27.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Buxheti i Tiranës 2024: Ndërtimet nuk do të ndalen, 8 milionë euro më shumë nga taksa e pronësisë, 6 milionë euro për të parkuar, rekord taksa e arsimit

Bashkia e Tiranës parashikon që të ketë në dispozicion një buxhet prej 33 miliardë lekësh (rreth 300 milionë euro) në vitin 2024, një shumë që është 16% më e lartë sesa pritshmëria e këtij viti, sipas projektbuxhetit 2024, të bërë publik nga bashkia.

54% të kësaj shume, ose 18.4 miliardë lekë, bashkia do ta sigurojë nga të ardhurat që ajo mbledh nga taksat dhe tarifat, ndërsa pjesa tjetër do të vijë nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara (5.2 miliardë lekë) dhe të ardhurat e mbartura (10 miliardë lekë).

Nga taksat e veta, peshën kryesore vijon ta mbajë “Taksa e ndikimit ne infrastrukture nga ndërtimet e reja”, nga e cila Bashkia pritet të mbledhë 6.4 miliardë lekë, ose 14% më shumë se i pritshmi 2023. Shuma që bashkia do të mbledhë nga dhënia e lejeve për ndërtimet e reja është sa 35% e të ardhurve të veta të bashkisë dhe 19% e të ardhurave totale.

Kjo varësi e lartë e Bashkisë nga taksa që mblidhet për lejet e reja të ndërtimit sinjalizon se vrulli i ndërtimeve do të vijojë jo vetëm në 2024, por edhe në 2025 dhe 2026, me nga 6.5 miliardë lekë të ardhura për çdo vit.

Në vitin 2023, bashkia thotë se pret të mbledhë 7 miliardë lekë nga Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, nga 5.5 miliardë lekë që ishte plani fillestar. Bashkia thotë se “Realizimi i të ardhurave nga kjo taksë tejkalon planin e miratuar si rrjedhojë e aplikimeve përtej parashikimeve.

Në krahasim me fusha të tjera të aktivitetit tregtar, sektori i ndërtimit ka vazhduar të jetë një prej shtyllave bazë të zhvillimit ekonomik dhe njëri prej aktiviteteve që sjell më shumë të ardhura”.

Por, ekspertët vendorë kanë ngritur gjithnjë shqetësimin se Bashkia e Tiranës po bëhet gjithnjë e më e varur nga kjo taksë për sigurimin e të ardhurave të veta, duke qenë një model i zhvillimit të paqëndrueshëm, teksa ato sjellin një të tretën e të ardhurave.

Zëri i dytë që do të sjellë më shumë të ardhura është “Taksa mbi pasurinë e paluajtshme” nga e cila pritet të mblidhen 3.8 miliardë lekë, ose 891 milionë lekë (8 milionë euro) më shumë se pritshmëria 2023, me rritje vjetore 31%.

Sipas relacionit të Bashkisë ky parashikim ka marrë parasysh ndryshimet e çmimeve mesatare të shitjes së banesave sipas VKM-së 457 datë 26.07.2023 dhe mundësinë e vjeljes për më shumë subjekte si ato të biznesit dhe ato familjare. Familjarët pritet të paguajnë 868 milionë lekë, ose 18% më shumë (+156 milionë lekë). Arra më e lartë do të bjerë mbi bizneset, që pritet të paguajnë 2.9 miliardë lekë, me një rritje prej 25%, ose 735 milionë lekë më shumë.

Nga “tarifa e pastrimit” pritet të arkëtohen 2.6 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel sa pritshmëria e këtij viti.

Zëri i katërt që pritet të sjellë më shumë të ardhura është “Taksa e përkohshme për infrastrukturën Arsimore”, nga e cila pritet të arkëtohen 926 milionë lekë (8.4 milionë euro), niveli më i lartë që kur filloi zbatimin. Kjo taksë pritet të mblidhet dhe në 2025-n, me 971 milionë lekë, kur dhe mbaron afati i zbatimit të saj. Sipas relacionit të bashkisë,

Taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore ka një realizueshmëri të kënaqshme që nga koha e hyrjes në fuqi, në vitin 2016, si për kategorinë biznese edhe për kategorinë familjarë. Në fillim të vitit 2023 arkëtimet nga kjo taksë u reduktuan nga miratimi i kësaj takse për një periudhe të re 3 vjeçare dhe limitimi i vlerës së saj në masën 35% të detyrimit të taksës së ndërtesës për të njëjtin subjekt.

