32.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Rama u bën presion grave që janë futur në grevë urie

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për grevën e naftëtarëve në Ballsh. Ndërkohë që pak ditë më parë ju bëri thirrje që të ndërprisnin grevën e urisë, naftëtarët refuzuan këtë kërkesë të Ramës, por e ftuan që ti takonte atje.

Rama shkruan se pa u ndalur greva nuk do të nisë asnjë bashkëbisedim dhe se ideja për tu futur në grevë mund t’i faturosh qeverisë kusuret e një kompanie private është shumë e gabuar.

Rama shton se me tu ndalur greva ato do të ulën dhe të bisedojnë vëllazërisht.

Postimi i plotë: Keqardhje për refuzimin për të ndërprerë grevën në Ballsh,sepse pa u ndalur greva nuk do të nisë dot asnjë bashkëbisedim!Ideja se duke u futur në grevë mund t’i faturosh qeverisë kusuret e një kompanie private është shumë e gabuar. Me t’u ndalur greva ulemi bisedojmë vëllazërisht!

Covid-19/ Zbulohet çfarë problemesh i shkakton shëndetit një maskë e papastër

Përdorimi i detyrueshëm i maskës në përditshmërinë tonë mund të bëjë që këtë mjet mbrojtës ta përdorim më shumë sesa duhet. Gjithashtu, ndodh që sa herë e heqim, ta vendosim në një sipërfaqe jo të pastër.

Përdorimi për një kohë të gjatë dhe vendosja e saj në vende të papastra mund të bëjë që maska të mos mbrojë siç duhet dhe të ulë efikasitetin e saj.

Ekspertët thonë se përdorimi i gabuar i maskës mund të shkaktojë shfaqjen e puçrrave ose skuqje dhe irritim të lëkurës. Te femrat, problemet mund të shtohen nëse maska vendoset në ambient me lagështirë të lartë menjëherë pasi është bërë tualeti.

Problem tjetër që mund të shkaktojë përdorimi i gabuar i maskës është vështirësia në frymëmarrje për shkak të grumbullimit të shumë baktereve. Për këtë arsye, ekspertët këmbëngulin që maska të jetë e pastër dhe të mos përdoret më shumë sesa është e rekomanduar.

Ministrja e projekteve 3D

Në janar të 2021, Belinda Balluku bën plot dy vjet në postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, që përbën edhe dikasterin më të madh në kabinetin qeveritar.

Balluku u emerua si një prurje e re, nje impuls i ri në qeverinë Rama, ndërsa u shfaq si një politikane energjike.

Por çfarë arriti në pothuajse dy vitet e saj si ministre? Në realitet asgjë, por kjo s’mund të thuhet në fushën e projekteve. Madje Balluku mund të cilësohet si ministrja e projekteve, jo vetëm në letër, por edhe në 3D. Çdo gjë që ka lidhje me infrastrukturën është një projekt 3D, te cilat referuar edhe deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, do të nisin së shpejti. Portet e reja dhe aeroportet janë projekte 3D, po kështu edhe rruga Milot-Fier, edhe tuneli i Llogarasë e shumë projekte te tjera.

Ato që janë në proces janë tenderuar dhe punimet kane nisur shumë më herët se Balluku të marrë zyrtarisht detyrën. Ministrja e Ramës shumë mirë mund të drejtonte një studio projektesh, mundësisht në 3D, ndoshta edhe për të gënjyer fëmijët. Madje edhe vetë Rama sot zgjodhi të shfaqet në krah të ministres Balluku, për të cilën tha se e nis ditën dhe e mbyll atë duke biseduar me ministren.

Të dy mendojnë njëlloj, projekte në letër, që hidhen në 3D, dhe më pas përdoren për shoë-n e rradhës. Kjo ndodh edhe me inceneratorët, që paraqiten në 3D, dhe në anen tjetër levrohen miliona euro per koncensionarin.

Njëlloj do të ndodhë edhe me projektet 3D të infrastrukturës që nisin me portet, vijojnë me aeroporte, mbyllen me rrugë e tunele. /BoldNews.al

Klodiana Lala fiton çmimin e BE për investigimin për shkrimin “Krimi i organizuar bleu vota për qeverinë”

Gazetarja Klodiana Lala ka marrë çmmin e parë për shkrimin më të mirë investigativ nga Bashkimi Europian. Bëhet fjalë për shkrimin e saj në agjencinë BIRN: Përgjimet zbulojnë rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave. Ky çmim jepet për të mbështetur gazetarët në rajonin e Ballkanit. Më poshtë shkrimi fitues

Në katin e tretë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, zyrat e prokurorëve që drejtojnë hetimet e dosjeve 339 dhe 339/1 janë të mbushura dëng me dokumente. Fletët e fashikujve gjenden të shpërndara mbi tavolina dhe dysheme, ndërkohë që një seri kutish kartoni të mbushura me CD presin radhën për t’u zbardhur.

Mbi njërën prej kutive dallon shënimi me shkrim dore “korrupsion dhe blerje votash; 42 CD”.

Një kat më poshtë, katër oficerë të policisë gjyqësore transkriptojnë përgjime që datojnë nga viti 2016. Nuk ka ende një bilanc të qartë, por mbeten ende dhjetra CD me përgjime të patranskriptuara.

