20.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve detare sipas të drejtës ndërkombëtare të detit

Dr. Ermal Xhelilaj

Praktika botërore ka treguar se shumë konflikte ndërkombëtare kanë lindur si pasojë e shkeljeve të drejtpërdrejta të së drejtave ligjore të një shteti nga ana e një shteti tjetër. Këto mosmarrëveshje përfshijnë problematika të drejtpërdrejta dhe pasqyrojnë një konflikt të natyrës ndërkombëtare, të cilit duhet t’i jepet zgjidhje për të mos degraduar më tej në kriza ndërkombëtare apo konflikte të armatosura. Rastet më konkrete dhe njëkohësisht të rrezikshme në lidhje me këto konflikte, kanë të bëjnë me përcaktimin e kufijve detarë, si dhe ato që përfshijnë aktivizimin e forcave të armatosura, të cilat konsiderohen garantorë të sovranitetit shtetëror. Rasti i konfliktit ndërmjet Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe në incidentin e Kanalit të Korfuzit, konsiderohet një shembull konkret i konflikteve ndërshtetërore ku ka pasur përfshirje të forcave të armatosura të dy shteteve përkatëse. Mosmarrëveshje të tilla të natyrës ndërkombëtare, normalisht zgjidhen ndërmjet kanaleve diplomatike dhe negociatave politike apo me përfshirjen e gjykatave ndërkombëtare, siç është GJND-ja.

Pavarësisht kësaj, shtetet e sistemit ndërkombëtar, janë të detyruara sipas nenit 33 të Kartës së OKB-së dhe Deklaratës së Maniles mbi Zgjidhjen në Mënyrë Paqësore të Mosmarrëveshjve Ndërshtetërore të vitit 1982, të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë paqësore, dhe kjo vlen edhe kur mosmarrëveshja është e lidhur me pasoja të drejtpërdrejta ose të tërthorta. Përjashtuar rastet kur shtetet janë të detyruara të zbatojnë normat dhe procedurat specifike traktatore që kanë ratifikuar, ato janë të lira të përdorin të gjitha mënyrat dhe mekanizmat e tyre ligjorë dhe politikë për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Instrumentet më të përdorshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërkombëtare janë negociatat, ndërmjetësimi, bashkëbisedimet politike, komisionet e pajtimit, arbitrazhi dhe gjykatat ndërkombëtare. Kjo listë mekanizmash proceduriale mbi zgjidhjen e problemeve ndërshtetërore pasqyrohet në nenin 33 të Kartës së OKB-së, dhe nxjerr në dritë rëndësinë e përfshirjes së palëve të treta gjatë zgjidhjes së konflikteve ndërkombëtare mes shteteve. Megjithatë, shtetet nuk janë të detyruara të ndjekin sekuencën e njëpasnjëshme të procedurave të mësipërme, por në varësi të rrethanave, agresivitetit të palëve dhe vullnetit politik të qeverive, shtetet mund të zgjedhin procedurën e zgjidhjes më të përshtatshme.

Në rastet kur negociatat diplomatike, si mekanizmat themelorë dhe njëkohësisht parësorë të zgjidhjeve të konflikteve, nuk konsiderohen produktive në zgjidhjen e situatave konfliktuale mes shteteve, atëherë mund të jetë e nevojshme apo e dëshirueshme përfshirja e palëve të treta ndërmjetësuese për të lehtësuar procedurat ndërshtetërore. Në raste të caktuara, mund të propozohet një komision ndërmjetësues ose pajtimi për të analizuar mosmarrëveshjen dhe për të propozuar zgjidhje të caktuara mbi konfliktin ndërkombëtar. Kjo situatë ishte prezente në lidhje me mosmarrëveshjen mbi shelfin kontinental përreth ishullit Jan Mayen, në qendër të konfliktit ndërshtetëror mes Norvegjisë dhe Danimarkës, të cilat ranë dakord për krijimin e një komisioni pajtimi dhe pranuan rekomandimet e tij për zgjidhjen e çështjes konkrete.

Disa traktate mbi të drejtën e detit, siç është Konventa mbi Ndërhyrjen për Ndotjet Detare (1969) dhe Marrëveshja për Peshkun Tono të Oqeanit Indian (1993), parashtrojnë dispozita për zgjidhjen e detyrueshme të konflikteve për shtetet e tyre anëtare nëpërmjet marrëveshjeve ndërshtetërore të ndërmjetësuara nga palë të treta. Kur konfliktet ndërshtetërore kanë në qendër të mosmarrëveshjes së tyre ushtrimin e të drejtës ndërkombëtare, përfshirë të drejtën e detit, atëherë palët mund të vendosin të parashtrojnë konfliktin e tyre para arbitrazhit apo gjykatave ndërkombëtare. Arbitrazhi dhe gjykatat përfshjnë gjithashtu palë të treta në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore, por me një rol shumë formal, dhe duke zbatuar kritere ligjore të veçanta nëpërmjet vendimeve të cilat janë të detyrueshme për palët. Gjykata e arbitrazhit mori formë të institucionalizuar dhe u zyrtarizua rreth fillimit të shekullit XX, kur u themelua dhe Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit. Kjo gjykatë ka trajtuar një numër çështjesh mbi interpretimin e të drejtës së detit, duke zbatuar procedurat ligjore të parashikura në Pjesën XV të UNCLOS-it. E drejta ndërkombëtare përgjithësisht nuk parashikon juridiksion të detyrueshëm për asnjë gjykatë ndërkombëtare, dhe palët e përfshira në konflikt duhet të bien dakort të parashtrojnë çështjen e tyre para këtyre gjykatave.

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore me ndihmën e palëve të treta mund të pasqyrohet në shumë forma. Zgjedhja themelore varion ndërmjet zhvillimit të procesit nga GJND-ja, deri te parashtrimi i çështjes para arbitrazhit ndërkombëtar. Palët mund të bien dakord të krijojnë një tribunal arbitrazhi ad hoc, përbërja dhe standardet e referencës të së cilit vendosen bashkërisht nga shtetet e përfshira në mosmarrëveshje. Kjo metodë është zbatuar gjatë procesit të arbitrazhit në konfliktin mbi shelfin kontinental mes Francës dhe Anglisë (1977). Konventa mbi Mbrojtjen e Mjedisit Detar të Atlantikut Verilindor (1992), është një prej traktateve ndërkombëtare që parashtron rregulla për krijimin e gjykatave të arbitrazhit për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shteteve anëtare në lidhje me interpretimin dhe zbatimin e traktatit konkret. Po ashtu, Konventa e Barcelonës mbi Mbrojten e Detit Mesdhe Kundër Ndotjes, parashtron dispozita ligjore në të cilat theksohet se në rast se shtetet e përfshira në mosmarrëveshje nuk arrijnë të zgjidhin çështjet që lindin nga interpretimi dhe zbatimi i normave të Konventës, atëherë palët mbështetur në një marrëveshje të përbashkët mund t’i drejtohen arbitrazhit ndërkombëtar për zgjidhjen e konfliktit konkret.

Shtetet shpesh preferojnë të parashtrojnë mosmarrëveshjet e tyre para GJND-së, një instucion i rëndësishëm gjyqësor, i përbërë nga gjykatës me përvojë të gjatë ligjore, të cilët përfaqësojnë sistemet më të mëdha ligjore të botës. Gjykatësit zgjidhen çdo nëntë vjet nga Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së mbështetur në Statutin e GJND-së. Disavantazhi kryesor i gjykimit të mosmarrëveshjeve ndërshtetërore nga GJND-ja në krahasim me arbitrazhin, është për arsye se ngarkesa e madhe e çështjeve gjyqësore ka bërë që vonesa në shqyrtimin e proceseve, të kthehet në një problem të rëndësishëm për palët. Po ashtu, palët në gjykim nuk mund të diktojnë procedurat gjatë procesit gjyqësor dhe nuk janë të lira të zgjedhin gjykatësin, siç mund të bëhet në rasin e arbitrazhit. Pavarësisht kësaj, avantazhi i GJND-së qëndron në faktin se më shumë se 60 shtete të mbështetura në dispozitat ligjore të nenit 36(2) të Statutit të GJND-së, kanë pranuar juridiksionin e kësaj gjykate ndërkombëtare në mënyrë të përhershme për zgjidhjen e konflikteve ndërshtetërore.