Niveli i pritshëm i realizimit për vitin 2023 do të jetë mbi vlerën e parashikuar për subjektet “Familjare” duke marrë parasysh hyrjen në fuqi të VKM-së së re në datën 28.07.2023 dhe aplikimit të ndryshimeve të çmimeve të referencës në faturimet e muajit gusht 2023 për taksën e ndërtesës dhe respektivisht dhe për taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore.

Për subjektet e biznesit ky ndryshim nuk do të ndikojë vlerën e pritshme të realizimit për vitin 2023 dhe efekti për periudhën 5 mujore do të vihet re në vitin në vazhdim bashkë me parashikimin e vitit 2024. Gjithsesi, ndryshimi i çmimeve të referencës për apartamentet e banimit dhe si rrjedhojë çmimet referuese për strukturat që përdoren për qëllime biznesi dhe parashikimet për taksën e ndërtesës për këto subjekte do të shërbejnë si kufi të sipërm të parashikimeve për taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore, sqaron bashkia.

Për të parkuar, një mision që sa vjen e bëhet më i vështirë dhe më i shtrenjtë në kryeqytet, Bashkia pritet të mbledhë 623 milionë lekë, ose gati 6 milionë euro, rreth 3.5% më shumë në krahasim me të pritshmin 2023. Sipas Bashkisë, arkëtimet nga tarifa e parkimit kanë shënuar trend rritës që nga fillimi i aplikimit të kësaj tarife me përjashtim të vitit 2020, vit i pandemisë, ku kufizimi i lëvizjes reduktoi dhe parkimin e automjeteve në rrugë e sheshe.

Këto pesë taksa do i sjellin bashkisë gati 80% të të ardhurave të veta, që ajo pritet të mbledhë nga taksat e tarifat./MONITOR

Tre reflektime mbi debatin publik mbi një vrasje (Liridona A)

Nga Neli Demi

I ligështuar dhe deri në një nivel i dorëzuar përpara monstruozitetit të vrasjes së Liridona Ademajt në Kosovë, por edhe në pritje të sqarimit të rrethanave e motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe në respekt të precipitimit disi të traumës, vendosa të mos reagoj publikisht deri më tash. Mbulimi mediatik intensiv, qoftë ky informativ apo sensacional, shtoi mjaftueshëm presionin brenda meje për të shprehur atë që mendoj për këtë ngjarje si dhe për mënyrën sesi po trajtohet.

Motivi vs. Trauma: Në perceptimin tim një krim i çfarëdo lloji ka si produkt kryesor traumën që shkakton mbi viktimën e drejtëpërdrejtë.
Në këtë rast trauma/pasoja është fatale.
Humbja e jetës!! E këtu trauma transferohet në formën e rrathëve, bashkëqëndrorë te fëmijët, familja, të njohurit, shoqëria.
Sa më afër viktimës aq më e madhe trauma.
Dy fëmijë në fëmijërinë e herëshme do mbeten pa prindër!
Dy familje do jenë në dhimbje të përjetëshme! Një shoqëri e tërë shkundet ( për të disatën herë) nga fija e hollë që ndan jetën nga vdekja dhe nga niveli i dramacitetit që mund të prodhojë vendim-marrja e mendjes njerëzore!
E megjithë këtë, debati publik është përqendruar mëse tepërmi mbi motivet e kësaj vrasjeje: mosmarrveshje, pastrim parashë, tradhëti homoseksuale e zbuluar, përfitim të sigurimi të jetës e të tjera “arsye” që do ti shërbenin më shumë një romancieri të librave të verdhë sesa shoqërisë.