Dosja hetimore 339 zuri fill në vitin 2016 me përgjimin e anëtarëve të një organizate të krimit të organizuar me bazë në Shijak dhe me fije të shpërndara në të dy skajet e Shqipërisë, të përfshirë në trafikun e heroinës dhe të kokainës. Bisedat telefonike me grupin “Avdyli” e zgjeruan rrethin e hetimeve edhe te një numër zyrtarësh dhe dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, të cilët akuzohen për korrupsion dhe falsifikime me tokat.

E ndarë më vete në vitin 2017, nga dosja 339/1 është zbuluar vetëm “maja e ajsbergut”.

Por të dhënat e siguruara nga BIRN hedhin dritë mbi episode të dyshuara të përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Durrës, Kavajë dhe Lezhë, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt një procesi të ri elektoral pa kryer ende një reformë të thellë zgjedhore.

Dokumente hetimore dhe përgjime të siguruara nga BIRN ngrejnë dyshime se anëtarët e grupit Avdyli u përfshinë në blerje votash në ndihmë të kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017.

Bisedat telefonike tregojnë gjithashtu një marrëdhënie të shtrirë në kohë mes Dakos dhe vëllezërve Avdyli, kontributi i të cilëve në zgjedhje duket se është shpërblyer me akses pranë disa institucioneve kyçe në Durrës.

Përfshirja e grupit “Avdyli” në shit-blerje votash nuk është një rast i izoluar. Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur pas kallëzimit të Partisë Demokratike për manipulimin e zgjedhjeve të 11 shtatorit 2016 në Dibër ekspozon gjithashtu persona me precedentë si dhe aparatin shtetëror lokal në orientimin apo manipulimin e votës.

Rekrutimi i personazheve të krimit të organizuar për mbushjen e hambarit të votave fajësohet si një ndër arsyet kryesore për rrënimin e besimit për zgjedhje të lira në Shqipëri.

Opozita akuzon kryeministrin Rama se e ka kthyer bashkëpunimin me krimin në një strategji për mbajtjen e pushtetit, ndërkohë që Partia Socialiste dhe kryeministri i kanë mohuar akuzat dhe i cilësojnë ato alibi për humbjen e zgjedhjeve.

Megjithatë, ekspertë të zgjedhjeve u bien këmbanave të alarmit se roli i grupeve kriminale në disa zona periferike është tanimë edhe më i madh se ai i partive politike.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konfirmuar vazhdimin e hetimeve për përfshirjen e dyshuar të Avdylajve në zgjedhje apo në korrupsion me sektorë të ndryshëm të administratës.

Në tetor 2018, prokuroria deklaroi se po hetonte edhe veprimtarinë e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako-por pa specifikuar konkretisht se për çfarë. Dy prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi refuzuan të komentonin mbi ecurinë e hetimeve.

Dako nuk i ka mohuar bisedat telefonike me vëllezërit Avdyli dhe i ka paraqitur komunikimet me ta si të barabarta me qytetarët e tjerë që e mbështesin në zgjedhje.

I kontaktuar nga BIRN, Dako refuzoi të komentonte mbi marrëdhëniet e shtrira në kohë me vëllezërit Avdyli, mbi ç’mënyrë ishte ndihmuar prej tyre në zgjedhje apo nëse në këmbim, u kishte ofruar atyre zgjidhje të problemeve.

“Unë nuk jam marrë asnjëherë në pyetje nga Prokuroria,” tha ai.

Vota, dreka dhe trafik influence

Përpara se të shfaqte interes për kryebashkiakun Dako dhe procesin zgjedhor në qarkun e Durrësit, Astrit Avdyli, 45 vjeçari nga Shijaku që akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si kreu i grupit të organizuar në trafikun e drogës, kishte probleme të tjera.

I dënuar me 16 vjet burg për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, Avdyli ndërmori një betejë ligjore 10 vjeçare për lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se Astrit Avdyli u lirua pas 13 vitesh burg, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa suicidale [vetëvrasëse]. Ai doli nga burgu më 2 mars 2016, pasi Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u vendos nën hetim për përfshirje në trafikun e drogërave të forta.

Për dy vjet e gjysmë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, derisa në tetor 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat.

“Veprimtaria kriminale ishte me qendër dhe pikë grumbullimi në qytetin e Shijakut, me referentë kryesorë vëllezërit Avdyli…strumbullarë të furnizimit me drogëra të forta, kryesisht heroinë dhe kokainë në të gjithë territorin kombëtar,” thuhet në kërkesën e prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara.

Por ekskluziviteti i gjithëpranuar në trafikun e drogës nuk ishte i vetmi aktivitet i kryer nga Avdulajt.

Përgjimet e siguruara nga BIRN, të cilat janë pjesë e dosjes ende nën hetim 339/1, tregojnë se Altin Avdyli, i njohur si Niçja, ka pasur komunikime të vazhdueshme telefonike me kryebashkiakun Vangjush Dako nga janari 2017 deri në shkurt të vitit 2018. Përgjimet tregojnë gjithashtu se dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli kanë drekuar të paktën dy herë me Dakon në fillim të vitit 2017.

Lidhja e kryebashkiakut me Avdylajt kulmoi megjithatë në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ku një bisedë e publikuar tashmë nga media, tregon përfshirjen e grupit të Shijakut në procesin zgjedhor.