Një rast i tillë paraqet Procesi gjyqësor Kufijtë Detarë dhe Tokësorë (Land and Maritime Boundary Case), ndërmjet Kamerunit dhe Nigerisë (1994), në të cilin të dy shtetet e përfshira në konflikt kanë pranuar juridiksionin dhe rrjedhimisht vendimet e GJND-së bazuar në nenin 36(2) të Statutit të saj. Pranimi i juridiksionit të GJND-së nuk mund të tërhiqet apo të anullohet kur padia kundër një shteti është duke u shqyrtuar në këtë gjykatë. Në këtë kontekst, pavarësisht se Franca kundërshtoi të bashkëpunonte me GJND-në gjatë Procesit të Provave Bërthamore (Nuclear Test Case) në vitin 1974, komuniteti ndërkombëtar dhe GJND-ja, ushtruan një presion të fuqishëm kundër këtij shteti, duke e detyruar atë të merrte në konsideratë zbatimin e të drejtës ndërkombëtare mbi çështjen në diskutim. Megjithatë, duhet të merret parasysh fakti se neni 36(2) dhe Statuti i GJND-së nuk është i vetmi instrument ligjor me anën e të cilit një mosmarrëveshje apo konflikt ndërkombëtar mund të parashtrohet para GJND-së.

Në të drejtën ndërkombëtare ekzistojnë shumë traktate shumëpalëshe dhe dypalëshe, në të cilat theksohet se të gjitha mosmarrëveshjet apo konfliktet ndërshtetërore lidhur me interpretimin dhe zbatimin e normave të tyre ligjore, në rast të dështimit të negociatave, duhet të zgjidhen nëpërmjet GJND-së. Një shembull i një traktati, i cili përmban dispozita të tilla ligjore, është Marrëveshja Mbretëri e Bashkuar-Islandë e vitit 1961, dhe ishin pikërisht këto dispozita që u shfryëzuan si norma ligjore për marrjen përsipër nga GJND-ja të Procesit Juridiksioni mbi Peshkimin Detar (Fisheries Jurisdiction Case) në vitin 1974 në lidhje me zgjidhjen e konfliktit midis këtyre shteteve. GJND-ja ka pasur një rol kryesor edhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lindin si pasojë e interpretimit dhe zbatimit të Konventave të Gjenevës mbi të Drejtën e Detit (1958). Një protokoll jo i detyrueshëm i kësaj Konvente, pasqyron opsionin që në rast të dështimit të marrëveshjeve ndërshtetërore brenda një afati të arsyeshëm kohor, palët duhet t’i drejtohen GJND-së për të zgjidhur konfliktet e tyre. Pavarësisht rëndësisë që paraqet GJND-ja, zbatimi i parimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, si një alternativë zëvendësuese kundrejt një procesi gjykimi apo arbitrimi, u lejon shteteve të konsiderojnë një rreze të gjerë faktorësh gjatë përpjekjeve të tyre për të arritur një marrëveshje. Bashkëpunimi mund të prodhojë një rezultat më të pranueshëm politik dhe ekonomik sesa gjykimi apo arbitrimi, sepse është një proces fleksibël, i cili lejon marrjen në konsideratë të një spektri të gjerë interesash gjithëpërfshirëse. Një shembull mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në kontekstin e procedurave të bashkëpunimit nëpërmjet parimit të ndërmjetësimit dhe të pajtimit ndërshtetëror, janë dispozitat e pasqyruara në Konventën mbi Diversitetin Biologjik të vitit 1992, të cilin Zelanda e Re e zbatoi si kundërpërgjigje të provave bërthamore të Francës në Oqeanin Paqësor në vitet 1990 për arsye të shqetësimeve që këto aktivitete mund ta dëmtonin seriozisht këtë mjedis dhe ekosistem detar.

Në një sistem ndërkombëtar të ndërvarur, të ndërlikuar dhe kompleks, gjykatat, palët e treta ndërmjetësuse dhe arbitrazhi ndërkombëtar, nuk konsiderohen mekanizmat e vetëm në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore, por, nga ana tjetër, praktikat juridike kanë nxjerrë në dritë edhe përfshirjen e gjykatave kombëtare mbi trajtimin e këtyre problematikave ligjore. Shqetësimi kryesor në lidhje me këto gjykata, parë nga këndvështrimi i MN, qëndron në faktin se për t’i dhënë zgjidhje konflikteve të karakterit ndërshtetëror këto forume ligjore aplikojnë një shumëllojshmëri aktesh ligjore dhe nënligjore të karakterit kombëtar. Në këtë kontekst, ka raste kur gjykatat kombëtare insistojnë të zbatojnë legjislacionin e brendshëm, i cili shpeshherë mund të mos jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në të tilla situata, pala kryesore në gjykim është individi dhe jo shteti, por në varësi të interesave kombëtare që përfaqëson kjo çështje, shteti mund të vazhdojë gjykimin si palë në gjykatën e huaj duke zëvendësuar nënshtetasin e tij dhe duke e kthyer situatën në një mosmarrëveshje ndërshtetërore. Shteti e merr përsipër çështjen gjyqësore duke ekspozuar ankesat e individit në lidhje me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare. Në rastin konkret, shteti ushtron të drejtën e mbrojtjes diplomatike.

Duke marrë përsipër rastin gjyqësor të një nënshtetasi të tij, shteti bazuar në normat ligjore kërkon respektimin e të drejtave të tij ndërkombëtare që përkojnë me të drejtat e individit, të cilat janë sfiduar nga një shtet i huaj. Shteti në këtë rast ka qenë subjekt i dëmtimit nga një pasojë jo e drejtpërdrejtë e rrethanave. Pra, në këtë rast kemi situatën e një konflikti ndërshtetëror, ku njëri shtet ushtron të drejtën e mbrojtjes diplomatike, dhe shteti tjetër mbron veprimet e autoriteteve të tij kombëtare, të cilat janë duke u sfiduar. Një shembull konkret në lidhje me këtë çështje, është mbrojtja diplomatike që Britania e Madhe u ofroi pronarëve të anijeve të peshkimit angleze në konfliktin ndërshtetëror të viteve 1958-1976 midis Britanisë së Madhe dhe Islandës gjatë hyrjes së tyre në një zonë peshkimi të kontestueshme ligjërisht nga Islanda.

Zbatimi i regjimit juridik ndërkombëtar të detit dhe interpretimi i dispozitave ligjore të këtij sistemi ligjor, tradicionalisht ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme mbi lindjen apo përshkallëzimin e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore.Veçanërisht marrëdhëniet ndërmjet shteteve bregdetare që ndodhën përballë apo përbri njëra-tjetrës, janë karakterizuar historikisht nga mosmarrëveshje serioze mbi përcaktimin e kufijve detarë dhe zonave detare kombëtare përkatëse, si ujërat territoriale, ZEE-së dhe shelfit kontinental. I njëjti parim është karakterizuar përgjithësisht edhe në rastet kur një shtet dëshiron të ushtrojë të drejtën e zhvillimit të manovrave ushtarake në ZEE-në e një shteti tjetër, i cili nga ana e tij mund të kundërshtojë ekzistencën e kësaj të drejte ligjore të shprehur në UNCLOS, duke krijuar si rrjedhojë tensione apo mosmarrëveshje mes shteteve përkatëse. Nga ana tjetër, praktika botërore ka treguar se anijet e peshkimit të një shteti bregdetar mund të sfidojnë seriozisht të drejtën e autoriteteve të një shteti tjetër për t’i ndaluar këto mjete detare dhe arrestuar ekuipazhin si pasojë e zhvillimit të aktivitetit të tyre të paligjshëm të peshkimit në ZEE-në e këtij shteti. Këtu kemi rastin e shpërthimit të krizave të befasishme që lindin si pasojë e një veprimi të menjëhershëm dhe agresiv të shtetit në të cilin është kryer shkelja ligjore nga anijet e huaja të peshkimit.

