30.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Pas largimit i zhgënjyer nga Berisha, Agron Shehaj lajmëron krijimin e një lëvizjeje të re politike

Në fillim të muajit nëntor, deputeti Agron Shehaj lajmëroi largimin e tij nga grupimi i Sali Berishë, i zhgënjyer me rezultatin e arritur në zgjedhjet lokale të 14 majit. Duke mos u përshtatur me “betejat” e Rithemelimit, Shehaj deklaroi në atë kohë në emisionin “Open” se nuk mund të anashkaloheshin problemet, por duhet t’iu jepej zgjidhje.

“Zgjidhja nuk mund të jetë mos bëjmë asgjë, nuk mund të bëjmë sikur nuk shikojmë, të bëjmë sikur me idenë se problemet do zgjidhen vetë. Duke ndjekur politikën e përditshme dhe aksionet e përditshme opozitare që janë të drejta, thjesht mendoj që ne duhet t’i japim elektoratit tonë një alternativë të besueshme”, u shpreh Shehaj.

Afro në muaj më pas, Shehaj ka lajmëruar themelimin e një lëvizjeje të re politike. Në një postim në Facebook, ai shkruan se është i vetëdijshëm që ndryshimi duket i vështirë, por “sëbashku mund t’ia dalim”, shkruan Shehaj, duke ftuar njerëzit që t’i bashkohen.

“Shqipëria ka sot nevojë për një alternativë të re, të ndershme dhe të aftë. Shqiptaria ka nevojë për një qeveri që nuk vjedh qytetarët e saj.
Kjo nuk është e lehtë, përkundrazi, do jetë shumë e vështirë, por është e vetmja zgjidhje e mundur.
Me këtë bindje kam vendosur të punoj mbi krijimin e një levizje politike të re, moderne dhe të ndershme. Që ka një qëllim të vetëm: të dëgjojë dhe të mbrojë interesat e qytetarëve që përfaqëson.
Më 2017 zgjodha të largohesha nga biznesi privat për t’u marrë me politikë sepse besoj se Shqipëria duhet të drejtohet nga njerëz me integritet, që përdorin pushtetin për të punuar për njerëzit, jo për të pasuruar veten.
Jam i vetëdijshëm që kjo mund të duket e vështirë në vendin tonë, prej vitesh një nga më të korruptuarit në Europë, por unë mendoj se së bashku mund t’ia dalim.
Për këdo që beson se zgjidhja, pavarësisht se e vështirë, mund të vijë vetëm nga këmbëngulja dhe puna jonë, ju ftoj të më kontaktoni këtu në rrjetet sociale”, përfundon Agron Shehaj.

Balla e pranon: Emigrantët e Italisë mund të qëndrojnë më shumë 28 ditë në Shqipëri

Marrëveshja e qeverisë shqiptare me atë italiane parashikon strehimin e emigrantëve për 28 ditë në Gjadër.

Por, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, pranoi këtë të mërkurë se emigrantët mund të rrijnë edhe më gjatë se 28 ditë.

Ai tha se në disa raste mund të qëllojë që një emigrant të qëndrojë në Shqipëri edhe 2 apo 3 muaj, pasi strehimi i tyre lidhet me procedurat ligjore të shtetit fqinj.

“Nuk ka asnjë rrezik dhe asnjë lloj aktiviteti kriminal prej secilit prej tyre jashtë territorit të qendrës, për arsye se qendra është e monitoruar 24 orë nga policia shqiptare. Shpenzimet për kostot e këtij operacioni do të mbulohen të gjitha nga qeveria italiane.

Pra, duhet të jeni shumë të qetë, pasi nuk ka asnjë rrezik për kryerjen e një aktiviteti kriminal jashtë territorit.

Përsa i përket numrit, kapaciteti është 3 mijë, janë 3 mijë shtretër dhe nuk bëhet fjalë se kam dëgjuar shpesh që thuhet 12 muaj herë 3 mijë, i thonë 36 mijë.

Jo, nuk është kështu! Mund të rezultojë që një person të rrijë edhe 2 muaj, edhe 3 muaj sepse lidhet me procedurat.

Ne jemi referuar se ligji italian përcakton një kohë 28 ditore, por mund të qëllojë që të marrë më shumë. Duhet të lirohet një shtrat që të mund të vijë dikush tjetër.

Nuk bëhet fjalë që mund të vijnë 36 mijë, këtu ka një kapacitet 3 mijë shtretër”, theksoi Balla.

