27.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

PD çon në Kushtetuese marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët

Një ditë pasi Këshilli i Ministrave në Itali ratifikoi marrëveshjen e emigrantëve, Partia Demokratike e ka çuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.

Në një dalje për mediat, deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku bëri të ditur lajmin.

KERKESA

• Shqyrtimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së
nënshkruar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe
Qeverisë së Republikës së Italisë “PROTOKOLL NDËRMJET QEVERISË SË
REPUBLIKËS ITALIANE DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS
SË SHQIPËRISË, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E
MIGRACIONIT”.

• Pezullimin e proçedurës parlamentare për ratifikimin e “PROTOKOLL
NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE DHE KËSHILLIT TË

MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËR FORCIMIN E
BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT”.
• Deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 të Kushtetutës dhe Ligjit Nr.
43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” të
marrëveshjes së së nënshkruar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së
Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë “PROTOKOLL NDËRMJET
QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË
REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË
FUSHËN E MIGRACIONIT”.
PARTIA DEMOKRATIKE

Akuzohet për abuzim me tendera, GJKKO vendos pezullimin nga detyra të Prefektit të Kukësit

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime paraprake në kuadër të procedimit penal nr.133 të vitit 2023, për veprën penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal.

Nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi nën hetim G. Gj., në cilësinë e zv/kryetarit të Bashkisë Kukës, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal. Ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë shtetasi nën hetim G. Gj. ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm.

Në vijim të hetimeve, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 133, datë 01.12.2023 ka vendosur:

– Caktimin e masës së sigurimit personal ndalues të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në ngarkim të personin nën hetim G. Gj., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal, duke u ndaluar plotësisht i hetuari G. Gj., në ushtrimin e detyrës pranë Prefekturës Kukës.

Kjo masë sigurimi është ekzekutuar nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Kombëtare të Hetimit në datën 05.12.2023.

Gazetari Poli Hoxha: Mbi 200 efektivë rezultojnë në përgjimet e Sky

Gazetari Poli Hoxha i ftuar në emisionin “3D” në RTSh tha se në dosjen e SPAK mbi përgjimet e komunikimeve në Sky Enchrochat ka dyshime se rezultojnë mbi 200 efektiv.

Gjithashtu Hoxha u shpreh se  SPAK nuk ka arritur ende të zbardh të gjitha dosjet, ndërsa theksoi se po i jepet prioritet vrasjeve.

Qëkur përfundojnë në SPAK ne i quajmë isha, duket një skemë që të mos shkojnë si drejtor policie, shef komisariati, kryetar bashkie dhe në dijeninë time kjo masë po merret, por nuk janë shumë të informuar sepse në kanale të tjera janë rreth 1 milionë faqe deri tani në SPAK akoma nuk janë zbardhur të gjitha. Pjesa e parë që po hetohet janë krimet ndaj njeriut dhe po i jepet shumë prioritet vrasjeve.

Fillimisht u fol për rreth 50 në dijeninë time shifra ka vajtur mbi 200 efektiv policie që rezultojnë atje. Këtu të mos paragjykojmë se po të doli emri atje nuk do të thotë se je patjetër kriminel, dikush mund të ketë folur në emër të tjetrit por përgjithësisht fakti që ata kanë përdorur telefon enkas që përdoret nga krimi i prodhuar si aplikacion por edhe si telefon enkas për këtë gjë”, tha gazetari Hoxha.

Rezultatet e “PISA 2022”, gazetari: “Shndërrimi i shkollës në fasadë të propagandës, e shkatërroi arsimin”

Lidhur me rezultatet e publikuara të “PISA 2022”, të cilat e rendisnin vendin tonë në radhën e fundit në Rajon përsa i përket performances së nxënësve 15-vjeçar, ka reaguar gazetari dhe profesori Namir Lapardhaja.

