19.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Seanca e turpit

Nga Namir Lapardhaja

Teatri i përjavshëm parlamentar, nuk përçon më asnjë ndjesi.

“Normalizimi” i shfaqjes, është në të keqen e protagonistëve, që shpresojnë se nëpërmjet saj do arrijnë përfitime politike.

Shqiptarët janë krejtësisht të pandjeshëm dhe refuzojnë të bëhen dekor mbrojtës i politikanëve të korruptuar.

Ata që dikur entuziazmoheshin nga tregimi i “muskujve”, nuk kanë më arsye për të gëzuar.

Ata që shqetësoheshin se diçka mund të ndodhte, e kanë të qartë se shfaqja e përjavshme nuk zgjat më shumë se pesë minuta, përsëritet e njëjta mizanskenë, i njëjti çakmak që ndez me vonesë dhe i njëjti tym që më shumë se sa kundërshtarët bezdis atë që vetë e ndez.

E njëjta pamje edhe me robenspierët e vonuar mbi tavolinë, që me njërën dorë rregullojnë baluket, të shqetësuar për mbarëvajtjen e botoksit, dhe me tjetrën flakin karriget mbi punonjësit e gardës.

Deputetët e “Rithemelimit”, siç edhe duket në pamjet që vijnë çdo javë nga seancat plenare, janë më të demotivuar se kurrë, ndërsa militantët që i ndjekin, të brumosur me zjarrminë e urrejtjes që pjell berishizmi, nuk do të jetë e largët dita që do t’i akuzojnë si bashkëpunëtor të Edi Ramës, meqenëse nuk po e rrëzojnë dot nga pushteti.

Mazhorancës i vjen për shtat kjo situatë e krijuar, sepse, pavarësisht rrëmujës, ajo është e pashqetësuar për të kaluar gjithçka në Kuvend.

Nëse dikur do t’i duhej të rrinte me orë për të diskutuar, ndonjëherë edhe duke e gdhirë në Kuvend, tani nuk i duhen më shumë se pesë minuta për të kaluar buxhetin.

Kjo falë “revolucionit” të Sali Berishës dhe të një grupi të fantaksur që vijojnë ta ndjekin.

Seancat plenare të përjavshme në Kuvendin e Shqipërisë janë shndërruar në turpin e politikës.

Aty nuk ka asgjë politike, vetëm cirk, teatër, komedi.

Demokratët janë të papërfaqësuar nga kjo politikë e mbrapshtë që ka marrë peng të sotmen dhe të ardhmen, duke u frikësuar nga mëkatet e saj në të shkuarën.

Sikur të eksperimentohej, t’i hiqej zëri televizorit, dhe shfaqja e përjavshme të shihe më figurë, por pa zë, seanca e turpit të përjavshëm do të konkurronte denjësisht filmat bardhezi të soc-realizmit.

Parlamenti miraton mes kaosit buxhetin e vitit 2024. Nikolla mbyll seancën

Mes kaosit, Parlamenti miratoi buxhetin e vitit 2024 me 74 vota pro.

Basha prezanton platformën e tij në Kongresin Amerikan: Mbështetje për SPAK, vetting në politikë, lista të hapura, vota e diasporës, janë prioritet tona

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u prit në një takim nga Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit të SHBA-së, Michael McCaul.

Zoti Basha dhe zoti McCaul diskutuan për situatën në Shqipëri dhe në rajon.

Zoti Basha ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të PD-së, për ndihmën dhe mbështetjen që SHBA-ja, i kanë dhënë Shqipërisë dhe kombit shqiptar në kohë të vështira dhe sfiduese, por edhe ne ditët e sotme në funksionimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e demokracisë.

Korrupsioni është një nga shqetësimet kryesore në Shqipëri, theksoi zoti Basha, i cili ka impakt në zhvillimin e vendit dhe konkurrencën e lirë. Institucionet e reja të drejtësisë, e veçanërisht SPAK, kanë nisur një betejë të fortë kundër korrupsionit me rezultate të prekshme. PD-ja i mbështet dhe i inkurajon ato ta vazhdojnë këtë betëjë në nivelet e larta, pa rënë pre e presionit apo shantazheve politike të cilat, fatkeqësisht janë shtuar kohët e fundit.

