32.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Erion Veliaj do të burgoset?

Pas skandalit të publikuar nga Partia Demokratike, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi ka zbuluar një detaj interesant në lidhje me hetimet për çështjen e inceneratorëve shqiptarë.

I ftuar në emisionin ‘Opinion’, Bardhi tha se edhe një agjenci ligjzbatuese e huaj po heton këtë çështje dhe se ku janë fshehur milionat e përfituara të dërguara në llogari offshore.

“Për këtë çështje ka një hetim ndërkombëtar dhe shumë shpejt shqiptarët do të mësojnë me emër, atësi dhe mbiemër se kush fshihet pas këtyre inceneratorëve. Ka një agjenci të specializuar të partnerëve ndërkombëtarë që janë duke hetuar ku janë depozituar paratë e shqiptarëve në llogari offshore. SPAK-u? Nëse do të ishte në gjendje SPAK, Erion Veliajn do ta kishim në burg. Ka një hetim nga agjenci të specializuara që shumë shpejt do të bëjë rezultatet publike. Do të marrim vesh kush i fut në xhep paratë.

Ishte edhe poetja Flutura Açka që tha se e kishin kontaktuar gazetarë shqiptarë të verifikonte një adresë në Holandë dhe tha se kishte shkuar atje dhe i kishte dalë një çift pleqsh ku duhet të ishin zyrat e kompanisë së inceneratorëve.

Kush i merr lekët? Nuk u përgjigj as kryeministri Rama për këtë. Atë dua të di edhe unë” – tha Bardhi.

Si 23 vjeçarja mori brenda 24 orësh 23 milionë euro, vjedhja e shekullit

Kallëzim penal edhe për inceneratorin korruptiv të Elbasanit, PD: Për kompaninë e sapokrijuar, qeveria miratoi të gjitha procedurat e koncesionit për 24 orë.

PD: SPAK të tregojë pavarësi. Kërkohet pezullimi nga detyra i Edi Ramës dhe vartësve të tij për të mos ndikuar në hetimin e çështjes më të madhe korruptive të qeverisë në ikje.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ÇLIRIM GJATA DHE ENDRI HASA PAS DORËZIMIT TË KALLZIMIT NË SPAK

Endri Hasa: Sapo depozituam sot një kallëzim për inceneratorin e Elbasanit. Ky incenerator pavarësisht se vitet kalojnë, afera e madhe korruptive që i hapi edhe rrugën aferës së madhe korruptive, megaaferës së inceneratorëve, pavarësisht se është denoncuar prej vitesh akoma nuk ka patur asnjë lëvizje për të dhe asnjë hetim nga drejtësia.

Sot kërkojmë nga SPAK të marrë përgjegjësi dhe të hetojë historinë se si një kompani e sapokrijuar në pronësi të Stela Gugalli papritur aplikon për një koncension për incenerimin dhe të nesërmen qeveria hap garën automatikisht për këtë koncesion.

Kompania e sapokrijuar me një kapital prej vetëm 1000 euro aplikoi pa patur asnjë eksperiencë dhe gjithë shteti u ngrit në këmbë për t’i dhënë koncesionin. Aq i rëndësishëm ishte ky person për qeverinë e Edi Ramës, saqë ajo vendosi që të anashkalojë çdolloj procedure dhe ligji dhe të kryejë gjithçka në vetëm 24 orë.

Më 16 dhjetor 2014 kompania “Albtech Energy” u shpall fituese pavarësisht afateve ligjore prej 7 ditësh, u mbyll afati i ankesave po më 16 dhjetor. U dërgua për mendim në të gjithë ministritë e linjës kontrata dhe po në datën 16 dhjetor u mor përgjigjja nga të gjitha institucionet. Dhe po në datën 16 dhjetor u hartua, u negociua dhe u firmos një kontratë me plot 40 faqe po në datën 16 dhjetor.

24 orë më vonë, në mëngjesin e datës 17 dhjetor 2014 kjo kontratë e lidhur për inceneratorin e Elbasanit për t’i dhënë paratë firmës së Klodian Zotos u miratua në mbledhjen e datës 17 dhjetor.

Një eficiencë të tillë qeveritare nuk e kemi parë kurrë më parë. Një eficiencë të tillë për procedurat nuk e kemi parë as në rastin e tërmetit, as në rasti e pandemisë apo në asnjë rast tjetër kur me të vërtetë vendi ka patur emergjencë.

Emergjenca qeveritare dhe eficenca qeveritare ka qenë vetëm për një arsye sepse e gjithë qeveria u ngrit në këmbë për t’i dhënë 23 milionë euro nga taksat dhe nga paratë e shqiptarëve për inceneratorin e Elbasanit për t’i çuar në xhepat e qeveritarëve dhe në xhepat e Klodian Zotos.