Krim njerëzor vs. krim pasioni vs. krim me bazë gjinore: Në një botë patriakale siç është kjo e jona, kur një grua vritet nga një burrë, gjithmonë unë mendoj që kemi të bëjmë me një krim me bazë gjinore!!! Sepse janë pikërisht balancat e identitetit gjinor dominues që kërkohen të rivendosen me anë të dhunimit dhe eleminimit të asaj që ka “guxuar” ti prishë ( këtu mund të diskutohet pastaj motivi).
E kam thënë në shumë raste që termi “krim pasioni”, në mendimin tim, nuk duhet të përdoret më pasi është një produkt i tentativave afatgjata pikërisht për të romantizuar pathologjinë individuale dhe sociale.

Naricistik vs. Psikopat vs. Skizofren: Fjalë këto që i kam dëgjuar të dalin, në mënyrë të papërgjegjëshme dhe jo profesionale, nga gojët e debatuesve në publik këto 2-3 ditë.
Do i lutesha mediave për të disatën herë dhe më shumë personave publikë që kanë akses në media, që të kenë modestinë të refuzojnë “diagnostikimin” e çrregullimeve duke u bazuar në hamendësitë dhe njohuritë sipërfaqësore që mund të kenë mbi mënyrën sesi funksionon mendja njerëzore dhe pathologjitë e njërit apo tjetrit!
Sigurisht që pas çdo vrasjeje fshihet një mendje e çrregulluar por lejoni profesionistët ta thonë dhe ta spjegojnë këtë!

Kreshnik Çollaku: Sfidat kryesore, bashkimi i votës së demokratëve dhe ruajtja e marrëdhënieve me SHBA

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku në parim shprehet i gatshëm për bashkimin e opozitës, por gjykon se kjo nuk është sfida kryesore e saj.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Çollaku u shpreh se sfidat kryesore janë bashkimi i votës së demokratëve në bazë, dhe ruajtja e marrëdhënieve me aleatët strategjikë, SHBA dhe BE.

“Në parim, jam pro bashkimit opozitar, me këdo. Çështja, në parim, nuk ka kush e kundërshton. Unë mendoj, çështja kryesore e opozitës nuk është riformatimi i partive me kryetarë partish prej 30 vitesh.

Sfida kryesore është bashkimi i votës, i demokratëve në bazë. Sfida e madhe është bashkimi i çdo vote demokratësh në bazë dhe moscënimi i marrëdhënieve me SHBA dhe BE. Këto janë dy akset që rikthejnë Partinë Demokratike në pushtet.

Jemi të hapur, unë personalisht jam i hapur për të folur me këdo. Por klima e opozitës është ekstreme. Unë ua thashë, Partisë Demokratike i duhen dy elementë, bashkimi i votës së bazës dhe marrëdhëniet me SHBA.

Mendoj se opozita ka nevojë që të jetë opozitë e pastër, që nuk mund të jetë subjekt i hetimeve të SPAK, që ruan marrëdhëniet me aleatët strategjikë. Është formula e duhur”, theksoi ai.

Shënim/ PD – Alternativa Perëndimore Qeverisëse

Tashmë është e qartë si drita e diellit, nuk ka asnjë dilemë, asnjë mëdyshje, asnjë paqartësi, asnjë hezitim, se ka vetëm një parti që mund të udhëheqë opozitën drejtë rrugës së saj në pushtet.

Kjo është Partia Demokratike e Shqipërisë me kryetar Lulzim Bashën.

Është partia e vetme që mbart vlerat euro-atlantike, koordinon me partnerët ndërkombëtar përsa i përket interesave të përbashkëta, nuk sulmon në asnjë moment vendimet e gjykatave, edhe kur nuk janë në favorin e saj, inkurajon SPAK-un në mënyrë të hapur dhe institucionale për thellim të hetimeve të aferave të mëdha korruptive, të djeshme dhe të sotme.

Atyre që nisën shkatërrimin e PD-së dhe opozitës për hallet e tyre familjare, nuk ua hap askush derën, as brenda as jashtë, sepse ata janë të dizenjuar si minues të demokracisë dhe akuzohen për korrupsion madhor dhe shantazh të drejtësisë.