Zoti Basha ka prezantuar dhe nismat e PD-së si, vetting-u i politikanëve, përmes të cilit synohet të pastrohet politika nga politikanët e korruptuar dhe të lidhur krimin, apo fuqizimi i qytetarëve përmes zgjedhjes së drejtpërdrejtë të deputetëve, si dhe krijimi i mundësisë për të votuar, për herë të parë, të diasporës shqiptare.

Një pjesë të rëndësishme të bisedës e zunë edhe zhvillimet në rajon dhe veçanërisht Kosova. Zoti Basha ka kërkuar që sa më parë të bëhen të ditur, jo vetëm përgjegjësit, por edhe urdhëruesit e sulmit të 24 shtatorit ne Banjskë, e cila ishte qartësisht një tentativë si ajo e Krimesë, për të aneksuar territor të Kosovës.

Vëmendja e shtuar e SHBA-së është garanci për siguri dhe stabilitet, ndërsa është e rëndësishme, që Serbia të mos tolerohet me sjelljet e saj dhe sa më parë Kosova të nisë procedurat e anëtarsimit në NATO.

McCaul theksoi se komisioni dhe Kongresi po i ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, Kosovë dhe Rajon dhe konsideroi si thelbësore, që Shtetet e Bashkuara të forcojnë angazhimin ndërkombëtar me aleatët, të kundërshtojnë politikat agresive të kundërshtarëve dhe të avancojnë interesat e përbashkëta të kombeve, në mbrojtje të stabilitetit dhe demokracisë në mbarë globin.

“Lëshoje karrigen” Deputetë e Berishës debate të ashpra me Gardën: Mos më prek!

Tensione në sallën e Kuvendit. Teksa deputetët e Rithemelimit tentojnë që të mbledhin karriget në mes të sallës së Kuvendit, ata janë penguar nga Garda.

Ndërkohë në një video shfaqet Asllan Dogjani teksa debaton ashpër me një punonjës të Gardës, ku i shprehet që të lëshojë karrigen dhe mos ta prekë.

Akuza për shpërdorim detyre, përfundojnë hetimet për Vangjush Dakon, dosja do t’i kalojë GJKKO

Perfundojne hetimet per ish-kryebashkiakun Vangjush Dako. Mesohet se dosja pritet t’i kalojë GJKKO.

Dako akuzohet për shpërdorim detyre.

U pezullua nga detyra e nënkryetarit të Bashkisë së Kukësit, Granit Gjana paraqitet në SPAK

Pas pezullimit nga detyra e nënkryetarit të Bashkisë së Kukësit, Granit Gjana është paraqitur mëngjesin e së enjtes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

Gjanës do t’i komunikohet masa e pezullimit nga detyra.

SPAK e akuzon Gjanën për shkelje të barazisë në tendera. Sipas SPAK, Gjana, në shkelje të ligjit, nuk ka pajisur me autorizim për përdorimin e lëndëve djegëse nje subjekt që garonte për një tender me vlerë 21 milionë euro për furnizim me karburant.

PISA: Pakënaqësia e 15-vjeçarëve me jetën në Shqipëri është rritur në katër vitet e fundit

Përveç rënies së nivelit mësimor në shkollat shqiptare, anketa globale e 15-vjeçarëve (PISA) gjeti se, ndër nxënësit shqiptarë, pakënaqësia ndaj jetës është rritur.

Në vitin 2022 gati 12% e nxënësve në Shqipëri raportuan se nuk ishin të kënaqur me jetën e tyre. Ata e vlerësuan kënaqësinë e tyre me jetën midis 0 dhe 4 në një shkallë që varioi nga 0 në 10.

Përveç testit për njohuritë mësimore, PISA zhvillon edhe një anketë me nxënësit dhe drejtuesit e shkollave për të matur fenomenet që prekin nxënësit të tilla si bullizmi. mjedisi shkollor në tërësi edhe në aspektin e infrastrukturës, logjistikës për zhvillimin normal të mësimit.

Në vitin 2022, 86% e nxënësve në Shqipëri raportuan se bëjnë miq lehtësisht në shkollë (mesatarja e OECD: 76%) dhe 85% mendonin se i përkasin shkollës (mesatarja e OECD: 75%).

Ndërkohë, 15% raportuan se ndiheshin të vetmuar në shkollë dhe 15% si një i huaj ose i lënë jashtë vëmendjes në shkollë.