Nga Mirela Karabina: Propaganda ra, thellohet analfabetizmi funksional!

Lidhur me Vlerësimin Ndërkombëtar të Performancës së Nxënësve, “PISA 2022”, ka reaguar edhe pedagogia Mirela Karabina, njëkohësisht zëdhënëse e Partisë Demokratike.

Sipas zonjës Karabina,“shkolla është kthyer në burokraci që lan fytyrën propaganda, duke humbur misionin e saj”.

“Vetëm një qeveri e përgjegjshme e cila me dëshirë dhe vullnet politik do të ndërmarrë politika arsiomre kombëtare ku përmes një debati të hapur mbi mangësitë, nevojat dhe zgjidhjet do të mund të shpëtojë arsimin dhe të ardhmen e vendit.” – shkruan ajo në reagimin e saj.

Më poshtë reagimi i plotë i Mirela Karabinës:

Rezultatet e Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Performancës së Nxënësve, “PISA 2022” dëshmojnë se nxënësit 15-vjeçarë shqiptarë janë me përformancë të ulët në matematikë, lexim dhe shkencë, nën mesataren e vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Shqipëria renditet në vendin e 62, ndër 80 vendet që marrin pjesë në testim, duke mbetur pas edhe vendeve të Rajonit.

Ky rezultat është kambanë alarmi!

Reforma Kurrikulare në Arsimin Parauniversitar e ndërmarrë më 2013-ën rezulton e dështuar pasi përsëri nxënësit shqiptarë renditen nga fundi për nga cilësia dhe aftësia e të nxënit.

Ministria e Arsimit, e zënë me propagandë të shfrenuar, nuk e sheh realitetin në sy!

Mbyllja e shumë programeve të mësuesisë, cilësia e ulët e formimit të mësuesve, mësues të pamotivuar dhe të pa vlerësuar dhe pa pagë dinjitoze, shkolla me turne dhe në mungesë të infrastrukturës shkollore duke mbetur në mendësinë e shkollave të diktaturës ku klasa është i vetmi vend mësimi (edhe pse janë hedhur miliona për ndërtimin dhe rindërtimin e tyre), infrastrukturë digjitale e munguar edhe pse 3.5 milion euro janë shpenzuar për instalimin e saj janë tregues se pse Shqipëria renditet nga fundi në cilësinë e të nxënit të nxënësve.

Shkolla është kthyer në burokraci që lan fytyrën propaganda, duke humbur misionin e saj.

Kryeministri, që vetë flet e vetë vendos, premtoi rritje të buxhetit për arsimin në nivelin 5% të PBB, por prej 10 vitesh nuk e rriti dot duke gënjyer dhe mashtruar shqiptarët.

Vetëm një qeveri e përgjegjshme e cila me dëshirë dhe vullnet politik do të ndërmarrë politika arsiomre kombëtare ku përmes një debati të hapur mbi mangësitë, nevojat dhe zgjidhjet do të mund të shpëtojë arsimin dhe të ardhmen e vendit.

Zbulohet sekreti i familjes së Vanjës, 14-vjeçares që u vra Maqedoninë e Veriut: Ja pse babai mori pjesë në rrëmbimin e saj

Aleksandar Gjorçevska, babai i adoleshentes së vrarë Vanja, ndodhet në paraburgim, pasi dyshohet se ka marrë pjesë në rrëmbimin e vajzës së tij, që rezultoi me vdekjen e saj. Babai i Vanja Gjorçevska, siç dyshohet, ka dashur t’i zhvasë para nënës së saj dhe janë marrëdhëniet familjare ato që zbulojnë motivin e lëvizjeve monstruoze të Aleksandrit.

Prokurori maqedonas, Gavril Bubevski, deklaroi se ka informacione se nëna e viktimës së fundmi ka shitur shtëpinë, pra ky ka qenë edhe motivi i rrëmbimit të vajzës. Ai ka thënë se babai i vajzës ka qenë në kontakt me të dyshuarin kryesor që është arrestuar më 5 dhjetor, të cilit i ka treguar për këtë, si dhe se kur do të largohet vajza nga shtëpia.