Mbrëmjen e 24 qershorit, Altin Avdyli është përgjuar teksa komunikon me një person të panjohur, i cili i premton 6 vota dhe i kërkon që “t’i thotë Vangjushit që t’u japë ndonjë lek që të votojnë”.

Dy ditë pas zgjedhjeve, më 27 qershor 2017, Dako është përgjuar sërish teksa flet në telefon me Altin Avdylin dhe kërkon të takohet me të vëllanë, Astritin. Sipas transkriptit të zbardhur, Dako thotë “doja ta takojsha, ta falenderojsha, ta pyesja një çikë…”.

Një prokuror në dijeni të hetimit, që foli me BIRN në kushtet e anonimatit tha se kreu i dyshuar i bandës, Astrit Avdyli komunikonte me kryebashkiakun Dako jo me telefonin e tij, por përmes personave të tjerë. Prokurori i tha BIRN se rrjedhja në media e lajmit se kryebashkiaku Dako ishte përgjuar në nëntor 2017 e dëmtoi hetimin. Por komunikimet u ndërprenë vetëm përkohësisht.

“Mund të them që janë me dhjetra telefonata të përgjuara,” tha prokurori. “Kryesisht flisnin për takime të ndërsjella, për të drekuar apo darkuar. Komunikonin edhe për probleme të tjera, kërkonin zgjidhje të problemeve të përditshme,” shtoi ai.

Përgjimet e siguruara nga BIRN tregojnë se Dako ishte zyrtari më i lartë, por jo i vetmi që kultivoi raporte të ndërsjellta me vëllezërit Avdyli.

Një numër zyrtarësh lokalë në institucione kyçe si inspektorë të INUK, drejtues në bashki, punonjës të Sigurisë Portuale apo madje edhe të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës janë përgjuar gjatë komunikimeve me vëllezërit Avdyli në fillim të vitit 2018, ndërkohë që këta të fundit kërkonin favore të llojeve të ndryshme.

Dokumentet tregojnë gjithashtu se vëllezërit Avdyli kanë komentuar apo ndjekur me interes zgjedhjet për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndonëse nga bisedat nuk del qartë se kush ishte kandidati i preferuar.

Bashkia e Durrësit rezulton të jetë vetëm njëra prej zonave të influencës së grupit të dyshuar kriminal, ndërsa të dhënat hetimore tregojnë se ata janë përfshirë edhe në Kavajë. Ndërsa në Lezhë, përgjimet tregojnë se vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka flet gjithashtu për blerje votash.

“…Nga përgjimet e telefonave celularë në përdorim të shtetasit Gjevi Ndoka evidentohet se ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë, si para dhe gjatë fushatës zgjedhore është përfshirë në mënyrë aktive duke ofruar dhe dhënë të holla (para) zgjedhësve për të votuar kandidatët për deputetë nën siglën e Partisë Socialiste, të dhëna këto që dalin nga përgjimet,” shkruhet në dosjen hetimore.

Megjithatë, jo të gjitha transaksionet për votat kanë shkuar fjollë.

Një telefonatë e përgjuar dy ditë pas zgjedhjeve, të cilët hetuesit e çështjes e identifikojnë në zonën e Kavajës- por që BIRN nuk arriti ta verifikonte në mënyrë të pavarur, tregon jo vetëm fenomenin e blerjes së votës, por edhe fotografimin e saj dhe presionin për të kthyer paratë mbrapsht.

“Është filmue ajo punë, le tashi. Të më japë lekët mbrapsht Miri, ka mbaruar ai muhabet,” thotë njëri prej biseduesve. “Ne i japim lekët me mbaru ato punë e halle që keni, jo me dhanë lekë e mos me dhanë votën,” shtohet aty, duke kërkuar që lekët të kthehen urgjentisht mbrapsht.

Makineria e Dibrës

Prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, akuzat për lidhje të politikës me krimin dhe përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhje kanë qenë pjesë dominante e debatit politik në Shqipëri.

Partia Demokratike në opozitë i intensifikoi akuzat në zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe veçanërisht gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit 2017-kur Partia Socialiste mori e vetme mandatin për të qeverisur vendin.

Aludimet për blerje të votës u reflektuan edhe në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it.

“Të dyja këto parti [Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim] treguan disa raste konkrete, por në mungesë të provave të mjaftueshme konkluduese, nuk paraqitën ndonjë ankim ligjor kundër rezultateve. Megjithatë, ato iu përmbajtën deklaratës së tyre të palëkundur se shkalla e blerjes së votës ishte e lidhur me sasi të mëdha parash të vëna në dispozicion nga kultivimi kriminal i drogës,” shkruhet në raport.

Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur gjithashtu në vitin 2016 pas një kallëzimi të Partisë Demokratike për manipulim zgjedhjesh në Dibër ngre dyshime për përfshirjen e zyrtarëve lokalë dhe personave me precedentë në shit-blerje të votës, premtime për vende pune dhe në disa raste, edhe përmes kanosjes.

Procedimi me nr:184/2016 lidhet me zgjedhjet e kryera më 11 shtator 2016 në Dibër për të zgjedhur pasardhësin e Shukri Xhelilit-i shkarkuar pasi u kap mat në një video-regjistrim ndërsa kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune.