75% e nxënësve në Shqipëri raportuan se, në shumicën e orëve të matematikës, mësuesi tregon interes për të mësuarit e çdo nxënësi, teksa në vitin 2012 rreth 78% e nxënësve mendonin në këtë mënyrë.

Anketa e PISA verifikoi se shumë nxënës studiojnë matematikën në një klimë disiplinore që nuk është e favorshme për të mësuar. Në vitin 2022, rreth 25% e studentëve në Shqipëri raportuan se nuk mund të punojnë mirë në shumicën ose në të gjitha mësimet (mesatarja e OECD: 23%).

Gjithashtu 28% e nxënësve nuk dëgjojnë çfarë thotë mësuesi, 25% e studentëve shpërqendrohen duke përdorur pajisjet digjitale dhe 24% shpërqendrohen nga studentët e tjerë që përdorin pajisje digjitale.

Të dhënat e PISA 2022 tregojnë se në sistemet arsimore ku përformanca mbeti e lartë dhe ndjenja e kënaqësisë së nxënësve u përmirësua, ata prireshin të ndiheshin më të sigurt dhe më pak të ekspozuar ndaj bullizmit dhe rreziqeve të tjera në shkollën e tyre.

Në Shqipëri, 8% e nxënësve raportuan se nuk ndiheshin të sigurt rrugës për në shkollë, 6% e nxënësve raportuan se nuk ndiheshin të sigurt në klasat e tyre në shkollë, 9% e nxënësve raportuan se nuk ndiheshin të sigurt në vende të tjera në shkollë (p.sh. korridor, kafene, banjë).

Të dhënat e PISA-s të mbledhura nga drejtorët e shkollave tregojnë se përqindja e prindërve që ishin të përfshirë në shkollë dhe mësim është ulur ndjeshëm midis 2018 dhe 2022 në shumë vende, por edhe në Shqipëri.

Në vitin 2022 rezultojnë se janë interesuar rreth 52% e prindërve për rezultatet dhe ecurinë mësimore të fëmijëve të tyre në krahasim me 70% që ishte ky tregues me 2018./MONITOR

Kuvendi berishist: As frymë, as numra!

Nga Blendi Kajsiu

Kuvendi i fundit berishist i 2 dhjetorit kaloi pothuajse në heshtje si për të treguar fatin politik që duket se e pret vetë lëvizjen. Arësyeja është sepse mungonte jo vetëm fryma por edhe numrat. Kjo u pasqyrua qartë në thirrjen e dëshpëruar të Luçiano Boçit “mos na numëroni por shikoni idealet që kemi”.

Pyetja shtrohet: cilat ideale?

Sot berishizmi është thjesht numra, sepse nuk përfaqëson asnjë ideal politik jashtë interesave të ngushtë të udhëheqësit të saj dhe familjes së tij. Fitorja e Foltores ndaj frymës anti-berishiste nuk erdhi nga idealet superiore të berishizmit, por nga supremacia numerike. Askush në PD nuk iu afrua Foltores për idealet anti-amerikane dhe “demokratike”, apo për ardhmërinë, që ofronte berishzmi, por për numrat që kishte.

Para një viti ishte mëse e qartë se Berisha kishte shumë më tepër mbështetje se Basha. Mjafton të krahasojmë kuvendin e Berishës në Airalbania më 11 dhjetor të vitit 2022 me Kuvendin e Bashës te Pallati i Kongreseve më 18 dhjetor të po të njëjtit vit. Kjo bëri që debati mes anti-berishizmit dhe berishizmit të reduktohej tek numrat dhe të fitohej nga ky i fundit.

Kjo supremaci numerike fshihte mungesën e çdo lloj fryme, koherence apo ideali politik brenda berishizmit, në kontrast të thellë me frymën anti-berishiste. Kuvendi berishist në Airalbania në vitin 2022 ishte thjesht një forum denoncimi, pa asnjë analizë politike apo ideolgjike. Ishte një autoparlant gjigand për Berishën. Zhurma e madhe që prodhoi fshehu mjaft mirë mungesën e frymës tek lëvizja berishiste.

