40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Reagimi i nënkryetares së PD, Flutura Açka: Doktor, mblidhi zagarët!

Ndërkohë që deputetët e grupimit të Sali Berishës dhanë shfaqjen e radhës në Kuvend, duke ndezur zjarr, flakë e tym në seancën më të rëndësishme të vitit, atë të buxhetit, deputetët e PD-së e kanë votuar kundër.

Edhe pse përgjatë këtyre ditëve deputetët e PD-së kanë dorëzuar amendamente dhe kanë diskutuar për buxhetin, në Parlament ka mbizotëruar zhurma dhe kaosi.

Përveç kësaj, Berisha vijon të linçojë deputetët e PD-së, herë me televizionin e tij, herë me njerëzit e tij të afërt.

Në një postim në facebook, dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili është me masë “arrest shtëpie” nga Gjykata e Posaçme dhe në hetim nga SPAK-u për aferën korruptive të kompleksit PArtizani, ka sulmuar deputetët e PD-së si “palaço”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes së PD-së, Flutura Açka, e cila,  nëpërmjet një reagimi në facebook, duket se i ka dhënë përgjigje dhëndërit të Berishës, i cili akuzohet për korrupsion dhe vijon të reagojë sikur të jetë një person i ndershëm dhe jo nën hetim nga SPAK.

Reagimi i plotë i nënkryetares së PD, shkrimtares Flutura Açka:

“Doktor, mblidhi zagarët!

Unë votoj siç më urdhëron ndërgjegjja ime dhe siç ma ndien sentimenti politik, të cilin, veç Zotit, nuk ka kush fuqi ta urdhërojë.

Ky shqetësim i madh që ju paska zënë, më thotë se kam vepruar drejt.

Unë nuk e votoj këtë qeveri, as me heshtje, as me kinse!”

Përfaqësuesi i Avokatit të Popullit kritika ministrisë për amnistinë penale: Nuk u konsultua me ne, hera e parë që projektligji nuk na erdhi

Sotiraq Nushi, ndihmës komisioneri pranë Avokatit të Popullit ka pasur kritika për ministrinë e Drejtësisë sa i takon projektligjit për amnistinë fiskale, duke u shprehur se nuk ishte konsultuar me institucionin që ai përfaqëson.

I ftuar në emisionin “Përballje” në Report Tv, Nushi u shpreh se lajmin për amnistinë fiskale, institucioni i Avokatit të Popullit e ka marrë vesh nga mediat, ndërsa shtoi se nëse do të një konsultim i tillë do të kishte ndodhur, do të sillte përfitime për formësimin e projektligjit.

“Në burgje ka mbipopullim. Por ende nuk e kemi parë këtë projekt. Jemi informuar nga media. Do ishte mirë të na ishte dërguar projekti dhe të kishim dhënë mendimet tona për çështje të caktuara.

Nuk jemi ne institucion dosido. Jemi në kushte të tjera këtu. Mund ta vlerësonim edhe nga misioni ynë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kjo është hëera e parë që një projektligj i tillë nuk na ka ardhur. Nuk du iu dëmtonte, përkundrazi, do të përfitonit”- tha Nushi.