Mirëpo, fjalët e fqinjëve të kësaj familjeje nga Shkupi mund të zbulojnë motivet më të thella të Aleksandrit, i cili tronditi rajonin për faktin se dyshohet se ka marrë pjesë në rrëmbimin e vajzës së tij, edhe pse askush në Shkup nuk do të flasë hapur për dyshimet e tyre se pse Vanja e pati një fat kaq të tmerrshëm. Megjithatë, një gazetar i tha “Jutarnji list” se prindërit e Vanjës janë të divorcuar, dhe se gjyshi i Vanjës, babai i nënës së saj, është një burrë i pasur. Tani ekziston mundësia që babai Aleksandri, i revoltuar kundër familjes së ish-gruas, të ketë dashur të nxjerrë para prej tyre, duke e ditur se sa të pasur janë.

Gjithçka ka të bëjë me babain, i cili, siç e dimë, nuk ishte aspak një figurë pozitive në jetën e tyre. Ai dhe nëna e Vanjës ishin të divorcuar, gjyshi i Vanjës ishte drejtor i doganës dhe një njeri i pasur diku në vitin 2002 dhe të gjitha këto i trashëgoi nëna e Vanjës. Ata thonë se ai ishte i interesuar për para.

“Nga e dinin orën e saktë kur Vanja shkon në shkollë? Ata që u arrestuan thonë se ai u tha atyre këtë. Supozohet se ai nuk e dinte që Vanja do të ishte vetëm, ndaj dyshohet se qëllimi ishte rrëmbimi i të dyja vajzave. Prandaj, të gjithë këtu dyshojnë në motivet materiale të babait të drejtuara ndaj ish-gruas së tij. Nuk dihet pse e vranë vajzën nëse synonin të shantazhonin nënën e saj. Diçka duhet të ketë shkuar keq. Doli shumë, shumë keq kur u vra një vajzë 14-vjeçare”, tha për Jutarnji një gazetar maqedonas që merret me kronikën e zezë.

Ndërroi jetë në moshën 75 vjeçare, përcillet drejt banesës së fundit aktori i njohur Mirush Kabashi

Aktori i njohur Mirush Kabashi u përcoll drejt banesës së fundit, pas homazheve nga miq të afërm e dashamirës të tij.

Në hollin e Muzeut Kombëtar janë mbajtur homazhet prej orës 10 të paradites deri në 13:00.

Ndërsa kolegë të tij e kanë kujtuar atë si një njeri mjaft të dashur, që rrezatonte mirësi dhe një aktor profesionist.

Luftar Paja: Do ta kujtoj për talentin e tij shumëdimensional. Do ta mbaj mend si një figurë shumëdimensionale, i papërsëritshëm. Si një njeri i qeshur dhe i miqësisë dhe do të më kujtohet nëpërmjet veprave që ka lënë. Siç kishte emrin ashtu rrezatonte dhe mirësi. Prehu në paqe!

Ylljet Aliçka: Mirushi ka bërë një pjesë teatrale me tregimet e mia, një film të gjatë me skenarin tim. Sokrati është më e veçanta. Ai të gjitha rolet i qante, Mirushi qe mjeshtër.

Zhani Ciko: Mirushi mendonte për rolet e tij, jetonte për to. I kam njohur vlerat e mëdha të Mirushit. Një ditë Mirushi më afrohet dhe më thotë; kam përgatituri rolin që do të jetë më i rëndësishmi në karrierën time. Unë i thash; ty nuk të thuhet jo se ti nderon skenën. Kur bëjmë ne koncertin, skena do të jetë e jotja. U habitëm se ishte veshur me një veshje të veçantë dhe doli e interpretoi ‘Sokratin’ e tij për herë të parë. Mua më ngjalli sadisfaksion.

Përgjatë disa orëve ndërsa zhvilloheshin homazhet në nderim të aktorit, kanë marrë pjesë, artistë të njohur, kolegë të Kabashit, të afërm, dashamirës dhe përfaqësues të politikës shqiptare.

Artisti i merituar do të prehet në varrezat e Sharrës.

Arti shqiptar u zgjua mëngjesin e djeshëm (e martë, 06 dhjetor) me një lajm tejet të hidhur. “Artisti i Kombit”, Mirush Kabashi, ndërroi jetë pasi prej kohësh vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Mirush Kabashi, një yll i papërsëritshëm i kinematografisë shqiptare, i njohur si “Sokrati shqiptar”, artisti shumëdimensional është cilësuar gjithashtu edhe si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë shqipe, duke u identifikuar edhe për zërin e tij të veçantë. Gjatë karrierës së tij artistike, Kabashi është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Tensione në Komisionin e Sigurisë, deputetët e Berishës bllokojnë mbledhjen

Ashtu si në seancat e fundit plenare të mbajtura në Kuvend, Rithemelimi shkaktoi kaos këtë të mërkurë në Komisionin e Sigurisë, aty ku do të zhvillohej mbledhja për të diskutuar marrëveshjen e emigrantëve me Italinë.