Ndërkohë kuvendi i PD-së zyrtare i 18 dhjetorit 2022 ishte nga të paktat forume politike të tranzicionit shqiptar ku gëlonte fryma që nga debati politik deri tek analiza e humbjes së zgjedhjeve të vitit 2021 dhe kritika e hapur ndaj kryetarit të Partisë Demnokratike, Lulëzim Basha. Pra nëse berishizmi kishte numrat anti-berishizmi kishte frymën dhe idealet politike. Ishte një përpjekje shpresë-dhënëse se modeli berishisit i reduktimit të partisë tek lideri autoritar dhe interesat e tij të ngushta mund të tejkalohej për të realizuar idealet demokratike të dhjetorit.

Sot kur anti-berishizmi në PD e ka humbur betejën ndaj berishizmit (ndonëse jo domosdoshmërisht luftën) ajo që ka mbetur janë vetëm numrat pa frymë. Kjo shpjegon lëvizjet pa sens dhe pa llogjikë politike të fraksioneve të ndryshme që çojnë grupe deputetësh herë këndej herë andej, si të ishin kova uji.

Problemi është se numrat në politikë mbahen o me frymë o me pushtet. Normalisht është pozita që përdor më shumë pushtetin për të ruajtur numrat dhe opozita që mbështet kryesisht tek fryma. Ndaj një opozitë pa frymë herët a vonë do vdesë edhe në numra. Është ky procesi që pamë tek kuvendi i fundit berishist në Pallatin e Kongreseve.

Kemi të bëjmë me rrudhjen e vazhdueshme të një lëvizje politike që në mungesë të një frymë apo ideali politik i mban numrat vetëm nëpërmjet kanalizmit të mllefit opozitar kundër pushteti dhe armiqëve e brendshëm, herë Pashko, herë Hajdari, herë Selami, herë Pollo, herë Tritan Shehu, herë Basha, herë Alibeaj dhe së fundmi Bardhi.

Por denoncimi i armikut të brendshëm dhe i pushtetit socialist nuk mund të fsheh pa fund mungesën e frymës. Pa frymën numrat do rrudhen vazhdimisht, duke nxjerrë edhe më në pah mungesën e idealeve politike. Në kuvendin e fundit berishist mungesa e numrave nxori zbuluar mungesën e frymës që tashmë nuk mund të fshihet pas turmave që brohorasin Berishën dhe denoncojnë Bashën si vegël të Ramës.

Ishte një boshllëk shumë i madh që nuk e mbushi dot as vetë familja e liderit. Përkundrazi promvoimi i “bijëve si pasardhës të etërve” fshin edhe kujtesën e largët të ligjërimit anti-elitist dhe anti-komunist që përbën bazën reale ideolgjike të berishizmit. Nëse dhëndri, djali dhe vajza e shefit marrin një rol gjithnjë e më tepër parësor brenda lëvizjes berishiste sa mundet kjo e fundit të denoncojë socialistët në pushtet si “bij të etërve”?

“Vajza 20-vjeçare vritet nga babai”/ Preç Zogaj flet për librin “Nata”: Një tragjedi shqiptare e ditëve të sotme

I ftuar nga gazetarja dhe morderatorja Nisida Tufa në emisionin “Kjo Javë” në News24, shkrimtari Preç Zogaj foli për librin e tij më të ri të titulluar “NATA”, që në ka në boshtin e subjektit vrasjen e një vajze njëzet vjeçare me emrin Marjana nga babai i saj. Duhet theksuar se romani i tij u mirëprit nga lexuesit dhe shënoi sukses menjëherë pas publikimit.

Rreth ngjarjes tragjike pulson realiteti kompleks i jetës shqiptare të ditëve tona,  për  të cilin shkrimtari u shpreh  se ka dashur ta sjellë në veprën e tij si një afresk.

“Një vrasje fillon përpara së të ndodhë, tha ai. Në ndërveprimin  e episodeve, ngjarjeve dhe rrethanave që çojnë drejt një tragjedie tronditëse nuk ka një fajtor të vetëm, madje edhe doraci  vjen  si viktimë dhe instrument kaosit dhe ligjit të më të fortit dhe  në zonën suburbane  ku  familjet  e thjeshta, vajzat dhe djemtë e zakonshëm  duhet ti bëjnë hesapet  me dhembët e xhunglës për të  shijuar frytet e lirisë. Të tilla janë me përpjekjet, ëndrrat dhe relacionet  e tyre edhe tri motrat e romanit “Nata”, Xhoana, Romina dhe Marjana.