Padyshim, rastet më të vështira dhe të rrezikshme, të cilat mund të përshkallëzohen në kriza të befasishme të natyrës ushtarake, janë ndërhyrjet nga shtete të ndryshme në ujërat territoriale të shteteve të huaja. Në aspektin ndërkombëtar këto konflikte mund të jenë rezultat i një gjendjeje tensioni apo qëllimi voluntarist i një prej aktorëve ndërkombëtarë. Afërsia gjeografike dhe tensionet ushtarake mund të acarojnë shqetësimet e politikanëve përballë një rreziku të pritshëm, veçanërisht në momentin kur nuk ka kohë në dispozicion për të vepruar dhe rreziku i përballjes është i madh. Sa më shumë shteti i vlerëson si themelore interesat dhe vlerat e rrezikuara, siç janë tërësia territoriale, siguria kombëtare, ekzistenca e shtetit, aq më shumë ky shtet tenton të marrë përsipër rreziqe që mund të rezultojnë në konflikt të armatosur. Të gjitha këto situata konfliktuale, pasqyrojnë lloje të ndryshme mosmarrëveshjesh që mund të lindin natyrshëm ndërmjet shteteve bregdetare si pasojë e zbatimit apo interpretimit të së drejtës së detit apo si rrjedhojë e krizave voluntariste. Këto situata të ndërlikuara të karakterit ndërkombëtar pasqyrojnë problematika apo mosmarrëveshje të mundshme në kuadër të konflikteve ndërshtetërore apo rajonale, të cilat në MN kanë efekte destabilizuese dhe karakterizohen si kriza ndërkombëtare që mbështetur në mekanizma të caktuar ligjorë e politikë duhet t’u jepet një zgjidhje e duhur, e qëndrueshme dhe afatgjatë.

Një prej mekanizmave ligjorë të sistemit ndërkombëtar që shërben për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore, konsiderohet dhe UNCLOS-i, i cili është një instrument i rëndësishëm ligjor i natyrës kushtetuese detare në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Kjo konventë ndërkombëtare, e cila trajton jo vetëm rregullimin e çështjeve mbi shfrytëzimin e burimeve natyrore më të mëdha të planetit, por përmban gjithashtu një sistem zgjidhjesh të detyrueshme për mosmarrëveshjet ndërshtetërore, është konsideruar një fenomen i pazakontë në të drejtën ndërkombëtare. Krijimi i një sistemi mekanizmash ligjorë mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore që përmban procedura të detyrueshme në UNCLOS, është përshëndetur nga qeveritë e shteteve anëtare të OKB-së dhe të aktorëve ndërkombëtarë, si një prej zhvillimeve më të rëndësishme në të drejtën ndërkombëtare mbi zgjidhjen e konflikteve, e barasvlerësuar nga rëndësia që paraqet me hyrjen në fuqi të Kartës së OKB-së. Në përfundim të konferencës të zhvilluar për krijimin dhe miratimin e UNCLOS-it, Presidenti i saj do të theksonte se interesat e komunitetit ndërkombëtar mbi zgjidhjen në mënyrë paqësore të mosmarrëveshjeve dhe mbi parandalimin e përdorimit të forcës gjatë zgjidhjes së konflikteve ndërmjet shteteve, kanë përparuar në mënyrë të dukshme si pasojë e krijimit të sistemit të detyrueshëm të zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve ndërshtetërore të pasqyruar në Konventë. Rëndësia e këtij mekanizmi ligjor mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, është vlerësuar dhe për arsye të rolit që paraqet në drejtim të mbrojtjes së integritetit të kompromisit të arritur në formulimin e dispozitave ligjore përkatëse të UNCLOS-it.

Procedurat e detyrueshme ligjore mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore, ishin kolonat në të cilat u mbështet ekuilibri i ndjeshëm i kompromisit ndërshtetëror gjatë zhvillimit të Konferencës UNCLOS III, dhe njëkohësisht themeli i cili mban të gjithë strukturën ligjore të Konventës të lidhur, dhe garanton pranueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e vazhdueshme të tij për të gjitha shtetet e sistemit ndërkombëtar. Numri i madh i pjesëmarrësve në Konferencën UNCLOS III, nënkuptonte se krijimi i një procesi të veçantë ndërkombëtar ishte i nevojshëm për të ruajtur ekuilibrat dhe kompromiset e arritura gjatë negociatave që çuan në miratimin e Konventës. Megjithatë, procedurat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve duhet të formuloheshin në mënyrë të kujdesshme gjatë Konferencës, në mënyrë që të bëheshin sa më të pranueshme për shtetet. Gjatë krijimit të UNCLOS-it, ekzistonin përplasje qëndrimesh dhe pikëpamjesh mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore lidhur me metodat e gjykimit nga palë të treta. Disa shtete tradicionalisht kanë preferuar arbitrazhin gjyqësor, ndërsa shtete të tjera mbështesnin qëndrimin për dhënien e kompetencave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve GJND-së. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, UNCLOS, me rregullat e saj komplekse mbi shfrytëzimin e oqeaneve, përcaktimin e zonave detare, dhe procedurat e detyrueshme mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkufitare, arriti të krijojë një epokë të re lidhur me reduktimin e nivelit të antagonizmit midis aktorëve ndërveprues të MN në përgjithësi, si dhe për elementet ndikuese në kuadër të fushës të së drejtës së detit dhe zgjidhjes së konflikteve me natyrë detare në veçanti.

Hyrja në fuqi e UNCLOS-it, është konsideruar si zhvillimi më i rëndësishëm në lidhje me zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare detare që prej krijimit të Kartës së OKB-së dhe Statutit të GJND-së. Duke qenë se organizatat ndërkombëtare janë kthyer në aktorë me peshë në MN në rolin e elementeve rregullatore të krizave, rrjedhimisht edhe instrumentat ligjorë të krijuara nga këto organizma, siç është dhe UNCLOS-i me dispozitat e tij mbi zgjidhjen e konflikteve, luajnë një rol themelor për menaxhimin e këtyre krizave botërore, të cilat paraqesin situata të rrezikshme për sistemin ndërkombëtar për shkak të krijmit të një gjendje midis luftës dhe paqes. Në këtë këndvështrim, UNCLOS-i paraqet rëndësi të madhe edhe lidhur me përgatitjen e situatës për zgjidhjen e detyrueshme ligjore të mosmarrëveshjeve në lidhje me palët e treta në aspekte të tjera të bashkëpunimit ndërkombëtar. Nën dritën e këtyre zhvillimeve, ekspertët ndërkombëtar kanë identifikuar shumë elemente pozitive në atë çfarë është përshkruar përgjithësisht si një sistem fleksibël, gjithëpërfshirës dhe i detyrueshëm mbi zgjidhjet e mosmarrëveshjeve të natyrës detare. Një prej këtyre elementeve pozitive pasqyron faktin se përfshirja e faktorit të procesit gjyqësor dhe arbitrazhit të detyruar mbi zgjidhjen e konflikteve ndërshtetërore, mund të parandalojë destabilizimin e sistemit normativ të UNCLOS-it, e cila mund të vijë si pasojë e veprimeve të njënashme të shteteve në mungesë të mekanizmave të përbashkët ligjorë për të interpretuar aktet normative të përdorura si bazë ligjore në mosmarrëveshjet ndërshtetërore.