Por zgjedhjet e reja, të cilat nxorrën fitues mjekun socialist Muharrem Rama u përbaltën nga akuzat për shit-blerje të votës dhe përfshirje të personazheve me të kaluar të errët në zgjedhje.

Në prag të zgjedhjeve, Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal ndaj një morie drejtuesish lokalë të policisë, drejtorisë së Arsimit, OSHEE-së, Tatimeve si dhe denoncoi publikisht Ymer Lalën, një personazh kontrovers me lidhje të forta në zonë.

Por dy vjet e gjysmë pas këtij kallëzimi, çështja me nr: 184/2016 kaloi gjithashtu nëpër duart e disa prokurorëve dhe nuk është finalizuar ende.

Ish-prokurori Gentian Trenova, i cili mori i pari në dorë kallëzimin e Partisë Demokratike kujton për BIRN se menjëherë pas kallëzimit u vendosën nën përgjim rreth 20 numra telefoni.

“Përgjatë ditëve 8, 9 dhe 10 shtator u përgjuan me dhjetra telefonata, ku ndër të tjera flitej për blerjen e votës,” tha Trenova, i cili shtoi se mes bisedave të përgjuara ndodheshin edhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.

Trenova u largua nga çështja, pasi u transferua nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Apelit të Tiranës. Çështja ndodhet aktualisht mbi tavolinën e punës së prokurorit Klodian Braho.

BIRN mësoi se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë nën hetim drejtues të policisë në Dibër dhe Bulqizë si dhe zyrtarë të drejtorisë Arsimore apo të Tatimeve, të cilët dyshohet se janë përfshirë në mënyrë të paligjshme në proces zgjedhor, se kanë premtuar vende pune në këmbim të votës.

Megjithatë, njësoj si në dosjen me nr.339/1, edhe hetimi për manipulimin e votave në Dibër pengohet nga përgjimet voluminoze, pasi rreth 60 CD vazhdojnë të presin radhën për t’u zbardhur.

Minimi i zgjedhjeve

Përfshirja e “individëve të fortë” në zgjedhjet shqiptare nuk është një fenomen i ri. Që pas rënies së regjimit komunist dhe hapjes së vendit ndaj zgjedhjeve pluraliste, partitë politike kanë kërkuar herë pas herë edhe “muskujt” në garat kundër kundërshtarëve.

Megjithatë, ekspertë dhe monitorues të sistemit zgjedhor në Shqipëri shprehen të shqetësuar për përhapjen e fenomenit pas zgjedhjeve të vitit 2013 si dhe sofistikimin e mënyrës sesi krimi i organizuar dikton në zgjedhje.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike i tha BIRN se monitoruan këtë aspekt në zgjedhjet e vitit 2017 dhe rezultoi se në disa zona specifike, roli i grupeve kriminale në fushatë ishte edhe më i madh se ai i partive politike.

Krasniqi rendit Dibrën, Elbasanin, Shkodrën, Durrësin, Kavajën dhe Lezhën si zona më problematike.

“Fillimisht patëm sponsorizim të botës së krimit ndaj politikanëve lokalë që duan të merren me politikë, më pas kaluam në kandidim të vetë elementëve kriminalë në zgjedhje. Në fazën e tretë kemi të dy fenomenet, sponsorizim dhe kandidim,“ tha Krasniqi për BIRN.

Ndërsa Dritan Taulla, zv.kryetar i Shoqatës KRIIK argumenton se forcimi i lidhjeve politike ka ardhur me evoluimin e aktivitetit kriminal dhe fuqizimin ekonomik të individëve të implikuar në krime.

“Kanë evoluar edhe format e mbështetjes ndaj politikës, derisa në vitin 2013 pati një numër të konsiderueshëm personash me precedentë penalë në funksione publike (përfshi parlamentin), ç’ka shpuri në nevojën emergjente për dekriminalizim,” tha Taulla.

Ekspertët Krasniqi dhe Taulla rendisin një mori formash të përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhje, që lidhen kryesisht me përcaktimin e komisionerëve, financimin e kandidatëve të caktuar, përfshirjen direkte në tregtimin e votës apo intimidimin e zgjedhësve apo komisionerëve të partive kundërshtare.

“Në këmbim ata fitojnë “imunitet politik” apo përfitime ekonomike përmes pjesmarrjes së tendera publikë,” tha Krasniqi.

Përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje fajësohet edhe për humbjen e moralitetit dhe të integritetit politik në Shqipëri. Ekspertët kujtojnë përgjimet e publikuara të kryebashkiakut Dako dhe reagimin e këtij të fundit, si anashkalim të moralitetit politik, të llogaridhënies dhe përgjegjësisë.

“Për më tepër, mungesa e një reagimi publik nga partia në emër të së cilës kryebashkiaku Dako është zgjedhur, sugjeron se kjo nuk është thjesht një qasje personale e tij,” tha Dritan Taulla për BIRN.

Krasniqi bie dakord, ndërsa shton se lidhjet mes krimit dhe politikës kanë dëmtuar shtetin dhe integritetin e tij.

“Ata kanë krijuar idenë përgjithshme se në demokraci gjithcka është në shitje. Sot është krijuar ideja se askush nuk mund të fitojë në zgjedhje nëse nuk merr mbështetjen e grupeve të tilla,” përfundoi Krasniqi.