Të tre këto elemente janë lajtmotiv i politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor.

Këto interesa të përbashkëta pikëtakohen vetëm me Partinë Demokratike.

Ato nuk mund të puqen me ata që e kanë shkatërruar demokracinë në këtë vend dhe si trashëgimi politike po tentojnë të lënë familjarët e tyre, të dizenjuar edhe ata Non Grata nga SHBA-të.

Nuk është rastësi që aktualisht kur në Tiranë mbizotëron tymi dhe flaka për halle personale dhe për t’i bërë presion SPAK-ut dhe Gjykatës, Lulzim Basha me një grup deputetësh dhe zyrtarësh të rëndësishëm të Partisë Demokratike, është duke zhvilluar takime të rëndësishme në Washington, në kuadër të IDU dhe të Kongresit Amerikan, që kanë për qëllim sensibilizimin e ligjvënësve amerikanë mbi temat e Shqipërisë dhe të Rajonit, njëkohësisht ato më pranë nesh si lufta kundër korrupsionit dhe vetingu i politikanëve.

Sigurisht që partneriteti dhe mbështetja ndërkombëtare nuk është e mjaftueshme për të ardhur në pushtet, sepse rrugëtimi drejt tij është një kompleksitet i gjerë që nuk varet vetëm prej tyre dhe prej Lulzim Bashës.

Patjetër që gjendja ku ndodhet sot Partia Demokratike është e vëshirë, por jo e pamundur, është e rëndë, por jo pa shpresë, është e dërrmuar, por jo e vdekur.

Ndaj kërkohet një angazhim persoanl nga gjithsecili që e ndjen dhe beson te kjo forcë politike, për të marrë angazhim dhe për të bërë atë që duhet.

Vetëm kur ta ndjejnë të gjithë peshën e përgjegjësisë, ringritja e PD-së do të jetë e pandalshme.

Shëndeti mendor: Faktori që i zhyt të rinjtë në ankth, depresion dhe varësi

Të rinjtë janë të fundit për sa i përket mirëqenies mendore, sipas një studimi të studiuesve nga Universiteti i Sidneit që u atribuon njerëzve të lindur në vitet ’90. Gjenerata Z (18-26 vjeç) janë performuesit më të këqij në fushën e shëndetit mendor. Gjetjet tregojnë një përkeqësim të dukshëm të shëndetit mendor në çdo brez që nga vitet 1950, megjithatë, në mënyrë disproporcionale më i fortë ky ndryshim vihet re tek të rinjtë.

“Shumica e vëmendjes deri më sot është përqendruar në rënien e shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve të moshës shkollore, ku ne presim që shëndeti i tyre mendor të rikuperohet gjatë moshës madhore. Hulumtimi megjithatë tregon se situata nuk po ndryshon dhe se nuk duhet të shqetësohemi vetëm për fëmijët,” tha autori kryesor Dr. Richard Morris, studiues i lartë në Shkollën e Mjekësisë dhe Shëndetit në Universitetin e Sidneit, shkruan ygeiamou.gr.

“Dëshmitë jo vetëm që tregojnë një cilësi gjithnjë në rënie të shëndetit mendor tek të rinjtë e sotëm, por ato vazhdojnë të prekin brezat e vjetër që tani shkojnë në të 40-at dhe 50-at. Ne nuk po i shohim ata të rikuperohen siç bënë me gjeneratat e mëparshme ndërsa u rritën” shtoi ai.

Plaga e mediave sociale

Studiuesit gjurmuan ndryshimet në shëndetin mendor të më shumë se 27,500 australianëve midis 2001 dhe 2020. Duke vlerësuar çdo grupmoshë, njerëzit e lindur në vitet 1990 kishin shëndet mendor vazhdimisht më keq dhe, përveç kësaj, mediat sociale janë topi i hekurt në këmbët e të rinjve, që i mban larg mirëqenies mendore.

Një numër studimesh kanë lidhur mediat sociale dhe kohën e tepërt para ekranit mes të rinjve me ankthin, depresionin dhe varësinë, si dhe tendenca në rritje të abuzimit emocional dhe marrëdhënieve toksike. Studiuesit shprehën pesimizëm në lidhje me gjetjet dhe mundësinë që ato të ndryshojnë në të ardhmen.