Lapardhaja me një eksperiencë të gjatë në arsimin e mesëm dhe atë të lartë, nëpërmjet një statusi në profilin e tij në rrjetin social facebook, shprehet se një gjë e tillë vjen si shkak i dekurajimit të shkollës, të mësuarit dhe të promovimit të modeleve të pasurimit të shpejtë dhe të pandershëm.

“Përveçse problemit kulturor, politikat e gabuara në arsim, përgjatë gjithë viteve të qeverisjes socialiste, e kanë shndërruar shkollën në një institucion burokratik, ku mësuesi ka më shumë punë me shkresa se sa me mësimdhënien, duke e  humbur misionin kryesor që ka shkolla dhe duke e shndërruar në një fasadë për të mbajtur gjallë propagandën qeveritare të sukseseve imagjinare.” – shkruan Lapardhaja.

Lapardhaja hedh akuza të rënda ndaj Ministrisë së Arsimit, e cila, sipas tij, jo vetëm që nuk dëgjon ekspertët e fushës, por vijon ta thellojë edhe më tej padëgjueshmërinë e saj, duke promovuar analfabetë funksional.

“Ka dështuar i gjithë sistemi arsimor, i cili ka nevojë për një shkundje tërësore, duke filluar nga politikat e duhura, nga një debat i hapur dhe vetëkorrigjues, duke pranuar mangësitë dhe dështimet, dhe nga një politikë arsimore kombëtare, si një kambanë alarmi se me dështimin e sistemit arsimor, është duke dështuar edhe e gjithë hierarkia e vlerave shoqërore.” – përfundon reagimin e tij Namir Lapardhaja.

Më poshtë postimi i plotë:

Rezultatet e “PISA 2022” tregojnë një rënie të paprecedent të performancës së nxënies së nxënësve shqiptarë krahasuar me vitin 2018.

Shqipëria renditet në vendin e 62, ndër 80 vendet që marrin pjesë në testim, duke mbetur pas edhe vendeve të Rajonit.

Një gjë e tillë vjen si shkak i dekurajimit të shkollës, së të mësuarit dhe të promovimit në shoqëri të shembujve të pasurimit të shpejtë dhe të pandershëm.

Përveçse problemit kulturor, politikat e gabuara në arsim, përgjatë gjithë viteve të qeverisjes socialiste, e kanë shndërruar shkollën në një institucion burokratik, ku mësuesi ka më shumë punë me shkresa se sa me mësimdhënien, duke e  humbur misionin kryesor që ka shkolla dhe duke e shndërruar në një fasadë për të mbajtur gjallë propagandën qeveritare të sukseseve imagjinare.

Nga një vatër edukimi shkolla është shndërruar në një vatër riedukimi, ku nuk i jepet përparësi të nxënit, por pjesëmarrjes numerike të nxënësve, pavarësisht të mësuarit ose sjelljes.

Ka dështuar i gjithë sistemi arsimor, duke nisur nga fillorja, që përgatit nxënës analfabet, të keqmësuar në shumë raste nga mësues të tillë, e deri te matura shtetërore, e cila, ndonëse ka dështuar në të gjithë dimensionet e saj, vijon të propagandohet nga qeverisa si sukses.

Sado e suksesshme të ketë qenë, vetëm ideja se ka përafërsisht njëzet vite që aplikohet, kërkon të rishikohet dhe të ridimensionohet në të gjithë elementet e saj.

Mirëpo, Ministria e Arsimit jo vetëm që nuk dëgjon, por vijon ta thellojë edhe më tej padëgjueshmërinë e saj, duke çuar në maturë analfabetë funksional dhe duke i kaluar si pasojë e dështimit të mbarëvajtjes së rregullave strikte të këtij provimi.

Por nuk është thjesht matura shtetërore që ka dështuar dhe që pastaj evidenton këto rezultate.

Ka dështuar i gjithë sistemi arsimor, i cili ka nevojë për një shkundje tërësore, duke filluar nga politikat e duhura, nga një debat i hapur dhe vetëkorrigjues, duke pranuar mangësitë dhe dështimet, dhe nga një politikë arsimore kombëtare, si një kambanë alarmi se me dështimin e sistemit arsimor, është duke dështuar edhe e gjithë hierarkia e vlerave shoqërore.

