30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Monika Kryemadhi ankimon në SPAK sekuestrimet, përfaqësohet në GJKKO nga avokati

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme një sekuestrim të kryer nga ana e SPAK.

Nuk dihet nëse bëhet fjalë për pasuri apo send në emër të saj. Ende nuk dihet se çfarë është vendosur në sekuestro, ndërsa seanca po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme nga gjyqtari Erjon Çela dhe Prokurori i Posaçëm Sotir Kllapi.

Mësohet se Kryemadhi nuk është paraqitur këtë të enjte, por përfaqësohet nga avokati Redi Llanaj.

SPAK ka nisur më herët verifikim në lidhje me një kallëzim për disa ndërhyrje estetike që ka kryer Kryemadhi, ndërsa nuk ka deklaruar pagesat që ka kryer.

Iftari shtohet në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Kulturë (UNESCO) e ka futur të mërkurën, iftarin, që përgatitet nga myslimanët gjatë muajit të shenjtë të Ramadanit, në listën e trashëgimisë kulturore.

Aplikacionin për këtë traditë socio-kulturore e kanë dorëzuar së bashku Irani, Turqia, Azerbajxhani dhe Uzbekistani.

“Iftari (i quajtur edhe eftar ose iftor) përgatitet nga myslimanët për t’u ngrënë pas perëndimit të diellit në muajin e Ramazanit”, ka thënë UNESCO-ja.

– Advertisement –

Sipas “Radio Europa e Lirë”, iftari lidhet me mbledhje, “forcim të lidhjeve familjare dhe promovon bamirësi, solidaritet dhe shkëmbime kulturore”, është thënë në njoftim.

Në shumë shtete myslimane, është traditë që iftari të niset duke ngrënë një hurme, të shoqëruar me një çaj.

Megjithatë, gjellët që përgatiten për iftar dallojnë prej vendit në vend.

Dhuna e Rithemelimit në Kuvend, Kulluri: Kjo situatë anormale nisi që kur Berisha u thirr nga SPAK! Hera e parë në 33 vjet që buxheti i shtetit kaloi pa debat

Sekretari për Marrëdhënie me Publikun në PD, Edvin Kulluri ka komentuar situatën kaotike të krijuar nga opozita këtë të enjte në parlament, ku u miratua dhe buxheti i vitit 2024.

I ftuar në “Tirana Live”, ai tha se është hera e parë në 33 vite që buxheti i shtetit kaloi pa debat.

Kulluri ka theksuar kjo situatë anormale nisi që kur Sali Berisha u thirr nga SPAK dhe është një vetëvrasje politike.

“Nuk ka ndonjë lajm, asgjë të re. E vetmja gjë e re është që buxheti kaloi pa u debat për herë  të parë në 33 vjet. Qytetarët nuk u njohën me buxhetin, që ëshët në të mirë ët tyre as të opozitës dhe as maxhorancës.

E para në atë sallë ne nuk dimë këtë të heqim. Ju e patë që edhe në vendin e Zotin Bashës u vunë flakadë herën e parë. Mbase e kanë vënë dhe në lloj të një shenje. Në parim në fund fare ka rëndësi rezultati. Në qoftë se shofim këtë sjellje të opozitës, gjithçka filloi pasi zoti berisha u thirrë në spak.

Kjo është një situatë anormale. Pala e Berishës e ka ndarë mendjen. Në fund është një vetvrasje politike dhe nuk i ofron asgjë qytetarëve. Njerëzit nuk morën vesh asgjë, vetëm çfarë shohin nëpër portale”, tha Kulluri.

Politika e vërtetë po ndodh në Amerikë jo në parlament!

Nga Ermal Peçi

Ajo që ndodh në seancën e radhës është vetëm një prognozë se si sillen izolantrikët e Shqipërisë. Edhe në mungesë të Berishës vazhdojnë rolet që iu ka përcaktuar regjisori kryesor i skenës politike këto 33 vite.

Pamjet që transmetoheshin sot nga rrjetet sociale të deputetëve dhe në media shfaqnin të njëjtën pamje të trishtë, ku nuk flitej për buxhetin e shqiptarëve, nuk flitej për ide, por për rrëmujën e radhës.