Anglia ime

Nga Edison Ypi

Anglia jote është e kollajtë, e sheshtë, e thjeshtë.
Anglia jote është Anglia e turmave që ikin të çartallosura në vendin ku ka aq shumë pare sa xhepat nuk mjaftojnë, duhet me i mbledh me fshesë dhe me i fut nëpër thasë.
Anglia jote është Anglia e shtëpive të barit ku hyn e rri brenda nja tre muaj, pastaj del me ca strerlina ndër duar, dhe mushkri e zemër përgjithmonë të shkatërruara. Aq keq sa s’mjaftojnë miliarda për t’i ndrequr.
Anglia jote është Anglia e llogarive të fshehta bankare të hajdutave shqiptarë që ty të rre menia se një ditë do bëhesh edhe ti si ata.
Anglia jote është Anglia e rrenave burracake nëpër zyrat e emigracionit dhe të tjera zyra.
Anglia jote është oturaku yt ku ti shkon e 10.
Anglia jote virtuale mashtruse që ekziston vetëm në kokën tënde, të ka çmendur.
Anglia ime është pak më ndryshe se Anglia jote.
Anglia ime është Anglia e Revolucionit industrial për të cilën na fliste me pasion babai anglofil qëkur ishim fëmijë.
Çudia qe’ se, për fillimet e atij Revolucioni, bashkë me spjegimet e babait, s’dihej se nga kishte depërtuar vargu i një poeti komunist rus: “Trikoja feudale e shtrëngonte liksht”. Me zor e gjetëm nga cili shteg kishte depërtu ky varg. Nuk kishte hy nga shtegu i rrenës që e mbanim gjithë kohës të mbyllur. Kishte hy nga shtegu i së vërtetës që e mbanim kurdoherë të hapur.
Për të mos shkaktuar çorroditje, novacionet teknologjike Anglia ime i shoqëronte rregullisht me caqet etike të përdorimit, si shtypshkrimi, treni, telefoni, Interneti, etj.
Përveçse vend i politikanëve vizionarë, strategëve historikë, shkencëtarëve të shquar, Anglia ime është vendi i dramturgut dhe Poetit më të madh të Botës. Atij që analizoi dhe pavdekësoi individin e përsosur, dyshimtarin më të llaftarisur që derimësot nuk është tejkaluar prej asnjë të gjalli, të vdekuri, apo të trilluari.
Aty nga mesi i viteve ’80 dikush që punonte në Tregëtinë e Jashtëme më tha: A të ka mbetur nga të babait që ka bërë Shkollën Teknike ndonjë manual që tregon me shembuj si shkruhen letrat e biznesit ? Mes pak librave të mbetur nga babai, e gjeta një të tillë me nja 200 faqe, dhe ja fala.
“Business Letters” të viteve të Mbretërisë për tu përdorur nga shteti komunist në agoninë e tij ? Kjo sa më mahniste aq dhe më gajaste.
Shoku Richard, kemi fasule, tranguj, domate, speca, mollë, dardha, manaferra. A mund t’i ndërrojmë me hekurishta ?
Mikut të manualit të letrave i paskësh punuar mirë nuhatja.
Në shtëpi na kishin mbetur ca katalogë me fletë të zverdhura nga koha me reklama biçikletash.
Me gjasa, Babai ndoshta kishte blerë ndonjë biçikletë dhe pjesë ndërrimi në Anglinë e tij, asgjë më tepër. Biznesi me Anglinë time dhe të babait tim ishte pothuaj zero. Ama British History and Culture vu në shtëpinë time.
Eksploratorët, shpikësat, makinat, lundërtarët, udhëtarët e poleve, shkrimtarët, poetët, dhe të tjerë e të tjerë, hynin e dilnin në shtëpinë tonë si në skenat e teatrove të Londrës.
Në këto e sipër, babai na tha diçka që edhe sot pak shqiptarë e dinë. Pensionin e Moshës, pra pensionin e gjithkujt që ka punuar si kalë dhe duhet të vdesi si human, nuk e kishte shpikur Rusia, as Kina, as Kuba, por Anglia ime.
Birminghami i fabrikave mbiquhej Qyteti i Zi. Se çfarë ngjyre ishte Liverpul, Glasgow, Manchester, Sheffield, nuk e mësuam kurrë.
Anglia ime nuk ka shumë Beatles.
Anglia ime ka më tepër, Rod Stewart, Phil Collins, Joe Cocker, Paul Simon, Peter Gabriel.
Anglia ime s’kishte komitete, plenume, kongrese, parakalime, zbore, punë vullnetare.
Anglia ime kishte meritokraci dhe ndarje të kompetencave, kaq, dhe kjo na shkaktonte marramendje.
Anglia ime është ajo që më bëri mua ky që jam; Inxhinierin që tornot dhe të gjitha makinat metalprerëse ku ka punuar, nuk i mban ment si tornoja sovjetike, freza kineze, etj. por sot e kësaj dite e identifikon secilën symbyllur nga aroma.
Për ty dhe Anglinë tënde mua më vjen për të qarë.
Për mua dhe Anglinë time ti ske asnjë ide.
Anglia jote është e thjeshtë si tabela e shumzimit që e di përmendësh çdo kalama.
Anglia ime është e sofistikuar si tabela e Mendelejevit që ende s’është eksploruar plotësisht.
Anglia jote është mish.
Anglia ime është pastërma.
Mishi i Anglisë tënde nuk hahet, është si baltë.
Pastërmanë e Anglisë time ke qef ta hash me fasule ose trahana.
Anglia jote është një vend ku ti vete të vjedhësh.
Anglia ime është tempull, ku unë vete të falem, që Anglinë time ta respektoj dhe ta dua edhe më tepër. Por kurrë më tepër se e shenjta dhe e shtrenjta Shqipëria ime.

Shpallet renditja përfundimtare e prokurorëve, tre emrat që i bashkohen SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka publikuar renditjen përfundimtare të 8 kandidatëve për prokuror në Prokurorinë e Posaçme, SPAK.