PD i përgjigjet Ramës: Procesi ynë model për rajonin. Kandidatët e Ramës do t’i zgjedhë Niçja nga burgu

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është përgjigjur Ramës në lidhje me zgjedhjen e kandidatëve të PD-së nga anëtarësia. Bardhi shkruan se, procesi është model për të gjithë rajonin. Ndërsa kandidatët e Ramës do ti zgjedhë Niçja nga burgu.

Reagimi i plotë

E pashë Edi Ramën shumë të shqetësuar sot nga procesi më demokratik i këtyre 30 vjetëve të ndodhur në ndonjë parti në Shqipëri, përzgjedhjen e kandidatëve nga anëtarësia e PD. Edi Rama është i shqetësuar, sepse e di që procesi është i vërtetë dhe ka angazhuar me mijëra e mijëra qytetarë, që janë gati të votojnë ndryshimin në 25 Prill.

Edi Rama vetë nuk e di çfarë do të thotë votë, as nga anëtarësia e partisë, as nga qytetarët, sepse karriera e tij është e bazuar tek krimi, jo tek vota. Edi Rama u refuzua nga socialistët, të cilët ia rrëzuan platformën për kryetar më 8 Tetor 2005, por ai u emërua Kryetar i Partisë Socialiste përmes një procesi korruptiv. “Një pallat, një votë” ishte modeli me të cilin Edi Rama kapi PS dhe prej atëherë nuk lejon të votohet me në PS.

Zgjedhja për qytetarët është e thjeshtë. Ata do të votojnë për PD dhe kandidatët e saj përfaqësues, që i kanë propozuar dhe votuar vetë paraprakisht, që kanë kaluar filtrin e verifikimit nga partia dhe qytetarët, në vend të listës 3D të deputetëve të PS që do t’i përzgjedhë përsëri Niçja i Shijakut, por kësaj here nga burgu.
__
__

Më poshtë për kujtesë deklaratat e partnerëve ndërkombëtar që na kanë asistuar në këtë proces demokratik, ku i sugjerohet Edi Ramës që ta marr si shëmbull:

THIBAULT MUZERGUES
Drejtori i Programit për Europën pranë Partisë Republikane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

“Dje, @lulzimbasha_al&@pdshqiperi ndërmorën një hap të guximshëm në përzgjedhjen e kandidatëve të partisë në mënyrë transparente nga anëtarësia e saj. Duke paraqitur një sërë rregullash të qarta për procesin e primareve, PD po tregon lidership në përzgjedhjen e kandidatëve si dhe një model për Shqipërinë dhe tërë rajonin”.

ALEX SHELBROOKE
Deputeti i Partisë Konservatore në Parlamentin Britanik

“Puna që bëmë së bashku me@WFD_Democracy, ndërsa isha Përfaqësues Ndërkombëtar i @Conservatives, ndihmoi Partinë Demokratike të Shqipërisë të modernizojë proceset e tyre të brendshme, përfshirë zgjedhjen e kandidatëve”.
FONDACIONI BRITANIK “WESTMINISTER FOUNDATION FOR DEMOCRACY”

“Partia Demokratike e Shqipërisë njoftoi dje se po krijojnë një Komision të ri për Përzgjedhjen e Kandidatëve të frymëzuar nga modeli i Partisë Konservatore. Themelimi i këtij organi të ri në strukturën e tyre partiake është një hap shumë i rëndësishëm për të siguruar që zgjedhja e kandidatëve të jetë transparente, konkurrues dhe meritokratik. Jemi krenarë që kemi frymëzuar dhe mbështetur këtë iniciativë. Ky zhvillim është jetik për demokracinë në Shqipëri. Është nisma e parë e këtij lloji dhe hap rrugën për partitë e tjera në rajon që të ndjekin këtë model”.

Bardhi i publikon videon Ramës: Slogan i rrezikshëm, shqiptarët të mos bien në këtë grackë!

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e ka cilësuar si të rrezikshëm rikthimin në gojën e Ramës së slloganit të Enver Hoxhës: ‘Për popullin, me popullin’.

Ndërsa poston një videomontazh të Ramës, i cili e ka lënë Shqipërinë të vetmin vend në Evropë pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese, me një parlament dhe pushtet vendor monist, fton popullin që të mos bjerë më në këtë grackë dhe ti thotë jo propagandës së kësaj qeverie.

“Për popullin, me popullin!

Slogan i njohur dhe i rrezikshëm që na çon në një kohë të errët propagande dhe izolimi.

Kjo është një grackë, në të cilën shqiptarët nuk bien më.

Thuaj jo propagandës së kësaj qeverie!”, shkruan Bardhi

Shpërndaje këtë video!

Për popullin, me popullin! Slogan i njohur dhe i rrezikshëm që na çon në një kohë të errët propagande dhe izolimi. Kjo është një grackë, në të cilën shqiptarët nuk bien më. Thuaj jo propagandës së kësaj qeverie! Shpërndaje këtë video!

Gepostet von Gazment Bardhi am Mittwoch, 21. Oktober 2020

Rama kërcënon SPAK për inceneratorët: Mos guxoni të hetoni…

Rama kërcënon SPAK për inceneratorët. Ai ka nisur fushatën në Elbasan pikërisht nga inceneratori fantazmë i Elbasanit duke dhënë mesazhin e qartë për SPAK që të mos guxojë të hetojë aferën pas të cilës qëndron ai vetë.