Izolantrilët mendojnë se me këto sjellje jo vetëm që do heqin vëmendjen e shqiptarëve nga problemet reale të opozitës që lidhen me moralin e saj, por edhe të njerëzve që s’kanë kredo të besueshme në opinion publik.

Thyejnë karrige, përmbysin karrige, zënë foltore, ndezin tymuese, flakadan.

Deputetët shpesh herë ngatërrohen me tifozët Kuq e Zi që festojnë për kombëtaren, ndërsa këta tifozë pas Berishës, artikulohen se po luftojnë për komisionet ku është shkelur Kushtetuta.

E gjithë kjo për të qenë faktor edhe për të pasur një armë të fortë për të negociuar përballë ndryshimeve të forta që pritet të vijnë nga SPAK dhe Ndërkombëtarët.

Jemi një pikë ujë në oqeanin e politikës së madhe ku vendosen fatet dhe forcohen institucionet me qëllim stabilitetin politik që i duhet SHBA-së dhe perëndimit që ne të vazhdojmë rrugëtimin tonë. Fatmirësisht ky lloj teatri nuk ka pirë ndonjëherë ujë tek ndërkombëtarët, por nuk po pi më ujë as tek qytetarët e Shqipërisë të cilët kërkojnë drejtësi dhe janë të lodhur nga kjo klasë politike e vjetruar dhe kjo administratë burokratike dhe e korruptuar.

Sado regjisori i “ Opozitës së Errësirës” mundohet të tregojë se në parlamentin shqiptar po ndodh politikë, ajo që po i rrëzon propagandën e rreme është se politika e vërtetë po ndodh në Amerikë. Prej disa ditësh Lulzim Basha është në një vizitë zyrtare në SHBA ku po zhvillon takime në nivele shumë të larta duke takuar kongresmenin e Arkansanit French Hill, ish- zv/presidentin e SHBA- së Mike Pence, por edhe disa figura të larta të cilët drejtojnë institucione shumë të rendësishme si Presidentin e Institutit Ndërkombëtar Republikan.

Ndërkohë që deputetët e opozitës përplaseshin me gardistët në emër të Komisioneve, Basha poston në rrjetin e tij social Facebook një foto shumë domethënëse që tregon se çfarë është politika reale dhe emancipuese për shoqërinë.

Një takim me Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan Michael McCaul, e cila kishte fokus çështje me interes për Shqipërinë dhe Kosovën.

Një diskutim për zhvillimet në vendin tonë dhe në rajon për forcimin e demokracisë, mbështetjen ndaj drejtësisë dhe ndërtimin e një alternative qeverisëse që lufton korrupsionin, rrit transparencën dhe llogaridhënien dhe siguron mirëqenie për të gjithë.

Prandaj sot të dashur qytetarë politika e vërtetë nuk po ndodh në parlamentin e Shqipërisë, por në SHBA!/dritare.net

BE kërkon normalizim urgjent të raporteve në rajon si kusht për planin ekonomik

Bashkimi Evropian porositi vendet e Ballkanit Perëndimor se nuk ka më kohë për të pritur që t’i normalizojnë raportet ndërmjet tyre porse kjo duhet të bëhet shpejt, si kusht për të shfrytëzuar mjetet nga plani për rritje ekonomike i miratuar më 8 nëntor nga Komisioni Evropian. Kështu u tha gjatë një debati në Bruksel kushtuar procesit të zgjerimit të organizuar nga “Miqtë e Evropës”.

Plani për rritje ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor parasheh një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027. Sipas planit, nga kjo shumë, deri në 2 miliardë euro do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale. Një pjesë e këtyre mjeteve financiare do të mund të shkonin përmes pagesave direkte në buxhetet e vendeve të rajonit për t’u përdorur për këto qëllime.

Në debat morën pjesë edhe Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, drejtori i përgjithshëm për zgjerim në Komisionin Evropian, Jan Coopman dhe shumë pjesëmarrës tjerë.

Coopman tha se qëllimi i BE-së është t’i integrojë sa më shumë vendet e rajonit edhe para se të bëhen anëtare të BE-së, përfshirë edhe integrimin në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian.