Cila është arsyeja që kjo qeveri kreu një sërë të gjatë veprimesh proceduriale me një nxitim kaq të madh dhe vetëm në një ditë ?
Ky është një grup i strukturuar kriminal që i ka kushtuar buxhetit të shtetit deri më sot vetëm për rastin e Elbasanit 23 milionë euro të cilat janë vjedhur dhe janë çuar në drejtim të paditur. Të gjithë përgjegjësit për këtë aferë korruptive e kanë vendin në burg dhe duhet të shkojnë në burg.

Çlirim Gjata: Pa dashur të përsëris atë çka tha ish deputeti Endri Hasa, pa dashur të përsërisim atë çka kemi thënë dje dhe gjithë këto ditë, por është e pamundur të mos përsëritet, por janë të njëjtat shkelje të bëra, si të thuash “copy paste”, e njëjta dorë; nga njëra anë është qeveria, nga ana tjetër janë të njëjtët persona por diku fusin gruan bashkëjetuese, diku një kompani të sapokrijuar, e të tilla gjëra.

Përse e fiton këtë lloj tenderi një kompani e cila regjistrohet 1-3 ditë para se të fitojë tenderin, nuk ka kapital vetëm 1000 euro, ndërkohë që merr nga qeveria 23 milionë euro, pa garë dhe pa eksperiencë.

Tani të dalë prokuroria dhe të thotë : “Këto nuk janë në kundërshtim me ligjin”. Në qoftë se del një zyrtar, një prokuror dhe thotë: “O zotëri këto fakte nuk janë në kundërshtim me ligjin”. Dakord, hajde ta diskutojmë, por ama nuk besoj se del kush dhe të thotë se: “Ky tender i zhvilluar në këtë formë nuk është në kundërshtim me ligjin.”

Momenti tjetër është se mirë që kanë bërë një binar aty, kanë bërë një gropë të zezë aty ku e trumbetojnë me të madhe inceneratorin e Elbasanit.

Por çfarë ndodh?
Në bazë të kontratës, ajo godinë atje, ai investim duhet të prodhonte 313 ditë energji. S’po i hyj sa kilovat orë, etj. të gjithë janë këto të përcaktuara. Prandaj duhet një hetim. Hetimi nuk është i vështirë , është voluminoz, ka dokumenta por nuk është i vështirë, është i thjeshtë këtë rast, vetëm do vullnet ligjor.

Ky incenerator duhej të prodhonte tash tre vite 313 ditë energji për 3 vjet bëjnë 939. Doni të dii sa ka prodhuar? Vetëm 22.
Dikush nuk e pranon këtë, jo janë më shumë, jo janë më pak, aq sa ka në kontratë nuk ka prodhuar, askush nuk del ta thotë që aq sa kemi vënë në kontratë, aq kemi prodhuar.
Ne po themi 22 ditë, 7 ditë e 8 orë në vit.
Kaq ka prodhuar energji.

A duhet ta hetojmë? Koncesionin nuk është se e ka bërë privati me paratë e veta dhe t’i thotë shtetit, po prodhoj energjinë, benefitet i ndajmë dhe ti gradualisht për 7 vjet do të mi japësh prapë. Jo, ia ka dhënë buxheti i shtetit paratë.

Na këto para, bëje atë incenerator. Shteti ta bënte me prokurim të drejtpërdrejt vetë, ç’nevojë kishte ta jepte me koncesion kur privati nuk ka paguar asnjë lek, nuk ka nxjerrë asnjë lek nga xhepi, gjithçka është marrë nga buxheti i shtetit.
Ku janë parë koncesione të tilla?

Pa folur për pafundësi shkeljesh, pa hyrë në Ligjin e Mjedisit, mungesa e studimit të fizibilitetit, kush e kërkoi këtë lloj koncesioni? Kush ra dakord? Ka një strategji qëq duhet t’i trajtojë mbetjet me incenerim. Ndërkohë që nga BE ka një direktivë të drejtuar posaçërisht Shqipërisë, jo me incenerim mbetetjet. Është e shkruar e zezë mbi të bardhë sepse e kanë si përvojë të keqe. Ata mund të kenë me incenerim por kanë vite e vite, janë sipërfaqe dhe popullsi shumë të mëdha.

Në Shqipëri thotë, nuk mundet sepse mund të sjellë dëm shumë më të madh se sa ajo që mund të kërkohet.
Duhet vullnet ligjor dhe paanshmëri, pavarësi ligjore nga institucionet, prokuroritë, SPAK, për t’u hetuar.
Pyetje: Besoni tek ky vullnet ligjor?

Çlirim Gjata: Të shohim tani, përse po bëhet kjo Reformë në Drejtësi. Ne po presim se ndryshe nuk kishim ardhur. Shenjat nuk kanë qenë të mira për disa raste përpara këtyre, por të shohim. Po presim.

Pyetje: Një grup kriminal ka ndrejtues, ka anëtarë, me role specifike. Ju lutem kush është drejtuesi i këtij grupi kriminal, cilët janë anëtarët dhe cilat janë rolet e secilit?