Procedurat ligjore mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore në fushën e detarisë, përveç kontributit drejt zhvillimit të një procesi normal marrëdhëniesh ndërmjet aktorëve kryesor të sistemit ndërkombëtar, mund të jenë të dobishme për shtetet edhe për çështje politike, sepse ofrojnë një instrument mbi zgjidhjen e krizave rajonale dhe ndërkombëtare, pa i ngarkuar me përgjegjësi morale dhe ligjore qeveritë e shteteve të përfshira në konflikte. Në këtë kontekst, shteteve u ofrohet një tërheqje politike e respektueshme për arsye se ato janë duke zbatuar normat ligjore të UNCLOS-it, si dhe vendimet gjyqësore të gjykatave ndërkombëtare, dhe nuk janë bërë subjekt i presioneve politike dhe ekonomike të shteteve të huaja të përfshira në konflikt. Për më tepër, prezenca e procedurave të detyrueshme ligjore mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore në përbërje të UNCLOS-it, ekziston për t’i ofruar shteteve mekanizma të tjerë, përveç masave dhe kërcënimeve politike dhe ekonomike, për të ushtruar të drejtat e tyre ose për të parandaluar shkeljen e normave ligjore të kësaj Konvente. Për arsyet e mësipërme, një sistem i detyrueshëm ligjor për gjykimin nga palë të treta të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare midis shteteve, është konsideruar thelbësor dhe me vlerë për strukturën e përgjithshme të UNCLOS-it.

Duke u bazuar në argumentet e përmendura më lart, është e qartë se UNCLOS-i mendohet të ketë themeluar një sistem të hollësishëm ligjor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve detare midis shteteve. Skema strukturale e Pjesës XV të kësaj Konvente përbëhet prej tre Seksioneve, të cilat parashikojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet gjykatave ndërkombëtare, siç është GJND-ja, dhe parashtrojnë kushtet lidhur me themelimin e institucioneve të reja ligjore për zgjidhjen e konflikteve mbi interpretimin dhe zbatimin e të drejtës së detit, që përfshin normalisht krijimin e GJNDD-së. Seksioni 1 parashtron kushtet për aktivizimin e regjimit juridik të UNCLOS-it, Seksioni 2 përmban dispozitat ligjore bazë mbi zgjidhjen e detyrueshme të mosmarrëveshjve ndërshtetërore, ndërsa Seksioni 3 pasqyron kufizimet dhe natyrën opsionale që përmbajnë dispozitat ligjore të detyrueshme për zgjidhjen e konflikteve të sistemit ligjor të Pjesës XV. Seksioni 2 i Pjesës XV të Konventës, parashtron një numër gjykatash ndërkombëtare për t’u shfrytëzuar nga shtetet në rast mosmarrëveshjesh, duke e përfshirë konceptualisht këtë seksion nën procedurat e detyrueshme për zgjidhjen e konflikteve ndërshtetërore, të cilat konsiderohen si elemente themelore të Konventës.

Megjithatë, është e rëndësishme të kuptohet se këto procedura të detyrueshme pasqyrojnë një rëndësi dytësore për arsye se Dispozitat e Përgjithshme të Pjesës XV, konsiderohen pikërisht elementet kryesore ligjore që parashtrojnë parimet themelore mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Në këto dispozita theksohet se shtetet janë të detyruara të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë paqësore, duke iu referuar rrjedhimisht nenit 33 të Kartës së OKB-së. Në nenin 280 shprehet se shtetet kanë të drejtë të zgjidhin mosmarrëveshjet paqësisht duke përdorur mënyrat dhe metodat e tyre të preferuara. Në rast se shtetet dështojnë të arrijnë një marrëveshje në mirëkuptim për të zgjidhur konfliktet e tyre, një prej palëve mund t’i ofrojë palës tjetër të drejtën për ta çuar çështjen përpara një komisioni ndërmjetësues apo pajtimi, arbitrazhit dhe gjykatave ndërkombëtare. Rëndësi lidhur me këtë çështje, paraqet pëlqimi i të dy palëve për të zgjidhur konfliktin me ndihmën e një pale të tretë. Pavarësisht kësaj, kur zgjidhja e mosmarrëveshjes nëpërmjet mënyrës së pëlqimit reciprok apo mirëkuptimit për t’u ndihmuar nga një palë e tretë dështon, atëherë automatikisht hyjnë në fuqi dispozitat ligjore të Konventës mbi procedurat e detyrueshme për zgjidhjen e konflikteve ndërshtetërore. Në këtë kontekst, sikurse u theksua më lart, Seksioni 2 i Pjesës XV të UNCLOS-it parashtron procedura të detyrueshme, të cilat diktojnë vendime të detyrueshme për shtetet që kanë dështuar për të arritur një marrëveshje në mirëkuptim.

Rrjedhimisht, Pjesa XV e UNCLOS-it, konsiderohet pjesë përbërëse e të drejtës bashkëkohore të detit, duke luajtur një rol themelor në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare me synimin final përmirësimin e marrëdhënieve brenda sistemit ndërkombëtar, pjesa dërrmuese e të cilit karakterizohet nga konflikte të natyrës ekonomike, strategjike dhe politike të karakterit detar. Pjesa XV karakterizohet nga një sistem kompleks zgjidhjesh mosmarrëveshjesh ndërkombëtare, që përmban si procesin tradicional mbështetur në metodën e mirëkuptimit të shteteve mbi konfliktet ndërkombëtare, ashtu edhe procedura të detyrueshme ligjore, të cilat u japin zgjidhje mosmarrëveshjeve bazuar në një strukturë juridike, e cila dikton vendime të detyrueshme. Në të dy aspektet, fleksibiliteti që zotërojnë shtetet anëtare konsiderohet një karakteristikë kyçe e UNCLOS-it. Seksioni 1 i Pjesës XV pasqyron konceptin ligjor se shtetet, si në kuadër të kornizës ligjore të UNLCOS-it ashtu edhe jashtë saj, duhet të ndjekin një spektër të caktuar opsionesh mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet tyre, duke reflektuar idenë se shtetet kanë praktikuar tradicionalisht zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyra të ndryshme, siç janë paraqitur nga situatat konkrete, dhe jo nëpërmjet mekanizmave të detyrueshëm ligjorë të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare.
Normalisht, iniciativat dhe negociatat diplomatike janë konsideruar si mënyrat më produktive për zgjidhjen e konflikteve.