Gjermania paralajmëron Serbinë në prag të zgjedhjeve: Nuk mund të ulesh në dy karrige

Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock shprehu “shqetësim të madh për tendencat e propagandës nacionaliste” në vend.

Ministrja gjermane e jashtme, Annalena Baerbock, dhe homologia e saj sllovene, Tanja Fajon, duan të promovojnë integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE. Por edhe vendet duhet të kryejnë reformat e tyre në këtë drejtim, thanë dy kryediplomatet pas një takimi të tyre të martën në Lubjanë.

“Nuk mund të ketë zona gri në Evropë”, tha Annalena Baerbock. “Në një kohë kur presidenti rus, i cili në çmendurinë e tij perandorake po sulmon jo vetëm Ukrainën, por edhe rendin e paqes në Evropë, duhet të jetë e qartë se ne mbrojmë këtë paqe”, tha ministrja e Jashtme. Këtë e demonstruan 55 shtetet në takimin e fundit të OSBE-së në Shkup dhe kjo vlen edhe më shumë për Bashkimin Evropian.

Ballkani Perëndimor në BE – një domosdoshmëri gjeostrategjike

Ministret e Jashtme të Gjermanisë dhe Sllovenisë, Baerbock dhe Fajon, siguruan se duan ta shtyjnë përpara anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. “Ky zgjerim është një domosdoshmëri gjeostrategjike”, tha Tanja Fajon. Zgjedhjet e ardhshme në Serbi do t’i shtojnë një dinamikë të veçantë procesit.

Është shumë e rëndësishme që në të njëjtën kohë me procesin e anëtarësimit në BE për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, Ballkani Perëndimor të mos lihet anash. “Agresioni në Ukrainë ka rritur ndjeshëm rreziqet e sigurisë në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Fajon. Ajo u ankua për largimin e shumë të rinjve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, çka është pasojë e mungesës së perspektivës. “Ata nuk kanë më besim në historinë e këtij procesi të zgjerimit”, tha Fajon.

Tanja Fajon tha më tej se shpreson që zgjedhjet parlamentare në Serbi të jenë “demokratike dhe transparente”, por shtoi se edhe “BE-ja të dërgojë sinjale të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit. Fajon pret mbi të gjitha progres në negociatat e anëtarësimit me Bosnje-Hercegovinën dhe lehtësimin e vizave për Kosovën. “Deri në fund të dekadës ne duhet të ndërmarrim disa hapa të mëtejshëm në lidhje me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor”, tha ministrja e Jashtme sllovene.

Serbia të ndjekë rekomandimet e OSBE-së

Në lidhje me sjelljen e lidershipit në Beograd ndaj BE-së dhe marrëdhënieve të ngushta me Rusinë, Baerbock tha: “Kur flasim tani për zgjerimin, është e qartë se nuk mund të ulesh njëkohësisht dy karrige”. Prandaj, bisedimet e anëtarësimit duhet të shoqërohen me një angazhim për paqen, sigurinë dhe vlerat brenda Bashkimit Evropian. “Prandaj jam jashtëzakonisht e shqetësuar për zhvillimet e fundit, veçanërisht në Serbi, në lidhje me tendencat propagandistike nacionaliste”, tha ministrja e Jashtme gjermane.

Qëndrimi i Serbisë ka ndikim edhe në çështjen e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet Serbisë dhe BE-së. “Kjo do të thotë gjithashtu se ne po i ndjekim nga afër zgjedhjet e reja në Serbi”, tha Baerbock. Qeveria serbe duhet të zbatojë rekomandimet e OSBE-së në lidhje me institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut nga zgjedhjet e fundit në vitin 2020, paralajmëroi Baerbock. Politikania e Partisë së Gjelbër përmendi në mënyrë specifike “dështimin për të garantuar qasje të barabartë në media për të gjithë kandidatët politikë në të kaluarën” dhe foli për presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e funksioneve dhe burimeve publike nga qeveria serbe.