Çlirim Gjata: Jua lexova se edhe dje më pyete. Grupi i strukturuar kriminal ka disa nene në Kodin Penal, fillon me nenin 28, 333a, 334. Kryetari është Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, i këtij grupi. Ja ku i keni. Në këtë kallzim kemi vënë Edi Ramën, Arben Ahmetaj, Lefter Kokën, Stela Gugalli, administratore, të cilën e përmendi edhe z.Hasa se si kishin vajtur procedurat. Të gjitha janë të sqaruara në kallzim. Ne presim hetimin. Janë disa gjëra që ju duhet të insistoni dhe shpresoj dhe kam besim se do të insistoni tek SPAK. Çfarë po bëhet me këto. Të na kthejnë një përgjigje, të na thonë, kemi bërë këtë hetim, kemi shkuar deri atje.

Më thuaj një dokument, një element i kësaj megaafere korruptive që s’ka dalë në media. Çfarë sekreti hetimor mund të ketë këtu. Mirë është që SPAK të shikojë edhe ato që i kemi kërkuar ne, marrjen e masës së sigurimit, që është pezullimi nga detyra e këtyre personave për arsyen që vetë Prokuroria e ka përdorur shpesh, të prishjes apo fshehjes dhe shkatërrimit të provave.
Pyetje: A mos është e vonuar kjo ndërmarrje e juaja? Kallzimi i parë në SPAK është bërë që në muajin gusht, përveç deklaratave publike të selisë blu?

Çlirim Gjata: Dakord, ne jemi të këqinjtë. A ka megaaferë këtu qindra miliona euroshe që po vidhet? Kjo është e rëndësishme tani. E kemi sjellë të enjten, të mërkurën, dje, apo pardje, apo pasnesër.

Nuk besoj se është kjo kryesore. Kemi tre vjet që e denoncojmë. Të mos përsërisim të njëjtat gjëra se bëhemi të bezdisshëm për publikun. A duhej kjo prokurori të ndërhynte, ka tre vjet, që nga interperlanca e parë që kanë bërë deputetët e PD, përpara se të digjnin mandatet për këtë çështje. Sa gazetarë dhe sa agjensi investigative e kanë nxjerrë këtë problem? Sa herë është debatuar nëpër media. A duhej të ndërhynte prokuroria? Nqse paska ngel tek përse e sollëm tani dhe pse e sollëm në gusht, këtë ditë apo atë ditë, më duket se kjo nuk ka pikë vlere.

Këtu kemi një kallzim, kemi një afër.
21 milionë e 600 mijë euro ka marrë kjo vajzë në këtë tender dhe më pas 2 milionë euro, sot janë bërë 23 milionë euro dhe na ka lënë atje një hata të madhe. Ndotje të ambientit, do të vazhdojë të paguhet vite e vite me radhë. Sepse të lë një gropë financiare me atë që ka lënë sepse s’është fare efektive.

I gjithë problemi ishte se si duhej të merreshin këto para, të vidheshin këto para.Prokuroria të shkojë të marrë dokumentacionin sepse gjithçka ka dalë. Është edhe një raport i KLSH-së që e ka detyrim Prokuroria ta shikojë.

Endri Hasa: Është një projekt që përveçse vjedh paratë e shqiptarëve, të cilët duhej të iknin në drejtime të tjera, nuk i sjell asnjë benefit konkret as zonës së Elbasanit, dhe banorët kanë qenë gjithmonë të shqetësuar për ndotjen që sjell dhe nga ana tjetër mbetjet apo aty depozitohen, shfrutëzojnë damperin që ka qenë i ndërtuar, kompania sërish nuk investoi, përsëri nuk harxhoi sepse projekti i qartë dhe kriminal ishte i thjeshtë, paratë e buxhetit të shtetit në duart dhe xhepat e qeveritarëve

Ç’do të thotë të jesh i varfër

Një baba, me një gjendje ekonomike të mirë, donte t´i mësonte të birit se ç´do të thoshte të ishe i varfër. Për këtë e çoi të rrinte disa ditë në një familje fshatare, e cila jetonte larg qytetit, në një shpat mali, e përkushtuar në punët dhe hallet e veta.

Pasi kaloi disa ditë dhe net në atë banesë te thjeshtë fshati, i ati shkoi dhe e mori. Rrugës, në veturë, i ati e pyeti se si kishte kaluar.

– Mirë, – u përgjigj i biri, pa ia ndarë vështrimin natyrës përreth.

– E çfarë mësove? – ngulmoi i ati.

Dhe i biri i tregoi:

1. Se ne kemi një qen ndërsa ata kishin katër.

2. Se ne kemi një pishinë me ujë që rri në vend, kurse ata kishin një lumë me ujë të kristaltë që rridhte vazhdimisht, plot me peshq e groshël dhe kushedi sa gjëra të tjera të bukura.

3. Se ne blejmë fener, kushedi nga, për të ndriçuar kopshtin tonë, ndërsa gjithë vendin e tyre e ndriçonin yjet dhe hëna e bukur.