“Lënda e romanit mikson ngjarje reale  me  ngjarje fiksion”,  tha Zogaj. “Duke hyrë me mjetet e letërsisë brenda një ngjarjeje  të jashtëzakonshme, qëllimi im ka qenë jo vetëm të  përçoj emocione te lexuesit, por edhe ti ftoj ata në një kuptim të drejtë të tragjedisë, jashtë shablloneve të gatshme  thjeshtëzuese. Kuptimi i  ngurtë ngurtëson edhe reflektimin”, shtoi ai.

Zogaj  shpjegoi se shtytjen për shkruarjen së këtij romani tragjik e kishte marrë nga raste reale të rënies së  vajzave dhe grave viktima të dhunës në familjeve dhe jashtë familjes nga burrat, ish burrat, të dashurit, ish të dashurit, nga tutorë e kriminelë.

“Një dukuri që më shkakton ndjesinë e një anulimi nga pikëpamje e të qenit pjesë e gjinisë mashkullore  dhe të turpit gjithashtu, gjë që del shpesh edhe në krijimtarinë time poetike”, tha ai. Duke shtuar se kishte konsultuar disa dosje gjyqësore për vrasje të grave  për të kuptuar më shumë nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe të vetë  vrasësve.

Në përgjigje të pyetjes se më kë e kishte diskutuar së pari subjektin e romanit, Zogaj tha se para se të merrte formë subjekti në fjalë, kishin biseduar shpesh me  shkrimtarin Rudolf Marku për vrasjet e grave  dhe për raste konkrete, tronditëse, që thërrasin në kauzë  drejtësinë  po e po, publikun  po e po, por edhe letërsinë, sidomos letërsinë. Ekziston “zona” ekskluzive e letërsisë që është ajo e  shpirtit, e botës së brendshme të personazheve, e ndërlidhjes së dukurive kundërthënëse, e rrëfimit që shmang tendenciozitetin e drejtpërdrejtë. Këto venome, le ti quajmë kështu, respektohen në prozën time, tha autori.

Së fundi, ndërsa u pyet si po pritej libri, çfarë përshtypjesh kishte marrë nga lexuesit e deritanishëm,  Zogaj tha  me një sens humori se duke  konsideruar lexuesit të cilët më kanë shkruar ose telefonuar do të seleksionoj reagimin me të mirë:  atë që romani e  ka mbajti  ngritur kureshtjen dhe dëshirën e tyre për ta lexuar deri në fund  dhe i ka  emocionuar. Kësaj konsideratë iu bashkua edhe moderatorja e emisionit, e cila i pohoi autorit se e kishte gjetur tronditës romanin “Nata”.

“Nuk jam thirrur nga Kosova”, De Biasi i bindur: Shqipëria do të befasojë në Euro2024!

Në morinë e komenteve dhe analizave të Euro 2024, veçmas për grupin ku bën pjesë edhe Shqipëria, nuk mund të mungonte edhe mendimi i ish-trajnerit të Kombëtares, Gianni de Biasi.

Në një intervistë për median kosovare Koha, De Biasi është i vetëdijshëm që kuqezinjtë janë në grup shumë të vështirë, por shpreson që Shqipëria të paraqitet mirë dhe në fund të bëjë befasi të madhe.

“Mendoj se shorti është shumë i vështirë dhe grupi është shumë i fortë, megjithatë Shqipëria ka ekip cilësor. Nuk krahasohet me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë, por mos harrojmë që në radhët e këtyre futbollistëve ka shumë lojtarë të impenjuar në ligat përkatëse dhe në kompeticionet evropiane. Mendoj se Shqipëria do të jetë më e freskët dhe shpresoj të jetë befasia e madhe e këtij grupi”, u shpreh De Biasi, i cili kualifikoi për herë të parë Kombëtaren shqiptare në një Evropian.

Së fundmi, De Biasi është njëri prej kandidatëve për të marrë drejtimin e Kosovës. Ai pohoi se është i gatshëm ta udhëheqë Kosovën.

“Deri në këtë moment nuk kam marrë asnjë thirrje nga Agim Ademi apo dikush tjetër në Federatën kosovare. Do të isha i lumtur nëse Kosova më fton, sepse mendoj se ka lojtarë të mirë dhe besoj se është e mundur të bëjmë diçka siç kemi bërë me Shqipërinë”, përfundoi De Biasi.