Lulzim Basha me drejtorin e NDI për Europën: Mbështesim SPAK, sulmet ndaj tij të papranueshme

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me drejtorin për Europën Qendrore dhe Lindore të “Institutit Demokratik Amerikan” (NDI), Robert Benjamin, dhe ekipin e tij në Washington.

Në këtë takim zoti Basha ishte i shoqëruar nga nënkryetarja Oriola Pampuri, sekretari për burimet njerëzore dhe koordinimin digjital, Endri Hasa, dhe sekretarët per çështjet ligjore dhe zgjedhore, Indit Sefa dhe Rezart Kthupi.

Zoti Basha ka shprehur bindjen se me ndihmën e SHBA dhe partnerëve të tjerë, Shqipëria do të arrijë të rikthejë vlerat demokratike.

Lufta kundër korrupsionit, pastrimi i politikës nga politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar, zgjedhjet e lira e të ndershme janë prioritetet e PD-së.

Zoti Basha ka falënderuar për bashkëpunimin dhe mbështetjen “Institutin Demokratik Amerikan” dhe Robert Benjamin.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, theksoi se korrupsioni është pengesa më e madhe për zhvillimin e vendit dhe krijimit të mundësive për të rinjtë, për të ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri.

Në këtë kuadër, Bashka theksoi mbështetjen e Partisë Demokratike për SPAK-un dhe angazhimin përmes nismave ligjore në Parlament për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet më të larta. Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve.

Zoti Basha i ka konsideruar të papranueshme sulmet ndaj sistemit të drejtësisë dhe veçanerisht SPAK-ut që vijnë nga subjekte të tij apo tendencen për të politizuar SPAK-un, përmes tentativës për të përvetësuar punën e tij nga aktorë politikë.

Zoti Basha ka shpalosur nismat e PD-së që janë, tashmë, në Kuvend, si vetting-u i politikanëve, përmes të cilit synohet pastrimi i politikës nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit, listat e hapura, ku deputetët zgjidhen drejtpërdrejt me votën e qytetarëve, organizimin në një zonë zgjedhore, që krijon barazinë e votës së qytetarëve duke eliminuar difererencat ndërmjet qyteteve të ndryshme dhe mundësimin e votës se diasporës.

Basha ka bërë të ditur se për këto nisma është konsultuar paraprakisht me qytetarët dhe kanë një mbështetje maksimale. Tashmë, pritet vota e deputetëve për t’u shndërruar në detyrime ligjore.

Basha foli dhe për vëmendjen e veçantë që PD-ja po i kushtohet përfshirjes së sa më shumë grave dhe të rinjve gjatë procesit të riorganizimit të Partisë Demokratike dhe projektin e Aleancës Qytetare për Demokracinë, koalicioni që do të kthejë shpresën e shqiptarëve, për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet që presin shqiptarët.

Cirku Rama-Berisha me mendjen nga SPAK dhe pse PD duhet që ti lërë në hallin e vetë!

Neritan Vladi*

Politika e vjetër bën sondazhe të përjavshme. Dhe këtë e bën pasi gjithë javën e ka bombarduar shoqërinë me propagandën e vetë mediatike, pikërisht për gjërat që do ti pyes shqiptarët në  sondazhin e radhës. Dhe kuptohet që pas kësaj merr si përgjigje nga sontazhi, atë që ka propaganduar po vetë në mediet e veta.

Pra cikli është i mbyllur: I hedhin turmës kockën që ja kanë imponuar po vetë dhe marrin si “pëlqim nga opinioni”, po kockën e tyre të vetme!

Këtë gjë bën Rilindja dhe po të njëjtin model mundohet të bëjë, edhe e vetëquajtura opozita e Rithemelimit, e cila po shkon me shpejtësi drejt degradimit.

Domethënë këta politikanë të së shkuarës i ofrojnë publikut gjoja atë që do shoqëria, (të cilën ja kanë imponuar po vetë këta me propagandë ku hidhen miliona), por jo atë çfarë i duhet shqiptarëve.