Zgjidhja e problemeve ndërshtetërore nëpërmjet kanaleve politike para shqyrtimit të konfliktit nga gjykatat ndërkombëtare, është promovuar qartësisht nga UNCLOS-i, e pasqyruar kjo nëpërmjet obligimit shtetëror për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe qëndrimeve në rastet kur lindin divergjenca mbi interpretimin dhe zbatueshmërinë e Konventës. Shtetet, po ashtu, vazhdojnë të kenë të drejtën e zgjidhjes së konflikteve nëpërmjet marrëveshjeve alternative, siç janë traktatet ndërkombëtare, rajonale apo dypalëshe. Ky fleksibilitet ligjor i UNCLOS-it, u konsiderua i domosdoshëm nga komuniteti ndërkombëtar duke marrë në konsideratë numrin e madh të traktatave që kanë natyrë specifike në trajtimin e çështjeve të caktuara mbi të drejtën e detit dhe që përmbajnë sistemin e tyre të veçantë për zgjidhjen e konflikteve. Megjithatë, UNCLOS-i nuk mbështetet plotësisht mbi metodat e bashkëpunimit ndërshtetëror apo të pëlqimit reciprok të palëve për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Qëllimi dhe kompleksiteti i UNCLOS-it, si një instrument konstitucional ndërkombëtar, dikton kërkesat për një garanci proceduriale lidhur me marrëveshjet ndërshtetërore. Në mënyrë që shtetet të gëzojnë të drejtat e ofruara nga kjo Konventë, ato njëkohësisht duhet të japin pëlqimin për zbatimin e procedurave të detyrueshme mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Shteteve të përfshira në mosmarrëveshje të natyrës ligjore detare sipas dispozitave të UNCLOS-it, u është ofruar një hapësirë zgjedhjesh për të përcaktuar procedurën e saktë detyruese për të kërkuar zgjidhjen e konflikteve të caktuara. Në këtë këndvështrim, ekzistojnë katër struktura kryesore ndërkombëtare, të cilat shqyrtojnë dhe parashtrojnë rekomandime apo vendime në lidhje me zgjidhjen e konflikteve ndërshtetërore. Këto struktura janë GJNDD-ja, GJND-ja, dhe gjykatat speciale të arbitrazhit, të cilat janë të pasqyruara në Aneksin VII të UNCLOS-it. GJND-ja është diskutuar gjerësisht gjatë kapitujve të fillimit dhe nuk është e nevojshme të trajtohet hollësisht. Nga ana tjetër, GJNDD-ja është themeluar bazuar në Aneksin VI të UNLCOS-it, dhe ka në përbërje njëzet e një anëtarë të njohur ndërkombëtarisht për kompetencat e tyre në fushën e të drejtës ndërkombëtare të detit, të cilët zgjidhen nga shtetet anëtare të kësaj Konvente për të përfaqësuar sistemet ligjore më të rëndësishme të botës.

Që prej fillimit të funksionimit të saj në vitin 1996, GJNDD-ja ka shqyrtuar katërmbëdhjetë çështje gjyqësore, ka dhënë dymbëdhjetë vendime, dhe ka ofruar një numër të konsiderueshëm rekomandimesh, udhëzimesh dhe këshillimesh të natyrës proceduriale dhe substanciale. GJNDD-ja mori në shqyrtim çështjen e saj të parë në vitin 2009 në lidhje me ndarjen e kufijve detarë midis Bangladeshit dhe Mianmarit në Gjirin e Bengalit. Konflikti historik mbi kufijtë detarë përreth ishullit Hoshinmaru midis Federatës Ruse dhe Japonisë, e cila gjatë dekadave të fundit ka rezultuar në para-krizë, mosmarrëveshje diplomatike dhe incidente të izoluara ushtarake në det, është një tjetër çështje e rëndësishme që është shqyrtuar nga kjo gjykatë në vitin 2007. UNCLOS, mbështetur në nenin 188, parashikon edhe krijimin e Zyrës mbi Mosmarrëveshjet e Shtratit Oqeanik dhe Autoritetin Ndërkombëtar të Shtratit Oqeanik brenda strukturës përbërëse të GJNDD-së, e cila sipas nenit 187 ushtron juridiksion në lidhje me shfrytëzimin dhe mbrojtjen e fundit të thellësive oqeanike.

Sipas Aneksit VII të UNCLOS-it, shtetet anëtare të Konventës mund të themelojnë gjykata arbitrazhi për të shqyrtuar konfliktet ndërshtetërore, si dhe për mosmarrëveshjet që përfshijnë organizata ndërkombëtare, siç është BE-ja. Këto gjykata përbëhen nga pesë anëtarë, një i zgjedhur prej palëve në konflikt, dhe të tjerët të zgjedhur me mirëkuptim nga të dy palët nga një panel në të cilin çdo shtet anëtar i UNCLOS-it mund të përzgjedhë katër kandidatura. Nga ana tjetër, Aneksi VIII i UNCLOS-it, lejon formimin e gjykatave speciale të arbitrazhit për të shqyrtuar katër lloj kategorish mosmarrëveshjesh të veçanta ndërshtetërore që përfshijnë peshkimin, mbrojtjen e mjedisit oqeanik, kërkimin shkencor detar dhe lundrimin e anijeve. Këto gjykata, ashtu sikurse tribunalët e krijuar bazuar në Aneksin VII, janë të kufizuara të trajtojnë vetëm mosmarrëveshjet në të cilat shtetet dhe organizatat ndërkombëtare janë palë. Pavarësisht se shtetet dhe organizatat ndërkombëtare të përfshira në mosmarrëveshje mund të bien dakord për t’u kërkuar gjykatave ndërkombëtare të marrin vendime bazuar në parimin ex aequo et bono (parimet e përgjithshme të drejtësisë dhe barazisë), trupat gjyqësore të GJND-së, GJNDD-së dhe gjykatat e arbitrazhit, të themeluara në bazë të Aneksit VII dhe VIII të UNCLOS-it, janë të detyruara sipas nenit 239 të Konventës, të zbatojnë normat e saj ligjore dhe rregullat e tjera në përbërje të së drejtës ndërkombëtare të përgjithshme.

Në këtë këndvështrim, është e rëndësishme të theksohet se gjykatat dhe tribunalët ndërkombëtarë do të jenë të aftë të zbatojnë normat ligjore të UNCLOS-it mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, dhe do të jenë të veshura me juridiksionin e detyrueshëm sipas të drejtës së detit, vetëm atëherë kur shtetet e përfshira në konflikt kanë dështuar të zgjidhin konfliktet e tyre nëpërmjet kanaleve diplomatike. Sipas nenit 281, në mënyrë që shtetet të jenë subjekt i procedurave ligjore që diktojnë vendime të detyrueshme për t’u zbatuar bazuar në Seksionin 2 në rastet kur ekziston një mosmarrëveshje mbi aspekte të caktuara detare apo oqeanike, ato më parë duhet të kenë ezauruar përpjekjet për zgjidhjen e këtyre konflikteve sipas marrëveshjes së veçantë ndërshtetërore, dhe kjo marrëveshje nuk duhet të ketë përjashtuar aplikimin e procedurave ligjore të UNCLOS-it mbi zgjidhjen e konflikteve ndërshtetërore. Për më tepër, kur shtetet janë nënshkruese të traktateve të përgjithshme rajonale dhe dypalëshe, të cilat parashtrojnë rregulla detyruese për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, atëherë këto norma ligjore mbizotërojnë mbi mekanizmat ligjorë të UNCLOS-it, të cilat janë të pasqyruara në Pjesën XV lidhur me zgjidhjen e konflikteve ndërshtetërore.

Gjatë konfliktit ndërmjet Japonisë dhe Australisë/Zelandës së Re, të shqyrtuar nga GJND-ja në Procesin gjyqësor Southern Bluefin Tuna, trupi gjykues u shpreh se meqenëse shtetet e përfshira në konfliktin me natyrë ekonomiko-detare kishin zbatuar marrëveshje të veçanta ndërshtetërore me qëllim përjashtimin e mundësisë së njërës palë apo tjetrës për të ndërmarrë veprime të njëanshme mbi aplikimin e procedurave të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare të detit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre, atëherë zbatimi i mekanizmave përkatës ligjorë të parashtruar nga UNCLOS-i nuk ishte e drejtë dhe ligjore. Duke marrë këtë vendim ligjor, GJND-ja arriti ta kundërshtonte në mënyrë të saktë ligjërisht argumentin se UNCLOS-i kishte krijuar një regjim juridik efikas, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve ndërkombëtare ekzistuese të natyrës detare.