Në takim morën pjesë edhe ministrat nga disa vende të rajonit. Ata mbështetën idenë për integrimin gradual para integrimit formal në BE, por jo të shihet si alternativë e anëtarësimit.

“Për të realizuar këtë, rajoni duhet t’i tejkalojë problemet e hapura. Nuk mund të pranojmë vende, të cilat kanë raporte të helmuara”, tha Coopman duke përmendur çështjet e hapura rreth kufijve.

Këto kushte, sipas diplomatëve në BE, kanë të bëjnë para së gjithash me Kosovën dhe Serbinë, të cilat janë të përfshira në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne do ta kushtëzojmë planin e rritjes me normalizimin e raporteve. Kjo duhet të Duhet të ketë përparim në këtë [aspekt]. Nuk kemi më kohë për të pritur”, deklaroi Coopman. Ai tha se vlera e mjeteve nga ky plan është e madhe dhe nëse shtetet nuk i shfrytëzojnë, qytetarët do të humbasin.

Ministri për çështje evropiane i Çekisë, Martin Dvorak, rikujtoi se nuk do të ketë mundësi për asnjë vend kandidat që të shmangë përmbushjen e kritereve në procesin e avancimit drejt BE-së.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, bëri thirrje që BE-ja të dëshmojë se kësaj radhe mundësia për integrim në BE është vërtet reale. Ai tha se Serbia po bën shumë në procesin e reformave sikur edhe në ndihmën për Ukrainën.

“Serbia po bën shumë për Ukrainën, por ju lutem të mos e bëni të madhe këtë, sepse nuk do të ishte në interes të të gjithëve në Serbi“, tha Hill.

Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?
Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian më 8 nëntor të këtij viti është i bazuar në katër shtylla.

Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”. Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.

Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”. Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.

Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.

Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.

Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”./ REL

Bamir Topi: Çfarë më zbuloi Ramiz Alia për caktimin e elitës së vitit ’90-të

Ish-presidenti, Bamir Topi, ka një tjetër analizë, më të drejtpërdrejtë. Ai nuk ishte në PD në dhjetorin ‘90 dhe nuk e merr krejt të mirëqenë versionin e treguar prej themeluesve.

E shpjegon fillimin e tranzicionit përmes një bisede që kishte pasur me udhëheqësin e fundit komunist, Ramiz Alinë. Një bisedë e rrallë që në vetvete, sot pas 33 vitesh zbulon shumë për realitetin e forcave të reja politike që supozohej se do të sillnin ndryshimin.

Për të qënë rracional dua tju tregoj një bisedë të rastësishme me Ramiz Alinë dhe nisur nga dritëhijet e asaj periudhë ku mjaft zëra komentonin se në ç’mënyrë erdhi pluralizmi në shqipëri, erdhi vetë apo erdhi i induktuar dhe më dha një përgjigje të zgjuar: në një pritje që kam organizuar për një personalitet të huaj, kam prezantuar katër kryetar partie, ky është Fatos Nano kryetar i PS, ish-anëtar i PPSH, ky është Sali Berisha kryetar i PD, ish-anëtar i partisë së punë, Skënder Gjinushi, Sabri Godo besoj e keni shpjegimin brenda për çfarë më pyesni, më tha.”– u shpreh ish-presidenti, Bamir Topi.

Për protagonistët e dhjetorit ‘90, liderët e elitës së re politike, nuk kishte ku të gjendeshin përveçse mes rradhëve të PPSH-së.

Por cili ishte mekanizmi që e çoi Berishën në krye të partisë dhe përbetimet e tij për votën e lirë, se “do të ishte i pari mes të barabartëve”.

Unë jam marrë me programin me Gramoz Pashkon dhe bashkë me Genc Rulin kemi bërë statutin. Morëm tre a katër të ngjashme nga vende perendimore dhe e bëmë. Në atë version ishte një pikë në të cilën theksohhej se :kryetari i partisë zgjidhet vetëm për një mandat dy-vjeccar. U mblodh grupi organizativ që ishte me nëntë veta. Shtatë ishin që në themelim dhe më pas grupit iu bashkua edhe Berisha me Bardhyl Reson. Dolën të gjtihë kundër këtij propozimi të kësaj pike. U ndryshua kjo pikë dhe u bë dy vjet dy herë rradhazi, pastaj u prish edhe kjo pikë dhe u bë më shumë e kshu me radhë. Aty është fillimi i asaj që njerzit në Shqipëri nuk duan ta konceptojnë të qënit jo të përjetshmëm”– u shpreh themeluesi i PD, Rexhep Uka.