Ndaj Partia Demokratike si opozitë e qenësishme, e ndarë përfundimisht dhe e pa kompleksuar nga e shkuara korruptive e një pjese të saj kur ka qenë në pushtet, e çliruar nga frika e punës së SPAK dhe drejtësisë së re, e pozicionuar qartë si properëndimore, duhet që ti ofrojë shoqërisë shqiptare, vetëm dhe pikërisht atë që i duhet asaj dhe jo cirqe propagandistike dhe  telenovela që mund të argëtojnë turmat, të cilat si finale vetëm mbajnë në pushtet këtë qeverisje të korruptuar deri në qelizë.

Në pamje të parë kjo duket e vështirë, por  kurrsesi e pamundur!

Fakti që një masë e madhe njerëzish, (Rreth 60% e votuesve), vazhdojnë që të refuzojnë që prej shumë palë zgjedhjesh që të dalin dhe të votojnë, do të thotë që shqiptarët janë inteligjentë dhe nuk mund ti mashtrojë më politika e vjetër e, cila i ka varfëruar në maksimum pavarësish nga ngjyra e flamujve, rozë apo blu.

Kjo politikë e vjetër e cila pasi i harxhoj të gjitha energjitë gjatë 32 vitesh demokraci për të grabitur shqiptarët, sot po i harxhon për të mbrojtur plaçkën dhe rezistuar ndëshkimit nga drejtësia e re, arrin deri aty sa që ti poshtërojë dhe fyejë shqiptarët publikisht.

Sipas tyre ata nuk janë gati për politikanë perëndimorë, ndaj duhet që të vazhdojnë që të kenë mbi krye edhe për shumë kohë, po këta!

Po këta që bëjnë sikur u qajnë hallin demokratëve, socialistëve dhe shqiptarëve të varfër në konferenca e nëpër studio televizive,( por mendjen e kanë vetëm te hallet e tyre me SPAK), të thonë që shqiptarët duan vetëm lider të fortë, (të dhunshëm) , lider që të bëj një 97 –të, apo një 21 janar, siç bënë Rama dhe Berisha secili në mënyrën e vetë.

Nuk e  kuptojnë, (ose më saktë bëjnë sikur nuk e kuptojnë), se njerëzit nuk i ndjekin më, pikërisht për atë që kanë qenë gjatë këtyre 32 viteve dhe për atë që janë sot. Po njësoj, të pandryshuar me të njëjtën skemë mashtruese dhe të njëjtën gjuhë lufte, përçarje, kërcënime dhe mbjellje urrejtje edhe brenda llojit demokrat apo socialistë.

Varfëria që ju ka shkaktuar kjo klasë e vjetër politike ju ka hapur sytë dhe mendjen shqiptarëve, ndaj nuk e fshehin më që e neverisin këtë model. Prandaj ikin çdo ditë e më shumë nga vendi, ose refuzojnë që të dalin për ti votuar sërish.

Në këtë situatë misioni i Partisë Demokratike dhe i liderit të saj zotit Lulzim Basha, është vetëm një dhe fare i qartë:

Ti japim shoqërisë shqiptare zgjidhje përfundimtare për mbylljen e tranzicionit lëngues 32 vjeçarë politik- ekonomik, i cili mbolli vetëm korrupsion, krim të organizuar dhe pasurim jashtë çdo imagjinate të një elite të vogël.

PD nuk duhet që të joshet për tu bërë pjesë e cirkut, telenovelave dhe valles dyshe që hedhin grupimet Rama-Berish&Bardhi. Shqiptarët kërkojnë në mënyrë ekzistenciale zgjidhje politike, për ti dhënë fund kapjes së votës, kryetarokracisë, politikës si biznes për tu pasuruar, politika perëndimore ekonomike- sociale, etj.

Ata që argëtojnë turmat në parlament, konferenca për mediet dhe studio televizive, le të vazhdojnë që ta bëjnë këtë, deri sa komedia që po na japin tu kthehet në tragjedi që luhet te SPAK dhe Gjykata e Posaçme, për të përfunduar te burgu i VIP-ave në Reç.