Duke marrë në konsideratë ndjeshmërinë e shteteve në lidhje me procedurat e detyrueshme për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, shumë shtete nuk kanë deklaruar sipas nenit 287 të UNCLOS-it, përzgjedhjen e tyre lidhur me gjykatat ndërkombëtare në të cilat dëshirojnë të çojnë mosmarrëveshjet e tyre për gjykim. Megjithatë, midis shteteve që kanë përzgjedhur GJNDD-në për të shqyrtuar konfliktet e tyre janë Argjentina, Belgjika, Gjermania, Greqia, Omani, Tanzania dhe Uruguai; ndërsa midis shteteve më të njohura që preferojnë gjykimin e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore nga GJND-ja janë Belgjika, Finlanda, Gjermania dhe Spanja (Algjeria, Kuba dhe Guinea-Bissau e kanë kundërshtuar në mënyrë të hapur gjykimin nga GJND-ja të mosmarrëveshjeve të tyre). Mosmarrëveshjet që lindin si pasojë e interpretimit dhe zbatimit të UNCLOS-it ose të traktatave të tjera ndërkombëtare do të gjykohen mbështetur në interpretimin që i bëjnë gjykatat ndërkombëtare të përmendura më sipër konventave në diskutim. Rregullat e interpretimit të traktateve ndërkombëtare janë të përmbledhura në Konventën e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve (1969). Rregulli i përgjithshëm është se traktatet ndërkombëtare duhet të interpretohen sipas parimit të mirëbesimit (good faith), mbështetur në kuptimin normal të përmbajtjes së dispozitave dhe kontekstit të tyre, si dhe duke marrë në konsideratë qëllimin përfundimtar dhe objektivat e traktatit konkret.

Mosmarrëveshjet mbi çështjet të cilat nuk mbulohen nga normat ligjore të traktateve të kodifikuara, vendosen sipas të drejtës ndërkombëtare zakonore, ashtu siç janë përcaktuar nga praktikat e përgjithshme shtetërore dhe ato ndërkombëtare.
Pavarësisht entuziazmit të përgjithshëm mbi pozitivitetin që paraqet UNCLOS-i në fushën ndërkombëtare të detarisë dhe për MN në përgjithësi, ka mendime sipas të cilave kjo Konventë nuk i përmbush pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar mbi vënien në përdorim të një mekanizmi juridik mbi rregullimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, por tregon mungesë të elementeve gjithëpërfshirëse dhe efikasitetit ligjor dhe praktik. Kufizimet e procedurave të zgjidhjes së konflikteve në kuadër të sistemit të detyrueshëm ligjor të Konventës, mund të jenë një tregues se dispozitat ligjore mbi zgjidhjen e konflikteve ndërshtetërore të pasqyruara në Pjesën XV të UNCLOS-it, mund të mos funksionojnë mirë.

Po ashtu, ekspertë dhe juristë të ndryshëm kanë mbajtur qëndrim më të rezervuar apo skeptik në lidhje me përcaktimin e procedurave ligjore të detyrueshme në UNCLOS mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore të aspektit detar. Në këtë kontekst, Oda argumenton se elementet karakterizuese të këtyre procedurave dhe paqartësitë ligjore të dispozitave normative të UNCLOS-it, e bëjnë mekanizmin të krahasueshëm me metodat tradicionale të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, siç janë ndërmjetësimi apo marrëveshja me bazë pëlqimin e palëve.

Pikëpamjet që mbështesin natyrën efikase dhe gjithëpërfshirëse të UNCLOS-it mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare zbehen akoma më tepër nga përmbajtja e Seksionit 3 të Pjesës XV të Konventës, e cila posaçërisht parashtron kufizimet dhe përjashtimet që përmban zbatueshmëria e procedurave të detyrueshme të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve që diktojnë vendime të detyrueshme për shtetet. Në vend të mundësoj lejimin për të gjitha mosmarrëveshjet ndërshtetërore mbi interpretimin dhe zbatueshmërinë e dispozitave ligjore të UNCLOS-it që të parashtrohen para palëve të treta me juridiksion dhe fuqi të detyrueshme ligjore (gjykatat ndërkombëtare), Pjesa XV u projektua qëllimisht për të mbrojtur interesat themelore të rrezikuara për çdo grup-çështjesh problematike të fushës dhe industrisë oqeanike.

Paloka ironizon premtimet 3D të Ramës: “Lesh futurist” për të gjithë në mandatin e tretë!

Nënkryetari i PD, Edi Paloka ka ironizuar premtimet 3D të Ramës. Paloka shkruan në një postim në Facebook se, shqiptarët janë pa punë, pa shtëpi, pa bukë, pa mbështetje. Për “meritë” të Ramës jemi sot si popull në limitet e mbijetesës e megjithatë Rama ka pafytyrësinë të vazhdojë t’ju premtojë “lesh” në 3D.

Reagimi i Palokës

Duhet te kesh fytyren Rames qe te vazhdosh te tallesh edhe pas tete vitesh me shqiptaret!

Shqiptaret jane pa pune, pa shtepi, pa buke , pa mbeshtetje;  per “merite” te Rames jemi sot si popull ne limitet e mbijeteses e megjithate Rama ka pafytyresine te vazhdoje t’ju premtoje “lesh” ne 3D. “Lesh futurist” per te gjithe ne mandatin e trete!

Blushi merret nën hetim nga Prokuroria  

Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet për falsifikim dokumentesh, bazuar në kallëzimin që biznesmeni Andon Dhima ka bërë ndaj drejtorit të televizionit Top Channel, Ben Blushi. Sipas këtij kallëzimi, Blushi ka bërë në emër të vajzës një kontratë blerje toke, në një kohë që e bija e tij nuk ndodhej fare në Shqipëri.

Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet për falsifikim dokumentesh, pas kallëzimit të biznesmenit Andon Dhima kundër drejtorit të televizionit Top Channel, Ben Blushi. Dhima e akuzon Blushin se, nëpërmjet dokumentave të falsifikuar, ka përfituar prona në emër të vajzës së tij.

Biznesmeni Dhima, i cili së fundmi ishte objekt i një atentati të dështuar, ka kallëzuar penalisht në prokurorinë e Tiranës vajzën e Blushit, Natalia, si edhe noteren Violeta Sulkaj.

Pas këtij kallëzimi, dosja ka mbërritur në zyrën e prokurores Sonila Muhametaj, e cila ka regjistruar procedimin penal dhe ka urdhëruar kryerjen e hetimeve për rastin.

Procedimi për momentin është regjistruar vetëm për faktin penal të kallëzuar, pa përcaktuar ende personat e dyshuar për kryerjen e veprës penale.

Megjithatë, veprimet e shpejta hetimore pritet të identifikojnë me fakte dhe prova autorët e dyshuar.

Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, hetuesit kanë urdhëruar kryerjen e ekspertimeve grafike, për të konstatuar nëse ekzistojnë elementët e falsifikimit.

Gjithashtu, në planin e punës së prokurorisë janë përfshirë edhe pyetja e personave, përfshirë kallëzuesin Andon Dhima, ish-politikanin biznesmen Ben Blushi, vajzën e tij Natalia Blushi dhe noteren Violeta Sulkaj.

Në kallëzim, shitësit e pronave ngrenë akuzat për falsifikim dokumentesh ndaj noteres dhe vajzës së ish-deputetit, lidhur me dy pasuritë e përfituara nga kjo e fundit në Korçë, një bodrum dhe një njësi shërbimi, të dyja me sipërfaqe totale rreth 470 m2. Prona që sipas kallëzimit, janë shitur për 30 mijë euro dhe 5 milionë lekë të vjetra.