4. Se oborri ynë arrin deri te gardhi, ndërsa i atyre deri tek horizonti.

5. Se ne e blejmë ushqimin tonë, ndërsa ata e prodhonin vet; ne e marrim në shitore pjeshkën ata e marrin të freskët, drejt e nga dega e pemës.

6. Ne dëgjojmë CD, ata dëgjonin simfoninë e përjetshme të bilbilave, turtujve, fugave, bretkosave, gjinkallave e kushedi sa kafshëzave të tjera. Po ashtu edhe ligjërimi melodioz i lumit dhe kënga kumbuese e një fqinji që punonte matanë tij.

7. Ne gatuajmë në sobë elektrike, ndërsa ata në zjarrin me dru që e bënte aq të shijshëm ushqimin.

8. Ne jetojmë të mbrojtur nga një mur rrethues dhe nga një instalim alarmi, ata jetonin me dyer të hapur, të mbrojtur nga miqësia dhe ndershmëria e fqinjve të tyre.

9. Ne e njohim botën me anë të celularëve, kompjuterëve dhe televizorëve, ndërsa ata janë të lidhur drejtpërdrejt me botën dhe jetën: me qiellin, me diellin, me ujin, me malin, me blerimin, me kafshët, me të prodhimet e tyre, me njerëzit e tyre.

Ndërkohë që babai mbeti i shtangur nga thellësia e gjykimit të të birit, ky i fundit e mbylli duke thënë:

– Faleminderit, baba, që më bëre të kuptoj se sa të varfër qenkemi. Ne çdo ditë po bëhemi më të varfër në shpirt dhe në vlerësimin e veprave të mëdha që ka krijuar Zoti apo mëma Natyrë. Ne na ka pushtuar lakmia për të pasur, për të pasur e për të pasur dhe nuk shqetësohemi fare për të qenë.

Buxheti 2021, miliarda lekë më shumë taksa për biznesin dhe qytetarët

Pavarësisht se vendi gjendet në krizën më të rëndë në mbi dy dekada për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri, qeveria shqiptare ka planifikuar miliarda lekë taksa shtesë për shqiptarët, kryesisht të vetëpunësuarit e biznesit të vogël.

Qeveria shqiptare miratoi projektbuxhetin e vitit 2021 duke parashikuar një rritje të të ardhurave në masën 7.3% në krahasim me planin e vitit aktual në një kohë kur rritja ekonomike nominale pritet të jetë 6.4% dhe ajo reale, 5.5%. Rritja më e shpejtë e të ardhurave të qeverisë në krahasim me rritjen ekonomike, pritet të mbështetet, sipas relacionit të publikuar nga Ministria e Financave, në “administrimin më të mirë fiskal” si dhe në rritjen e taksave.

Sipas relacionit, rritja e pagës minimale nga 26 mijë në 30 mijë lekë, pritet t’i japë buxhetit të shtetit 3 miliardë lekë (25 milionë euro) të ardhura më shumë. Emërtimi pagë minimale nënkupton ekzistencën e një politike sociale, në të cilën, punëdhënësi detyrohet të paguajë një pagë minimale punëmarrësin pavarësisht eficiencës së tij në punë. Por realiteti ekonomik në Shqipëri e ka transformuar pagën minimale në një taksim afrofe të një numri të konsiderueshëm taksapaguesish, kryesisht të vetëpunësuarit në biznes të vogël si dhe ata që kanë paga më të larta se sa paga maksimale e sigurimeve shoqërore. Në Shqipëri aktualisht ka rreth 100 mijë të vetëpunësuar, të cilët paguajnë sigurime shoqërore e shëndetësore mbi këtë pagë minimale, e cila, kur rritet, nuk u sjell të ardhura reale më të larta të vetëpunësuarve, por u sjell rritje të barrës fiskale. Për pjesën tjetër të të punësuarve kjo rritje e pagës minimale nuk ka shumë efekt as në të ardhura dhe as në taksim. Dhe Ministria e Financave nuk e fsheh në relacion që kjo bamirësi që shteti po u bën të vetëpunësuarve, do t’i japë qeverisë 25 milionë euro të ardhura shtesë.

Një pjesë e të ardhurave argumentohet se do të vijë nga përmirësimi i administrimit fiskal që do të realizohet nga sistemi i ri informatik që do të zbatohet me faza gjatë vitit të ardhshëm. Ky sistem, i cili i ka kushtuar taksapaguesve rreth 15 milionë euro në një tender kontrovers që zhvilluar në vitin 2018 dhe që përfundoi me rezultat 99.75% të fondit limit, pritet t’i kushtojë biznesit disa qindra euro shtesë gjatë vitit të ardhshëm në formën e pajisjeve elektronike dhe programeve të licencuara nga qeveria. Qeveria planifikon të ardhura shtesë për buxhetin nga zbatimi i këtij programi, pa vlerësuar se sa kosto shtesë do të kenë taksapaguesit për plotësimin e kritereve të raportimit fiskal.

Qeveria ka në plan gjithashtu që të bëjë gjatë vitit të ardhshëm rritje pagash për sektorin e shëndetësisë dhe atë të arsimit, gjë që do të jetë pjesë e një rritjeje masive të shpenzimeve operative të qeverisë në masën 21 miliardë lekë ose 170 milionë euro.