Tre prokurorët e përzgjedhur nga KLP për t’iu bashkuar SPAK-ut janë: Ols Dado, Anita Jella dhe Ndini Tavani.

Lista me 3 kandidaturat e para i përcillet SPAK për kontroll pasurie dhe figure.

Me emërimin e tyre në Prokurorinë e Posaçme do të plotësohet dhe organika e këtij institucioni me 20 prokurorë, nga 17 që kanë qenë më herët.

Renditja përfundimtare e 8 kandidatëve për prokuror në Prokurorinë e Posaçme pranë SPAK:

  1. Ols Dado

2.Anita Jella

3.Ndini Tavani

4.Bledar Maksuti

5.Kreshnik Ajazi

6.Pali Deçolli

7.Albert Kuliçi

8.Sonila Muhametaj

Vdekja Politike është madhështi, vdekja jetësore fatkeqësi!

Nga Marsid Gupi

Muaji nëntor, përveçse është muaj i festave të mëdha në rrafshin kombëtar është edhe muaji, në të cilin çdo vit mbahet panairi i librit. Një nga librat të cilin e bleva me shumë dëshirë dhe kureshtje, është libri Tregimet nga autori Jorge Luis Borge.

Më nxiti të reflektoj mbi aktualitetin politik një thënie e tij: “E ç’di njeriu në jetë kur nuk di ditën e vdekjes së tij”. Thënie e saktë e cila vlen për kohën jetësore ama jo për kohën politike! Madje në kohën politike qenia njerëzore e ka madhështinë të jetë përcaktuese e vdekjes së saj. Në politikë vdekja është madhështi, sepse tregon realizimin e qëllimeve dhe ideve politike, fitoren mbi egon dhe ambicien, si dhe guxim e përulësi për ti lënë hapësire ideve të reja.

Aktualiteti politik shqiptar ka tre personazhe, të cilët nuk kanë guximin të pranojnë këtë madhështi, madje i ngjajnë fëmijëve të përkëdhelur, të pangopur, madje cinikë dhe të paskrupullt , që kanë vendosur një simetri midis kohës së tyre politike dhe kohës të jetës njerëzore të qytetarëve. Ata barazojnë fundin e jetës së tyre politike me fundin e jetës njerëzore të votuesve të tyre.

Kjo simetri i mban ata na aktualitet pavarësisht se i ka zbrazur nga identiteti politik dhe idetë politike. Nëse i abstragon deri në ekstrem dëshirat e tyre , ata më përpara do dëshironin të shikonin të mbaronte koha jetësore e votuesve të tyre sesa koha e tyre politike.

Berishës si doktor në profesion, do i duhej një alibi humaniste për të justifikuar këtë kohë politike, e cila është më e gjatë sesa koha jetësore e ithtarëve të tij besnikë. Mendoj se do e kishte guximin të deklaronte duke thënë; “Më nigjoni mue, un jam si ay prindi qi pranon me jetu ma gjat sesa fmia e tij, sepse sdo kisha paqe n vdekjen time, pa e dit që fmia im ka jetue i lumtur”.  Edi Rama do tregohej me cinik duke thënë se “Ndryshe nga doktori i përjetësisë, unë nuk i shikoj si fëmijë votuesit e mi por si miq. Miq me të cilët kemi një rrugë të përbashkët. Është dashuria ime për ta, e cila më çon deri aty sa më mirë të ngel i vetëm unë deri  në përfundimin e kësa rruge sesa ti lej ata vetëm”.

Ilir Meta do ishte më i qetë, madje më racional sa do shprehej , shkurt e saktë : “Me qetësi dhe dashuri o do ndihmoj babain të shikojë lumturinë e fëmijëve ose mikun për ti lënë në paqe miqtë gjatë ndarjes nga rruga!  Nëse ata të dy nuk e duan ndihmën time, atëherë ngel vetëm të shikoj Shqipërinë në Europë”! Ndërkohë mua ashtu si popullit , intelektualëve të rinj, punëtorëve, sipërmarrësve dhe shtresës se mesme , na ngel vetëm ti themi se : “Vdekja politike është madhështi, vdekja jetësore fatkeqësi!”

Kryemadhi kërkoi heqjen e sekuestros ndaj provave të sekuestruara nga SPAK! GJKKO e rrëzon

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e bërë nga deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi lidhur me heqjen e sekuestros të provave që i Prokuroria e Posaçme ia ka sekuestruar. Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Erion Çela, e bazuar në nenin 222 të Kodit të Procedurës Penale, pika 3, që bën fjalë për përgjimet telefonike.