Takimi i Ramës në vendgrumbullimin e plehrave, Paloka: Simbolikë më të gjetur se kjo e sotmja të prezantonte të ardhmen e rilindjes në një vendgrumbullimi plehrash, nuk mund të ketë

Paloka: Dalja e Ramës në inceneratorin e Elbasanit, sinjal i qartë për SPAK dhe drejtësinë. Rama iu tha: “Pas inceneratorëve jam unë dhe ju mos guxoni të hetoni!”

PRONONCIMI PËR GAZETARËT I NËNKRYETARIT TË PD, EDI PALOKA

Pyetje: Z.Rama prezantoi platformën “Deputeti që duam” nga inceneratori i Elbasanit. Keni një koment?

Edi Paloka: Në fakt ky qejfliu i simbolikave, simbolikë më të gjetur se kjo nuk ka patur gjatë gjithë historisë së tij. Edhe sikur ta kishim paguar ne, nuk do të bënte një gjë më të gjetur se ajo që bëri sot.

Ka vite që Partinë Socialiste e ka kthyer jo vetëm në organizatë kriminale por edhe në kosh plehrash. Pasi ka përzënë nga Partia Socialiste gjithë figurat intelektuale dhe të ndershme, e dimë të gjithë që ka mbledhur banditë të të gjitha llojeve. Dhe thash, simbolikë më të gjetur se kjo e sotmja të prezantonte të ardhmen e rilindjes në një vendgrumbullimi plehrash, Rama nuk mund të kishte.

Në fakt halli i Ramës ka qenë tjetër dhe është shumë më i madh se kjo që thash unë. Halli i tij është që paniku që e ka zënë lidhur me hetimin e inceneratorëve.

Sot paradite u përpoq të lante duart duke iu thënë edhe publikut, edhe atyre që kanë vënë firmat për inceneratorët, jeni ju përgjegjësit.

Para gazetarëve, ju e dëgjuat që tha “Unë nuk kam punë me procedurat. Ato i bëjnë të tjerët. unë shoh vetëm rezultatin.” Ndërkohë dalja në inceneratorin e Elbasanit është sinjal i qartë për SPAK, për drejtëisnë iu thotë “Pas inceneratorëve jam unë dhe ju mos guxoni të hetoni!”

Kaq është i gjithë qëllimi i Ramës sot, daljes së tij në Elbasan ka qenë që t’i thotë drejtësisë të mos guxoni të merreni me këtë çështje sepse inceneratorët janë të mitë dhe po u morët problemet do të jenë tuajat.”

Kaq është e gjitha!
Megjithatë thash, simbolikë më të gjetur nuk mund të kishte për Ramën.
Pyetje: Z.Rama nga Elbasani deklaroi se kjo është opozita më mizerabël që prej 1991. Keni një koment?
Edi Paloka: Po, e deklaroi në vendgrumbullimin e plehrave. Shumë mirë bëri. faleminderit

Edvin Kristaq Zografi firmosi humbjen nga Shqipëria të qindra kilometrave katrorë sipërfaqeje detare

Sali BERISHA

Ra maska! Edvin Kristaq Zografi kapitulloi. Ai firmosi dje Protokollin e ri të Korfuzit për detin. Ai u trajtua dje nga Ministri i Jashtëm i Greqisë, z. Nikos Dendias, si vasal i Sulltanit! Dje erdhi për një vizitë blic në Tiranë, Ministri i Jashtëm i Greqisë, z. Nikos Dendias.

Në historinë e marrëdhënieve bilateral, vizita e djeshme e z. Dendias është e para vizitë e kapitullimit të plotë e të hapur, të mikpritësit para mysafirit në Tiranë.

Në këtë vizitë, z. Dendias i komunikoi Zografit Bis, vendimin e qeverisë së tij për të zgjeruar nga 6 në 12 milje, ujërat territoriale të atdheut të tij helen dhe për të zvogëluar në proporcion si sipërfaqe, atdheun arbëror si dhe dërgimin e çështjes së kufirit detar midis dy vendeve, në Gjykatën Ndërkombëtare.

Për këtë vendim, Edvin Kristaq Zografi nuk guxoi të shqipërojë qoftë edhe një fjalë kundër. Ai nuk guxoi së paku të shprehej publikisht se ne jemi në një proces dhe ky është një ndryshim i rregullave brenda këtij procesi dhe se Shqipëria nuk mund të pranojë.

Me heshtjen e tij tradhtare, Edvin Kristaq Zografi firmosi dje humbjen nga Shqipëria të qindra kilometrave katrorë sipërfaqeje detare, por edhe hapësire ajrore dhe të depozitave gjigante prej triliona eurosh nafte dhe gazi, që studimet tregojnë se gjenden në ujërat e Jonit, të cilat në raportin 6 dhe 12 milje ujëra territoriale i përkisnin Shqipërisë.

Tani ftoj çdo shqiptar t’i shtrojë pyetjen se humb apo fiton Shqipëria nga zgjerimi i ujërave territoriale nga Greqia, nga 6 në 12 milje?!