Rënia masive e ekonomisë gjatë këtij viti dhe rritja e shpejtë e deficitit buxhetit pritet të bëjë që borxhi publik të arrijë në 81% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fillim të këtij viti. Siç ka premtuar edhe më parë, qeveria planifikon të reduktojë deficitin buxhetor në katër vitet e ardhshme duke pakësuar edhe borxhin si përqindje e PBB-së, gjë që deri më sot nuk është realizuar.

Reporter.al

Ahmetaj në makinë me 500 biznesmenë që u jep dhjetëra milionë euro tendera e koncesione

Ministri Arben Ahmetaj përmes një ndërhyrjeje telefonike në emisionin “Opinion”, ka shpjeguar aksidentin rrugor në të cilin ai është përfshirë, ndërsa ka qenë në automjet së bashku me Mirel Mërtirin.

Më herët ish-deputeti Enkelejd Alibeaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, thanë se Ahmetaj në konflikt interesi ka qenë në makinë me bashkëjetuesin e Stela Gugalla, vajza që ka qenë administratore e inceneratorit të Elbasanit.

Lidhur me këtë argument, Ahemtaj tha: “Jam në makinë, kam qenë dhe do jem në makinë me të paktën 500 biznesmenë. Personi që përmendni nuk është kontraktor dhe unë nuk bëj procedurë. Për më tepër nuk kam qenë ministër kur jam aksidentuar.”

Ndërkohë mes Ahmetajt dhe Bardhit nuk kanë munguar retorikat. Bardhi iu drejtua Ahmetajt me shprehjen: Nuk do t’i gëzosh lekët e shqiptarëve, ndërsa Ahemtaj iu përgjigj: “Pusho se do të nxjerr bojën”!

Kush është 23-vjeçarja që mori 23 milionë euro nga inceneratori fantazëm

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi tha se në rastin e e inceneratorit të Elbasanit është shkelur ligji i PPP-ve dhe procedura e garës.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Bardhi ka treguar se si është shpallur fitues i një investimi 23 milionë euro, projekti i 23-vjeçares Stela Gugalla, me nje kompani te krijuar pak muaj para se te merrte projektin.

“Më 4 tetor 2014 bashkia Elbasan shaplli emergjencë mjedisore. Në datën 9 i dërgon ministrisë një shkresë ku e informon për këtë problem. Në datën 12 Ministria i kthen përgjigje dhe i thotë: po, kemi një problem. Në datë 14 Stela Gugalla krijon “Albtech Energy” me kapital 50 mijë euro.

Një muaj pasi kjo 23-vjeçarja krijoi një kompani, dërgon një propozim në Ministrinë e Mjedisit që i thotë: Kam një projekt për menaxhimin e mbetjeve.

Ministria e merr projektin dhe thotë: Për 1 muaj duhet t’i japim zgjidhje. Në datën 16 Dhjetor i thotë: E shqyrtova projektin, më jep ofertën. Në 16 Dhjetor brenda së njëjtës ditë jepet oferta”, u shpreh Bardhi.

I pyetur se ku qëndron shkelja në këtë procedura, Bardhi tha: “Duhet të hapet garë. Ka tre procedura: garë e hapur, garë e negociuar ose propozim me shpallje. Pas Stelës fshihej Klodian Zoto. Është shkelur ligji i PPP-së se nuk ka patur garë. Brenda 24 orësh Stelës 23-vjeçe i jepet një projekt 23 milionë euro, kur kompania kishte zero lekë”.

Faktori i fshehur që mund t’i japë fitoren surprizë Trump

David Siders, Politico

Përkundër çdo mase që operativët politikë, akademikët dhe analistët kanë ndërmarrë për të parashikuar zgjedhjet, rezultati ka treguar se Joe Biden do të fitojë zgjedhjet presidenciale.

Megjithatë, dy javë para ditës së zgjedhjeve, realiteti i shpalosur i vitit 2020 është i vështirë të parashikohet. Dhe demokratët po përpiqen të zbulojnë ndryshimet e fshehura që mund të fundosin të nominuarin e tyre – ose ato që mund të quhen të panjohurat e njohura.

Pjesëmarrja e demokratëve vazhdon të rritet në votimet e parakohshme. Por, është e paqartë nëse do të jetë e mjaftueshme për të kaluar votat në rritje të republikanëve.

Ekziston pasiguri në lidhje me saktësinë e votimit në disa shtete të caktuara, efikasitetin e përpjekjeve për shtypjen e votuesve të GOP, madje edhe numrin e fletëvotimeve postare që për një arsye ose një tjetër mund të quhen të pavlefshme.

“Ka më shumë të panjohura se sa kemi pasur ndonjëherë”, tha Tom Bonier, CEO i TargetSmart.