“Kjo është arsyeja pse është po aq e rëndësishme që t’i shikojmë nga afër këto pika me synimin për zgjedhjet e reja,” tha Baerbock. Edhe nëse disa nga këto pika janë në të kaluarën, ato janë ende një problem sot.

Baerbock ishte në Lubjanë për një vizitë të shkurtër dypalëshe. Atje ajo foli me kolegen e saj sllovene Tanja Fajon dhe me kryeministrin Robert Golob. Ministrja e Jashtme gjermane vizitoi edhe Qendrën Kombëtare të Logjistikës, e cila u pajis rishtazi për situata krize pas përmbytjeve të fundit. Gjermania ishte vendi që i dha Sllovenisë ndihmën më të shpejtë pas katastrofës së përmbytjeve.

DW

Brahimllari i Partisë së Lirisë (ish-LSI): Mirëpresim angazhimin e Argita Malltezit te PD-ja

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, i ftuar në studion e “Special Report” në ABC, komentoi Kuvendin e Foltores të mbajtur me 2 dhjetor, ku e pranishme ishte edhe vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Berisha.

I pyetur për pjesëmarrjen e Argita Berishës në Kuvendin e Foltores dhe nëse e sheh si pasardhëse politike të Berishës, Braimllari tha se mirëpresin angazhimin e kujtdo në opozitë. Gjithashtu shtoi se çdo zë opozitar i bën mirë opozitës dhe rolit të saj.

Dalja e Argita Berishës në Kuvendin e Foltores, pasardhëse politike e Berishës?

Endrit Braimllari: Gjykoj që Kuvendi i 2 dhjetorit janë çështje të brendshme të PD. Çdo parti funksionon mbi bazën e statutit. Gjykoj që sot përballë nuk kemi një parti politike, kemi një regjim autokrat që kërkon një front sa më të gjerë opozitar, kushdo që ka nevojë të kontribuojë, kundër të keqes. Sot nuk bëhet fjalë për përballje me struktura partish, një front sa më të gjerë opozitar. Çdo zë opozitar i bën mirë opozitës dhe rolit të saj.

ARRSH, 850 milionë lekë për 6 kryqëzime, tenderi u fitua nga kompania me ofertën më të lartë

Rregullimi i këtyre pikave konsiston në mbylljen e degëzimeve që shfaqin rrezik, spostimin apo shtimin e disa metrave asfalt, në mënyrë që të ndryshohet rrezja e kthesës, ndërhyrje që sipas ARRSH-së kushton jo pak, por 850 milionë lekë me TVSH.

Fituesi i këtij tenderi, me fond limit 829 milionë lekë është shpallur bashkimi i aksionerëve “ALMO KONSTRUKSION & DELTAREX”, edhe pse dy kompani të tjera kanë ofruar t’i bëjnë më lirë punimet.

Konkretisht, operatorët “Rroku GUEST” dhe “ERAL CONSTRUCTION COMPANY” kanë ofruar respektivisht 619 milionë lekë pa TVSH dhe 658 milionë lekë pa TVSH, ndërsa kompania fituese i ofron shërbimet e saj për plot 703 milionë lekë pa TVSH, ose 850 milionë lekë me TVSH.

Sipas ARRSH-së, së Evis Berberit, dy kompanitë e mësipërme nuk janë kualifikuar për shkak, se njëra nuk ka drejtues teknik, ndërsa tjetra sepse ka huazuar më shumë se 50% të stafit të saj nga një kompani tjetër, duke ngritur dyshimet për kontratë të paracaktuar.

I mbetet KLSH-së të evidentojë shkeljet si dhe të njoftojë insitucionet e tjera për marrjen e masave, ndërsa kjo është hera e disatë që ARRSH e Evis Berberit përfshihet në kontrata të dyshimta qindra milionë euroshe./Marre nga BW

Njoftimi I Tenderit

Kontrata Dhe Ofertuesit

Drejtuesi Teknik

Pallati i ëndrrave nga Ismail Kadare… a ishte regjimi komunist nën kontrollin e ‘ëndrrës’?