Burime nga SPAK dhe GJKKO, nuk konfirmojnë për çfarë bën fjalë objekti i kërkesës. Në seancën që nisi në orën 13.30, Kryemadhi u përfaqësua nga avokati i saj ndërsa SPAK nga prokurori Sotir Kllapi i cili heton çështjen e lobimit të LSI në SHBA. Pak javë më parë, u raportua se oficerët e BKH-së kryen kontrolle në zyrat e Partisë së Lirisë ku sekuestruan prova materiale.

Në një reagim për mediat, GJKKO deklaroi se nuk mund të japë detaje.

Rezulton se është paraqitur një kërkesë me objekt heqje sekuestro. Duke qenë se këto janë kërkesa në fazën e hetimit paraprak nuk mund të jepen detaje të tjera pasi seanca është me dyer të mbyllura.

Shkëlzen Berisha thirret në gjykatë/ Kulluri: Gërdeci, një gabim i rëndë! Sali Berisha duhet t’i nënshtrohet sistemit si të gjithë

Këtë të enjte, Gjykata thirri Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha të dëshmojë në procesin për dosjen Gërdeci. Mirëpo, seanca u shty për shkak të mungesës në proces të ish ministrit Mediu.

I ftuar në “Tirana Live”, sekretari për Marrëdhënie me Publikun në PD, Edvin Kulluri e komentoi çështjen “Gërdeci”, duke e konsideruar një gabim të rëndë, sepse kostoja ishte me jetë njerëzish.

Sa i përket, Sali Berishës, ai tha se duhet t’i nënshtrohet sistemit të drejtësisë, si çdo njeri tjetër.

“Gërdeci qe një gabim i rëndë sepse kostoja ishte me jetë njerëzish dhe dëme të mëdha. Këtë e di prokuroria dhe gjykata. Ndërkohë, në këtë sistem ajo që bën zoti Berisha është e gabuar.

Ai duhet t’i nënshtrohet sistemit, pse duhet të shkoj unë në gjykatë dhe ai jo. Mendoj që zoti Berisha është një konservator dhe duhet ta njohi më mirë”, u shpreh Kulluri.

Më tej, i pyetur lidhur se çfarë mendonte nëse Argita Berisha vjen në krye të demokratëve, nisur nga fjala në Kuvendin e Foltores, Kulluri e konsideroi kthim pas në kohët e lashta.

“Besoj që modelit aktual po t’i vendosej një model hikerakikë, do të ishte një rikthim 200-300 vite mbrapa”.

Dash Shehi kundër opozitës me flakadanë: Jemi të zotët të dalim në demostratë, hajde dalim!

Deputeti Dashamir Shehi është kundër aksionit opozitar aktual në Parlament, duke theksuar se ky aksion e ka arritur qëllimin e tij dhe se nuk është thelbi i aksionit opozitar. Në studion e News 24, Shehi u shpreh se duhet ndryshuar Kushtetuta e vendit.

Jemi aty dhe nuk kemi marrë pjesë në komisione për të treguar solidaritet me aksionin opozitar. Por, sigurisht nuk është kjo rruga për ta marrë opozitën dhe për ta çuar atje ku duhet. Qëllimi është të rrëzojmë Edi Ramën, t’i hapet hapësirë demokratike opozitës në Parlament. Jam darkord deri kur të mbrojmë komisionet si elementi kryesor për të hetuar qeverinë, që është kontrolli parlamentar.

Jam për të mos u dënuar më kolegët opozitarë dhe të mos merremi me përjashtime. Opozitës t’i rishpërndahen pushtetet që i takojnë. Deri këtu jam dakord, por që të dalim nga Parlamenti kjo është lojë luftërash. Nuk është esenca e aksionit opozitar. Sot kaloi buxheti i shtetit, pas një jave kalon marrëveshja me Italinë. Mazhoranca i ka rrëzuar amendamentet e opozitës, por debatin nuk ia mbyll dot gojën. Fjalët bindin popullin shqiptar që qeveria e ka keq dhe opozita e ka mirë.

Në këtë rast nuk themi asgjë. Kjo është zëvendësuar me dy flakadanë, me një lloj shou. Kjo e ka arritur qëllimin. Por, duhet të vazhdohet përtej kësaj. Lufta në Parlament bëhet për të bindur shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Për mua duhet të kthehemi në Parlament që më ndan me kolegët. E dyta duhet t’i kthehemi politikës. Të flasim për ligjin zgjedhor, për Kushtetutën. Kjo kushtetutë nuk mund të vazhdojë. I ka akoma hijet e 2008-s. Sikur një Nastradin, 500 mijë vota do t’i marrë opozita se janë vota kundër Edi Rama. Opozita duhet të marrë edhe 200 mijë vota të tjera. Jemi të zotë të dalim në demonstratë, hajde dalim”, tha Shehu

Gazetari i Al Jazeera humb 22 anëtarë të familjes gjatë një sulmi izraelit

Al Jazeera ka raportuar se një nga gazetarët e saj humbi 22 anëtarë të familjes së tij në një sulm izraelit në kampin e refugjatëve Jabalia.