“Nëpërmjet një artikulli transmetuar në media, jam vënë në dijeni se Ministria e Drejtësisë ka filluar një hetim administrativ për sa i përket procesit të lidhjes së dy kontratave të lartpërmendura, për shkak se sipas të dhënave të sistemit TIMS … ka rezultuar se pala blerëse Natali Blushi nuk ndodhej në Shqipëri në kohën e lidhjes së kontratave. Referuar të dhënave të sistemit TIMS rezulton se znj. Natali Blushi ka dalë nga Shqipëria në datën 6 prill 2015 dhe është kthyer në Shqipëria në datën 19 qershor 2015, ndërkohë që kontratat janë lidhur në datat 28 dhe 29 maj të këtij viti. Në këto rrethana, nënshkrimi i blerëses Natali Blushi rezulton të jetë i falsifikuar”, thuhet në kallëzimin e depozituar pranë akuzës së Tiranës.

“Sqaroj për organin e akuzës se në lidhje me këtë fakt nuk kam pasur dijeni më parë, pasi kontratat e kam nënshtruar në të njëjtën kohë me palën blerëse, për arsye se jemi paraqitur pranë noteres në momente të ndryshme. Unë, në cilësinë e palës shitëse i kam nënshkruar kontratat e lartpërmendura rregullisht në zyrën e noterisë dhe më pas jam larguar. Kopja ime e kontratave më është vënë në dispozicion nga zyra e noterisë pasi at janë nënshkruar edhe nga pala blerëse, të motorizuara”, sqarohet më tej në kallëzim.

Në pranga atentatorët e biznesmenit që denoncoi Ben Blushin

Policia e Tiranës ka zbardhur një tentativë vrasjeje në rrugën “Muhamet Gjollesha”, duke vënë në pranga autorët e ngjarjes.

Uniformat blu sqarojnë se ka qenë shtetasi A. Dh., që ka bërë kallëzim se dy persona të maskuar dhe të armatosur e kanë ndjekur deri në hyrje në hyrje të pallatit, me qëllim për ta eliminuar atë.

Menjëherë ka nisur puna e policisë, ku janë identifikuar dhe arrestuar dy autorët e ngjarjes, G. L., 45 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë me 6 vite burgim, për vjedhje me armë në Gjermani, dhe A. H. 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje me armë.

Gjithashtu, janë ndaluar edhe dy bashkëpunëtorët në këtë ngjarje, shtetasit: M. M., 30 vjeç dhe E. H., 26 vjeç, i dënuar më parë me 4 vite e 9 muaj, për “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se autorët janë identifikuar nga policia nga kamerat e sigurisë në rrugica, ku ata kanë hequr maskat. Numrat e tyre të telefonit janë vendosur në përgjim dhe janë kapur bisedat mes tyre, ku flisnin për fshehjen e armëve dhe maskave.

Siç raporton gazetarja Bezat, asnjëri prej autorëve nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me shënjestrën e atentatit, biznesmenin A. Dh., ndaj dhe policia dyshon që mund të jetë i porositur. Ndërkohë, armët e sekuestruara janë çuar për kontroll balistik në laborator shkencor, për të parë nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje tjetër kriminale.

Njoftimi i plotë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Stuhia”.
Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP-së, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Zbardhet tentativa për vrasjen e 51-vjeçarit, në rrugën “Muhamet Gjollesha”.
Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga dy autorët që ndoqën 51-vjeçarin, për ta vrarë. Autorët me precedent të theksuar kriminal për vjedhje me armë dhe plagosje.

Në pranga edhe dy bashkëpunëtorët e autorëve, njëri prej tyre me precedent kriminal në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohet arma e zjarrit me të cilën autorët do kryenin krimin, automjeti me të cilin u larguan, maskat e përdorura për të mos u identifikuar, rroba policie e prova të tjera që shërbyen për dokumentimin e ngjarjes.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë, menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi A. Dh., i cili ka treguar se mbrëmjen e datës 15.10.2020, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, dy persona të maskuar dhe të armatosur e kanë ndjekur deri në hyrje në hyrje të pallatit, me qëllim për ta eliminuar atë, menjëherë kanë organizuar punën në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe strukturat hetimore të DVP Tiranë, për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i një pune intensive hetimore dhe profesionale të bërë nga këto struktura, u bë i mundur sigurimi i provave që çuan në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Mbi bazën e provave të siguruara nga Komisariati i Policisë Nr. 2 u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Stuhia”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe prangosja e dy autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht:
G. L., 45 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë me 6 vite burgim, për vjedhje me armë në Gjermani, dhe A. H. 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje me armë.

Po në kuadër të operacionit u bë e mundur të identifikohen dhe të ndalohen dhe dy bashkëpunëtorët në këtë ngjarje, shtetasit:
M. M., 30 vjeç dhe E. H., 26 vjeç, i dënuar më parë me 4 vite e 9 muaj, për “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Nga veprimet e para hetimore dhe procedurale u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale: një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, mjeti në pronësi te shtetasit A. H., që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes, veshjet e përdorura nga autorët, një shkop hekuri policie nga ato me hapje, një palë pranga, 6 telefona celular, rroba uniforme policie dhe kamuflazhi e prova të tjera materiale.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Reagimi i naftëtarëve ndaj Ramës: Nuk dalim nga greva, të presim këtu…

Menjëherë pas deklaratës së Edi Ramës për naftëtarët dhe grevën e tyre, ka ardhur edhe reagimi i naftëtarëve.

Ata nuk përjashtojnë dialogun për problemin e tyre, por nuk janë dakord që të ndërpresin grevën e urisë.

Ata e shpjegojnë këtë mos-ndërprerje duke thënë se kanë tentuar disa herë takimin me qeveritarët, por gjithmonë nuk kanë marrë një përgjigje.

Njeri nga naftëtarët tha për mediat se, e presim Edi Ramën këtu në këtë shesh në atë dhomë kur prej 7 ditësh gratë naftëtare janë ngujuar në grevë urie.

Po ashtu, duke iu referuar postimit në Twitter të kreut të qeverisë, ata shprehen se nuk kanë bërë asnjë herë presion dhe as nuk kanë kërkuar asgjë që ai nuk mund ta zgjidhë.

Rama zbulon ministren me të cilën ”zgjohet dhe”…

Gjatë konferencës me gazetarët Rama zbuloi se, ditën e nis dhe e mbyll me një telefonatë me ministren Balluku për ta pyetur lidhur me garën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Rama tha se vendi më në fund do të ketë katër aeroporte, pas Tiranës, Kukësit, Vlorës dhe Sarandës, ku duhet thënë se tre të fundit janë ende projekte në letër.

“Dita ime nis me telefonatën me ministren që në mëngjes, dhe mbyllet me telefonatën me të, për të çarë pengesat që ka shkaktuar pandemia për ndërtimin e aeroportin të Vlorës. Gara është ndërprerë për momentin si pasojë e pandemisë, dhe ne duam që të garantojmë pjesëmarrjen e kompanive që merren me aeroporte, që në fakt janë pjesa edhe më e goditur nga pandemia.

Sa të mbyllet gara për aeroportin e Vlorës, ne jemi gati të hapim garën për aeroportin e Sarandës, që do të jetë më i vogël, dhe natyrisht me impakt strategjik për turizmin. Po ashtu do të kemi një transformim të portit të Durrësit dhe të Vlorës, përfshihet dhe një port turistik në zgjatimin e Lungomares, për të krijuar një kanal të ri kontakti me Vlorën”, u shpreh Rama.

Imagjinata e Ramës në 3D kalon përtej imagjinatës: Do ndërtoj katër aeroporte, edhe dy porte të rinj, kush do më shajë…

Kreu i qeverisë Edi Rama ka nisur konferencën e tij me gazetarët, e cila sot do të ndalet te projektet infrastrukturore, që kanë nisur apo do të nisin në vendin tonë, përfshirë porte edhe aeroporte, që sipas kryeministrit do të nxisin turizmin.

Gjatë fjalës së tij, Rama zbuloi se ditën e nis dhe e mbyll me një telefonatë me ministren Belinda Balluku, për ta pyetur lidhur me garën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Rama tha se vendi më në fund do të ketë katër aeroporte, pas Tiranës, Kukësit, Vlorës dhe Sarandës, ku duhet thënë se tre të fundit janë ende projekte në letër.