“Pallati i ëndrrave” është një nga romanet më të spikatura të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, i cili u vlerësua si një ndër librat më të shitur të vitit të kaluar. Edhe në vitin 2023 të dhënat tregojnë se interesi për të lexuar veprat e Kadaresë mbetet i lartë, madje edhe te të rinjtë.

“Pallati i ëndrrave” karakterizohet me frymën e epikës, të cilën letërsia europiane e quan të shteruar. Vepra e tij e përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës vazhdimisht ka qenë në listën e kandidaturave për çmimin “Nobel”, në emër të letërsisë sonë.

Gjatë komunizmit dy kapitujt e parë të romanit, me titullin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, fillimisht u botuan në vitin 1977, në përmbledhjen me tregime “Emblema e dikurshme”. Autori e boton të plotë veprën tre vjet më vonë. Por në shkurt të vitit 1982, vepra u kritikua dhe u ndalua të qarkullojë. Pas rënies së komunizmit vepra pëson ndryshime artistike. Romani mori titullin “Pallati i ëndrrave” dhe emri i personazhit kryesor ndryshoi nga emri turk Ebu Qerim, në Mark-Alem. Në këtë periudhë dhe deri më sot vepra interpretohet si anti-komuniste, megjithëse ka debate dhe të tjerë zëra që thonë të kundërtën se, Kadare e zhvilloi veprën e tij si i privilegjuari i regjimit.

Në një shtet totalitar i cili në fillim ngjason me Perandorinë Osmane, ndodhet “Tabir Saraj” (Pallati i ëndrrave), një institucion/organ shtetëror ku mblidheshin dhe analizoheshin ëndrrat. Mark Alemi, personazhi kryesor i veprës, ishte djalë i familjes të Qypryllinjve, pra një familje të pushtetshme dhe të pasur por që në ato momente nuk po kalonin një fazë të mirë.

Tabir Saraj apo Pallati i ëndrrave shihej si një nga institucionet themeltare të shtetit. Ai kontrollonte çdo gjë, “deri tek ëndrrat e njerëzve”. Autori ideon strukturën e një pallati me korridore pafund, me shumë kate mbi e nën dhe, me salla të stërmëdha, me seksione e nënseksione, ku mijëra nëpunës punojnë kokulur për të zgjidhur enigmën e rrezikut që i kanoset Perandorisë. Pikërisht në këtë institucion vendoseshin ‘fatet e njerëzve’. Duket se Perandoria qeverisej njëherazi nga dy forca: njëra e dukshme e cila është shteti që njohin të gjithë me rregullat e tij dhe tjetra e padukshme që mund ta cilësojmë si një shtet brenda shtetit, më i fortë se i pari, por i padukshëm, që është Tabir Saraj (Pallati i Ëndrrave).

Ëndrra shihet nga Kadareja si një çelës për të zbuluar e shpjeguar rreziqet e së ardhmes. Por mund të shihet dhe si një kurth, në qoftë se bie në absurditetin e saj. Ëndrra mund të paralajmërojë komplote, tradhti, kryengritje, mund të japë sinjalin e një çarjeje të unitetit të perandorisë, sinjalin e fillimit të një lufte, të prishjes së aleancave, mund të paralajmërojë vjedhjet e mëdha, abuzimet, degradimin. Kështu, në romanin e Kadaresë, ëndrra bëhet më e fuqishme se realiteti.

Në këtë vepër shohim raportin e individit që ka ambicien të integrohet në strukturat shtetërore dhe që e gënjen mendja se do të fuqizojë veten prej fuqisë së pushtetit. Ashtu siç Mark Alemi u integrua në Pallatin e Ëndrrave. Ky është një konflikt i përjetshëm, në të cilin vihet në dukje se çdo përpjekje e individit për t’u marrë me shtetin, për të depërtuar në brendësi të tij dhe për ta marrë me të mirë është e dështuar. Individi, në çfarëdo raporti që ta vendosë veten me shtetin, mbetet i kërcënuar prej tij. Kështu edhe Mark Alemi, edhe pse u bë pjesë e lartë e një organi shtetëror, ai përsëri ishte gjithë kohës i kërcënuar prej tij.