“Instrumentet që kemi për të vlerësuar këtë garë, sondazhet, modelet tona parashikuese … problemi është që të gjitha ato mjete janë ndërtuar për të vlerësuar zgjedhje normale. Dhe këto janë gjithçka përveç zgjedhje normale”.

Për këtë arsye, ndër të tjera, demokratët po vlerësojnë votimet e parakohshme, raporton abcnews.al

“Ne nuk e dimë se çfarë çmendurie mund të bëjë Trump”, tha Matt Bennett. “Çdo ditë është një javë dhe çdo javë është një muaj. Do të duket një kohë e gjatë, e pafundme. nga tani deri më 3 nëntor”, pohoi ai.

Nga të gjitha arsyet që demokratët mund të jenë të pasigurt, më shqetësuese për partinë është ajo që tani për tani po shkon shumë mirë për ta: Pjesëmarrja. Më shumë se 27 milionë njerëz kanë votuar tashmë në të gjithë vendin që nga e diela, disa pasi qëndruan në radhë për orë të tëra, sipas të dhënave të përpiluara nga Projekti i Zgjedhjeve i Shteteve të Bashkuara. Demokratët kanë më shumë vota sesa republikanët.

Por ekspertët politikë nuk e dinë se sa përparësi të madhe do të ndërtojnë demokratët në votimet e parakohshme apo nëse do të jetë e mjaftueshme për të kapërcyer valën e votave që republikanët pritet të votojnë.

Duke shënuar “shenja të qarta paralajmëruese” për Biden, një strateg i shquar qarkulloi një memo midis demokratëve në fillim të këtij muaji duke përmendur rritjen e regjistrimit të votuesve të bardhë, – baza demografike e presidentit, Donald Trump – në Pensilvani, Wisconsin dhe Michigan. Nuk ka asnjë precedent që Trump të kapërcejë një deficit kaq të madh të sondazheve kaq afër zgjedhjeve, shkroi strategu.

Për demokratët, pasiguria se kush voton është vetëm një pjesë e ekuacionit. Ajo gjithashtu është e paqartë se sa fletëvotime postare në fund të fundit do të refuzohen dhe në cilat shtete.

Nuk është çështje e vogël. Pasi Gjykata e Lartë e Pensilvanisë vendosi muajin e kaluar se të ashtuquajturat “fletëvotime të zhveshura” – ato pa një zarf të duhur nuk mund të numëroheshin, zyrtarët e zgjedhjeve paralajmëruan se më shumë se 100 mijë vota mund të quheshin jo të vlefshme.

Kjo është më shumë se dyfishi i diferencës me të cilën, Trump mundi Hillary Clintonin në vitin 2016.

Republikanët në shtetet e tjera kanë pasur një farë suksesi në gjykatë duke parandaluar që të numërohen fletët e votimit me postë që mbërrijnë pas Ditës së Zgjedhjeve. Një fitore e Bidenit mund të varet jo vetëm nga bindja e demokratëve për të vazhduar votimin në dy javët e ardhshme – por ata duhet të sigurohen që çdo gjë ta bëjnë në mënyrë korrekte.

Ekziston një pasiguri, veçanërisht për votuesit më të rinj, të cilët nuk po votojnë në të njëjtin ritëm si të moshuarit.

“Unë parashikoj në javët e ardhshme se historia e demokratëve do të ndryshojë nga euforia mbi epërsitë e dukshme të mëdha në votimin e hershëm dhe më pas do të shqetësohet se një numër i madh i votuesve të rinj, ende nuk kanë votuar.”

“Një e panjohur e madhe për momentin është sa demokratë po votojnë realisht, tha Nick Trainer, drejtori i fushatës së Trumpit për strategjinë e fushatës.

Sigurisht, shumë demokratë do të votojnë. Por ata do fillojnë të shqetësohen për diçka tjetër. Demokratët po shpenzojnë miliona dollarë në edukimin e votuesve dhe programet e mbrojtjes së votuesve. Por në debatin e tij me Bidenin, Trump u bëri thirrje “mbështetësve të tij të votojnë dhe të tregohen të kujdesshëm.”,

Një arsye që strategët politikë janë përqendruar aq shumë në mekanikën e zgjedhjeve – përfshirë pjesëmarrjen dhe numërimin e votave është se shumë pak gjëra ka të ngjarë të ndryshojnë rrjedhën e fushatës. Republikanët kanë shpresën për një kthesë dramatike të koronavirusit ose për rigjallërim të ekonomisë. Zgjedhjet janë ende referendum për Trumpin.

Sipas sondazheve Trump do të ketë nevojë që kandidati i tij të tregojë pasiguri për të fituar një mandat të dytë. Por ekziston një farë pasigurie edhe për këtë.

Trump nuk është favorit në sondazhe dhe kjo është diçka që nuk mund të përgënjeshtrohet. Anketuesit e të dy partive kanë deklaruar se janë duke llogaritur më shumë kujdes votuesit e bardhë, të shkolluar jo kolegjial.