“Dita ime nis me telefonatën me ministren që në mëngjes, dhe mbyllet me telefonatën me të, për të çarë pengesat që ka shkaktuar pandemia për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Gara është ndërprerë për momentin si pasojë e pandemisë, dhe ne duam që të garantojmë pjesëmarrjen e kompanive që merren me aeroporte, që në fakt janë pjesa edhe më e goditur nga pandemia.

Sa të mbyllet gara për aeroportin e Vlorës, ne jemi gati të hapim garën për aeroportin e Sarandës, që do të jetë më i vogël, dhe natyrisht me impakt strategjik për turizmin. Po ashtu do të kemi një transformim të portit të Durrësit dhe të Vlorës, përfshihet dhe një port turistik në zgjatimin e Lungomares, për të krijuar një kanal të ri kontakti me Vlorën”, u shpreh Rama.

Ndërkohë që nuk harroi që të bënte batutën e tij të përsëritur për aeroportin e Kukësit, ku tha se do të sjellë 120 të rinj nga Londra që janë vota të sigurta për PD-në.

“Kush do shajë më shumë do hypë në avion, dhe do i sjell në Kukës që të votojnë për Partinë Demokratike, shpresoj që ta realizoj këtë, pse nuk shkoni një ditë që të shihni punën që është bërë në Kukës, ku është një kantier i gjallë ndërtimi”, tha më tej Rama.

Si tentoi media e Bolinos ta quajë sajesë atentatin ndaj biznesmenit që denoncoi Blushin

Gazetarit Artan Hoxha, që publikoi pamjet e atentatit ndaj biznesmenit Andon Dhima, nuk i del e keqja me median e Karlo Bolinos.

Kjo e fundit publikoi një shkrim, ku theksonte se ishte një atentat pa krisma.

Edhe pse nga pamjet duket se jeta e Dhimës dhe vajzës së tij ishte e kërcënuar dhe ai shpëtoi për një fije për shkak të ashensorit, në median e Bolinos thuhet se u gjet më shpejt porositësi sesa autorët.

Kujtojmë se vetë Andon Dhima deklaroi pas sulmit se ka vetëm një emër te i cili drejton gishtin: ai quhet Ben Blushi.

Ndërkohë pas arrestimit të katër personave për atentatin e dështuar, të gjithë me precedentë kriminalë, Artan Hoxha ka publikuar një foto nga shkrimi i Shqiptarja.com.

Bashkëngjitur ai jep emrat e personave të arrestuar, të gjithë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Policia ka vënë në pranga shtetasit Grid Leno, 45 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë me 6 vite burgim, për vjedhje me armë në Gjermani.

Albin Hoxha 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje me armë.

Maringlen Matohiti, 30 vjeç dhe Enea Hoxha, 26 vjeç, i dënuar më parë me 4 vite e 9 muaj, për “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Gazeta greke: Si Rama po i fal detin Greqisë në këmbim të integrimit në BE

Ajo që në Shqipëri u shfaq si një marrëveshje për të shkuar në Hagë për të zgjidhur çështjen demarkacionit të detit me Greqinë, në mediat fqinje është cilësuar si një fitore e diplomacisë greke.

Protothema shkruan se arritja tek marrëveshja që çështja e detit të dërgohej në Hagë, u bë përmes “karrotës së integrimit dhe negociatatave, të cilat për shiptarët janë një dhuratë nga parajsa”, raporton abcnews.al.

Media greke ka zbardhur detaje nga insistimi i diplomacisë greke për ta çuar çështjen e detit në Hagë duke mos e fshehur faktin se Athina e përdori integrimin e Shqipërisë në BE si një formë presioni që Tirana të pranonte dërgimin e detit në Hagë, ku grekët ndjehen të sigurt se do të marrin atë që iu duhet.

Protothema shkruan:
“Tirana dhe Athina kanë rënë dakord që të hartojnë një deklaratë të përbashkët për ta referuar çështjen e demarkacionit detar mes dy vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare, pak ditë para se të mbushen dy vite nga vrasja e Kostantino Kacifas nga forcat speciale të policisë shqiptare.

Katër muaj par marrëveshjes me Italinë dhe rreth 60 ditë pas përcaktimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike me Egjiptin, Greqia po bën një hap tjetër drejt zgjidhjes së çështjes së prapambetur të detit në rajonin e Korfuzit. Kësaj radhe mjafton që pala shqiptare të mos tërhiqet nga marrëveshje.

Stimuli, ose “karrota” e përdorur nga Athina është procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, e cila pritet nga Tirana si një ‘dhuratë nga parajsa’ për të të hapur qesen e fondeve të unionit edhe për shkak të situatës së komplikuar politike në vendin fqinj, i cili shkon në zgjedhje më datë 25 prill të vitit të ardhshëm.

Diplomacia greke arriti një marrëveshje me qeverinë Rama për hartimin e e një deklarate të përbashkët që synon dërgimin çështjen e demarkacionit në Hagë.

Kjo çështje ka qenë “kanceroze” për 20 vite pasi shqiptarët u tërhoqën sepse Gjykata Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen me kërkesë të opozitës së atëhershme të kryesuar nga Edi Rama.

Disa vite më vonë, ai është i njëjti person që arriti në një marrëveshje me Athinën për referimin e caktimit të kufijve në pritje të zonave detare në kufirin veri-perëndimor të Greqisë”.

Rëndohet gjendja shëndetësore e grave naftëtare, Rama: Nuk kam shkop magjik, dilni njëherë nga greva dhe pastaj flasim…

Sot është dita e 7 e grevës së urisë së grave naftëtare në Ballsh. Ato zëvendësuan burrat naftëtarë një javë më parë për të vijuar betejën për realizimin e kërkesave të tyre.

Njera nga naftëtaret tha se, gjendje e grave është shumë e rënduar, ndërkohë që i bënë thirrje qeverisë dhe kreut të saj që të reagojnë.

Ndërkohë që gratë janë të vendosura që të vazhdojnë ngujimin e tyre deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Rama: Nuk kam shkop magjik, dilni njëherë nga greva dhe pastaj flasim

Kreu i qeverisë Edi Rama thotë se nuk ka shkop magjik. Rama shprehet se naftëtarët duhet të lënë fillimisht grevën e urisë, dhe të kuptojnë se me presion nuk mund të zgjidhin asgjë, e pas kësaj do të ketë një dialogim me qeverinë.

Deklaratat e Ramës vijnë në ditën e 7 të grevës së urisë së grave naftëtare, gjendja e të cilave është rënduar edhe më shumë, si pasojë e mungesës së ushqimit, por edhe gjendjes së stresit të vazhdueshëm.

Rama:

Naftëtarët duhet të dalin nga greva që të bisedojmë për të mos i lënë vetëm në këtë hall që as e ka shkaktuar qeveria, as zgjidhet me presion e me ultimatume! Ne nuk kemi shkop magjik, po kemi gjithë vullnetin të lehtësojmë situatën. Me logjikë dhe solidaritet si një familje.

Gjendja shëndetësore e grevisteve është shfaqur e rënduar ditën e sotme, ku disa prej tyre kanë patur kollë dhe lodhje fizike. Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se edhe pse gjendja e tyre shfaqet e rënduar ambulanca nuk ka shkuar për t’i vizituar.

“Presim një zgjidhje. Deri tani heshtje totale. Nuk kërkojmë diçka që s’na takon, kërkojmë të drejtën tonë dhe nuk do dorëzohemi, kërkojmë marrjen e pagave të prapambetura dhe rifillimin e punës. Të punësohemi kërkojmë”,- u shpreh një prej grevisteve, para reagimit të Ramës në Twitter.