Si në vitet e vështira të komunizmit kur është shkruar, ashtu edhe në vitet e tranzicionit, të shumtë  janë ata të cilët pa pasur asnjë meritë, falë privilegjeve dhe kërcënimeve që kanë përjetuar, mund ta gjejnë veten në “Pallatin e ëndrrave” të Kadaresë.

Marrëveshja Rama-Meloni për emigrantët, mediat italiane: Këshilli i Ministrave i jep dritën jeshile projektligjit

Këshilli i Ministrave të Italisë ka miratuar marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët që u firmos nga kryeministrat Meloni dhe Rama për emigrantët.

“Palazzo Chigi në fakt ka dhënë miratimin e tij për projektligjin që ratifikon marrëveshjen e lidhur mes liderëve të dy vendeve. Protokolli i prezantuar nga dy krerët e qeverive, Giorgia Meloni dhe Edi Rama, parashikon krijimin e strukturave në Shqipëri për të mirëpritur emigrantët që kanë zbarkuar në brigjet tona. Projektligji përcakton mbulimin financiar dhe rregullat e para të zbatimit të planit”, shkruajnë mediat italiane.

Rezultatet “PISA 2022”/ Rritet numri i nxënësve të dobët, në lexim, matematikë dhe shkencë: Shqipëria dhe Kosova të fundit në renditje

Publikimi i rezultateve të testit “PISA 2022” nga OECD sot tregon në përgjithësi një rënie të paprecedentë të performancës së nxënies në të gjithë vendet e OECD, krahasuar me vitin 2018.

Performanca mesatare ra me dhjetë pikë në lexim dhe me pothuajse 15 pikë në matematikë, e cila është e barabartë me tre të katërtat e të mësuarit në një vit. Rënia në matematikë është tre herë më e madhe se çdo test i mëparshëm.

Në fakt, një në katër 15-vjeçarë është tani me një performancë të ulët në matematikë, lexim dhe shkencë nga mesatarja e OECD.

Ky trend është më i theksuar në 18 vende dhe ekonomi, ku më shumë se 60% e 15-vjeçarëve kanë mbetur prapa. Megjithatë, rënia mund t’i atribuohet vetëm pjesërisht pandemisë COVID-19. Rezultatet në lexim dhe shkencë kishin tashmë rënie që para pandemisë. Për shembull, tendencat negative në performancën e matematikës ishin tashmë të dukshme edhe para vitit 2018 (testi i kaluar i PISA-s) në Belgjikë, Kanada, Çeki, Finlandë, Francë, Hungari, Islandë, Holandë, Zelandën e Re dhe Republika Sllovake.

Ndërkohë, rezultatet e PISA 2022 për vendet me performancën më të mirë dhe ato me performancën më të dobët në matematike shkencë dhe lexim janë këto:

Në matematikë: gjatë kësaj periudhe, performanca e matematikës u përmirësua në Kinë, Arabinë Saudite, Republikën Domenikane, Brunei, Kamboxhia, Paraguaj dhe Guatemala (në rend zbritës) me rreth 10 deri në 16 pikë.
Në Shqipëri, Jordani, Islandë, Norvegji dhe Malajzi (në rend zbritës), rezultatet e matematikës ranë me më shumë se 30 pikë.

Në lexim: Performanca e leximit është përmirësuar në Brunei, Panama, Kine, Katar, Japoni, Republikën Domenikane dhe Kamboxhia (në rend zbritës) me rreth 8 deri në 21 pikë midis 2018 dhe 2022.
Ndërkohë në Shqipëri, Islandë dhe Maqedoninë e Veriut, rezultatet e leximit ranë me më shumë se 30 pikë gjatë asaj periudhe.