Po pse Rama nuk guxoi të shqipërojë një fjalë kundër, por të firmosë me heshtje vendimin e qeverisë së Greqisë, de facto Protokollin e Korfuzit për detin?!

Ai nuk guxoi për faktin e thjeshtë sepse:

1 – Ai është autori kryesor i rrëzimit për llogari të palës së tretë të marrëveshjes së detit të vitit 2009, të firmosur nga qeveritë e dy vendeve, në të cilën Greqia i njihte vetes 6 milje ujëra territoriale dhe Shqipëria 12 milje. Këtë gjë ia përplasi në mënyrë poshtëruese në Athinë, publikisht ish-Ministrja e Jashtme e Greqisë, zonja Dora Bakojanis.

2 – Rama nuk guxoi sepse ai, pasi erdhi në pushtet, siç ka pohuar vetë, nuk iu përgjigj kërkesës së Kryeministrit të Greqisë, Antonis Samara, për të dërguar në Gjykatën e Hagës, çështjen e detit mbi bazën e Marrëveshjes së vitit 2009.

3 – Rama, me heshtjen e tij firmosi dje de facto, projektin aktual të qeverisë greke, sepse ai në mënyrën më joserioze, mashtroi autoritetet greke duke u angazhuar në negociata për marrëveshje të re dhe, pasi marrëveshja e re u firmos nga negociatorët, ai e bllokoi atë duke akuzuar për bllokimin e saj Presidentin e Republikës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Këto janë shkaqet, që e detyruan Ramën dje të heshtë para vendimit të qeverisë greke për të zgjeruar atdheun helen dhe zvogëluar në proporcion atdheun arbror, me të cilin Ramën e lidh vetëm tradhtia e lartë ndaj tij.

Ai e dinte mirë dje se një fjalë të vetme kundërshtuese po të shqipëronte kundër vendimit të qeverise greke, vunjoti Dendias me kokë shqiptari do t’ia numëronte para mediave të gjitha qëndrimet e tij antishqiptare që ai ka mbajtur në këtë çështje.

Për të mbuluar sadopak kapitullimin e tij të plotë para mysafirit, Rama u përpoq që me shpurën e Arben dhe Karlo Malavitës e Ymer Çorapes, ta paraqesë si një sukses të tij vendimin e marrë 10 vite më parë nga qeveritë e të dy vendeve për të dërguar në Hagë, çështjen e detit.

Kurse për të zhurmuar sadopak tradhtinë e tij ndaj çështjes çame, për të cilën nuk guxoi të nxjerrë një fjalë të vetme nga goja duke zhbërë kështu një punë 30-vjeçare për këtë çështje, ai arrestoi në mënyrë kriminale udhëheqësit e komunitetit çam dhe ish-deputetët e PDIU, duke e dëshmuar veten anti-çam sa vet famëziu Napolon Zerva.

Dje, në konferencën e shtypit, Ministri i Jashtëm i Greqisë, z. Nikos Dendias, në një akt krejt të pazakontë, por jo spontan, u ndal gjatë në denoncime e pse jo dhe kërcënime diplomatike për Turqinë, saqë të dukej se konferenca e shtypit po mbahej në Republikën e Qipros dhe jo në Tiranë.

Ky qëndrim publik dhe i kalkuluar i zotit Dendias dëshmon se:

A – Ai e konsideron Ramën një vasal të Erdoganit.

B – Ai informoi shqiptarët se çështje kryesore në takimin me Ramën kanë qënë marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë dhe me nëntekst këto marrëdhënie e largojnë këtë vend nga BE.

Ndaj të gjithë kësaj ligjërate të pavend, i bëri synet politik në Top Kapi u mjaftua me një “ejvallah” si për t’i thënë mysafirit se unë edhe i pashpresë, vasal jam!

Duke përfunduar miq, mund t’ju them se Edvin Kristaq Zografi dhe narko-qeveria e tij, përbëjnë një rrezik madhor për interesat kombëtare të shqiptarëve.

Balla: Duam talente të reja për deputete

PS kërkon talente të reja për deputete. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, në fjalën e tij përpara qytetarëve, ka prezantuar nismën “Deputeti që duam”.

Balla tha se kjo nismë synon që të ketë pranë PS-së talentët më të mira, duke shtuar se Partia Socialiste dëshiron që të krijojë një ekip fantastik politik, për të fituar zgjedhjet e 25 prillit.

Taulant Balla:

Reforma zgjedhore shënon një moment historik në demokracinë shqiptare. Hapja e listave nuk është vetëm një hap më pranë BE-së dhe formës evropiane të përfaqësimit. Eshtë një formë e re e pushtetit të qytetarit shqiptar, të cilit i takon me të drejtë kjo fuqi.

Tashmë nuk do të votoni më vetëm për emrin e partisë. Nuk do të votoni më vetëm për kreun e partisë. Emri në fletëvotim tani do të jetë dikush që ju me gjasë e njihni.Mund të jetë dikush nga rrethi juaj, dikush nga rruga juaj, mund të jesh ti.

Ky ndryshim përfaqëson thelbin e vlerave të PS. Ne duam që njerëz të freskët, të rinj, të talentuar të vijnë në parlament dhe të përfaqësojnë zonat e tyre elektorale. Ne e kemi nisur këtë fushatë në mënyrë që të gjejmë kandidatët më të mirë nga të gjitha, rajonet, qytetet, nga i gjithë vendi. Ne e kuptuam se mënyra më e mirë për të arritur Shqipërinë që duam është të kemi deputetin që duam.

