmuar ekonomikisht zonat veriore të Shqipërisë, ku fenomeni i largimit të të rinjve, sidomos drejt Mbretërisë së Bashkuar, është më i theksuar.

“Kemi ngritur disa qendra sipërmarrjeje për të rinjtë. Kemi hapur një në Kukës, do të ketë edhe të tjera, në Dibër. Do të nisim programe me shkollat. Sigurojmë gjithashtu grante për bizneset e vogla, që individët të hapin biznese dhe të marrin njerëz në punë.”

Ambasadori komentoi shifrat e emigracionit të paligjshëm nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. Krahasuar me 2022, niveli i tyre gjatë këtij viti ka rënë me 90%.

“Apeli im për çdo të ri që mendon të ikë ilegalisht, është të mos e bëjnë. Ka mënyra të ligjshme për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar. Kemi hapur një qendër aplikimesh për viza në veri për të lehtësuar ikjen dhe për të treguar se jemi të hapur për punë.”

Ambasadori ndau disa detaje nga dokumentet e rëndësishme që Ministri i Brendshëm, Taulant Balla nënshkroi në Londër, pas takimit me homologun britanik, James Cleverly.

“Është një pjesë shumë e rëndësishme e marrëveshjes tonë, brenda kontekstit të Komunikatës së Përbashkët që dy kryeministrat tanë nënshkruan vitin e kaluar. Deklarata e bashkëpunimit nënkupton se do të ketë shkëmbime, operacione policore, do të intensifikojmë atë që bëjmë përmes task forcës së emigracionit, do të shohim si mund të mbështesim transformimin brenda Policisë. Ne tashmë e shohim Policinë e Shtetit si një partner të mirë për të bashkëpunuar.”

Në fund, King-Smith sqaroi arsyet përse Mbretëria e Bashkuar vendosi të shpallë non grata ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa paralajmëroi se do të ketë masa të ngjashme edhe në të ardhmen.

“Ne mbështesim tërësisht sistemin gjyqësor të Shqipërisë, në veçanti institucione si SPAK. Nuk komentojmë rastet individuale, por ajo që mund të them është se jemi të angazhuar të pengojmë lidhjet mes kriminalitetit, korrupsionit dhe politikës. Do të marrim masa kur ta konsiderojmë të përshtatshme.”

1 shqiptar për 165 pushues! Zgjerimi i turizmit nuk po shoqërohet me më shumë të punësuar

Zgjerimi i turizmit nuk po shoqërohet me më shumë të punësuar, të paktën referuar shifrave zyrtare. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë për të pritur e përcjellë mbi 9.5 milionë turistët pati më pak se 58 mijë të punësuar. Thënë ndryshe, një shqiptari iu desh t’u shërbente 165 të huajve.

“Unë nga konstatimet e mia mendoj se numri është goxha më i lartë. Kemi gati 10 milionë turistë. Nuk mund t’u shërbejnë 60 mijë vetë. Nga të dhënat që ne kemi janë të paktën 100 mijë të punësuar direkt, përjashtuar ata sezonalë në turizëm”, shprehet Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.

Në raport të zhdrejtë me shtimin e numrit të turistëve ka ardhur edhe ai i bizneseve në këtë sektor. Të paktën zyrtarisht, në vend numërohen 1 mijë e 166 sipërmarrje shërbimesh në fushën e turizmit, me një rrije të vogël në raport me vitet paraardhëse.

“Nuk përputhet fare kjo shifër. Numri është minimalisht tre mijë. Janë shumë larg realitetit këto të dhëna”, theksoi ai.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun viteve 2020-2023, numri i turistëve është rritur me 238 për qind, ndërsa ai i të punësuarve me vetëm 22.4 për qind. (grafik 3) Për aktorë nga ky treg, shkak për këto shifra larg realitetit është shkalla e lartë e informalitetit në këtë sektor.

“Kjo është absolutisht problem. Është diçka e trashëguar për të cilën ende nuk po ka një zgjidhje”, përfundoi Kasa.

Nisur nga viti i ardhshëm, për të luftuar informalitetin në turizëm do të hyjnë në fuqi disa ndryshime në ligjin për të, të tilla si tatimi i të ardhurave nga dhënia me qira e apartamenteve apo mbledhja e të ardhurave nga hotelet.