Momen Al-Sharafit u godit më 6 dhjetor. Nëna, babai i Al-Sharafit, tre nga vëllezërit e motrat e tij dhe disa nga fëmijët e tyre thuhet se u vranë.

Në tetor, një tjetër reporter i Al Jazeera, Wael Al-Dahdouh humbi gruan, djalin adoleshent, vajzën e vogël dhe nipin në një sulm izraelit në Gaza qendrore.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, bombardimet e Izraelit në Gaza kanë qenë më vdekjeprurësit për gazetarët që nga viti 1992.

“Askush nuk e kuptoi se çfarë u votoi”, Tabaku pas miratimit të buxhetit: Dhe një tjetër buxhet socialist

Deputetja e PD Jorida Tabaku ka reaguar pas miratimit të buxhetit në seancën e sotme. Ajo shprehet se shumica e atyre që ngritën kartonat nuk e dinë se çfarë votuan.

Jam e sigurtë që asnjëri nga ju nuk arriti të kuptojë se çfarë u votua sot mes zhurmës dhe rrëmujës. Jam e sigurt që dhe shumica e atyre që ngritën kartonat nuk e dinë se çfarë votuan. Sot u votua një tjetër buxhet socialist, i cili rriti taksat me 70 milion euro, kryesisht për shtresën e mesme.

Tre janë shifrat dhe faktet domethënëse për këtë buxhet. Së pari, Shqipëria do të vazhdoj të mbetet një nga vendet më të varfra të Ballkanit Perëndimor duke lënë pas vetëm Kosovën me 23% varfëri.

Shqipëria do të ketë mbrojtjen më të ulët sociale, të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe do të ketë një buxhet prej pothuajse 11% të Produktit të Brëndshëm Bruto për mbrojtjen sociale.

Së treti, Shqipëria ka pagat më të ulta në të gjithë Ballkanit Perëndimor, me një peshë pothuajse 4.5% të Produktit të Brëndshëm Bruto.

Këto tre shifra tregojnë që asgjë nuk ndryshon në tendencën 10-vjeçare të buxheteve socialiste. Asgjë nuk ndryshon dhe asnjë mbështetje, asnjë stimul për shtresën e mesme, asnjë justifikim për të shpjeguar se çfarë ndodhë me ekonominë sot dhe pse kemi çmimet më të larta.

Por nga ana tjetër as edhe një rritje graduale për të shkuar të paktën drejt treguesve të Ballkanit Perëndimor.

Shqetësimi kryesor që kam ngritur në ketë muaj është e vështirë që të dëgjohet mes zhurmës, ka qenë që ky buxhet do vazhdojë që të mos mbeshtesë shtresën e mesme, te godasë shtresën e mesme.

Të formalizoj formalitetin, por nga ana tjetër të ketë një tendencë, e cila është kthyer në shqetësuse, për sa i përket mbështetjes së arsimit.

Nuk ka pse të shqetësohemi, as të çuditemi kur shohim shifrat e PISA që të rinjtë shqiptarë sot kanë rënien më të madhe në lexim, matematikë dhe shkencë.

Kjo lidhet me politikat e buxhetit, kur nuk buxhetojmë, kur nuk mbështesim arsimin, ekonominë e zhvillimit, teknologjinë e informacionit, kjo do ndodhë.

Ku nuk kemi asnjë model zhvillimi ekonomik, kjo do ndodhë.

Të gjitha këto shqetësime që kam ngritur gjatë këtij muaji dhe të gjitha këto duhet të ishin shqetësime edhe për qeverinë, janë problemet reale që ka ekonomia.

Janë arsyet se pse sot rinia largohet, pse nuk ka meritokraci. Në fund të ditës çdo gjë lidhet me vizionin për buxhetin dhe me vizionin që një qeveri ka për ekonominë.

Ndjesë të gjithë atyre që nuk kanë arritur që t’i transmetojmë atë që duhet përsa i përket buxhetit.

Është shumë e vështirë që argumentat dhe idetë të dëgjohen e të shikohen e të analizohen kur ka zhurmë. Fatkeqësisht edhe një tjetër buxhet socialist u miratua!”, shprehet ajo.