Privatizimi i ish-fabrikës ‘Buka’, SPAK mbyll hetimet Arben Ahmetajn, dërgon dosjen në GJKKO! Dëmi i shkaktuar deri në 7 mld lekë

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet duke çuar në GJKKO dosjen në ngarkim të Arben Ahmetajt lidhur me privatizimin e ish-furrës së bukës. Ndaj Ahmetajt është ngritur akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në vlerë dëmi rreth 7 miliard lekë, teksa ish-numri dy i qeverisë ndodhet prej muajsh në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Elbasanit dhe pasurinë e pajistifikuar.

Prokuroria e Posaçme vijon hetimin për 7 persona të tjerë, përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe ndaj biznesmenit Lirim Fezollari, i cili sipas SPAK, edhe përfitoi nga privatizimi në kohën kur Ahmetaj ishte ministër i Financave. Por vetëm këtij të fundit i është komunikuar akuza përmes avokatit të tij.

Dyshohet se mes Ahmetajt dhe biznesmenit ka pasur marëdhënie përtej komunikimit institucional, nga e cila ka arritur të privatizojë aksionet e shoqërisë “Buka Sh.a”. e ndodhur në një nga pikat më të lakmuara të Tiranës. Lidhur me këtë procedurë paraardhësi i Ahmetajt Shkëlqim Cani e kishte refuzuar, teksa ky i fundit është pyetur nga SPAK lidhur me këtë çështje muaj më parë. Prona prej mijëra metrash katror i është njohur prej vitit 1994 nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit, familjes Myderzi.

Por përmes një procedure ankandi të hapur në 2014 dhe që kanë vijuar më pas ankande e procedura të tjera deri në 2022, përfitues i aksioneve shtetërore të kompanisë është bërë biznesmeni Lirim Fezollari. Ish-zv.kryeministri, ndodhet në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dy procedimeve të mëparshme të bashkuar në një të vetëm, për “Fshehje të pasurisë”,  “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”. Atij i janë sekuestruar disa pasuri dhe prona dhe një pjesë e tyre dyshohet të jenë vënë falë marrëdhënies me pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri që ndodhen po ashtu në kërkim.

Nga Taulanda Jupi: Vajzat dhe gratë shqiptare meritojnë vëmendje reale jo propagandë, meritojnë kujdes, mbrojtje, meritojnë të kenë ëndrra dhe aspirata të tjera që shkojnë përtej të drejtës themelore për të jetuar dhe sigurisë së saj

Në memorie të grave e vajzave të cilat tragjikisht humbën jetën si viktima të dhunës, por edhe si një thirrje për të reaguar përpara se një tjetër grua apo vajzë të jetë viktima e radhës, në Sheshin qendror të qytetit të Fierit erdhi edicioni i ll-të të ekspozitës “THYER”

Vajzat dhe gratë shqiptare meritojnë vëmendje reale jo propagande, meritojnë kujdes, mbrojtje, meritojnë të kenë ëndrra dhe aspirata të tjera që shkojnë përtej të drejtës themelore për të jetuar dhe sigurisë së saj.
.
Mesjetare është dhuna në familjen shqiptare, ku viktima të kësaj dhune janë nënat, motrat, gratë dhe vajzat shqiptare, shumica e të cilave mund të kenë edhe urdhër mbrojtje, por për fat të keq institucionet shtetërore përkatëse dhe çdo hallkë e shërbimit social po shënojnë dështime të vazhdueshme në mbrojtjen e viktimave nga dhuna sistematike ndaj vajzave dhe grave.

Sistemi i drejtësisë ka dështuar të ofrojë siguri dhe mbrojtje për viktimat e dhunës në familje dhe të japë dënimet apo masat e duhura për dhunuesit.