Megjithatë, shumë demokratë vazhdojnë të dyshojnë se ka ende të ashtuquajtur votues të qetë ose të ndrojtur të Trumpit– ata që nuk pranojnë t’u thonë anketuesve se mbështesin një president të polarizuar, transmeton abcnews.al

Përveç kësaj, ndërsa Trump ndodhet në disavantazh në shtetet kritike, ai është afër kufijve të gabimit të shumë shteteve.

Deri në këtë pikë, asgjë nuk e ka ndryshuar ekuacionin themelor dhe kjo përfshin një pandemi, një debat të parë katastrofik dhe shtrimin në spital të Trumpit nga koronavirusi.

Për demokratët, nuk ka asnjë çmim politik që duhet paguar për projeksionin e kujdesshëm, i cili mund të ndihmojë të shmang vetëkënaqësinë midis donatorëve dhe votuesve të mundshëm.

Ajo që ndryshon nga viti 2016 është se kemi një kandidat me epërsi të madhe sipas sondazheve, por edhe një president që nuk është si paraardhësit e tij – kjo i bën zgjedhjet e këtij viti të paparashikueshme

Përfitoi 131 mijë euro nga tenderi, në pranga ish-zyrtari i OSHEE-së

Ish-drejtori i prokurimeve të OSHEE, Elis Bushati është vënë në pranga ditën e sotme. Po ashtu, është shpallur në kërkim ish-shefja e kabinetit të drejtorit të OSHEE, Albana Ferra. Të proceduar penalisht janë edhe dy ish-zyrtarë të tjerë të OSHEE.

Ndërkohë, SPAK ka dhënë detaje rreth kësaj çështjeje.

Kështu, SPAK ka regjistruar proçedimin penal për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni aktiv personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Objekt i hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal janë veprimet dhe mosveprimet e kryera lidhur me proçedurën e prokurimit “Shërbim-Konsulencë”, për lidhjen e kontratës me objekt “Asistencë teknike për ndarjen e aktivitetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga furnizimi i energjisë elektrike së bashku me përmirësimin e cilësisë së shërbimit të klientit të OSHEE sh.a”, me fond limit 138500000 lekë.

Kjo procedurë prokurimi është zhvilluar në vitin 2016 nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Lexo edhe: Akuza për korrupsion: Arrestohet ish-drejtori i Prokurimeve në OSHEE, në kërkim ish-zyrtare tjetër

Rezulton se Elis Bushati, Athinta Papa dhe Irma Dërguti, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, që kanë marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi dhe që kanë shqyrtuar dhe vlerësuar ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin duke favorizuar në mënyrë të padrejtë shoqërinë tregtare “COM METODI” S.P.A, me seli në Milano, Itali.

Po ashtu, nga hetimet e kryera, ka dyshime se Albana Ferraj, e cila gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi ka kryer funksionin e Drejtorit të Divizionit Tregtar dhe Drejtorit të Kabinetit në shoqërinë tregtare OSHEE sh.a, ka marrë përfitime të parregullta, në shumën prej 131.880 euro, me qëllim për të favorizuar shoqërinë tregtare “COM METODI” S.P.A në proçedurën e prokurimit të zhvilluar në vitin 2016.

Me qëllim përfitimin e këtyre parave, Ferraj ka krijuar një marrëdhënie fiktive midis saj dhe shoqërisë “COM METODI” S.P.A, duke përdorur edhe një shoqëri tjetër me seli në Shqipëri, duke fshehur dhe mbuluar natyrën e kundra-ligjshme të origjinës së shumës monetare të mësipërme.

Ndaj Ferrajt është caktuat masë e sigurimit personal “arrest ne burg”, si e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ndaj Bushatit është caktuar masë sigurie “arrest ne burg”, si i dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike” të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Kurse ndaj Irma Dërgutit është caktuar masa “arrest ne shtëpi”, si e dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike” të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Athinia Papës i është caktuar masa”arrest ne shtëpi”, si e dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike” të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Hetimet paraprake për këtë proçedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.

Skandali/ Arben Ahmetaj ishte në makinë kur u aksidentua me bashkëshortin e “zonjës 23 milionë euro” të inceneratorëve

Partia Demokratike bëri dje një kallëzim në SPAK ndaj kryeministrit Rama, ministrin Arben Ahmetaj, ish-ministrin Lefter Koka, Klodian Zoton e Mirel Mërtirin për abuzimet që janë bërë me incenatorët.

Madje ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka bërë publike disa detaje lidhur me ish-ministrin e Ekonomisë, tani të Rindërtimit, Arben Ahmetaj. I ftuar në emisionin “Opinion”, Alibeaj tha se brenda në makinë me ministrin Ahmetaj gjatë një aksidenti ka qenë edhe Mirel Mërtiri.

“Arben Ahmetaj pësoi aksident, ja kush personazh ishte me të

Pjesë nga emisioni:

Alibeaj: Ka qenë me një makinë, në një aksident me të cilin u përmbys makina. E mbani mend apo jo?

Blendi Fevziu: Kush ishte brenda?