Partia Demokratike, anëtarët e riorganizuar dhe ekipi i saj drejtues me zotin Basha në krye që aktualisht po priten si shpresë e Shqipërisë post tranzicion në SHBA, nuk kanë punë me këtë cirk.

Cirku, Rama-Berisha, me sytë gjithë ankth nga SPAK, PD me mendje dhe veprim vetëm nga shqiptarët e thjeshtë, që presin ndryshimin e madh!

*Anëtarë i Këshillit Kombëtarë të PD

Berisha shpërfilli sërish gjykatën/ Fatos Klosi: Ka bërë zullume të mëdha në këtë vend! Kjo dosje nuk është asgjë

Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë (SHIK), Fatos Klosi foli për veprimet e Sali Berishës, i cili për herë të tretë nuk shkoi në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë për dosjen “Partizani”.

Ai theksoi se kjo nuk është një gjë e re, pasi Berisha i është shmangur gjithmonë drejtësisë dhe institucioneve shqiptare.

Sipas Klosit, ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë zullume të mëdha në Shqipëri, duke theksuar se dosja aktuale për të cilën akuzohet, nuk është asgjë, në krahasim me veprimet e tij përgjatë viteve të shkuara.

“E ka shkelur gjithë jetën ai dhe nuk është gjë e re që t’i shkel këto rregulla. Gjithmonë i është shmangur. Ai do të hiqet mbi prokurorinë dhe mbi të gjitha pushtetet në këtë vend. Pas kësaj mund të jetë arrest shtëpie dhe nuk mund të dalë dot.

Sillet kështu për aq kohë se ka bindje se nuk I bën njeri gjë. Tani nuk është ajo kohë që s’i bën njeri gjë. Berisha ka bërë shumë zullume të mëdha në këtë vend, kjo dosje nuk është asgjë”, tha ai i ftuar në “Ora e fundit” .

Gjithsesi, Klosi thotë se Berisha do të trembet me siguri pasi Prokuroria do të tregohet e fortë në hetimin dhe veprimtarinë e saj.

“Do trembet dhe tani nëse prokuroria speciale do të tregohet e fortë dhe unë shpresoj që do të tregohet e fortë, sepse gjërat kanë ndryshuar shumë”, tha ai.

Ai komentoi edhe vrasjet e 21 janarit, ndërsa tha se urdhëruesi i këtij krimi është ish-kryeministri Sali Berisha pasi asnjeri tjetër nuk mund ta bënte dot pa urdhër nga lart.

“Është urdhëruese, asnjëri tjetër nuk e bënte. Nuk e bënte askush, ata njerëz që qëlluan e dinë shumë mirë rregulloren, që nëse gjuan mbi turmën është gafë e rëndë dhe dënohesh rëndë.

Berisha këtë plan kishte. Protesta po mbaronte, në kohën që janë bërë qitjet. Garda qëlloi me urdhër të Berishës. Berisha e ka planifikuar atë vrasje, e ka urdhëruar atë vrasje”, tha ai.

“Iu vura armën e mbushur në dorë armiqve”, Elon Musk tallet me Paris Hilton, pasi ajo tërhoqi reklamat për enët e gatimit

iliarderi Elon Musk, njëkohësisht CEO i X (ish-Twitter) ka vendosur të bëhet armiku i të gjithëve dhe sidomos atyre që tërheqin reklamat nga platforma.  Radha duket se ka qenë e Paris Hilton, e cila ka marrë një koment të ashpër nga manjati, pas vendimit të saj për të tërhequr reklama për linjën e saj të enëve të gatimit.

“Për të qenë i sinqertë, fushata e saj reklamuese nuk ishte aq bindëse. Mendoj se Parisi nuk gatuan aq shumë”, shkruan në postimin e tij pronari 52-vjeçar i “X”, pasi u bë e ditur se kompania e trashëgimtares dhe sipërmarrësit “11:11 Media” po i jep fund partneritetit me rrjetet sociale.