E gjithë “ngrehina” e strategjive kundër dhunës ndaj grave ka përballë numrin e viktimave të dhunës në familje, i cili vetëm gjatë këtij viti – shënoi 15 gra dhe vajza të vrara. Gjatë këtyre 10 viteve të mbrapshtë, sa më shumë hartohen strategji, sa më shumë flitet për ligje dhe hallka shtesë, aq më shumë shtohet numri i grave dhe vajzave viktima të dhunës në familje, e për fat të keq ky numër vjen në rritje çdo vit.

ASNJË tolerim nuk duhet të bëhet jo vetëm për dhunuesit, por edhe për ata punonjës të sistemit të sigurisë dhe drejtësisë që lejojnë dhunuesit të arrijnë tek akti i vrasjes, veçanërisht në rastet kur krimet kanë patur një kronikë të paralajmëruar dhe të denoncuar.

Vajzat dhe gratë shqiptare meritojnë vëmendje reale jo propagande, meritojnë kujdes, mbrojtje, meritojnë të kenë ëndrra dhe aspirata të tjera që shkojnë përtej të drejtës themelore për të jetuar dhe sigurisë së saj. Për këtë duhet vullnet dhe vendimmarrje të drejta politike në shërbim të sigurisë për jetën, kujdesit, mbësjtetjes dhe fuqizimit të grave e vajzave në Shqipëri.

Gratë e vrara jane viktima jo vetem te nje burri kriminel por të një sistemi dhe shoqërie që e normalizon dhe nuk e dënon realisht dhunën ndaj grave dhe është detyra jonë të thyejm heshtjen, të reagojmë, të bëhemi zëri i atyre vajzave dhe grave që nuk kanë zë.

Në #16ditëteaktivizmit u bëmë bashkë me zonjat e demokrate të Fierit, për të cilat kam veç mirënjohje për energjinë, forcën dhe shpresën që përcjellin.

Me mesazhet e tyre të shpresës dhe bashkëpunimit u bënë bashkë në këtë event kundër dhunës së çdo forme ndaj grave dhe vajzave deputete e Fierit Eralda Bano, anëtare e kryesisë së Partisë Demokratike në Fier Eriselda Zotaj dhe ish-Kandidate për Bashkinë Fier, anëtare e Këshillit Bashkiak Fier Suzana Numani dhe Pranvera Mahmutaj – ish kandidate për Kryetare e Bashkisë Patos.


PD votë kundër Buxhetit 2024 që vjedh shqiptarët, rrit taksat

Ndërkohë që deputetët e Rithemelimit të Sali Berishës dhanë shfaqjen e radhës në Parlament, deputetët e Partisë Demokratike kanë votuar kundër buxhetit të propozuar nga mazhoranca.

Ndonëse deputetët e PD-së kishin paraqitur amendamentet e tyre, asnjë prej propozimeve nuk u mor në konsideratë.

Buxheti i qeverisë, sipas PD, vjedh shqiptarët dhe rrit taksat.

Falë “revolucionarëve” të Berishës, PS e kalon buxhetin në kohë rekord për 7 minuta

Mes kaosit të flakadanëve dhe karrigeve mbi foltore, Kuvendi ka kaluar në vetëm 7 minuta paketën fiskale dhe votimin nen për nen të buxhetit.

Deputetët e PD u futën herët këtë të enjte në sallën e Kuvendit dhe si zakonisht janë përplasur me oficerët e Gardës.

Kjo situatë në sallën e Kuvendit po ndodh prej javësh, teksa përfaqësuesit e Partisë Demokratike vendosin karriget mbi njëra-tjetrën pranë foltores, kanë ndezur flakadanë e zjarr brenda sallës.

Kjo normalisht, duket se i shkon për shtat edhe mazhorancës, e cila ka miratuar pa debati buxhetin e vitit 2024, pa dhënë fare llogari dhe shpjegime.

Falë “revolucionarëve” të Berishës, kuptohet, të cilët në vend që t’i kërkonin llogari Ramës për buxhetin, kanë javë të tëra që përleshen me gardistët.

A thua se janë zgjedhur në Parlament për t’u zënë dhe jo për të kërkuar llogari për ligjet dhe buxhetin.

Qytetarët ndërkohë, nuk morën vesh asgjë për buxhetin e vitit 2024, as nëse na kanë rritur taksat, as si do menaxhohen lekët, as se ku do të shpenzohen paratë e buxhetit.