Deputetët e Berishës janë ulur në vendet e kolegëve të maxhorencës, duke bërë që mbledhja të kalojë online.

Kryetari i komisionit Nasip Naço deklaroi se mbledhja do të vijojë online në orën 12:00.

Dashamir Shehi kundër federatës së opozitës, kritik ndaj Berishës dhe aksionit në Kuvend

Dashamir Shehi është skeptik se Federata e krijuar nga disa parti opozitare, është lëvizja e duhur politike për bashkimin e opozitës.

Në emisionin “Ekspres” të gazetarit Nolian Lole në RTSH, Shehi thotë se për këtë arsye nuk është bërë pjesë e Federatës, ndërsa ka bindjen se shpresë për të djathtën janë elitat e reja në lidership.

Kritik është Shehi edhe sa i takon aksionit aktual opozitar në Kuvend. Ai e barazon me bojkotet e mëparshme që sipas tij nuk kanë qenë produktive.

Ndërsa opozita po përgatitet për nisjen e protestave, Dashamir Shehi thotë se nuk ka frymë për mbajtjen e tyre.

Ai ka bindjen se normalizimi i jetës parlamentare, angazhim i faktorëve politikë në përmirësimin e kodit elektoral dhe garantimi i zgjedhjeve të lira duhet të jenë prioritet e opozitës.

Renditja e PISA për arsimin shqiptar provë e qartë e dështimit të kësaj qeverie me arsimin e shqiptarëve. PD amendament për rritjen e buxhetit për arsimin

Në një deklaratë për mediat, deputetja e PD, Merita Bakiu, ka komentuar renditjen e PISA 2022 për arsimin shqiptar.

Sipas deputetes demokrate, kjo është provë e qartë e dështimit të kësaj qeverie.

PD ka bërë amendament për rritjen e buxhetit për arsimin, – u shpreh deputetja Bakiu.

Më poshtë deklarata e plotë: 

Vlerësimi i PISAS është një provë e qartë e dështimit të kësaj qeverie me arsimin e shqiptarëve. Janë dëshmi e qartë për nivelin ku e ka çuar keqqeverisja arsimin duke e çuar në nivelet më të ulëta historike.

Rezultatet e PISAS janë një këmbanë e fortë alarami për shoqërinë shqiptare dhe një shuplakë e rëndë për ministrinë e arsimit që sot duhet të mbajë përgjegjësi për këtë mjerim të arsimit dhe të japë llogari për gjendjen ku ka përfunduar edukimi i fëmijëve tanë.

Sektori i arsimit për vite me radhë është përballur me probleme të mëdha dhe si rrjedhojë edhe me cilësi jo të kënaqshme. Rezultatet e PISA treguan se cilësia arsimit po bie nga viti ne vit.

Në testimet e PISA-ës vlerësohen aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në tri fusha- sipas të cilave kemi rezultate me te ulëta krahasuar me 3 vite më parë. PISA nuk analizon vetëm nëse nxënësit kanë mësuar atë që ju është shpjeguar, por gjithashtu vlerëson nëse nxënësit mund të përdorin në mënyrë kreative dhe kritike atë që dinë.

Duke e krahasuar me tri vite me parë :

1- Në aftësinë për lexim kemi rënie me 47 pikë.
2- Në matematikë kemi rënie me 69 pikë
3- Në aftësinë e nxënëseve në shkencë kemi rënie me 50 pikë.

Pra, PISA ndihmon qeveritë të krijojnë politika efektive arsimore.

Ajo që është shqetësuese, është se kjo rënie ka qenë e vazhdueshme që prej vitit 2015, kjo si, pasojë e kurrikules anglo-saksone zbatuar në 2014 nga qeveria socialiste.

Partia Demokratike apelon qeverinë shqiptare që të marrë masa urgjente dhe të analizojë këtë rezultat të rëndë duke filluar me buxhetin e shtetit që ka ende kohë të rishikohet pjesa e arsimit.

Rritja e financimit të këtij sektori është jetik, ndaj ne si Parti Demokratike, personalisht unë si deputet e Kuvendit të Shqipërisë, kemi depozituar një amendament për rritjen e financimit të arsimit më buxhetin 2024. Prej vitesh arsimi ka qenë i nënfinancuar krahasuar me nevojat reale ndaj dhe kemi një rënditje kaq të ulët në rezultatet e PISA.