Një përfaqësues i personazhit të famshëm 42-vjeçar i kontaktuar nga “Page Six” nuk pranoi të komentonte postimin e Musk.

Disa kompani të mëdha, duke përfshirë Disney, Paramount, NBCUniversal, Comcast, Lionsgate dhe IBM, kanë tërhequr reklamat e tyre nga “X” për shkak të disa postimeve të Musk që ishin etiketuar antisemitike, megjithëse ai mohon se ky ishte qëllimi i tij.

Duke folur së fundmi në konferencën DealBook të New York Times, manjati i teknologjisë u pyet nga gazetari Andrew Ross Sorkin në lidhje me reagimin e ashpër që ka shkaktuar postimi i tij më 15 nëntor, në të cilin ai shprehu në thelb dakordësinë e tij me një teori konspirative antisemite që iu kërkon komuniteteve hebraike për të “promovuar urrejtjen kundër të bardhëve”.

Në përgjigjen e tij, Musk në thelb deklaroi se ai nuk do të përkulet para shantazheve dhe në mënyrë specifike shënjestroi CEO-n e Disney, Bob Iger, i cili ishte i pranishëm në të njëjtën konferencë. “Shpresoj që ata të ndalojnë,” tha pronari i “X”, me Sorkin duke pyetur “a nuk dëshironi që ata të reklamojnë në platformë?”

 

“Le të mos bëjmë reklama”, përgjigjet Musk. “Çfarë do të thuash?” këmbëngul gazetari i hutuar. “A po përpiqen disa njerëz të më shantazhojnë me reklama? Më shantazhoni me para? Hajde pir**uni, isha i qartë? Hej Bob, nëse je në audiencë. Kështu ndihem, mos bëj reklamë.”

Pavarësisht reagimit të tij shpërthyes, Musk pranoi se postimi i tij që nisi këtë “valë” reagimi ishte një nga gjërat më budallaqe që ai ka thënë ndonjëherë në platformë. “Iu kam vënë armën e mbushur në dorë atyre që më urrejnë”, tha në mënyrë karakteristike pronari i “X”.

Sa i përket Paris Hilton, aftësitë e saj në kuzhinë mund të jenë në pikëpyetje të Musk, por ajo po vazhdon me entuziazëm të promovojë enë gatimi ‘Be an Icon’ që premtojnë të sjellin ngjyra dhe shkëlqim në të gjitha kuzhinat.

Ajo shpjegoi në një intervistë të fundit se vendosi të vazhdojë me sipërmarrjen e saj të re të biznesit pasi vuri re se sa… të mërzitshme janë artikujt e kuzhinës të disponueshme në treg. “Trëndafilin nuk e kam parë askund. Pashë vetëm argjend dhe ngjyra të tjera të mërzitshme. Kuptova se diçka mungonte. Doja ta bëja më argëtues procesin e gatimit”, tha 42-vjeçarja.

U arrestua për blerje votash në zgjedhjet e 14 majit, SPAK mbyll hetimet për Klodian Kapidanin

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për Klodian Kapidanin, i cili u arrëstua për blerje votash për “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet e 14 majit në bashkinë e Kavajës. Kapidani akuzohet për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal është provuar fakti se Klodian Kapidani, me banim në Kavajë, në datën 14.05.2023, iu ka premtuar dhe iu ka ofruar personave të tjerë para me qëllim për të marrë pjesë në votime, për të siguruar pjesëmarrjen edhe të personave të tjerë në votime, si dhe për të përcaktuar mënyrën e votimit.

NJOFTIMI I SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për proçedimin penal nr.88 viti 2023 që bën fjalë për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal është provuar fakti se i pandehuri Klodian Kapidani, me banim në Kavajë, në datën 14.05.2023, datë në të cilën janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme vendore për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, iu ka premtuar dhe iu ka ofruar personave të tjerë shuma monetare me qëllim për të marrë pjesë në votime, për të siguruar pjesëmarrjen edhe të personave të tjerë në votime, si dhe për të përcaktuar mënyrën e votimit.

Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.88 viti 2023 në ngarkim të të pandehurit Klodian Kapidani, i akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.