Në shkencë: Performanca e shkencës u përmirësua në 18 vende/ekonomi midis 2018 dhe 2022, duke përfshirë në Kazakistanin, Republikën Domenikane, Panamanë, Kinën, Japoninë, Kamboxhian dhe Brunein (në rend zbritës), ku rezultatet u përmirësuan me rreth 15 deri në 26 pikë.

Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Islandë dhe Malajzi (në rend zbritës), rezultatet e shkencës u përkeqësuan me më shumë se 20 pikë gjatë periudhës.

Po ashtu Kosova ka një rënie të dukshme në testin PISA 2022. Për këtë ka reaguar sot Organizata për Përmirësimin e Cilësisë në Arsim (ORCA). Sipas kësaj organizate, rezultate tregojnë për një “katastrofë arsimore në Kosovë” dhe rritje të analfabetizmit.

“Me shqetësim të madh, por jo me mosbesim pranuam rezultatet e ‘PISA 2022’ të cilat u publikuan në Paris nga OECD. Kosova ka shënuar rënie si në renditje, ashtu edhe në performancë. Në vitin 2018 kanë marrë pjesë 74 shtete dhe Kosova renditet në vendin e 72-të, ku 66% e nxënësve shënuan performancë të dobët, ndërsa në vitin 2022 morën pjesë 80 shtete dhe Kosova renditet e 79-ta, pra e parafundit, ku 72.9% e nxënësve shënuan performancë të dobët”, thuhet në reagim. Gjithashtu vihet re se analfabetizmi është rritur. “Analfabetizmi funksional fatkeqësisht është rritur, numri i nxënësve që nuk kuptojnë lexim është rritur nga 78% në vitin 2018 në 83% në vitin 2022. Në matematikë kriza është thelluar, nxënësit kosovarë që kanë performancë nën nivelin janë rritur nga 76%, nga sa ishin në 2018, në 85% në 2022. Ndërsa në shkencë, nga 76% në 2018, numri i performuesve të dobët është rritur në 79% në 2022”, thuhet në deklaratën e ORCA-s.

Si Shqipëria dhe Kosova renditen në fund të tabelës, duke u renditur më keq nga vendet e rajonit, por edhe nga vendet e tjera. Kosova renditet edhe më keq se Shqipëria.

Mbyllja e shkollave për shkak të pandemisë, shpesh përmendet si shkaku kryesor i rënies së performancës, por nuk është aq i drejtpërdrejtë. Në të gjithë OECD, rreth gjysma e studentëve përjetuan mbyllje për më shumë se tre muaj. Megjithatë, rezultatet e PISA-s nuk tregojnë dallim të qartë ndërmjet sistemeve arsimore që përjetuan mbyllje më të gjatë të shkollave si Islanda, Suedia dhe Kina me vendet që i mbyllën shkollat në afate më të shkurtra si Brazili, Irlanda dhe Xhamajka.

Ky botim i PISA përfshin të dhëna nga 81 vende dhe ekonomi. Testi fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në 2021, por u vonua me një vit për shkak të pandemisë COVID-19. Rrethanat e jashtëzakonshme gjatë gjithë kësaj periudhe, duke përfshirë bllokimet dhe mbylljet e shkollave në shumë vende, çuan në vështirësi të herëpashershme në mbledhjen e disa të dhënave. Ndërsa shumica dërrmuese e vendeve dhe ekonomive plotësonin standardet teknike të PISA-s (të disponueshme online), një numër i vogël nuk arritën ti plotësonin.

Megjithatë, rezultatet e përgjithshme sugjerojnë se disa shkolla u përpoqën të kalonin në mësimin në distancë gjatë mbylljes së shkollave të tjerët u rritën nga kjo përvojë. Këtë e raportuan disa vende, duke përfshirë Islandën dhe Marokun shkollat e tyre ishin më pak të përgatitura për mësimin në distancë pas pandemisë, ndërsa në Shqipëri, Brazil, Kamboxhia dhe Rumania raportuan se shkollat e tyre ishin më të përgatitura pas pandemisë.