Ne j’u bëjmë thirrje njerëzve të aplikojnë apo të nominojnë dikë që ata njohin, që ata besojnë se do të t’i përfaqësonte denjësisht ata. Ne jemi duke kërkuar për njerëzit më entuziastë, të kualifikuar dhe më të përgjegjshëm, për të qënë pjesë e listës së PS. Ne do t’i shtojmë listës sonë këta njerëz të rinj, prandaj kjo fushatë do të bëjë vërtet ndryshim.

Pasuria e Lindës nga tre martesat

Nuk është pasuria e ndonjë biznesmeni, por e bashkëshortes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Në fakt burri i tretë për të.

Është pasuria e dyshimtë Linda (Lindita) Ramës, gruas së 4 apo të 5-të të Edi Ramës. Por si e ka bërë gjithë këtë pasuri Linda Rama, ish-gruaja e një pedagogu të Fakultetit të Shkencave dhe më pas e një biznesmeni, që tani përfiton nga qeverisja e Edi Ramës.

Mënyra e dysh imtë e burimit të kësaj pasurie. Si e ka ndarë Linda Rama pasurinë e saj përgjatë dy divorceve të mëparshme, me Thanas Xhillarin dhe Ylli Çabirin.

Çfarë paje ka sjellë Linda, nuse për herë të tretë në xhepin e Edi Ramës, i cili u martua me të pas 4 apo 5 divorcesh?

Cila është pasuri e Linda (Lindita) Ramës? Gjatë jetës bashkëshortore, Lindita dhe Thanas Xhillari mësohet se kanë krijuar pasuri të konsiderueshme të paluajtshme, si më poshtë:

1-Vreshtë me sipërfaqe 870 metra katrorë në Mjull Bathore. Pas divorcit kjo pasuri ka kaluar në pronësi të Thanas Xhillarit.

2-Apartament me sipërfaqe 158.5 metra katrorë, në kufirin verior të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, pronë e krijuar në vitin 2001. Pas divorcit kjo pronë ka kaluar në pronësinë e Thanas Xhillarit.

3-Dy garazhe me sipërfaqe 28.4 metra katrorë dhe 21 metra katrorë, pronë e krijuar në vitin 2003 dhe pas divorcit i ka kaluar Thanas Xhillarit.

4-Tokë arë, me sipërfaqe prej 360 metrash katrorë në fshatin Qatos-Korçë. Pronë e krijuar në vitin 2005 dhe kaluar në pronësi të Thanas Xhillarit.

5-Apartament me sipërfaqe prej 100 metrash katrorë në rrugën ‘Vaso Pasha’ (ish-bllok), pronë e krijuar në vitin 2008, në bashkëpronësi me Ylli Çabirin. Pas divorcit, pjesa takuese e pronësi i mbetet, Lindita Xhillarit së bashku me Ylli Çabirin, të cilët në gusht të vitit 2009 ia kalojnë Ertjan Çabirit.

6-Apartament me sipërfaqe 103 metra katrorë në rrugën ‘Vaso Pasha’ (ish-bllok), pronë e krijuar në vitin 2008, në bashkëpronësi me Ylli Çabirin. Pas divorcit, pjesa takuese e pronësi i mbetet, Lindita Xhillarit së bashku me Ylli Çabirin. Më 31 gusht 2009, Lindita Xhillari e shet pjesën e saj të bashkëpronësisë duke mbetur kështu pronar i vetëm Ylli Çabiri.

7-Apartament me sipërfaqe 146.15 metra katrorë në rrugën ‘Pjetër Bogdani’, pronë e krijuar në vitin 2007 bashkë me Ylli Çabirin. Pas divorcit pjesa takuese e pronësi i mbetet, Lindita Xhillarit dhe Ylli Çabirit. Në 31 gusht të viti 2009, Ylli Çabiri e shet pjesën e tij të bashkëpronësisë, duke mbetur kështu pronare e vetme, Lindita Xhillari.

8-Garazh me sipërfaqe 17 metra katrorë e ndodhur në rrugën ‘Pjetër Bogdani’. Pronë e krijuar në vitin 2007 bashkë me Ylli Çabirin. Pas divorcit pjesa takuese e pronësi i mbetet, Lindita Xhillarit dhe Ylli Çabirit. Në 31 gusht të viti 2009, Ylli Çabiri e shet pjesën e tij të bashkëpronësisë, duke mbetur kështu pronare e vetme, Lindita Xhillari.

9-Apartament me sipërfaqe 102.97 metra katrorë në Tiranë, rruga ‘Ismail Qemali’, pronë e krijuar nga Lindita Xhillari në vitin 2006 dhe se pas ndarjes së pasurisë, të dy bashkëshortët kanë rënë dakord t’ia kalojnë vajzës së tyre, Rea Xhillari.

10-Tokë arë me sipërfaqe 2582 metrash katrorë në Surrel, Tiranë, pronë e cila pas divorcit i mbetet Lindita Xhillarit.

11-Tokë arë me sipërfaqe 1955.5 metrash katrorë në Surrel, pronë që pas divorcit i mbetet Lindita Xhillarit.

“Shendetilajme”