Pikërisht me qëllim rritjen e cilësisë së mësimdhënies në të gjitha nivelet, rritjen e investimeve në infrastrukturë , rritjen e konsiderueshme të pagave të stafeve akademike, propozojmë rritjen e buxhetit deri në masën 5% të GDP-së për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Koha është tani.
Mazhoranca duhet të miratojë këtë amendament në mënyrë që arsimi shqiptar të dalë nga bataku ku ka rënë dhe të shpëtojmë fëmijët tanë nga këto nivele katastrofike të përgatitjes, për të cilën qeveria duhet të mbajë përgjegjësi para shqiptarëve.
Fëmijët tanë nuk kanë pse të vuajnë paaftësinë dhe dështimin e qeverisë me arsimin.

Kreshnik Spahiu: Berisha s’ka mbështetje popullore, prandaj nuk proteston në sheshe

Juristi Kreshnik Spahiu tha se arsyeja se përse Sali Berisha nuk proteston në sheshe është humbja e mbështetjes popullore.

Ai tha se lëvizja radikale i ka forcuar pozitat brenda grupimit, por nuk ka më njerëz me vete.

Sidoqoftë, juristi vlerësoi se Berisha ka arritur të trembë sistemin e drejtësisë, për aq kohë sa ende nuk është arrestuar, ndërsa ka eklipsuar dhe forcat e reja politike.

“Lëvizjet radikale forcojnë pozitat brenda grupimit, por të largojnë mbështetjen popullore, që do të thotë, çdo kush e kupton që Berisha nëse do të kishte mbështetje në popull, nuk do t’i vinte zjarrin parlamentit, por bulevardit, nuk do t’i vinte zjarrin karriges së Lulzim Bashës, por do t’i vinte zjarrin zyrës së kryeministrit Rama, nuk do i vinte zjarrin podiumit të Lindita Nikollës, por do digjte gjithë parlamentin me turmat e popullit, do e bënte si në 97’-tën.

Fakti që Berisha nuk e bën dot si në 97’-tën është sepse i kanë ngelur maksimumi 97 njerëz, pra nuk ka mbështetje popullore. Ajo ku ai ka arritur qëllimet është në dy aspekte. E para ka arritur të trembë sistemin e drejtësisë dhe e dyta ka eklipsuar forcat e reja politike”, – u shpreh Spahiu në një intervistë për Euronews Albania.

Basha në Kongresin Amerikan: Lufta kundër korrupsionit, pastrimi i politikës dhe zgjedhje të lira, prioritare për zhvillimin e vendit.

Basha në Kongresin Amerikan: Lufta kundër korrupsionit, pastrimi i politikës dhe zgjedhje të lira, prioritare për zhvillimin e vendit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me Kongresmenin Brian Babin, përfaqësues i Teksasit.

Në këtë takim, zoti Basha ka vlerësuar ndihmën e vazhdueshme që SHBA-ja ka dhënë dhe po jep, për luftën kundër korrupsionit, forcimin e sistemit të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës.

Zoti Basha, e njohu kongresmenin me prioritet e PD-së, që nga lufta kundër korrupsionit, pastrimi i politikës nga politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar, zgjedhjet e lira e të ndershme, zhvillimi ekonomik dhe krijimi i mundësive për shqiptarët që të mos largohen nga vendi.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, theksoi se korrupsioni është pengesa më e madhe, për zhvillimin e vendit dhe krijimin e mundësive për të rinjtë, që ata të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri.

Duke u ndalur në situatën delikate të sigurisë, zoti Basha shprehu shqetësimin për përpjekjet e Rusisë për të krijuar një vatër të re tensioni në Ballkan, dhe se ajo çfarë ndodhi më 24 shtator në Kosovë ishte shenjë e kësaj përpjekje, por falë profesionalizmit të policisë së Kosovës dhe mbështetjes së KFOR-it, fatmirësisht dështoi.

Rusia kërkon një front të ri për të tërhequr vëmendjen nga Ukraina, theksoi Basha, ndërsa shtoi se, Rusia duhet të paguajë për dëmet e shkaktuara në Ukrainë. Në këtë kuadër, Zoti Basha e njohu atë, me rezolutën për rindërtimin e Ukrainës të përgatitur prej tij, që gëzon një mbështetje të gjerë në Këshillin e Europës, për të cilën është dhe reporter.