Alibeaj: Brenda makinës ishte Artan Gjokaj drejtor i madh në ministrinë e Ekonimsë dhe Mirel Mërtiri, bashkëjetuesi i Stela Gugallias. Ajo mori me 1 mijë euro Elbasanin studimin e të cilës e kishtë bërë Klodian Zotos. Në Fier, ajo shoqëri me 80% ishte në emër të zonës. Tirana bashkimi i tre shoqërive, një prej tyre ishte në emër të Klodian Zotos. Tani Ahmetaj dhe Mireli, si ka mundësi që janë brenda një makine bashkë? Ishte, para, gjatë dhe pas me ta. E thashë shqip. Ja pra kjo është.

Pas këtyre akuzave të Alibeajt në studio ndërhyri përmes një telefonate ‘live’ edhe Arben Ahmetaj, i cili ka sqaruar akuzat mbi inceneratorët, duke u shprehur se bashkia e Elbasanit paguan vetëm shërbimin dhe jo ndërtimin e tij.

Për sa i përket aksidentit me Klodian Mërtirin, ai u shpreh se në makinë ka udhëtuar me më shumë se 50 biznesmenë dhe kjo nuk përbën asnjë problem.

“Ato janë 2 investime publike dhe janë pronë e shtetit. Në procedurë, vendimi për shpallje emergjente, është emergjencë që e kanë lënë ata. Janë dy investime publike që i kalojnë shtetit në fund të koncesionit.

Unë jam në makinë, kam qenë në makinë dhe do jem në makinë me të paktën 500 biznesmenë. Personi që thoni nuk është kontraktor. Unë nuk bëj procedurë.

Bashkia paguan shërbimin, nuk paguan ndërtimin e inceneratorit”, tha Ahmetaj.

Epoka e “Fake News”/ Si të dalloni lajmet e vërteta nga ato të rreme

Përhapja e dezinformimit e ka bërë shumë më të vështirë kërkimin e lajmeve të besueshme.

Por kompanitë e teknologjisë po përpiqen të identifikojnë subjektivizmin në media për t’i ndihmuar lexuesit të dallojnë lajmet e vërteta nga ato të rreme.

Midis Google, Facebook, Twitter dhe mënyrave të tjera me të cilat amerikanët i marrin lajmet në internet, shumë njerëz përjetojnë mbingarkesë informacioni tani që po afrojnë zgjedhjet.

Por disa informacione jo patjetër janë të sakta dhe të vërteta.

“Tetë në çdo 10 amerikanë janë të shqetësuar se dezinformimi do të luajë rol në rezultatin e zgjedhjeve,” thotë John Sands i Fondacionit Knight.

Por, a janë në gjendje shumica e amerikanëve të zbulojnë dezinformimin?

“Ne shpresojmë që konsumatori i lajmeve të kuptojë vetë nëse një lajm është ose jo i vërtetë,” thotë Harleen Kaur e organizatës Ground News.

Kjo është arsyeja pse ajo dhe një koleg i saj themeluan këtë organizatë që ajo thotë se është platforma e parë në botë për krahasimin e lajmeve.

“Për shembull, nëse del një lajm rreth zgjedhjeve, ne ju tregojmë si e mbulojnë atë lajm mediat, nga e majta e skajshme tek e djathta e skajshme dhe njerëzit mund të bëjnë krahasimin,” thotë zonja Kaur.

“Me një klikim të vetëm, mund të kuptoni se cilat janë variantet e tjera me të cilat jepet ai lajm”, thotë ajo.

“Ne të gjithë jemi subjektivë në ato që dimë, për shkak të përvojës sonë të jetës,” thotë John Gable, bashkëthemelues i faqes AllSides.com, që vlerëson subjektivitetin në media dhe identifikon se kush qëndron majtas, djathtas dhe në qendër sa i përket qëndrimit që mban ndaj një ngjarjeje politike.

“Ne ju japim vështrimet e ndryshme. Pra, tre rezultatet e para të çdo kërkimi ju japin tre këndvështrime të ndryshme për të njëjtën temë,” thotë zoti Gable.

Studiues si Sameer Patil i Universitetit të Indianës kanë zbuluar se nëse e orienton sado pak lexuesin, kjo mund të ndihmojë në uljen e dezinformimit.

“Nuk ka nevojë për shumë fjalë, thjesht ta kujtosh lexuesin duke i thënë: ky lajm mund të jetë i diskutueshëm, ndoshta duhet të thelloheni pak,” thotë zoti Patil.

“Këto pak fjalë veprojnë si një kujtesë dhe e ulin dëshirën e njerëzve për ta ndarë atë lajm me të tjerët,” thotë ai.

Leximi i lajmeve kërkon pa dyshim një dozë skepticizmi.

“Thjesht duhet të pyesim veten: A mund të jetë ky lajm i vërtetë? Një reflektim i shkurtër mund të jetë i dobishëm,” thotë Patil.

Tani që zgjedhjet po afrojnë, por edhe pas tyre, kjo është ndoshta një mënyrë për të ndarë lajmet e vërteta nga ato të rreme.